| E diele, 07.08.2011, 07:58 PM |
Fatmire Duraku u lind në Buzëlum, me 03. dhjetor 1974. Shkruan poezi dhe prozë. Ka fituar disa shperblimie letrare. Në Takimet e Poeteshave Shqiptare, në Vushtrri, u shpërblue me çmimin e dytë për poezi, ndërsa në konkursin letrar të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, në Prishtinë, fitoi shpërblimim e dytë. Po në të njëjtin konkurs fitoi dhe shpërblimin e tretë për poezi, ndërsa në Takimet Letrare “Kadri Kadriu” në Podujevë, më 2007 u nderua me shopërblimin e dytë për poezi. Në të njëjtin manifestim, më 2010, u nderua me shpërblimin e parë, etj. Është përfaqësuar në disa antologji, panorama dhe prezentime të ndryshme me poezi dhe prozë: në antologjinë “Ulqin, ti det”, pastaj në “Ulqin, ti kala”, në “Simfonia e Dardanisë”, në antologjinë “Muza shqiptare për Nënën Tereze” etj.
Deri më tash botoi disa romane dhe libra me poezi;
“Te varri i çikës”, roman, 2001,
“fshehtësia e tre shpirtërave”, roman, 2002,
“Plepi i thyer”, roman, 2004,
“Pse ike kur me puthe”, poezi, 2002,
“Vjedhësi i çasteve”, poezi. 2003.
“Vagëllim mbi ujë”, poezi 2007
“Magjistari nga fira”, tregime për fëmijë 2008
“Jastëku çudibërës”, tregime për fëmijë 2010
“Peri i tejdukshë”, poezi 2010
“Strajca magjike”, tregime për fëmijë 2011
Boton herë pas here dhe recensione për libra kryesisht me poezi, recensione për artin pamor, shkrime mbi çështje të ndryshme kulturore dhe shkrime poblicistike mbi rrjedhat e jetës sonë të përditshme, etj.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Fatmire Duraku
Cikël me poezi - Prerja e lisit të shtëpisë
Pasi guri foli
Qëndroj ndanë urës e kotur
Hija më thyhet në ujë
Ku ik, i them hijes, prit pak
Sa të falem me dallëndyshet në qiell,
Me lulet në gem të qershisë mbi lumë,
Me kallinjtë e rinj të grurit,
Me gurët dhe udhën bri kullës
T`i shikoj fushat nën pemë
Ta ndjek valën e qetë të ujit,
Zgjuar nga pika e lotit të rënë aty,
T`i rikujtoj të gjitha që s` kthehen.
Prit pak sa të vdes...
Ç` të dhemb, i them hijes në ujë, fol
Pasi dhe guri foli dhe u ça në mua
S` do të mund të ikësh kund,
Ti, tërë kjo që sheh dhe ndien je.
Qëndroj bri urës me hije në ujë,
E guri mbi të cilin rrija gjethonte.
Uji i bie gurit
Uji i bie gurit
Në gur fanari
Të mos mbyten yjet në det
Uji i bie gurit
Në gur kalaja
Në kala dera e vjetër
Nga do të hysh
Të mos vdesë pranvera pa ty
Uji i bie gurit
Në gur kalaja
Në kala dritarja
Unë e hap dritaren nga deti
Detit vjen ti prej largësisë
Në Ulqin lulëzon shega
Uji i bie gurit, uji i bie gurit
Ti fle në mua
Me mijëra vjet.
Ago Ymeri
Mbi Ulqin çel gojë kuçedra
Nga po do Ago Ymeri
Jashtë lëkurës nuk mundesh
Nga po shkon mbi hijen
Pas teje dhe shpirti i nuses vjen
Pas teje dhe deti vjen
Ago Ymeri i gurit
Ja si ngrihet me kokë për qiell
E përsëri bie mbi vete deti
Thermi thermi bëhet në sy
E pas një zë të thërret
Një hije e një shpirti të ndezur
Ta bën me dorë dhe vdes
Nga po shkon Ago Ymeri
Pas teje dhe deti po vjen
Pas teje dhe ti zvarrë kthehesh
E kurrë nuk arrin zallit
Ago Ymeri i mallit
Ti det ti zog i ndezur
Çdo gjë vetëm kaltër
Ujë i kaltër ulli` i kaltër sy i kaltër
Çdo gjë vetëm flakë e pafundësi
Zog me një krah në gjithësi
O ti det o zemër e ndezur
Se si vala i ngjitet qiellit të errët
E një pulëbardhë e mbytur në stuhi
Agu nga ndizet flakë mbi ty
Po zgjohesh det apo vetëm po fle
Dritë e gjelbër në Ulqin kaq vjet
Ti det ti zog i ndezur
(Ulqin, 2004)
Kaltër
Kalaja hyn në ag kaltër
Kroi para shtëpisë pikon kaltër
Kaltër ndrit dhe ulliri
Kaltër ndizet pa fund rëra
Unë hyj po ashtu kaltër
Në zemrën tënde të kaltër Ulqin
E gjaku i këngës së kaltër
I bën rojë amshimit tënd
(Ulqin, 2003)
Kaltër II
Marr brushën e kaltër
Dhe pikturoj ëndrrën
Me ngjyrë të kaltër
Pikturoj syrin tënd
Pikturoj pemën tënde
Pikturoj qiellin tënd
E marr brushën
Dhe ngjyrën e kaltër
E pikturoj krejt kaltër
Ëndrrën time
(Ulqin, 2003)
Zog në qiell
(Njeriut të Dardanisë, Rugovës)
Deri te pema e ëndrrës
Nuk do të arrinim kurrë
Pa qiri pa gjak pa urë
Pas yllit dhe zërit
Tërë populli u nis nga drita
Në udhën e vet të madhe
T`i djeg gishtat zjarrit të lirisë
Me Ty, zog në qiell,
Burrë i Dardanisë.
Kitara mes rraqesh
Shkallët e tavanit të shtëpisë
I ngjes me drojë e habi
Mbuluar me terr rraqet e së kaluarës
Ndër penjëza merimanga të frikshme
Në pluhur të thellë kujtimesh
Mes tjegullash pikon dritë magjike
Dhe shoh qartë fëmijërinë time
Lodrat që asaj i japin kuptim
Shoh udhët nën shi e baltë
Arat nën kallinjtë e artë të bukës
Pemishten e ndezur nga agimi
Pemët nën lule pemët nën fruta
Lumin nga ikën dhe merr largësinë
Mes tjegullash pikon dritë magjike
Dhe shoh gjithë atë që ka ikur
Ja dhe kitara aty në pluhur
Koha e ikur që më lidh me ty
Gjithësia e heshtjes
Si ta kujtoj në këtë natë me shi
Zërin që mbeti të jetojë teks unë
Ndërsa heshtjen e prish kitara
Pas kaq vjetësh harruar nga ti e zoti
Mbuluar me rraqe dhe pluhur të zi
Në tavanin e shtëpisë së vogël
Ia zgjoj gjithësinë heshtjes së gjallë
Përmes telit të shkundur të kitarës
Vjen ti dhe e madhëron këtë natë
Këtë vjeshtë të artë këtë shi
Si ta kujtoj këtë natë vjeshte me shi
Tingullin e harruar të kitarës
Me cilin varg ta shkruaj që të jetojë
Për kujtimin dhe sytë e mi në lot
Në këtë natë vjeshte të vonë
Vetëm çka digjet
është dashuri
Ja kitara, ja zogu me xhufkë në kokë,
Dhe Ajo ulur mbi nënsqetullën e kashtës,
Unë, plaga e gjallë -
Vera e djegur, e ikur përmes gjakut...
Kam harruar të të them, tha Ajo-Unë,
Për këngën e yjve që mendoja ta këndoj,
Për dëshirën të të prek mbi zemër
Pastaj të varem në litarin e vargjeve të mia,
Duke shikuar thellë qiellin e kaltër në sy,
Duke ndjekur lojën e dallëndysheve lart,
Duke rikujtuar fytyrën e nënës që s`është,
Duke qarë me kokë në kitarë,
Për udhën që humbte diku në pyll,
Duke lotuar për ty...
E tash, çdo gjë e ikur, diku mes yjesh.
Vetëm litari nga vargjet e mia rri mbi kokë,
Ku do të var veten një e kremte me shi.
Se vetëm çka digjet është dashuri...
Vargje të robëruara
Për dritare bien pika shiu
Dhe hyjnë në dhomën time
I hap sytë, në huti,
Gjithçka ëndërr ishte
Por ëndërr s`është asgjë
Në kënd të dhomës kitara
Mbi dollap zogu i zi
Në tavolinë drita jote e amshuar
Apo vetëm vargjet e robëruara
Në thellësinë time tingëllojnë
Për dritare hyjnë pika shiu
Për dritare ikin sytë e mi
A ishte ëndërr çdo gjë,
Kurse ëndërr s` është asgjë
Pamje
Hap derën e vjetër të kullës
Një grua dhe një burrë me plis
Ulur bri gjuhës së flakës
Rojë i bëjnë ashtit të kohës
Mbyll sytë dal nga kulla e gurtë
Nën degë të arrës gjysmë të tharë
Varri i madh i tim gjyshi
Dhe këmisha e përgjakur
E varur lart në litar
Ja dhe unë nga luaj me arnat
E fëmijërisë që vizaton kalin
Ëndrrën e vet për të ikur në botë
Ama zot nuk iket nga vetvetja
Nga hija që hedh farën në arë
Hap derën e kullës me frëngji
Një nënë e një fëmijë bri zjarri
I bëjnë rojë ashtit të kohës
Peizazh
Ara me grurë dhe tutje malet
Udha mes për mes me pluhur të artë
Sa herë bie shi përplot me baltë
Mezhda që krijojnë reliev të ri
E kujt është kjo arë bri peme
E pema me degët e varura mbi lumë
Lumi, i njëjti, me pak ujë verës
Dhe këtu diku ndërmjet
Unë e vogël si ngas pas një keci
Unë e vogël si ngas pas qenit
Diku këtu ndërmjet dhe udha nga ikja
Të ktheja në krye të javës të dielën
Zot si mund të bart` atë barrë
Ndërsa nuk mund t`i iki vetes
Fushat me lule dhe tutje malet me borë
Me valixhen e vjetër nga vij mezhdës
Vitet e lotët
A sheh apo nuk sheh
Kurse bota digjet
A sheh apo nuk sheh
Kurse përfundimisht ik uji
E nuk kthehet kurrë më
Përfundimisht bien gjethet
E kurrë më të njëjtat
Nuk do të gjenden në degë
Përfundimisht
Hyn në pyll udha
Nga andej të mos dalë
Kurrë më
A sheh apo nuk sheh
Si po merr fund jona
Arnuar nga vitet e lotët
Ai që vjen andej
Ti vjen andej nga plepat
Apo vetëm hijet kremtojnë
Zgjimin e të vdekurve
Lart hëna e zbehtë e harruar
E yjet të djegur nga zjarri i vet
Dhe unë gruaja që vetëvritet
Në pasqyrën e ujit të palëvizshëm
Të gjelbër nga gjaku i pranverës
Uji i gjelbër dhe hija aty
Dhe ulërima e ujkut
Ç`ngjet vallë
Ç`plagë kanë sonte yjet
Kujt i këndojnë me lot
Unë e prek zjarrin
Dhe e zgjoj kot ëndrrën
Ai që vjen andej nga plepat
Nuk mund të jesh dot ti
Lulja në dritare
Në dhomë
Hija ime
Dhe unë
Sofra shtruar nën qiri
Unë thyej bukën
Për ty që nuk je
Me ag do të vijë zogu
Të hajë bukën tënde në dritare
Do të rritet dhe lulja e bardhë
Nga ajri i freskët dhe ëndrra
E syrit tim të përlotur
Nuk qaj pse nuk je
Por më duhen lotët
Lulen e kujtimit ta ujis
Të rritet e kaltër në dritare
Zogu të vijë çdo mëngjes
Me këngën e vet të re
Në dhomë hija ime
Dhe unë me gishta dheu
Nga e vizatoj sofrën
E hijen tënde që s` është.
Çast
Zog i lodhur nga qielli
Bie në degën e kumbullës
Nën degë në dhe të shkrifët
Unë mbillja lulesyrin
Diku në ëndërr e tretur
Ngado të ikja prapë isha aty
Ku e prekja kaltërsinë
E kristaltë të qiellit
Dhe lulen nga rritej prej syrit
Aty ku binte hija
Vdekja që e kisha mes lëkurës
E këmishës së bardhë,
Diku në thellësi
Vetëm një gjë është e qartë
Nuk i iket fatit dot
As degës së kumbullës
Ku vjen zogu e ti prek dritën
Lirinë e tij dhe tënden
Në një çast të vetëm
Prerja e lisit
të shtëpisë
Me ag erdhën të heshtur
Me sëpata në duar
Unë e vogël qaja.
Erdhën, me vdekje në sy
Në malin mbi shtëpi
Ta prisnin lisin më të vjetër
Pjesën e fëmijërisë sime
Që e prekte qiellin
Unë e vogël me duart grushte
Vrapoja e pa frymë jetës
Deri tek udha që shpie
Në fund të botës
O zot, si nuk ndieje dhembje
Për lisin e shpirtit tim të vogël
Për bukurinë e malit
Treni i fundit
Me trenin e fundit të natës
Ngarkuar me valixhe iki
E te kroi i Firës, në gur
Mbetet ëndrra e orës tetë
Kohë e takimit që s`ngjau kurrë
E gjaku u derdh rrëke
Varri mes fushës u hap
Te plepi i thyer i Gjytetit
Mbetet fusha e kaltër me yje
Etja për të kaluar natën nën qiell
Që s` ndodhi kurrë
Ndodhi vetëm ikja
Tek ura që lidh brigjet
Mbeten arnat e ëndrrës sime
Loja e vjetër e vdekjes
Ndërmjet etjes dhe ujit
Me trenin e fundit të natës
Ngarkuar me valixhe ik
Nëse njeriu mund të ik
Nga gjaku nga toka nga qielli
Nga rrënja e vet e zjarrit
Do të zbres prapë te gjaku
Tek ura që i lidh kohët
Nata ka mbyllur udhët
Çel derën e kullës
Nga sytë këmbët
Nata ka mbyllur udhët, sillet
Në rreth guri, dera, gjithësia
Kthehem brenda dhe qaj, dhe qaj
Ta vras vetminë time të padurueshme
Litarin e zi t`ia var në qafë
Do të ngel brenda vetes e kullës
Vetëm me hijen time të paepur
Derisa të këndojë gjeli i parë
Nga mesnata moliset muri i zi
Moliset dhe hija pranë vatre
Zgjohu, do të agojë, thërras...
E veç zërin tim dëgjojë në erë.
Zot, a lind kush dy herë!?
Prek veten me habi dhe ik, ik
Heshtja
Heshtja,
Kjo krijesë e çuditshme
Që t`i ha vitet
Ti plakesh dhe harron
Heshtja,
Kjo dhomë e mbyllur
Ndërmjet kujtimit
E lotit të ndezur
Ti verbohesh dhe s`flet
Heshtja,
Kjo shtrigë nga përralla
Mbi dhëmbin e vet të vetëm rri
E i ha të gjitha shpresat
Ti çdo ditë shurdhohesh
Heshtja,
Kjo krijesë e tmerrshme
Me thonj të antikës
Po ti ecën, sidoqoftë, ecën
E kalon urën mbi lumë.
Kthimi
Çdo gjë kishte mbetur
Pa udhën e vet
Pylli i shpeshtuar
Vetëm zëra të trishtuar
Mbulonin fushën
Çdo gjë kishte mbetur
Pa sytë e tu të gështenjtë
Pa fjalën tënde
Pa këngën
Ura, nga hynim në kopsht
E thyer për kurriz
Vetëm hijet luanin valle
Shtëpia e kërkonte veten
Nëpër dhomat e zbrazëta
Në kujtimet tona të vdekura
Çdo gjë kishte mbetur
Pa dritën e vet
Kalaja
Rruga e vjetër, ulliri qindvjeçar
Kaloja urën e vogël, në ëndërr
Mes për mes lulishtes
Vinte gjithnjë hija që e njihja
E veshur në petkun e zisë
Hija e tëra dridhej
Nga më zgjaste një libër
Ja, merre, tha, merre
Ishte libri me poezi "Loja me vdekjen"
Këtu e gjen fillimin dhe fundin e rrugës
dhe kroin ku pinë ujë zanat para agut
ja atje, ku ngjitet rruga deri te qielli
E unë e vogël shikoja gjithë habi
Rruga e vjetër, ulliri qindvjeçar, ura e vogël,
Aty ku kaherë e kishin ngulur gurin për kalanë
T`i përballojë ulërimat e ujkut të ujit
Kalaja, besa e guri, tek do të ndrit zemra
Nga rrënja e tokës deri te zjarri qiellor
Të vijë ende aty të pijë qumështin fëmija
Nën flokët e gurtë të gruas së flijuar
Brenda yllit, brenda besës së vet e kohës
Rruga e vjetër, ulliri qindvjeçar
Unë kaloja urën e vogël, në ëndërr
Poezia që s`e shkrova
Natë e errët. Vetmi.
Mbi letër të bardhë rri,
Me laps në dorë.
Jashtë bie borë.
Një erë përnjëherë
Çel dritare dhe derë.
Një hije e gjallë.
Nuk është korbi i Posë
Është një shtegtar mjekërbardhë
Me thes në shpinë të kërrusur.
E gurtë, mbi letër
me laps në dorë
- po ti, kush je,
- pyes plakun mjekër borë.
- babadimri je?
-babai yt... A s`më njeh,
S`të foli nëna për mua fare!?
iku plaku mjekërborë.
Unë me kokë në dritare
Fare kot i bëja me dorë...
- ç` është kjo,
është ky fundi?
- fundi është udha që ik e kthehet,
Në këtë të vetmen fotografi,
- tha nëna me lot në sy,
duke parë hijen nga tret` në gjithësi.
Natë e errët. Vetmi.
Mbi letër të bardhë kot rri.
Mollë e vetmisë
Mijëra vjet do të duheshin
Guri të binte nga brezi i kullës
Mendoja, krejt e humbur
Iluzionit të krijesës së vogël
Rrodhi ndryshe puna e gurit
Ndryshe puna e ëndrrës
E harruam këngën e rrënjës
Për gjethet e vjeshtës të kapur
Për hijen e pemës së huaj
Ikëm me nga një valixhe të arnuar
Hije, i thyem këmbët pas hijes
Të arrinim përtej këngës
Në akullin e iluzionit
II
dhe gjethet e kohës u skuqën
nga mjeshtëria
e mashtrimit të vetes;
e harruam kullën prej guri
dera ka vjet nuk i çilet
e harruam dhe kroin e akullt,
ka vjet nuk shuan etjen kush aty.
Uji rrjedh kot në vetmi
Ne hamë mollën e vetmisë larg
Ne pimë ujin e vetmisë larg
Por gjithnjë të uritur
Por gjithnjë të etur
vetëm hija ende na ndjek pas
duke dëgjuar muzikën e re
të mjerimit me sy të jeshilët
Lulja dhe rrufeja
Me dy grushte dhe nga kopshti
Ngjitja shkallët e jashtme të kullës
Dy gushte dhe për lulen time
Që priste të bënte jetë të re në mua
Mes muresh të kullës
në dritaren e vogël
dy pëllëmbë larg frëngjive
ku koha rrodhi përmes pushkës
ngjitja shkallët me dy grushte dhe
rrufeja shkrepi papritur qëlloi arrën
dhe diku thellë zemrën time
zot dridhesha kurse dheu
nisi të më ikte nga duart
më ikte dheu e unë qaja lulen
çfarë do të bënte ajo pa dheun
pa ujin pa ajrin pa syin tim
ndërsa arra digjej mes oborri
ndërsa unë digjesha në zemër
atëherë e tash unë ngjes shkallët
E kurrë nuk arrij me atë dhe te lulja
tashmë e bërë dyllë në kullë
Te varri i gjyshit
Bri plepi, buzë lumi
Varri i gjyshit me një lule
te koka
përkulem ndër lot
më tutje guri i mezhdës
Një gur i zi nën drizë
Vij këtu e vogël
Bëhem më e madhe
Vij këtu e madhe
Bëhem më e vogël
Përkulem ndër lot
më tutje guri i mezhdës
Gur i zi nën degëza drize
Ç`sëmundje, vallë,
e mori gjyshin?!
Kujtimi për nënën
rrugë të zbrazëta
qyteti i fjetur
mua mendja nënë më ikën te ti
e vetmuar e hap dritaren
shikoj pa cak në largësi
jashtë qetë - qetë bie borë
si një ledhatim i largët
si një kujtim i ngrohtë për ty
si një valëz e lehtë liqeni
zgjuar nga ujë pi aty dreni
si një lule
nga e prek lehtë
valësi pranveror
borë bie qetë - qetë
asgjë nuk lëviz, fare
vetëm një zog vjen në dritare
nga syri im në lot pi ujë
nga zemra ime ha thërrime
mua mendja më ikën te ti
Vorbulla e egër
E harruar mes dritës e kujtimit
Vizatoja në pluhur diçka të verdhë
Që s` shpjegohet kurrsesi
E zemrën ta djeg gjithnjë
Diçka ndërmjet dritës e kujtimit
Nga i rikthen sendet që s`janë më
Sendet që i ke harruar përfundimisht
Në vorbullën e egër të jetës
Kurse qeni të zonë s`e njeh
Dhe e leh dhe e leh dhe e leh
Vizatoja diçka që s` shpjegohet dot
Me veten flisja, flisja me ty
Kurse qeni të zonë s`e njeh
Dhe e leh dhe e leh dhe e leh
Një petrit prek qiellin
nga një ulli
(Trioleta)
I
Një petrit prek qiellin nga një ulli
Një degë e të cilit zgjatet mbi det
Buna derdhet e gjelbër në qetësi
Një petrit prek qiellin nga një ulli
Qe, ndrisin dhe yjtë sonte mbi iliri
Flakës së vjetër nga vjen kaq vjet
Një petrit prek qiellin nga një ulli
Një degë e të cilit zgjatet mbi det
II
Bregut të detit, sapo agon në Shtoj
Te Pusi, ujë të mbushësh me ibrik
Dele e dele, kroje, zana e drangoj
Bregut të detit, sapo agon në Shtoj
Nën arra, shega të lulëzuara e ftoj
Kope në kullosë, dhe radhë me fik
Bregut të detit, sapo agon në Shtoj
Te Pusi, ujë të mbushësh me ibrik
III
Mbi kala, Ulqini nga zgjohet mitit,
Tek fanari bën dritë natën në stuhi
Atje për rrënjë nën qiellin e petritit
Mbi kala, Ulqini nga zgjohet mitit,
Çdo gjë i falet fyellit dhe vajit, ritit
Hyn në vete, gjaku nga rrjedh në hi
Mbi kala, Ulqini nga zgjohet mitit,
Tek fanari bën dritë natën në stuhi
Mes gurit dhe ujit
(Trioleta)
I
Në Ulqin të jesh, në kala, te fanari
Zgalemat nga prekin qiellin në lojë
Syri pi agun që çel nën flatër zjarri
Në Ulqin të jesh, në kala, te fanari
Rri ulur mbi gur, me kujtime detari
Në portë të kohës së ikur pararojë
Në Ulqin të jesh, në kala, te fanari
Zgalemat nga prekin qiellin në lojë
II
Një degë gjelbër ulliri rënë mbi zall
Në Rozafat nëna fëmijës nga i jep gji
Unë kohës vij dhe shkoj gjithë mall
Një degë gjelbër ulliri rënë mbi zall
Dashuri e vjetër qiellin zgjon e kall
Në det, mbi kala e çatitë nga bie shi
Një degë gjelbër ulliri rënë mbi zall
Në Rozafat nëna fëmijës nga i jep gji
III
Dashuria, krejt kaltër, vjen me zjarr
Plagës nga kthehesh në vete me vjet
Mes gurit dhe ujit, hëna nga derdh ar
Dashuria, krejt kaltër, vjen me zjarr
Te fiku nga rizgjohet kujtimi në farë
Etja jote e gjallë tek përflaket mbi det
Dashuria, krejt kaltër, vjen me zjarr
Plagës nga kthehesh në vete me vjet
Lulja e dhembjes
(Trioleta)
I
Tre zogj e shkruajnë qiellin në lojë
Ndërsa i kaltër dremit liqeni malor
Luginës së gjelbër ti vjen i pagojë
Tre zogj e shkruajnë qiellin në lojë
Dashuria sesi mbeti vetëm rrënojë
Zemër e robëruar nga hiri kristalor
Tre zogj e shkruajnë qiellin në lojë
Ndërsa i kaltër dremit liqeni malor
II
Qe drenusha vjen ujë të pijë në liqe`
Agu prek syrin, zemrën ta zgjojë
Në mua dhembja varet në një pe
Qe drenusha vjen ujë të pijë në liqe`
Për erë të drenushës ja dhe një dre
Vjen tek shelgu i vjetër të mrizojë
Qe drenusha vjen ujë të pijë në liqe`
Agu prek syrin, zemrën ta zgjojë
III
Bota lëviz, unë rri e vetmuar fare
Që të agojë pres, të çelë lulja e syrit
Lulja gati e shkrumbuar në dritare
Bota lëviz, unë rri e vetmuar fare
Të çelë lulja e dhembjes në gastare
Lule-syri me ngjyrën e vet të hirit
Bota lëviz, unë rri e vetmuar fare
Që të agojë pres, të çelë lulja e syrit
Të shkosh të vish
të njëjtit shteg
(trioleta)
I
Të dalësh të hysh të njëjtës derë
hapur në ballë një gisht mbi sy
aty tek shpata largësinë ka prerë
të dalësh të hysh të njëjtës derë
dy pikë lot vajzërie dy lule në erë
dy lule gjaku nga zemra për ty
Të dalësh të hysh të njëjtës derë
hapur në ballë një gisht mbi sy
II
Të shkosh të vijsh të njëjtit shteg
Nga nata therur nga hëna e verdhë
Tek ura të arrish te plepi në breg
Të shkosh të vijsh të njëjtit shteg
Me qefin rreth kokës te një shelg
tej urës gjiri qumështin tek derdh
Të shkosh të vijsh të njëjtit shteg
Nga nata therur nga hëna e verdhë
III
Plagë e gjallë me dhembje e zjarr
Në pafundësi çelur tërë lot e mall
Ëndrra e vjetër nga zgjohet e marrë
Plagë e gjallë me dhembje e zjarr
Në të dalë prej ëndrrës te një varr
udha e fshatit vetveten tek e kall
Plagë e gjallë me dhembje e zjarr
Në pafundësi çelur tërë lot e mall
Molla e dehur
luhatet në pe
(trioleta)
I
Loti pik, zjarr nën qepallë
Kohë e ikur gjeth pikëllimi
shpirti tym o shpirti mall
Loti pik, zjarr nën qepallë
Strukur nën lëkurë me halle
zemra dhemb mallëngjimi
Loti pik, zjarr nën qepallë
Kohë e ikur gjeth pikëllimi
II
Ditë ikin, stinë, bie dhe borë
të pres kaq kohë ndanë deti
e vjen s`vjen me zog në dorë
Ditë ikin, stinë, bie dhe borë
E më zë natë e më zë morë
Nën qiell të zi asgjë s`mbeti
Ditë ikin, stinë, bie dhe borë
të pres kaq kohë ndanë deti
III
E verdhë hëna fshehur në re
Valë deti përplasen për kepi
Udhës së ikur vjen pelë pa fre
E verdhë hëna fshehur në re
Molla e dehur luhatet në pe
Qiellit të zënë rrufeja shkrepi
E verdhë hëna fshehur në re
Valë deti përplasen për kepi
Hëna e dehur
(trioleta)
I
Të më vijsh i ylbertë nga bie shi
Zemrën do ta fal bashkë me sy
Udhë t`i çelësh zogut në stuhi
Të më vijsh i ylbertë nga bie shi
Në derë vdekja troket vetë apo ti
Çaste me lot bien zemrës për ty
Të më vijsh i ylbertë nga bie shi
Zemrën do ta fal bashkë me sy
II
Me gaz të të vij në gji me kurorë
Udhës mbi liqen gjithë leqe-leqe
Pas kecit zbres dhe ta bëj me dorë
Me gaz të të vij në gji me kurorë
Le të bjerë shi të bjerë dhe borë
Le të mbytet hëna e yjet në liqe`
Me gaz të të vij në gji me kurorë
Udhës mbi liqen gjithë leqe-leqe
III
Plaga e vjetër imja je gjithherë ti
Nga rrjedh për flok` mbi sy gjak
Në urë me vjet nga rrahëm në shi
Plaga e vjetër imja je gjithherë ti
Në gur zgjohet krejt në gjak miti
E hëna e dehur rri var` mbi sokak
Plaga e vjetër imja je gjithherë ti
Nga rrjedh për flok` mbi sy gjak
Vetëm jehona
(trioleta)
I
Unë, hija dhe hëna, një vetmi
Syrit nga rrjedh loti apo ngrin
i kujt është ky pyll, pa gjithësi
Unë, hija dhe hëna, një vetmi
Ky fat, kjo dhembje, kjo mërzi
Në një bistak tok me verbërinë
Unë, hija dhe hëna, një vetmi
Syrit nga rrjedh loti apo ngrin
II
Zëri yt askund, vetëm jehona
Për mure bie dhe tret përsëri
Kujtimit nga vij në orët e vona
Zëri yt askund, vetëm jehona
As hija jo, ditët ikin në kolona
Çdo gjë është e verdhë, bie shi
Zëri yt askund, vetëm jehona
Për mure bie dhe tret përsëri
III
Kujtoj të tërat që s`i prek agu
Gjethet e blirit mes librit blu
Qenin e vogël fjetur te pragu
Kujtoj të tërat që s`i prek agu
Ëndrrat ikën, s`ngeli as tragu
Sall hija ime qan për sytë e tu
Kujtoj të tërat që s`i prek agu
Gjethet e blirit mes librit blu