E marte, 16.04.2024, 08:47 PM (GMT+1)

Mendime

Vehbi Bajrami: Njeriu i shpresës dhe dinjitetit

E marte, 12.02.2008, 06:13 PM


Njeriu i shpresës dhe dinjitetit

Nga Vehbi Bajrami

Lajmi i daljes në pension i kongresistit Tom Lantos, një nga figurat më të shquara të Kongresit amerikan, është një lajm jo i mirë për kauzën e të drejtave të njeriut në botë e për shqiptarët në veçanti. Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve do të dalë në pension pas 30 vjetësh shërbimi në Kongresin amerikan.

Kongresistin Lantos e njoha më 1990, kur ai erdhi për vizitë në Kosovë bashkë me ish-kongresistin Joseph Dio-Guardi, zonjën e tij dhe një grup aktivistësh të komunitetit shqiptar të Amerikës. Vizita me plot të drejtë u quajt historike, për kohën kur u realizua, por dhe mesazhin që dha në atë kohë kongresisti Lantos për shqiptarët dhe për serbët. Në hotelin “Grand” dhe në zyrën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku në atë kohë vepronte Lidhja Demokratike me kryetarin e saj, dr. Ibrahim Rugovën, kongresisti Lantos dha mesazhe shprese për shqiptarët e Kosovës, duke kundërshtuar politikën e Millosheviçit kundër tyre. Para hotelit “Grand”, nën vëzhgimin e forcave policore serbe, qenë mbledhur shumë shqiptarë për t’i bërë pritje këtij miku të shtrenjtë që vinte nga Amerika e largët me mesazhin e qartë: Amerika nuk do të tolerojë shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

Këtë porosi ai i dha edhe një shqiptari që e sollën para tij, i cili kish pësuar lëndime serioze nga policia serbe. Kongresisti Lantos ishte gjithashtu një nga udhëheqësit e parë perëndimorë që vizitoi Shqipërinë, kur kjo po dilte nga izolimi komunist. I shoqëruar përsëri nga ish-kongresisti DioGuardi, vizita e tij shënoi ringjalljen e miqësisë shqiptaro- amerikane dhe inkurajoi demokratizimin e vendit.

Gjatë kësaj vizite në Tiranë, më 1990 zuri fill zbulimi i aktit të madh bujar të shqiptarëve të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Kongresisti Lantos i kërkoi presidentit të fundit komunist shqiptar, Ramiz Alisë, të dhëna për komunitetin hebre në Shqipëri e aty filloi zbulimi i një nga “sekreteve” më të bukura të historisë së kombit shqiptar, bujarisë së treguar ndaj të përndjekurve të Holokaustit.

Kongresisti Lantos është vetë një i mbijetuar i Holokaustit, tragjedisë së madhe njerëzore, ku humbën jetën shumica e familjes së tij. Ai mundi të emigronte në SHBA dhe pati një karrierë të shkëlqyer si politikan, por asnjëherë nuk harroi tragjedinë që la pas dhe u bë një nga luftëtarët më të shquar të të drejtave të njeriut në botë.

Kauza e të drejtave të njeriut e bëri që të vizitojë Kosovën, atëherë kur pakkush tregonte interes për të, apo të nxiste Shqipërinë që të linte pas të kaluarën e t’i bashkohej Perëndimit.

Kongresisti Lantos gjithmonë ka mbajtur qëndrim të drejtë ndaj çështjes së Kosovës. Ai u angazhua për pavarësinë e saj shumë kohë para legjislatorëve të tjerë, duke paraqitur dhe një projekt-rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Amerika, bashkë me ligjvënësin Henry Hyde, në janar 2003. Për këtë një rol të rëndësishëm ka luajtur Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me të cilën kongresisti Lantos ka një bashkëpunim shumë të mirë.

Tom Lantos ka ngritur zërin kundër shkeljes së të drejtave të njeriut edhe në Mal të Zi. Ai ka akuzuar qeverinë e Malit të Zi për një trajtim jo të mirë dhe sjellje brutale të policisë ndaj shqiptarëve që vazhdojnë të mbahen në burgun e Podgoricës, tre prej të cilëve kanë shtetësi amerikane.

Në kohën kur punoja si drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, në nëntorin e vitit 2005, pata rastin t’i bëja një intervistë kongresistit Lantos për emisionin “Ditari”. Ndonëse tepër i zënë me punë, ai pranoi intervistën në zyrën e tij. Intervista, të cilën e botojmë në këtë numër të gazetës, u botua e transmetua në shumicën e mjeteve të informimit në Kosovë e Shqipëri. Qëlloi për koinçidencë që një numër studentësh amerikanë të gazetarisë të ndodheshin gjithashtu në zyrë për të parë sesi bëhej një intervistë konkrete me një nga udhëheqësit e Kongresit amerikan.

Në këtë intervistë, Lantos në mënyrë profetike tha se Kosova jo vetëm që do të bëhej e pavarur, por nuk do të ishte e largët dita, kur ajo do të anëtarësohej në NATO e BE. Në një takim me kongresistë rusë, Lantos që njihet për aftësitë e tij që të bëjë paqe e të dialogojë edhe me regjimet më të vështira të globit, nuk duroi dot, kur një kolege ruse tha se në Kosovë nuk kishin ndodhur krime. “Unë e di çfarë ka ndodhur, se jam vetë historiane”, - tha ajo.

“Ju mund të jeni historiane, por nuk mund të manipuloni historinë”, - iu përgjigj ai. “Kosova do të bëhet e pavarur dhe ne do ta njohim atë, sado që të kundërshtoni ju”.

Ishte vendosmëria e udhëheqësit me ndërgjegje historike që ngjitjen personale në pushtet e pa vetëm si një mundësi më shumë për të ndihmuar të pambrojturit e të diskriminuarit. Tom Lantos po del në pension duke lënë pas një veprimtari të suksesshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës. Shqiptarët për këtë i janë shumë mirënjohës dhe nuk do ta harrojnë kurrë rolin që luajti ai në pavarësimin e Kosovës. Por jo vetëm ata. Siç do të thoshte Jeniffer Windsor, komuniteti i të drejtave të njeriut i ka një borxh shumë të madh kongresistit Lantos, për përkushtimin e tij në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Ndërsa shumëkush i shpreh mirënjohjen tani që ai ndodhet në fund të udhës së tij, ai vetë mirënjohjen më të thellë e ruan për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendit që ashtu si për shumë nga ne, iu bë një atdhe i dytë.

“Vetëm në SHBA është e mundur që një i mbijetuar i Holokaustit, pa një cent në xhep… të fitojë privilegjin që të shërbejë për tri dekada të jetës së tij si anëtar i Kongresit”, - tha ai në deklaratën e tij të lamtumirës. “Kurrë nuk do të jem në gjendje të shpreh aq sa duhet mirënjohjen time për këtë vend të madh”.

As ne nuk do të mundemi të shprehim mirënjohjen për këtë njeri të jashtëzakonshëm e mik të madh të shqiptarëve.

Vehbi Bajrami, ish-drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, është botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju-Jork



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora