E enjte, 25.04.2024, 11:09 PM (GMT+1)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Disa shënime të mësuesit bullgar për Tetovën me rrethinë

E shtune, 06.08.2011, 07:59 PM


 

DISA SHËNIME TE MËSUESIT EKZAKIST BULLGAR NE GAZETËN “NOVINI” TË STAMBOLLIT PËR TETOVËN ME RRETHINË NE FUND TË SHEKULLIT XIX

 

Nga Avzi Mustafa

 

Tetova me rrethinën me pozitën e vet gjeografike dhe me potencialin ekonomik ka tërhequr gjithmonë vëmendjen, jo vetëm të pushtuesve, por edhe të kronistëve të ndryshëm gjatë historisë së vet. Në këtë kontekst është mjaft interesante dhe me rëndësi të theksohen shënimet interesante që na jep mësuesi ekzakist bullgar, Andrea Stojanov në shënimet e veta që i publikoi në gazetën e Stambollit “Novini” gjatë viteve 1891-1892 me  titull: “Shënime nga udhëtimet e mia në Tetovë 1).

 

Edhe pse këto shënime mbi Pollogun janë kryesisht informata te mbledhura nga njerëz te ndryshëm, prapëseprapë në to gjejmë mjaft të dhëna mbi gjendjen sociale të popullatës, mbi fshatrat, mbi arsimin, toponimet, strukturën nacionale e fetare etj. Gjithashtu duhet të përmendim se shumë demografë të dhënat e Stojanovit i kanë përdorë gjerësisht. Kështu edhe A.M. Selishçevi në veprën “Polog i ego Bolgarskoe naselenie” të dhënat për trevën e Tetovës i ka marrë nga ky autor.

Andrea Stojanovi  këto shënime i mblodhi gjatë  viteve 1866-1890 derisa ai kryente detyrën e mësuesit në Tetovë. Siç thamë, edhe pse këto shënime mund të mos jenë të besueshme dhe të mbledhura për arsye te ndryshme, këto të dhëna na japin të dhëna mjaft interesante për trevën e Pollogut në toponimi, arkeologji, demografi, në ruajtjen e zakoneve dhe dokeve etj 2).

Andrea Stojanovi  shënimet e veta në gazetën e përmendur i fillon me qytetin e Tetovës si qendër kryesore për rrethin e Pollogut. Ai e jep qytetin e Tetovës me tërë mozaikun urbanistik, duke na nxjerrë veçoritë individuale dhe kolektive të përcaktuara nga shkalla e zhvillimit, nga kushtet e relievit, si dhe nga faktorët të tjerë strategjiko-shoqërorë.

Për Tetovën thotë se është vendosur në rrëzë të malit Sharr, kurse përpara qëndron fusha pjellore e Pollogut, e cila është e gjatë 12 orë dhe e gjerë 1, 5 për ta ecur në këmbë. Sipas të dhënave të këtij përshkruesi, Tetova numëron 10-12.000 frymë të krishterë dhe myslimanë. Shtëpitë janë njëkatëshe dhe dykatëshe, rrugët të ngushta e plotë lake e pa kalldrëme. Në këtë qytet në kohën kur ky shërbente si mësues Tetova kishte 10 xhami dhe 4 teqe, madje njëra nga teqetë thotë se është shume e pasur (e ka fjalën për teqenë e Harabatit).

Kur jep shënimet për strukturën nacionale, banoret myslimanë nuk i përcakton sipas përkatësisë nacionale. Më pastaj na jep të dhëna mbi shkollat fetare ku thotë se në Tetovë funksionojnë një shkollë ruzhdije (gjimnaz i ulët) me dy mualimë (mësues) me 90 nxënës, 3 medrese dhe 60 mejtepe (shkolla fillore shtetërore që ishin pranë xhamive) me 500 nxënës. Për të krishterët kishte 1 shkollë fillore për femra dhe 1 shkollë fillore për meshkuj, si dhe 1 foshnjore me katër mësues dhe tre mësuese me 250 nxënës të gjinisë mashkullore dhe 100 nxënëse.

