E premte, 29.03.2024, 03:51 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Lolitat shqiptare drejt Amerikës

E premte, 27.01.2006, 08:45 PM


Janë ende të vogla, 17 dhe 14 vjeç, por i pret një e ardhme e sigurt në fushën e modës. Zana Krasniqi nga Prishtina dhe Xhesika Berberi nga Tirana, tregojnë rrugën nga objektivi i Fadil Berishes drejt pasarelave ne New York .

Nuk e kishte imagjinuar ndoshta asnjëherë Zana Krasniqi se sa mund të ta ndryshojë jetën një çmim. Ndoshta kishte menduar se e gjitha kjo mund të ndodhte në një të ardhme të largët, kur ajo të ishte bërë e famshme, të kishte ndërtuar një karrierë fotomodeleje dhe kur të gjithë ta njihnin se kush ishte dhe gazetarët ta thërrisnin për intervista apo kopertina revistash. Por ja që çmimi i fituar në “Super Models of the World” kishte pasur një fuqi të tillë, sa ta bënte super të kërkuar që të nesërmen. As dymbëdhjetë orë nga nata e madhe, dhe gjithçka kishte ndryshuar si me magji. Ajo nuk ishtë më thjesht Zana, një nga pesë vajzat e bukura të këngëtarit Naim Krasniqi. Tanimë ajo mund të mburrej pa frikë se nuk ishte vetëm vajza e një personazhi të njohur, por kishte ndërtuar emrin e vet. Dhe të gjithë e donin vetëm për atë emër. Një famë marramendëse. Dhe a e mendoni dot, e fituar vetëm për një orë në pasarelë?! Një orë e vetme dhe sytë e të gjithëve ishin drejtuar tek ajo, aq sa ajo nuk kishte fuqi ta besonte se e gjitha kjo po i ndodhte pikërisht asaj.

Po aq, vetëm një orë i ka mjaftuar ndërkaq një tjetër Lolite, të quajtur Xhesika Berberi, për të tërhequr drejt vetes vëmendjen e të gjithëve. Edhe pse në pasarelën e “Super Model of the World”, nuk mundi të fitonte çmimin e madh, arriti të fitonte një tjetër gjë të rëndësishme: vëmendjen e Fadil Berishës, i cili futet në listën e atyre pak njerëzve që kanë në dorë të hapin si me magji dyert e botës së modës. Asaj bote ku Xhesika do të bëjë pjesë patjetër. Gjithçka është thjesht çështje kohe.

Vëmendjen e Fadil Berishës që Xhesika mundi ta fitonte në pasarelë, Zana Krasniqi e kishte fituar shumë e shumë kohë më parë, që atëherë kur asaj as i shkonte ndër mend se mund të bëhej modele. Rasti e solli që të pozonte përpara objektivit të fotografit të famshëm, mik i familjes, thjesht për të pasur disa kujtime të bukura, ndërsa mendonte se me botën e modës i kishte mbyllur hesapet që tre vjet të shkuara, atëherë kur pas një sfilate të organizuar në Prishtinë, i ishte ofruar një kontratë si modele në Francë. “Atëherë isha shumë e vogël për t'u larguar nga shtëpia, isha vetëm 14 vjeç”, rrëfen Zana atë përvojë të parë me sfilatat. Nuk ishte mërzitur shumë që sfilata e Kosovës nuk e çoi drejt karrierës së modeles, fati ndoshta e kishte paracaktuar që rruga e saj do të kalonte nga Tirana. “Mund të quhet sfilata e parë e mirëfilltë, sepse ishte hera e parë që sfiloja në një sallë aq të mbushur, me të ftuarit, jurinë aq prestigjoze... Ishte kaq emocionuese”. Ishte e para sfilatë, ndërkohë që ajo nuk kishte pasur as gjihë kohën e mjaftueshme për të bërë prova. Nuk ishte mësuar ende të ecte me sandalet me takat e larta marramendëse, dhe ja ku ishte duke ecur në pasarelë, sikur të kishte gjithë jetën që merrej me atë punë. “Në përgjithësi unë vishem sportive, gjithmonë me xhinse dhe me atlete. I vesh kaq rrallë takat… Mirëpo atë natë më duheshin patjetër. Për të ecur si modelet që i shoh gjithmonë në “Fashion TV”. Zana, e mbërritur nga Prishtina ca me vonesë, i kishte nisur provat më vonë se vajzat shqiptare. E vetmja konkurrente nga Kosova, ajo jo vetëm që kishte mundur të stërvitej më pak në pasarelë, por fillimisht ishte ndjerë edhe disi e ndrydhur për faktin se po futej në një ambient krejt të panjohur, ku vajzat e tjera ndërkaq kishin pasur mundësinë të miqësoheshin me njëra-tjetrën. “Megjithatë ndrojtja ime zgjati fare pak, sepse vajzat e tjera më afruan menjeherë. Dhe kjo më është dukur një nga gjërat më të çmuara të këtij konkursi”, rrëfen ajo.

E çuditshme që kjo sfilatë ka qenë e para, sepse të gjithë që e kanë parë Zanën të sfilonte, kanë menduar se ajo tashmë ishte krejtësisht e mësuar me të tilla ecje. Përndryshe nuk do të ishte aq e qetë. “Me të vërtetë ashtu mendoni? Në fakt po më dridheshin këmbët nga emocioni, më dukej se nuk e kuptoja se ç'po ndodhte rreth meje”, tregon Zana ndërsa më kot përpiqet të kujtojë me detaje të gjithë atë natë. E ka tepër të vështirë të sjellë ndër mend çdo minutë, por i kujtohet fare mirë se kur drejtorja e “Ford”, Iris Minier thirri emrin e saj si fituese, ajo nuk e kishte kuptuar fare se fituesja ishte pikërisht ajo. Kujton pastaj se kishte qenë Arbana, prezantuesja e spektaklit, ajo që e kishte përmendur dhe Zana kishte bërë parakalimin triumfues. Pastaj kujton se si kur duartrokitjet kishin mbaruar, ajo kishte shkuar me vrap pas skenës dhe kishte folur me të atin. “Nuk e mbaj mend se si u gjenda me telefonin në dorë. Familja ime e kishte marrë vesh që unë kisha fituar, i kishte lajmëruar Fadil Berisha. Kurse unë mbaj mend vetëm se fola me babin dhe herë pas here i thërrisja: fitova, fitova”.

Pikërisht sepse ende nuk e kishte kuptuar se ç'kishte ndodhur me të, Zana së bashku me motrën që e shoqëronte, u nis menjëherë të nesërmen drejt Prishtinës. Ftesat për intervista nuk i interesonin aspak, po t'i krahasonte me dëshirën që kishte për t'u gjendur një orë e më parë pranë njerëzve të familjes, për të ndarë me ta gëzimin e fitores. Prandaj Zana i ktheu të gjitha ofertat mbrapsht dhe u nis për në Prishtinë. “Atje më priti një festë e vërtetë. Ndonëse kishte ndodhur diçka që ma zbehu gëzimin; qeni im Xhango kishte ikur nga shtëpia. E doja kaq shumë dhe e gjithë dita pastaj më iku duke qarë për të”, tregon Zana, ndërsa rrëfen se ende shpreson që qenushi i saj mund t'i kthehet. Mëkat që i ndodhi kështu, nuk mundi të shijonte më pak se dymbëshjetë orët që qëndroi në familje. Sepse të nesërmen u nis sërish drejt Tiranës, telefoni i kishte rënë gjatë gjithë kohës. “Nuk kisha marrë kurrë aq shumë telefonata urimi”, thotë Zana, e cila vetëm pasi kishte komunikuar sërish me Fadil Berishën, që i kishte thënë se duhej të kthehej sa më shpejt në Tiranë, u bë e ndërgjegjshme që çmimi i marrë do të kishte të tjera përgjegjësi. “Ende nuk më besohet se do të shkoj në New York dhe jeta ime do të ndryshojë kaq shumë. Më duket sikur jam në ëndërr. Do Zoti dhe më ecën”.

Në fakt Zana është një nga ata njerëz që besojnë shumë tek vetja. E ndërgjegjshme për bukurinë e saj, ajo ka ndërkohë të tjera plane. Përveç konkursit të janarit, që do ta shpjerë në një pasarelë më të madhe se ajo e Tiranës, përpara njerëzve të botës së modës, Zana ka edhe ca plane që nuk lidhen dhe aq me modën. “Do të doja të bëhesha aktore. E adhuroj kinemanë. Kurse babai im ka dashur të merrem me muzikë, por tani ka haqur dorë, sepse e ka parë që unë mora një rrugë tjetër”. Do të ishte normale në fakt që Zana t'i përkushtohej muzikës, aq më tepër që edhe talenti nuk i mungon. Por ja që ajo ka zgjedhur një rrugë të ndryshme nga ajo e të atit. “Të jesh vajza e një njeriu të njohur ka rreziqet e veta: gjithmonë do të krahasojnë suksesin që mund të arrish me suksesin e babait. Por nuk mund ta mohoj, të hap edhe shumë dyer, ku për të tjerët është më e vështirë për të çarë”.

Xhesika Berberi nuk ka ndonjë prind të njohur. E megjithatë, edhe për të nuk ka qenë dhe aq vështirë të çajë. Nuk është shumë e vështirë, nëse ke një bukuri si të sajën. Nëse do të ishte pak më e gjatë se 1.72 m e gjatësisë së saj dhe ca më e madhe se 14 vjetët e moshës, ndoshta do të ishte vërtet perfekte. Megjithatë, është ende herët. Kjo ka qenë e para sfilatë dhe i pari konkurrim për të, më të mirat i ka ende përpara. Është ende katërmbëdhjetë vjeç, pothuajse fëmijë. Aq e vërtetë është kjo, sa ka momente kur edhe vetë Xhesika harron që tani, pas përvojës së parë si fotomodele, mund të quhet edhe vajzë e madhe. Në të tilla raste ajo harron se ka pak më shumë se një muaj që është bërë nxënëse e vitit të parë në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe ndësa prezantohet, thotë se është në shkollën 8 - vjeçare... Pastaj kujtohet se është ca më e madhe dhe fillon rrëfen se si kishte vendosur për t'u bërë pjesë e konkursit “Super Models of the World”. “Ishte kushërira ime ajo që dëgjoi reklamën në televizion dhe më tha që të merrja edhe unë pjesë. Pastaj ndërhyri edhe familja”. Familja thjesht po shërbente si shtysë për të çuar drejt realizimit atë ëndërr që Xhesika kishte kohë që ia ushqente vetes. Ajo nuk mund të flasë për një moment të përcaktuar kur i ka lindur kjo dëshirë. Por sigurisht, teksa tipareve prej fëmijëve po ua zinte vendin një fytyrë ky spikasnin dy sy aq të bukur (Xhesika pëlqen sidomos sytë tëk vetja) dhe buzët aq sensuale, ajo s'mund të mendonte për ndonjë profesion tjetër përveç atij të modeles. Nga ana tjetër, ka një pasion të madh për fotografitë, kurse stacioni i preferuar televiziv mbetet “Fashion TV”, siç bën çdo modele. “Nuk mund ta quaj ende veten modele, në fund të fundit kam bërë vetëm një sfilatë dhe ende nuk e di se ç'do të sjellë ky konkurs në jetën timë”, thotë Xhesika. Gjithsesi, ajo sfilatë, më shumë se gjithçka i ka dhënë sigurinë. I ka fashitur frikën e ditëve të para të provave, kur ajo, më e vogla mes konkurrentëve, kishte raste që ishte e terrorizuar nga frika se mos nuk dinte të ecte apo se mos bënte ndonjë gabim. Tanimë të gjitha këto frikëra i kanë ikur dhe ajo mund të ketë më tepër besim tek vetja. Dhe është tepër shpejt që të mërzitet për çmimin që nuk mundi të fitojë, apo të bëjë ndonjë plan konkret për të ardhmen. Sepse është me të vërtetë e vogël, 14 vjeç. Pothuajse fëmijë. Një fëmijë tepër i bukur. Dhe pothuajse e famshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora