E enjte, 18.04.2024, 12:42 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Edhe unë…Zura një mike suljote

E diele, 07.08.2011, 07:59 PM


Edhe unë…Zura një mike suljote*.

 

Sprovë

 

Nga Timo Mërkuri

 

Më kujtohet që isha fëmijë kur e mësova dhe e këndova për herë të parë këtë këngë.Isha fëmijë dhe kapardisesha që ç’ke me të.-Kimani zilinë.Edhe unë ..Zura një mike suliote.Pa ç’ka se isha fëmijë me pantallona të shkurtëra.Miken e doja për mike që…. të loznim shtëpirash, kur unë zihesha me shokët, se më bënin ilera në lojë. Se kisha nja dy shokë more… që… vetëm ilera dinin të bënin.Sidomos ai Kozmai me Llambin.  Nuk u shkonte fare loja po të mos mashtronin.Unë mërzitesha ,e lija lojën në mes dhe shkoja në shtëpi, duke pritur që gjyshja të mbaronte lutjet e saj të përditëshme para konizmës së Shën Spiridhonit apo Shën Gjergjit.

Le se, e kujtova dhe Shën Gjergjin  dhe fillova të qesh me vete.Pse do thoni ju.Po ja;-Ky shën Gjergji është një shënjt që tregohet i hipur mbi kal  me një shtizë të gjatë në dorë me të cilën ka goditur kuçedrën.Më një fjalë… tamam si Skënderbeu.Po kjo ngjashmëri e mori në qafë të shkretin shënjt,se kur filloi fushata kundër fesë dhe u dhanë porositë dhe direktivat që të hiqeshin nga shtëpitë ikonat dhe konizmat,kjo porosi apo këshillë(mos e zbato po deshe) ju dha dhe babait tim.Po babait nuk ja mbante që t’i hiqte Shën Gjergjin gjyshes, se ajo e batërdiste me shkop dhe e bënte bolori në lagje.Prandaj babai mendoi një rrugë më paqësore.Hoqi nga korniza portretin e Shën Gjergjit dhe vuri në të  një pikturë me ngjyra të Skënderbeut që, s’dihej se nga cili libër apo revistë e preu.Do thuash ti që Gjergj për Gjergj vate kjo punë. Po ja që nuk është njësoj si t’i falesh Shën Gjergjit, që i paçim uratën se të mbron nga shumë të liga , e si t’i falesh Skënderbe-Gjergjit, i cili vërtet e mbrojti vëndin nga turqit ,po njëherë e një kohë ama,se tani nuk i dihen as eshtrat ku i ka.

E varfëra gjyshe që nuk shikonte mirë dhe nga sytë ,se dhe syzet s’dihet se ç’numër qenë, se në vënd që tja qartësonin figurën,ja turbullonin më keq.

Kështu që,  nja dy muaj ,ditë për ditë i ndizte qirinj Skënderbeut dhe i  lutej ta shëronte nga reumatizma që ja bënte miza miza këmbët.Pastaj  i lutej që të kujdesej për  jetimët e shkretë të djalit të saj,pra për mua,vëllezërit e motrat e mia,ti ruante nga sëmundjet dhe … t’u bënte dhe detyrat e shtëpisë për në shkollë se …paskëshin një ‘’dhaskale’’ allosoj e të sertë etj etj.

Kështu në shtëpinë tonë mbretëronte paqia,babai qe në regull me detyrat e frontit,gjyshja qe në regull me punët e zotit dhe unë mësova të këndoj e të kërcej këngën,apo vallen e kënduar’’Zura një mike suljote’’.

Zura një mike suljote/Naze naze puna jote/Aman moj mike Suljote.

Leshverdha si himarjote/Kapetane pilurjote

Punëtore si kuçiote/Trimëreshë kudhësiote/

…Me gajtan ja mata mesnë/Ne Janin ja bleva breznë.

Mot e mot e gjysëm viti/U deshm’ e njeri s’na diti

Dhe një plakë që na diti/Asnjë fjalë s’mërmëriti

Në parajs i vaftë shpirti.

 

S’dihej sa do vazhdonte kjo paqe fetare dhe ateiste, bashkë me folkloristikën time, sikur të mos vinte një ditë halla në shtëpi.Mirë që erdhi, por erdhi pikërisht në kohën që gjyshja i lutej Skënderbeut që  ta shëronte se e kishte zënë gripi dhe … vu.u.u -bënte kryqin dhe lëvizte dhe qiririn para  portretit.

Halla hapi sytë nga habia.

-E ç’bën plakë-i tha  gjyshes,i ndez qiri Skënderbeut dhe i falesh atij.Po ai nuk është shënjtëruar moj. Lutju moj Shën Mërisë  e Shën Spiridhonit,ç’mi lutesh Shën Skënderbeut.

-E ç’thua a derëzezë, ç’thua? Ç’Skënderbe më thua.Ki është Shën Gjergji që i paçim uratën.-ju përgjegj gjyshja,dhe pasi e  ribëri kryqin e puthi dhe njëherë kornizën që duhej të kishte Shën Gjergjin.E puthi, e puthi, por ama sytë i afroi te portreti dhe i picëroi që  të shihte më mirë

-Në rregull është puna,ja kali i madh sa një katana,ja dhe shënjti mbi të,që i paçim uratën ,ja dhe shpata…Pa dale pak,pa dale pak...Shën Gjergji kishte heshtë  të gjatë në dorë  dhe jo shpatë  Po kuçedra e vrarë ku është.Ajo de, me dhëmbet jashtë dhe jo me  çallmë në kukë si ki këtu përposh kalit….Bubu  e varfëra.O shën Mëri dhe ti o Shën Spiridhon, mbromëni.E ç’është ki shejtan këtu  në vënd të Shën Gjergjit.A . a . a. Ai ma ka bërë.Ja ndreq unë  samarin kur të vijë nga puna…Po sa të vijë ai,na ti që më ri këtu si shejtani më gjunjë.

-Dhe  një të rëmbyerë shkopin e thantë e një ti hyrë vënçe atij Skënderbeut, ku të dhëmb e ku s’të dhëmb.Moj po e dërmoi fare,e  theu xhamin dhe  kornizën e bëri  copa copa.Të ziut kal që ja këputi bishtin që në rrëzë e ja preu këmbët më një të rënë të shkopit.Batërdi fare.

Unë nuk e di në se Skënderbeu u mund ndonjëherë nga Turqit,atëherë në kohën e tij,por ama atë ditë,e pashë vetë me sytë e mi që gjyshja ime e bëri  fërtele.Po qe e fortë gjyshja ime ore.Le se ç’do ti punonte të ziut baba kur të vinte nga puna.

Po babai atë ditë vonoi të vinte nga puna  dhe gjyshja,mendoi aty tek vinte rotull nëpër shtëpi tërë inat e me shkop në dorë,se më e mira për mua fëmijën, do qe të më mësonte një variant të ri të kësaj kënge që thoshte afërsisht;

-Zura një shejtan suljot/Një rufjan një pilurjot/

Nga puna mos ardhtë dot/Se do ta ujdis me shkop

Do ja bëj kurizin grop/Do ja bëj kërbishtet copë.

Hakçe hakçe ky variant i kësaj kënge nuk më pëlqeu fare,se ai që do hante dru qe babai im.Le të qe gjyshja ime,babai ishte më afër,ndonëse i sertë.Ndajë unë se pëlqeva këtë këngë  me shejtan suljot e rufjan pilurjot.Unë doja këngën me mike suljote dhe pikë muhabeti.

Nejse,siç ju thashë unë këtë mike e doja që të luaja shtëpirash ore,se më kishin bërë ile në lojë  shokët.Kur e mora vesh unë se miket duheshin edhe për.. ‘’mike’’,ato kishin ikur të tëra me miqtë e tyre.Le që atëherë mësova se ca suljote qenë hedhur edhe nga shkëmbi njëherë motit,por unë kujtoja se mos ishin hedhur  nga shkëmbi  në det, që të laheshin, aty  te shkëmbi i madh ,siç e quanim ne vëndin e famshëm në Sarandë ku lahej rinia.Por nejse,ta vazhdojmë ku e lamë fjalën në fëmijëri.

Unë,normalisht  duhej të nisesha e ta gjeja vërtet këtë miken nga Suli,por në radhë të parë  duhej të mësoja se nga cila anë e qytetit binte ky dreq Suli që kishte mike të mira. Mirë që nuk më tha njeri që ky Suli i mikeve  qënkish matanë kufirit,se do e kisha lënë fare këtë muhabet e këtë këngë.Po ja që u ngatërova dhe Sulin e kuptova si shtëpinë e Sulos,te lagjia tjetër, i cili vërtet kishte një vajzë të mirë e të mbarë.Qe pak më e vogël se unë,po kështu duhej të qe që të shkonte dhe kënga.

Tani,ju e kuptoni vetë që nuk kisha shumë faj unë i ziu në këtë ngatëresë.Shumë herë kisha dëgjuar që gratë e vajzat e qytetit tim  t’i thërisnin me emrin e burrit apo të babait.Psh, gruas së Zenelit i thoshnin shkurt ;Na moj Zenel-e,ose –Ku vete moj Shefqet-e,çish u gdhive Barjam-e, etj etj.Vetëm një zanore ‘’e’’ i shtohej emrit të burrit dhe hop ai burrë bëhej femër.Këtu u ngatrova dhe unë që emrin suljote e përktheva rëndom si ;- vajza e Sulos.

Apo s’qe dhe leshverdhë tamam si te kënga që thoshte;-

Leshverdha si himarjote/Naze naze puna jote.

Edhe  për nazet, qe në regull kënga,se vërtet ishte një  nazemadhe  ajo pipirunkë që e mbante hundën  lart te tavani.Bie fjala ore,mos e mirni si të vërtetë ju.Nuk qe si Pinoku ajo.

Ama ai vargu tjetër që thoshte ;-Kapedane pilurjote-mua s’më pëlqente hiç fare.

Tani,ajo do qe kapedane apo unë do isha kapedan.Domosdo që unë duhet të isha kapedan  dhe trim  me fletë, që ta shpëtoja atë nga ç’do rezik që i kanosej.Se i  kanoseshin shumë reziqe, ore.Tani, dihet xhanëm,vajzat e bukura gjithnjë janë në rezik,që  të venë e ti shpëtojnë bandillët.Dhe po s’ka rezik real,duhet të sajohet një i tillë.Ndryshe,ku do ta tregojnë trimërinë bandillët.

Dhe ëndëroja që e shpëtoja nga luanët e tigrat.E mo,i kisha parë në filma unë këto.Te filmi’Trimëritë e Herkulit’’ që e kisha parë dy herë.

Nejse,nejse.Le të kthehemi te kënga më mirë.

Kishte  ca vargje kënga  për këtë suljoten si delvinjote,borshiote dhe ca fshatra dhe ca qytete që unë si dija fare.Ama melodinë e mbaj mënd shumë mirë se një javë të tërë bëra koncert me këtë këngë para shokëve të mi ileqarë.

Do ta kisha haruar këtë ndodhi,apo do ta kisha lënë  në fëmijëri me lodrat e tjera,sikur të mos e kisha dëgjuar të kënduar në një ambient në Gjirokastër.Më saktë në Mashkullorë .Dhe menjëhreë mu kujtua fëmijëria dhe kjo këngë.Por ja që teksti ishte pakëz ndryshe këtu, se këtu nuk flitej për  ‘’ leshverdhën himarjote’’dhe ‘’kapedanen pilurjote’’ por;

-Leshverdha si Kardhiqote/Bucela mëdha prongjote

Gjalmë kuqe plesaqote/Mes holla mashkullorite/

Prokëla gjirokastrite.

Tani,pse këtu na dolën ca bucela e ca gjalmëra ,shtoi këtyre edhe proklat,dmth dënglat e gjirokastriteve,kjo është  tjetër punë,është punë teksti.

Që teksti të kishte ndryshim,kjo ishte e pritëshme për mua pasi këngëtari do të nxjerë në pah bukuritë e vajzave të krahinës dhe fshatit të tij se…nuk do marin të tërë nuse në Sul.Po vajzat e fshatit të tyre, ç’do bëhen.Apo do tjerin lesh gjithë ditën.

Por ajo që tërhoqi vëmëndjen time ishte fakti se dhe mënyra e të kënduarit ishte e ndryshme.Më e shtruar ishte,si një ecje nëpër lëndinë.E avashtë,si e menduar.Krejt ndryshe e këndoja unë kur ma mësoi gjyshja.Hidhesha ho e hop si kec.Apo nuk rotullohesha që lere lere.Kini humbur shumë ju, që s’më kini parë atëherë.

Por me këtë  këngë jam habitur shumë pasi e gjeta edhe në Mallakastër.Ore,dhe djemtë e mallakastrës do shkulen drejt Sulit për të gjetur mike.Ja tek kanë Fierin,pse lodhen kaqë larg.Vërtet i përmëndin edhe fieraket në këngë,por ama miket i donin nga Suli. Por gjithsesi të qenë si fieraket.Dhe e këndonin këtë këngë si me të qarë,të thuash që u dogjën e  u përvëluan fare për suljotet.Tjetër dynja këtu.

Do thuash ti,rëndësi ka të zinin mike,pa le ta këndonin si të donin këngën.Le ta këndonin po të donin edhe  si zona e Lunxhërisë, që në vënd të vargut ‘’naze naze puna jote’’ e këndonin ‘’xhane xhane puna jote’’.Kaqë shumë e kishin xhan këtë suljoten këta të lunxhërisë.

Ama ,nga ky konstatim mua më lindi mendimi se;- një këngë ,me të njëjtin tekst,apo një motërzim i kësaj kënge,në krahina të ndryshme këndohej me melodi të ndryshme,dhe pikërisht me melodinë e krahinës ku këndohet.

Pranohet teksti i largët,apo ndryshohet ai pakëz, me qëllim që të afrohet  te fshati ku këndohet,kjo s’ka rëndësi.Ai është thjeshtë një tekst kënge e aqë.

Rëndësi ka melodia që këndohet,iso-ja që mbahet në këtë këngë.

Dhe kjo këngë e mikes suljote,në Pilur këndohet pilurjotëshe,në Himarë këndohet himarjotëshe,në Skrapar këndohet Skrapariotëshe etj etj.Nuk e di,por s’ka pse të habitem po ta dëgjoj të kënduar edhe me çifteli.

Pra karakteristika dalluese nuk është teksti por melodia.Kjo edhe për faktin se me një melodi këndohet vetëm një këngë.

Psh ,melodia pilurjote e këngës së mikes suljote,i shkon vetëm kësaj kënge dhe jo ndonjë kënge tjetër,qoftë edhe pilurjote,qoftë edhe me të njëjtën temë.Po kështu melodia e Skraparit që shoqëron këtë këngë,nuk mund të përdoret për një këngë tjetër,qoftë dhe këngë dashurie tepër e përafërt me të.Mund të ketë afërsi melodie,mund të ketë ngjashmëri melodie,por kurë të njëjtën melodi  në dy këngë të ndryshme.

Ç’do  melodi është pasaporta e një kënge të caktuar.

Dhe një pasaportë nuk mund ta përdorin dy persona,qofshin këta edhe binjakë.

Vetkuptohet që ne nuk flasim për fallsifikatorë e trafikantë.

Ata janë jashtë çdo kënge.

 

* Mare nga libri “Vesa mbi kenge”.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora