Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


TV Berlin: Intervistë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita

| E diele, 07.08.2011, 05:30 PM |


Njohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, çështje kohe

 

Në një bisedë të cilën e ka zhvilluar Peter Brinkmann për TV Berlin në Gjermani, ambasadori i Kosovës, dr. Vilson Mirdita, flet për progresin e arritur në Kosovë, për marrëdhëniet me Serbinë, si dhe për shanset e perspektivat e të ardhmes për vendin e tij të vogël ballkanik.

 

Dr. Mirdita, ne i kemi ende parasysh pamjet e lumenjve të refugjateve, ishin pamje vrastare. Më pas ndodhi intervenimi i NATO-s, të cilin pikërisht gjermanët e kishin sforcuar. Ministri i jashtëm Joschka Fischer thoshte përafërsisht: “Kurrë më diçka të tillë si holokausti! Kurrë më Auschwitz!”

 

Mirdita: Nëse këto pamje njeriu i sjell edhe një herë ndër mend, atëherë ato janë argumenti më i mirë për intervenimin e NATO-s. Që ky intervenim ia vlejti, e tregon edhe fakti që pavarësia e Republikës së Kosovës i ka kontribuuar stabilitetit të gjithë rajonit. Sot Republika e Kosovës njihet nga 76 shtete demokratike. Prej tyre janë 22 shtete të BE-së dhe shumë shtete industriale, të cilat i dëshirojnë vendit tonë mirëqenie. Unë mendoj se shteti ynë brenda këtyre tre vjetëve të Pavarësisë ka bërë mjaft përparime.

 

Është e çuditshme që nga 27 shtetet e BE-së Kosovën e kanë njohur vetëm 22. Cilat janë arsyet e këtyre pesë vendeve të tjerave për të mos e bërë këtë gjë?

 

Mirdita: Unë mendoj se është çështje kohe derisa këto ta bëjnë këtë hap dhe të na njohin. Këto pesë shtete nuk kanë asgjë kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ato nuk kanë gjithashtu asgjë kundër popullit të saj, sepse të gjitha këto pesë shtete kanë kontribuuar që paqja të kthehet në Kosovë. Dhe ato kishin ushtarë të tyre në Kosovë në misione të ndryshme paqësore deri para pak kohësh, p.sh. Spanja. Edhe në misionin më të madh evropian, EULEX-in, këto shtete kanë dërguar njerëzit e tyre. Ato, me sa duket, kanë probleme të brendshme dhe kjo është arsyeja që ato nuk mund ta bëjnë këtë hap. Por ne shpresojmë dhe jemi të sigurt që, sidomos pas rekomandimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës në vitin e kaluar, e cila Pavarësinë e deklaroi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ato nuk kanë më kurrfarë arsyeje për të mos na njohur.

 

Kroacia vjen në BE në vitin e ardhshëm, Serbia do të integrohet në BE, Ju sigurisht doni po ashtu në BE. Mirëpo për aq kohë sa Serbia të mos e njohë Kosovën, për të dyja këto vende nuk do të ketë asgjë, a e shoh drejt këtë gjë?

 

Mirdita: Ne jemi shumë të gëzuar që Kroacia mundi ta realizojë këtë hap të madh, për të cilin është shpenzuar shumë energji. Ata na kanë dhënë shembull që me punë të madhe, edhe përkundër vështirësive - sepse vazhdimisht përsëritet: Evropa është e lodhur nga Zgjerimi - i dilet mbanë. Por ata ia dolën mbanë dhe Kroacia në vitin 2013 do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Për ne kjo është shumë e rëndësishme, sepse atëherë kufijtë e BE-së nuk do të ishin larg tetë orë, por menjëherë aty pranë. Kjo na bën shumë optimistë që me angazhim dhe punë këmbëngulëse këtë qëllim mund ta realizojmë edhe ne. Papunësia është e madhe- mbështetja nga BE-ja e nevojshme

 

Ju keni në vendin tuaj një shkallë të lartë të papunësisë. Tani ekziston një plan i industrisë gjermane që thotë: „ Ne i sjellim kosovarët e rinj në Gjermani, i arsimojmë profesionalisht këtu dhe pastaj të përpiqemi t'u ndihmojmë në krijimin e ndërmarrjeve të veta kur ata të jenë përsëri në vendin e tyre.“ Çka mendoni ju rreth kësaj?

 

Mirdita: Popullsia kosovare është më e reja në Evropë. Ne kemi një moshë mesatare 25- vjeçare. Kjo rini është pjesërisht mirë e arsimuar, por ne megjithatë kemi nevojë për mbështetje. Ne kemi marrë, siç u tha, mbështetje të madhe në Gjermani dhe ne shpresojmë që edhe të rinjtë të kenë mundësinë të gëzojnë një arsimim të mirë në Gjermani në mënyrë që pastaj këtë përvojë ta vënë në përdorim në Kosovë. Është po ashtu e rëndësishme që ne t’i sjellim investitorët nga Gjermania në vendin tonë.

 

Kësaj i shtohet edhe fakti që ne në Republikën Federale të Gjermanisë kemi një diasporë të madhe, numri i së cilës e kalon 250.000 kosovarë, të cilët jetojnë këtu.

Ju dëshironi për vete shumë mbështetje, ndihmë nga Gjermania dhe BE-ja...Ushtarët e Bundeswehr-it ende janë të stacionuar në Kosovë. Edhe për sa kohë do të shkojë kjo kështu?

 

Mirdita: Numri i ushtarëve, i cili menjëherë pas luftës kishte arritur 50.000 ushtarë të NATO-s, është rrëgjuar sot në më pak se 5.000 ushtarë. Kjo tregon se vendi ynë është stabilizuar fort. Diçka mbi 1000 ushtarë prej tyre janë ushtarë të Bundeswehr-it. Ne u jemi shumë mirënjohjes për angazhimin e tyre. Këta ushtarë, ushtarët e NATO-s dhe të Bundeswehr-it, janë pritur në Kosovë përzemërsisht.

 

Ajo, për çka ju keni nevojë, nuk është ndihma politike, por ju keni nevojë para së gjithash për mbështetje ekonomike. Kosova nuk është vetëm njëri nga shtetet më të reja në botë, por ka në të njëjtën kohë edhe popullsinë më të re. Për çfarë mbështetje ekonomike nga BE-ja dhe Gjermania, arsimim të të rinjve, investime...

 

Mirdita: Ne jemi mbështetur fort deri tani, por ajo për të cilën kemi nevojë tash nuk është më ndihma në kuptimin e marrjes së gjërave ushqimore, por tani ne shpresojmë për një partneritet. Ne kemi nevojë edhe për investime në vendin tonë, sepse Republika e Kosovës ka për të ofruar mjaft. Kosova është e pasur me pasuri nëntokësore. Në fushën e sektorit energjetik Kosova ka rezervat më të mëdha të thëngjillit në rajon dhe është e pesta në botë. Lëvizja pa viza është ende një problem.

 

Një problem që vërehet vazhdimisht që të rinjtë, të cilët me dëshirë do të studionin në Gjermani, këtë gjë nuk mund ta bëjnë, sepse nuk kanë viza. Pse?

 

Mirdita: Në këto pyetje vazhdimisht edhe mua më duhet t'u përgjigjem të rinjve. Është vërtet vështirë për ta kuptuar. Popullsia kosovare, pra 2 milionë njerëz, është e vetmja popullsi, të cilës nuk i lejohet udhëtimi pa viza, ndërkohë që për 50 milionë njerëz nga rajoni i Ballkanit vlen udhëtimi pa to, p.sh. edhe për Serbinë.

 

Pse nuk vlen ky udhëtim pa viza edhe për ju?

 

Mirdita: Ne kemi qenë të vonuar në këtë çështje, ne duhet t'i përmbushim disa parakushte. Ne e dimë gjithashtu se këto parakushte duhet t'i plotësojmë patjetër. Por ajo çka qeveria jonë kërkon tani, është që ne t'i kemi të njëjtat kushte si shtetet tjera. Na i jepni detyrat e shtëpisë dhe neve s'na mbetet gjë tjetër veçse t’i përmbushim ato kushte.

Unë jam thellësisht i bindur që ne këto detyra do t'i kryejmë në mënyrë që edhe ne të kemi të drejtën për të udhëtuar pa viza.

 

Ju me siguri zhvilloni bisedime vazhdimisht rreth kësaj me Ministrinë e Brendshme. Me cilin argument thuhet se ju duhet të prisni?

 

Mirdita: Kjo nuk ndodh për shkak të Republikës Federale të Gjermanisë. Republika

Federale na mbështet në këtë drejtim, ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Një parakusht ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje me shtetet e BE-së për kthimin. Ne kemi tashmë një marrëveshje të tillë me Gjermaninë. E rëndësishme është që të sigurohet kontrollimi i kufijve, dhe ne punojmë në këtë drejtim. Të rëndësishme janë pastaj edhe parakushtet teknike si pasaportat biometrike që ne do t'i kem së shpejti. Ne jemi duke punuar dhe shpresoj që deri në fund të vitit do të mund t’i lëshojmë ato. „Nuk do të duhej të përdorej fjala 'kurrë' në politikë“

 

Në ligjëratën e presidentit serb Tadiç ju nuk ishit aty, por aty ishte zëvendësi juaj. Tadiç ka thënë: „Ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën“?

 

Mirdita: Në histori ekziston procesi i pajtimit gjermano-polak, apo procesi i pajtimit gjermano-francez. Kjo ka zgjatur sigurisht shumë kohë, për këtë arsye nuk do të duhej të përdorej fjala „kurrë“ në politikë. Unë mendoj se do të kishte qenë mirë sikur në Serbi të kishte personalitete të mëdha që nuk e mohojnë atë që ka ndodhur, sepse ajo duhet të mbahet parasysh, p.sh. fakti që shumë nëna i kanë humbur djemtë e tyre. Edhe unë e kam humbur në luftë vëllanë tim, e megjithatë jam i gatshëm për të mirën e gjeneratës së re të zgjat dorën e pajtimit.

 

Ju uleni nganjëherë pranë tavolinës me ambasadorin serb. Jo shpesh, por ka pasur edhe kohëra kur ambasadori serb është ngritur dhe ka dalë jashtë nëse ju keni ardhur. A kanë kaluar këto kohëra në Berlin?

 

Mirdita: Po kishte kohëra të tilla, mirëpo në ndërkohë ka disa aktivitete kur ne ulemi së bashku. Nëse ne diplomatët nuk flasim me njëri-tjetrin, atëherë kush duhet ta bëjë?

 

Bie në sy fakti që, nëse ju uleni pranë një tavoline, atëherë edhe përshëndeteni, flisni me njëri-tjetrin, por e gjithë kjo nuk duket krejt normale.

 

Mirdita: Por kjo kohë do të vijë. Jam i sigurt. Është thjesht çështje kohe. Integrimi evropian është qëllimi ynë i përbashkët. Për të ardhur në Evropë, neve na duhet patjetër t'i përmirësojmë marrëdhëniet tona fqinjësore. Ne duhet patjetër problemet e së kaluarës t'ia lëmë të kaluarës. Për integrimin evropian ka kritere, dhe atyre u përkasin marrëdhëniet e mira fqinjësore.

 

Kur do të tërhiqen ushtarët e huaj, edhe ata gjermanë të Bundeswehr-it? Kur dëshiron qeveria juaj, ose kur mendon ajo se mund të thotë: „Tani e tutje ne ia dalim mbanë vetëm“?

 

Mirdita: Nëse e shohim reduktimin e trupave, nga 50.000 në 5.000, atëherë mendoj se ne kemi një proces vazhdues dhe se stabiliteti, zhvillimi dhe përparimi ekzistojnë. Ne kemi një çështje të madhe në të cilën po punojmë: zhvillimin ekonomik. Mjeti më i mirë për të pasur stabilitet është zhvillimi ekonomik.

 

(Përktheu:Xh.Ukshini)

 

Bota Sot