 

Popullata që jeton në këtë qytet, sipas tij, kryesisht merret me tregti, zejtari e me kurbet. Për banoret e Tetovës thotë se i gjejmë kudo, si në Stamboll, Sofje, Bukuresht e gjetiu. Banorët e kësaj treve janë të dëgjuar kudo si bukëpjekës e bozaxhinj. Mjeshtërinë  e tyre e shesin edhe  nëpër qytetet e Rusisë. Në vazhdim ai thotë: “Nuk ka burrë që nuk ka udhëtuar ose nuk ka jetuar në kurbet disa vjet; udhëtimet e takimet me popujt të tjerë e zhvillojnë dhe e aftësojnë njeriun. Dhe, për këtë arsye burrat janë të  zhvilluar mentalishtë dhe nga kjo del edhe dominimi i burrit ndaj gruas” 3).

Gjithashtu autori i shkrimit na përshkruan edhe pamjen fizike të banorëve të kësaj treve të Pollogut, duke na i përshkruar edhe karakteristikat fizike të tyre, ku mes tjerash thotë “janë të lartë, të fortë dhe të bukur. Këta janë edhe zejtarë të mirë, si dhe janë njohës të mirë të përpunimit të hekurit”.4)

 

Tetova mbi të gjitha në të kaluarën, po edhe tani, është e njohur si qendër e rëndësishme për prodhimin e armëve të qujtuara “martina” 5). Por, sipas të dhënave që na jep përshkruesi, kuptojmë se aty kah viti 1891 kemi një stagnim të prodhimit të kësaj arme shumë të kërkuar në tërë Ballkanin. Kjo rënie e këtij prodhimi bëhet për shkak se Porta e Lartë e kishte ndaluar në fund të shekullit të kaluar prodhimin e armëve nga ana e prodhuesve privatë dhe kjo zeje, siç thekson ai “është në një pozitë të palakmueshme” 6).

Tetova me rrethinë e zhvillon tregtinë “në kushte shumë të vështira”. Tregtarët tetovarë bëjnë tregti me shumë vende të huaja duke shitur lesh, groshë, gështenja dhe mollë të njohura të Tetovës, por në tregun e Tetovës nuk mungojnë edhe prodhimet e jashtme. Pastaj ai e përshkruan gjendjen sociale të popullatës së Pollohut. Në Pollog thotë ai: “ka shumë njerëz të pasur dhe shumë nga myslimanët kanë çifliqe. Por, në Tetovë ashtu edhe në fshatra ka shumë njerëz të varfër. Në Pollog e rrethinë ka shumë gra te veja me 3-4 fëmijë që s’munden të sigurojnë kafshatën e gojës dhe veshmbathjen”7).

Stojanovi në gazetë na jep edhe shumë të dhëna për fshatrat e Pollogut. Edhe pse thotë se fshatarët janë punëtorë të mëdhenj, ata nuk janë gjendje të sigurojnë bukën. Këtë gjendje na e përshkruan nëpërmjet të shtëpive dhe thotë: “shtëpitë janë të vogla e pa dritare, pa oxhaqe ose me fasadë të vrazhdët, të mbuluara me rrasa e me kashtë. Sa i përket enterierit, përveç të ndonjë dollapi në mur, diku ndonjë dërrasë, e diku ndonjë rrogoz, tjetër gjë nuk ka. Dhe, në fund thotë se djersën dhe mundin e ha bota”,8),  duke aluduar në Perandorinë. Në të njëjtën kohë na jep edhe fotografinë tjetër të atyre njerëzve që janë të pasur, që kanë çifliqe, ku shtëpitë janë  të ndërtuara në dukate, me hambarë të mëdhenj. Këso fshatra në Pollog janë afër 20 (njëzetë) 9)

Stojanovi në gazetë në vazhdime na jep shumë shënime mbi fshatrat e Pollogut. Edhe pse thotë se i ka shëtitur të gjitha fshatrat, kjo nuk na bind sepse Pollogu në atë kohë në administratën e vet përfshinte shumë fshatra, duke filluar prej Dervendit, Pollogun e Poshtëm dhe Pollogun e Epërm. Nga ajo që lexojmë, shohim se ai më së shumti ka qenë i interesuar që të marrë shënime mbi ata fshatra ku ka pasur popullatë të krishterë. Nga ajo që kemi pasur në diskonim, shohim se ai nuk flet për fshatrat që kanë qenë thjeshtë shqiptare, sidomos nuk flet për Gajren, Shipkovicën, Lisecin, Pirokun, etj. Shënimet e tij si duket i ka marrë nga njerëz të ndryshëm që i ka takuar në ditët e pazarit. Një dëshmi tjetër është se ai për shumë fshatra nuk jep asnjë të dhënë, por vetëm i evidenton. Sidoqoftë, fshatrat e Tetovës së Pollogut të Epërm ose të Poshtëm, si dhe fshatrat përreth rrugës i ka vizituar, pasi në të dhënat për fshatin e vizituar në gazetë e mbulon me një faqe gazete ose vazhdon edhe në numrin e ardhëm, duke prezantuar edhe të dhëna historike të fshatarëve të vizituar.

Sidoqoftë, nga shënimet e Stojanovit njihemi me shumë të dhëna mbi fshatrat, mbi numrin e shtëpive, mbi shkollat, xhamitë, kishat, profesionin, strukturën nacionale, gjuhën, si dhe mbi disa doke e zakone të këtyre fshatrave. Në vazhdim po i japin shënimet ashtu siç janë prezantuar në gazetën “Novini” të Stambollit.

Fshati Gjermë thotë se ka 30 shtëpi shqiptare dhe një xhami. Banorët merren me bujqësi dhe blegtori. Fshati Poroj ka 80 shtëpi shqiptare dhe një xhami; banorët merren me bujqësi. Xhepçishti ka 70 shtëpi shqiptare dhe 11 bullgare (maqedonase); fshati ka një xhami e një kishë, ndërsa banorët merren me pemëtari. Sllatina ka 50 shtëpi shqiptare dhe 10 bullgare (maqedonase), ndërsa banorët merren me bujqësi, pemëtari dhe kurbet. Tearca ka 120 shtëpi shqiptare dhe 80 bullgare; fshati ka një shkollë, një kishë, 4 shitore, 2 farkëtari (kovaçhane) dhe një punëtori të samarxhinjve; banoret kryesisht merren me bujqësi dhe kurbet. Të krishterët e këtij fshati punojnë si bukëpjekës, kurse myslimanët si bozaxhinj. Fshati Otushishtë ka 60 shtëpi bullgare (maqedonase) dhe aty jetojnë edhe familje shqiptare; për numrin e familjeve shqiptare nuk ka të dhëna. Ky fshat ka një kishë, ndërsa banorët kryesisht merren me bujqësi, pemëtari e me kurbet. Fshati Përshevcë ka 30 shtëpi shqiptare dhe një xhami, ndërsa banorët merren me bujqësi e kurbet. Fshati Glogji ka 60 shtëpi bullgare dhe, sipas shënimit të tij, aty jetojnë edhe turq, ndërsa banorët merren me bujqësi dhe pemëtari. Fshati Dobrosht ka 61 shtëpi bullgare dhe 61 shqiptare, ndërsa banorët merren me bujqësi, blegtori e pemëtari. Fshati Odri  ka 50 shtëpi shqiptare dhe 50 bullgare, fshati  ka pasur një kishë, ndërsa banorët e këtij fshati merren me bujqësi e kurbet. Fshati Orashjë  ka 35 shtëpi shqiptare dhe një xhami. Jazhinca ka 40 shtëpi shqiptare dhe 3 shtëpi bullgare, ndërsa në fshat ka një xhami e një kishë; banorët e këtij fshati merren me përpunimin e drurit. Fshati Draboçicë (Glloboçicë) ka 70 shtëpi dhe fshati ka një xhami; banorët merren me përpunimin e drurit. Fshati Strazhë ka 16 shtëpi shqiptare e një xhami. Fshati Kotlinë ka 30 shtëpi shqiptare dhe një xhami; dikur ky fshat ka qenë çiflig. Fshati Ivanje ka 15 shtëpi shqiptare, kurse fshati Gorencë ka 30 shtëpi shqiptare dhe 10 bullgare; banorët merren me punimin e qymyrit. Fshati Nerashtë ka pasur 85 shtëpi shqiptare dhe një xhami. Fshati Shemshovë ka 20 shtëpi shqiptare dhe 10 bullgare; aty ka vetëm një kishë, ndërsa një pjesë e fshatit ishte çiflig. Fshati Trebosh ka 11 shtëpi bullgare dhe 25 familje jevgjish, ka kishë dhe çiflig. Fshati Sedllarcë e Epërme ka 15 shtëpi shqiptare dhe një kishë; banorët merren me bujqësi e pemëtari. Fshati Radushë thotë se ka 60 shtëpi shqiptare, një xhami e një kishë, ndërsa banorët merren me bujqësi. Për këtë fshat Stojanovi thekson se ndërtimet në këtë fshat janë të reja. Fshati Kopanicë ka 13 shtëpi shqiptare dhe 8 shtëpi bullgare. Fshati ka një kishë, ndërsa banorët merren me bujqësi; fshati posedonte edhe një çiflig. Fshati Paniçar ka 50 shtëpi shqiptare, Raoviqi ka 20 shtëpi shqiptare, kurse Derveni (supozohet te jetë Bukoviqi) ka 30 shtëpi shqiptare. Fshati Merovë ka 30 shtëpi shqiptare, Rogla 26 shtëpi shqiptare. Kapaçindolli 30 shtëpi shqiptare, ndërsa Çifliku thotë se 35 shtëpi shqiptare dhe një xhami. Fshati Llërcë, sipas tij, ka 28 shtëpi shqiptare dhe një xhami. Grupçini ka 56 shtëpi shqiptare, një xhami dhe 3 hane. Fshati Zhelinë ka 90 shtëpi shqiptare e një xhami. Strimnica thotë se është fshat me 47 shtëpi shqiptare, një xhami dhe një kishë. Leshnica e Epërme ka 35 shtëpi, kurse Leshnica e Poshtme 23 shtëpi shqiptare dhe 12 bullgare. Fshati Çollopek ka 160 shtëpi shqiptare dhe 82 bullgare, një xhami dhe një kishë. Fshati Miletinë ka 25 shtëpi shqiptare dhe 20 bullgare, një xhami dhe një kishë. Fshati Tenovë ka 47 shtëpi shqiptare, një xhami, një kishë, si dhe gërmadhat e një manastiri të vjetër. Sallareva ka 60 shtëpi shqiptare, Gurgurnica 50 shtëpi shqiptare, Çegrani 90 shtëpi shqiptare, Forina 50 shtëpi shqiptare dhe 3 bullgare, si dhe një xhami e një kishë. Turqani i Madh e Turqani i Vogël, sipas tij, ka pasur 39 shtëpi shqiptare dhe një kishe e dy manastire.

Është shumë me interes të theksohet se Stojanovi për disa fshatra të Pollogut të Epërm nuk jep shënime të përkatësisë nacionale, por evidenton vetëm kisha e manastire, si .p.sh. në fshatin Tërnovë evidenton dy kisha, në Strajan një kishë e një xhami, në Reçan dy kisha, në Padalishtë një kishë, në Serbinovë një kishë, në Gjenovicë një kishë, në Banjicë një kishë, në Raven dy kisha etj.

Sa u përket fshatrave të Rekës së Epërme, ai po ashtu nuk e tregon përkatësinë nacionale, por jep vetëm të dhëna për kishat edhe shkollat, kurse për fshatrat e Rekës së Poshtme thotë se flasin bullgarisht, por nuk jep të dhëna të tjera.

Në gazetën “Novini”, duke dashur që të shkruajë për fshatrat e Pologut, me qëllim ose pa qëllim na jep edhe disa të dhëna arkeologjike të më shumë vendbanimeve, ku kryesisht jetojnë ose ka jetuar popullata shqiptare, duke ofruar shënime mbi kështjellat, kishat, manastiret, minierat etj. Për fshatin Dobrosht thotë se në të gjenden rrënime të një kishe të vjetër, që nga banoret e vendit quhet  kisha e “Shën Nikollës” (kisha e Shënd Kolit). Po ashtu na jep të dhëna që në ditën e Shën Gjergjit në këtë vend mblidhen fshatarët, siç i quan ai myslimanë, për të therë kurban. 10)

Për fshatin Orashje thotë se në të ekzistojnë gërmadha të një kalaje.11). Në Kotlinë, ku sipas tij jetojnë 30 familje shqiptare, ekzistojnë themelet dhe rrënojat i një kalaje, që nuk dihet se prej kur daton. Po ashtu në afërsi të fshatit Gorencë gjenden rrënime të kishave të vjetra, ku njëra prej tyre mban emrin e “Shën Ilisë”. Banoret shqiptarë, siç ai quan myslimanë, në ditë caktuara në themelet e kësaj kishe therin kurbane dhe festojnë 12).

Të dhëna mjaft interesante jep për fshatin Llakavicë, ku thotë se gjinden gërmadhat e një kalaje, që  nga banoret e vendit quhet “Kështjella e Yllit”. Gjithashtu në afërsi të kësaj kështjelle gjendet një miniere e xehes së hekurit. Në Simnicë gjithashtu thotë se ekzistojnë rrënime të një kalaje, ku nga një mur buron ujë, të cilin banoret e pinë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme 13).

Nga shënimet po ashtu kuptojmë se shqiptarët shkojnë e therin kurbane edhe në manastirin e “Shën Gjergjit” në afërsi të fshatit Vollkovijë, ku po ashtu përmend edhe disa kisha e manastire të tjera.

Nga këto të dhëna qartë  kuptojmë se popullata shqiptare e Pollogut është islamizuar në këtë vend, por shqiptarët e këtij vendi një kohë të gjatë i kanë ruajtur ritet e besimeve të trashëguara që nga kohët e lashta; kjo shihet nga ceremonitë që i kryenin në qendrat e kultit deri vonë.

Nga ky vështrim panoramik i nxjerrë nga gazeta e Stambollit “Novini”, edhe pse këto të dhëna janë mbledhur nga autori më shumë për qëllime politike sesa për kureshtje, prapëseprapë nëpërmjet shënimeve të mbledhura njoftohemi me shumë të dhëna nga disa sfera të kësaj treve.

 

Shënimet:

[1]. Andrea Stojanovi lindi më 1825 në Grabovë të Bullgarisë, dhe vdiq më 1898

2 .Të dhënat e Stojanovit u përdoren e dhe nga Gjorgje Petrovi në materialet ku flitet mbi Maqedoninë edhe pse emri I Stojanovit nuk përmendet

3. A. Stojanov, “Shënime nga udhtimet e mia në Tetovë”, Novini, Stamboll viti I nr.24.(2)

4 .Po aty

5 .Po aty

6 .Po aty, 12 (4)

7. Shënimet janë nxjerrë nga gazeta “Novini”, viti I nr. 24, 25, 34,38-44, 48, 51 viti II nr. 12,13,16,17,21,2228 (1891) dhe nr. 30, 34, 40 (1892) dhe nga vëllimi I III, 5,6, 12

8. A. Stojanov, nr. 12, 4

9. Po aty viti I, nr. 47

10 .Po aty, viti I, nr. 48

11. Po aty, viti I , nr. 51

12. Po aty, viti II, nr, 22, 2

13. Po aty, nr. 48



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Avzi Mustafa: Zajavi përballë pushtuesit serb (1912-1915) Avzi Mustafa: Shkollat fetare private në Gostivar e rrethinë ndërmjet dy luftrave botërore Avzi Mustafa: Shkolla shqipe qëndron mbi eshtrat e patriotëve tanë Avzi Mustafa: Disa probleme në punën e mësuesve të gjuhvs për përvetësimin e gjuhës letrare në shkollë Avzi Mustafa: Përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe (1908-1912) Avzi Mustafa: Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes Avzi Mustafa: Ju mbeteni përherë ''Zoti Mësues'' Avzi Mustafa: Një fjalim i pabotuar i Ibrahim Themos mbi çështjen e Maqedonisë Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare Avzi Mustafa: Ndihmesë e madhe arsimit shqip në Maqedoni Avzi Mustafa: Kush ishte Ali Bej Kërçova Avzi Mustafa: Gjuha shqipe në traditën e historisë së shkollave Avzi Mustafa: Mësimi i gjuhës maqedonse nga klasa e parë është problem politik Avzi Mustafa: Akademik Olivera Jashar - Nasteva - 10 - vjet e mertisur dhe e harruar Avzi Mustafa: Kur bëhej Kongresi i Shkronjave në Manastir Avzi Mustafa: Prof. dr. Nexhat Abazi, Personalitet i shquar i shkencave pedagogjike dhe i kulturës shqiptare Avzi Mustafa: Një dorëshkrim i posazbuluar në gjuhën shqipe me shkronja cirilike nga viti 1868 në Rekën e Epërme Avzi Mustafa: Mësuesia një nga zanatet më njerëzore Avzi Mustafa: Reformat e shkollës evropiane kërkojnë edhe ligje evropiane Avzi Mustafa: Vështrim në librin “Vullneti i dhunuar” të autorit Mahi Nesimi

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora