E diele, 15.12.2019, 11:35 PM (GMT)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Në dialogun Kosovë-Serbi, reparacionet duhet të jenë ndër temat e para

E shtune, 06.08.2011, 06:58 PM


Në dialogun Kosovë-Serbi, reparacionet duhet të jenë ndër temat e para

 

Nga Adil Fetahu

adil_fetahu@hotmail.com

 

Ka shumë forma të reparacioneve, të cilat Serbia duhet t’ua paguajë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kurrë nuk duhet hequr dorë nga kërkesa e reparacioneve, sado që të zgjasin procedurat. Nocioni dhe historiku i reparacioneve

 

Kur përmendet fjala reparacion, shumica e njerëzve të cilët e dinë kuptimin e kësaj fjale, menjëherë do të mendojnë në kompensimin e dëmit të luftës midis shteteve. Dhe ata që mendojnë kështu deri diku kanë të drejtë, ngase për shumë kohë ky term është përdorur vetëm në marrëdhëniet e kompensimit të dëmit pas luftërave midis shteteve. Leksikonët juridik termin reparacion e përkufizojnë si formë e posaçme e pagesës së kompensimit të dëmeve të luftës. Parimisht, reparacioni në kuptim të këtillë, paguhet në të holla, por mund të bëhet edhe me mallra, ose me cedimin e objekteve industriale apo të mjeteve tjera (anije, avionë, ose mjete tjera që kanë një vlerë të caktuar).

Ky term lidhet me formën e parë të kompensimit të dëmit të luftës, të cilën sipas marrëveshjes së Frankfurtit (10 maj 1871), Franca është detyruar t’ia paguajë Prusisë, për dëmet e shkaktuara në luftën franko-pruse të viteve 1870-1871.

Pas të dy luftërave botërore (I dhe II), Gjermania u detyrua të paguajë shuma të mëdha në emër te “tributit”, kompensimit të dëmit të luftës (reparacioneve). Nga të dy ato luftëra edhe Serbia (për Luftën I), edhe RFPJ/RSFJ ( për Luftën II), kanë marrë shuma të konsiderueshme të hollash dhe pasuri tjetër në emër të reparacioneve. Janë karakteristike dredhitë, manovrimet dhe gënjeshtrat e Serbisë për t’i paraqitur sa më të mëdha pasojat e luftës, dëmet dhe humbjet në njerëz, në mënyrë që të përfitojë shuma sa më të mëdha të reparacioneve. Realizimin e kërkesave të Serbisë (Mbretërisë SKS) e ka ndihmuar Franca, e cila asokohe njihej si mbrojtëse e interesave të Serbisë.

Sipas “Dojçe Welle” (29 shtator 2010), Gjermani tek më 3 tetor 2010 e përfundon Luftën e Parë Botërore, sa i përket anës financiare, pasi që atë ditë duhet të paguajë këstin e fundit 69,9 milionë euro të reparacioneve për luftën e viteve 1914-1918! Shuma e përgjithshme e reparacioneve, e llogaritur në vlerën e sotme, ka qenë 300 miliardë euro të sotme. Reparacionet e shteteve që humbin luftën, përfshijnë edhe shpenzimet e luftës së shteteve fituese, të cilat duhet t’ua kompensojë humbësi. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermani u detyrua t’ua paguajë qeverive të shteteve të koalicionit dhe qytetarëve të atyre shteteve dëmet që ua kishte shkaktuar vet dhe aleatët e saj të luftës. Jugosllavia ka marrë në emër të reparacioneve ndihma në mallra, makina për industri, kredi me kushte tejet të volitshme (700 milionë dollarë) , me 2% kamatë, për 30 vjet, me l0 vjet “grejs period”. Këtu nuk janë llogaritur edhe pasuritë e mëdha të gjermanëve të Vojvodinës (“Folkdojçerë”), të cilat ua ka konfiskuar regjimi jugosllav/serb, të cilat ua ka dhënë serbëve e malazezëve nga Bosnja, Kroacia dhe Mali Zi.

Është e ditur dhe e kuptueshme se asnjëherë nuk mund të kompensohet i tërë dëmi i shkaktuar real material ose jomaterial dhe fitimi i humbur. Mirëpo, gjithmonë duhet të bëhen përpjekje që kompensimi të jetë sa më i plotë. Për të arritur shkallën sa më të lartë të kompensimit (reparacionit) nga Gjermania, komisioni ndërkombëtar i shteteve fituese të luftës kishte caktuar që pasuritë e shtetit gjerman, por edhe pasuritë private të qytetarëve të Gjermanisë në shtetet e ndryshme, të shërbejnë si mjete për reparacion.

Për dallim nga karakteri humanitar dhe moral i reparacionit që iu paguhet qytetarëve, reparacioni që iu paguhet shteteve ka karakter të dënimit për shkaktimin e luftës, dhe si formë e paaftësimit të shtetit agresiv për të mos filluar luftë të re.

 

Reparacioni individëve dhe familjeve (viktimave)

 

Për shumë kohë, reparacionet janë konsideruar si çështje të marrëdhënieve midis shteteve pas luftës midis tyre. Mirëpo, pas Luftës së Dytë Botërore, me evoluimin e të drejtës dhe avancimin e sistemit të drejtave të njeriut, reparacionet janë bërë pjesë e sistemit në marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarëve të vet. Sepse, është vërejtur shkelja masive dhe drastike e të drejtave të qytetarëve. Do të thotë reparacionet janë e drejtë e qytetarëve viktima për t’iu kompensuar dëmi i shkaktuar nga shteti. Në të drejtën bashkëkohore tranzicionale, reparacionet zënë një vend të rëndësishëm.

E drejta e reparacionit, ndonëse jo e precizuar në mënyrë të hollësishme, parimisht është përcaktuar me disa konventa të KB, si bie fjala:

- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (neni 2 dhe 9),

- Konventa Ndërkombëtare për Eliminimn e të gjitha formave të Diskriminimit Racor (neni 6),

- Konventa kundër mundimit dhe sjelljes ose dënimit tjetër të vrazhdë, jonjerëzor dhe poshtërues (neni 14),

- Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve (neni 39).

Këto konventa i ka ratifikuar edhe Republika e Serbisë, e cila duhet të obligohet që qytetarëve të Kosovës t’ua paguajë reparacionet për shkeljen masovike të të drejtave të njeriut, në format më të vrazhda, deri në gjenocid.

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, me protokollet e saj, afirmon kulturën e respektimit të drejtave të njeriut, dhe obligimin e shtetit për kompensim viktimave të shkeljes së të drejtave të njeriut, të parapara me atë Konventë dhe me protokollet e saj. Atë Konventë e ka ratifikuar ish-RSFJ, respektivisht Serbia si “sukcesore” e saj, dhe kjo e obligon për ta zbatuar. Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare të përmendura më sipas, zbatohen drejtpërdrejtë edhe në Kosovë, bile me përparësi ndaj akteve të brendshme (shih: neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës).

Konventa Evropiane parasheh mundësinë që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kushte dhe procedurë të caktuar, kur konstaton se shteti (palë) i ka shkelur të drejtat ose liritë e caktuara me Konventë ose me protokollet e saj, me vendim të vetin mund ta detyrojë shtetin palë për të paguar kompensimin (reparacionin, në kontekst të këtij shkrimi). Më 1983 është miratuar edhe një Konventë Evropiane për kompensimin e viktimave të dhunës.

Për çështjen e reparacioneve, është me interes Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të KB (16. 12. 2005), e quajtur: “Parimet themelore dhe masat për realizimin e të drejtave në mjete juridike dhe reparacione të viktimave të shkeljes së rëndë të drejtës ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe shkeljeve serioze të drejtës ndërkombëtare humanitare”. Rezoluta konstaton se format bashkëkohore të viktimizimit, ndonëse në esencë janë të orientuara kundër individëve, mund të jenë të orientuara edhe kundër grupeve të njerëve me karakteristika kolektive (dmth. grupeve etnike). Edhe pse si rezolutë nuk është e obligueshme, rëndësia e saj konsiston në përkufizimin e nocioneve lidhur me viktimat dhe format e reparacionit. Rezoluta iu rekomandon shteteve që t’i marrin parasysh ato masa, të promovojnë respektimin e tyre dhe për to t’i informojnë zyrtarët e pushtetit ekzekutiv të cilët janë të autorizuar të zbatojnë ligjin, forcat ushtarake dhe forcat e sigurisë, organet e judikaturës, viktimat dhe të autorizuarit e tyre, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe avokatët, mediat dhe opinionin e gjërë.

Rezoluta përcakton obligimin e shteteve që:

a) të ndërmarrin masa përkatëse ligjore dhe administrative e të tjera për të penguar shkeljen të të drejtave të njeriut;

b) shkeljet e ndodhura t’i hulumtojnë në mënyrë efikase, urgjent, hollësisht dhe në mënyrë të paanshme, dhe aty ku është e mundur të ndërmarrin masa kundër atyre të cilët janë përgjegjës në pajtim me të drejtën vendore dhe atë ndërkombëtare;

c) të sigurojnë qasje të barabartë dhe efikase në gjykata të atyre të cilët vetveten e konsiderojnë viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut apo të drejtës humanitare, pa marrë parasysh se kush mund të jetë bartës i përgjegjësisë për atë shkelje; dhe

d) të sigurojnë mjete juridike efikase për viktimat, duke përfshirë edhe reparacionet.

Në kuptim të rezolutës në fjalë, viktima të shkeljes së rëndë të së drejtës ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe shkeljeve serioze të drejtës humanitare, konsiderohen personat të cilët individualisht ose në grupe kanë pësuar dëme, duke përfshirë këtu shkeljet fizike ose psiqike, vuajtjet emotive, humbjet materiale ose shkeljet serioze të drejtave të tyre përmes akteve ose lëshimeve të cilat paraqesin shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare të drejtave të njeriut, apo shkelje serioze të drejtës ndërkombëtare humanitare. Nocioni i viktimës përfshinë edhe anëtarët e familjes së ngushtë ose kujdestarët e viktimave, madje edhe personat të cilët kanë pësuar dëm duke u përpjekur t’iu ndihmojnë viktimave e të pengojnë viktimizimin e tyre.

 

Viktimë ishte tërë populli Shqiptar i Kosovës

 

Në frymën e përkufizimit të viktimës sipas definicioneve të akteve dhe instrumenteve juridike ndërkombëtare të përmendura më sipër, mund të thuhet se tërë populli Shqiptar i Kosovës ishte viktime e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut të parapara me aktet e përmendura, jo vetëm në periudhën e luftës 1998-1999, veçse në tërë dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit 20.

Viktimat janë të kategorive dhe shkallëve të ndryshme, duke filluar nga:

- helmimi i më se 7000 të rinjve,

- përzënia prej shkollave e fakulteteve të nxënësve e studentëve dhe arsimtarëve të tyre,

- përjashtimi prej pune i më se 130.000 punëtorëve;

- privimi nga e drejta në shtesa të fëmijëve të më se 274.000 fëmijëve,

- vrasjet, plagosjet, dhunimet, torturat e ndryshme, burgosjet, izolimet,

- rrëmbimi dhe humbja pa shenjë e njerëzve,

- varrezat masive gjithandej nëpër Serbi,

- djegia e shtëpive dhe plaçkitjet e pasurisë së luajtshme,

- deportimi jashtë Kosovës i më se gjysmës së popullsisë,

- plaçkitja e fondeve dhe mospagesa e pensioneve dhe e kursimeve devizore të qytetarëve,

- mungesa e sigurimeve shëndetësore,

- dëmet e ndryshme të drejtpërdrejta dhe humbja e fitimeve, etj. etj.

Lista e shkeljeve të rënda të lirive dhe të drejtave të qytetarëve para luftës, dhe e krimeve monstruoze të kryera gjatë luftës, është e pafund. Dëmet dhe pasojat materiale e jomateriale janë marramendëse. Për të gjitha këto, dihet fajtori: fajtori është shteti i Serbisë. Viktimat kërkojnë që fajtorët të dënohen, kurse shteti i Serbisë t’i kompensojë dëmet materiale dhe jomateriale viktimave, në formë të reparacioneve, që është një nga postulatet e drejtësisë tranzicionale. Nuk mund të arsyetohet as të shfajësohet regjimi (pushteti) i tashëm i Serbisë, se ato shkelje të të drejtave dhe krime i ka kryer regjimi i mëparshëm. Shteti i Serbisë mbanë përgjegjësinë për të gjitha dëmet dhe krimet e kryera. Prandaj, secila qeveri (e Serbisë) mbanë përgjegjësinë për veprimet ose mosveprimet (e parandalimit të krimeve) të pushtetit të mëparshëm, dhe secili komb mbanë përgjegjësinë për veprimet ose veprimet nga e kaluara e vet.

Kosova edhe si shtet fitues i luftës, edhe si përfaqësues i qytetarëve të vet, duhet të kërkojë e kurrë të mos heqë dorë nga reparacionet për të gjitha format e dëmit që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është punë shumë voluminoze dhe shumë profesionale, dhe që mund të zvarritet me vite e decenie. Por nuk ka arsye të mos insistohet e veprohet me vendosmëri e mençuri. Për këtë duhet angazhuar ekipe e agjenci kombëtare e ndërkombëtare, duhet ndjekur procedura e institucione të ndryshme. Të gjitha këto kërkojnë punë, kohë, mund, dije e përvojë.

Kjo imponon nevojën që pala kosovare të jetë e përgatitur mirë për dialogun me Serbinë kurdo që të fillojë, dhe t’ia imponojë temat një nga një, duke mos lëshuar pe për asnjë temë, e jo të pret që Serbia t’ia imponojë temat të cilat asaj i konvenojnë dhe nevojiten për të fituar poena në arenën ndërkombëtare, si kusht dhe favor për integrim në Bashkimin Evropian. Në saje të përmasave të shkeljeve të rënda dhe krimeve që ka bërë Serbia, Kosova është në pozitë më të favorshme për bisedime e dialog, vetëm se duhet ditur t’i shfrytëzojë këto përparësi, dhe në mënyrë të argumentuar t’i shtrojë në tavolinë çështjet një nga një, pa lejuar që të kalohet në temën tjetër pa arritur marrëveshje dhe garancione (ndërkombëtare) për temën e caktuar. Kam përshtypjen se ne nuk jemi fare të përgatitur për këto bisedime, me ekspertë të fushave përkatëse. Bisedimet duhet të jenë të nivelit të lartë profesionalo-teknik, e jo politikë – tallava, sikur e fushatës parazgjedhore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT