Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Çmenduria shqiptare nën mospërfilljen ndërshqiptare

| E shtune, 06.08.2011, 08:05 PM |


Adnan Shehu Lindje -Perendim
Adnan Shehu Lindje -Perendim

 

Çmenduria shqiptare nën mospërfilljen ndërshqiptare

 

Nga Fahri Xharra

 

“O zot,mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin, e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin”- i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, në shënimet e tij. A duhet që edhe sot ta themi të njejtën? PO.

Pse jam? Çka jam? Kush jam unë? Pse jam këtu? Për çka jam këtu? Janë pyetjet e rëndomta dhe sfilitëse që na mundojnë. Të gjithë sillemi rreth shumë pyetjeve, të cilave nuk uu dimë përgjigjen. Jo pse nuk dimë të përgjigjemi por nuk mundemi. Nuk mundemi se jemi te rrethuar me shumë probleme,e nuk dijmë s e cilës t`ia gjejmë të panjohurën së pari.

Vlerësimi i vetes. Parafytyrën e vetvetes (imazhin për veten) e bën një sistem goditës, mirë i strukturuar, ngushtësisht i lidhur me vlerësimin e vetvetes për planet, dëshirat dhe motivimet vetjake të çdo motivimi. Parafytyra e vetvetes nuk është aq e lehtë për të luajtur me formën e saj, por vetë fakti i dëshirës për vlerësim të aftësive, përtej bartjes së arritjeve nga vetja te tjetri është mundësi për ndërrim të parafytyrës së vetvetes. Parafytyra e vetvetes është dinamike e gjallë, por jo aq lehtë e ndërron trajtën. Ne e kemi një parafytyrë  si extravertis në të njëjtën kohë një parafytyrë intravertis. Parafytyra e vetvetes është një llojllojshmëri e përbërë nga natyrat e ndryshme. Punimet e Wylit (1974) mbi zhvillimin e parafytyrës së vetvetes e tregojnë mirë llojllojshmërinë progresive dhe dimensionet e konceptit të vetvetes gjatë etapave në vazhdimësi.

A po e vlerësojmë veten sa duhet dhe si duhet?

Çdo gjë në natyrë është fryt i saj. Çdo gjë e gjallë duhet patjetër t`u përshtatet ligjeve të natyrës, përndryshe rrezikohet nga zhdukja. Një prej ligjeve më universale të forcave të natyrës është ligji i rëndimit (i gravitetit).

Është një forcë tërheqëse në mes të të gjitha gjërave. Çdo objekt në gjithësi është i rrethuar nga fusha e rëndimit e cila rritet në pakufi në të gjitha drejtimet, fuqia e së cilës është drejtpërdrejt proporcionale me masën e objektit. Çdo copëz në gjithësi tërhiqet me gravitet nga çdo copëz tjetër. Qysh moti, popujt e civilizuar e kanë kuptuar këtë ligj të natyrës dhe e kanë krijuar qendrën e tyre të rëndimit, i kanë krijuar të gjithë parametrat për të qëndruar, evoluuar, përparuar në udhëheqjen e tyre kombëtare, fetare, intelektuale, ushtarake.

Popujt dhe kombet që nuk i janë përshtatur organizimit sipas këtij ligji, janë dobësuar, kanë mbetur të rendit të dytë apo të tretë ose edhe janë zhdukur nga faqja e dheut.

Po ne ku jemi? Historikisht a kemi pasur qendër të rëndimit, qendër të vendosjes? Jo. A e kemi  sot?.Jo. Qendra nuk është e thënun të jetë në një ndërtesë të bukur, me arqitekturë ultramoderne. Por një qender me njerëz të menqur, që e udheqin kombin. Një qendër që në rastin sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme nuk e humb durimin dhe guximin ,e mbi të gjitha nuk e humb drejtpeshimin. Historikisht e dijmë shumë mire që çdo herë kur kemi humbur kontrollin e përgjithshëm jemi shkokëluar në copëza të shpërndara, pa kurrfarë mundësie të kthimit në tërësinë tonë.

Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndimit. Duke mos pasur qendër të rëndimit, e kemi të vështirë aplikimin e koncepteve të gravitetit.

Të tjerët këtë e dinë dhe llogarisin saktë se çfarë mundi iu duhet për të na larguar nga graviteti ynë, si dhe nga orbita e jonë e qëndrueshmërisë historike. Si veprojnë ata? E kanë të qartë dhe shumë mirë të llogaritur energjinë finale dhe nxitimin e duhur të një objekti që bie prapa në tokë dhe e dinë mirë se çka duhet bërë që ne të qëndrojmë gjithmonë pezull si objektet e humbura në gjithësi.

Si veprojmë? Një nga të këqijat tona është mendimi nihilist mbi vetveten.

Nihilizmi rrjedh nga fjala latine “nihil”, që do të thotë asgjë, ajo që nuk ekziston. Nihilizmi është qëndrim mohues ndaj botës e ndaj ekzistencës së njerëzimit, qëllimit, vlerës apo të vërtetës së kuptueshme.

Nihilizmi pasqyrohet duke i mohuar vlerat e çdo strukture sociale, shtetit e ligjit, normave të vlerës dhe principeve të moralit. Këto orientime mund të çojnë kah dhuna dhe terrorizmi kundër një sistemi të vendosur edhe të rezulton në rezistencën dhe qëndrimin pasiv ndaj çdo gjëje pa kurrfarë alternative në mendje. Kur Demosteni (371-322 p.e.s.) e citon se “çka ai dëshiron të besojë duhet të jetë ajo që të tjerët të besojnë”, ai e parashtron natyrën e marrëdhënies së dijes.

Nihilizmi mund të kuptohet në rrugë të ndryshme, si: nihilzmi politik, ai etik apo moral, nihilizmi ekzistencial dhe nihilizmi kombëtar.

Çka mohon nihilisti? Qëllimet e jetës në përgjithësi, principet e moralit, rendin moral në përgjithësi, si dhe ndjenjat kombëtare. Shumë afër nihilizmit është edhe absurdizmi, që thotë se përpjekjet e njerëzimit për të gjetur mendimin e pandarë (inherent) do të dështojnë.

Ku na qojnë këto?  Akund .

Kur shqiptarët mendojnë dhe thonë se Perëndimi është antishqiptar (e që s`është e vërtetë), është detyrë e njerëzve të penës të përmirësojnë mendimin e popujve vendimmarrës në politikat shtetërore, rajonale, bile edhe kontinentale,për ne. Pra  a po punohet në këtë  drejtim?  A jemi fundamentalistë antiperëndimorë, apo jemi miq të SHBA-ve dhe të Evropës? Si guxojmë të heshtim para faktit që Jeremiqët e paraqesin veten si viktima si ato të natës së kristaltë, kur dihet se shqiptarët janë i vetmi popull që nuk i ka vrarë e as dorëzuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore? Si guxojmë të heshtim ndaj Jeremiqëve  sllav që në botën arabe na paraqesin si proevropian e ne botën e krishterë si” fundamentalista islamik”?

Nga vjen kjo? Nga mosperfillja  ndërintelektuale nga mospërfillja ndërshqiptare. Një gjë duhet dijtur mire se mospërfillja ndërshqiptare e sjell guximin e të tjerëve për synime më të rrezikshme.

Mospërfillja ndërshqiptare shumë e lakmuar me vetëdije apo pa të, me frymëzim nga diçka që nuk po i vjen erë e mirë, mospërfillje deri në atë shkallë sa të mos vetëdurohemi, mospërfillje aq e madhe sa edhe të urrehemi ndërvete. Kjo është ikje nga vetvetja dhe një zbërthim në dromca të vogla ashtu siç e duan të tjerët.

“Perandoritë e mëdha gjatë qëndrimit të tyre plogështojnë dhe shkatërrojnë fuqinë e vendësve që ata i kanë pushtuar...dhe kur ata dështojnë gjithçka shkon në shkatërrim dhe vendësit kthehen në pre të vetvetes” (Bakon).  Athua në çdo kohë duhet të jemi pre e vetvetes. Të qenurit pre e vetvetes jemi një kafshatë e përtypur dhe e lehtë për të tjerët.

Fenomeni i shamijeve dhe më thellë Vetë kërkesa për futjen e mësimit fetar në shkolla, është lëndë e parë për sajimin e përshtypjes kunderevropiane për ne.  A e meritojmë këtë përshtypje e cila cimentohet ne bindje, apo vete po punojmë për të treguar atë që nuk jemi.

Kjo ndjell ndarjen, veçimin në na dhe ju, në mospërfillje të njeri-tjetrit, sajimin e identiteteve të veçuara, izolimin, e nga inati atëherë vjen përqafimi i kulturave fqinje dhe nga vetëzbërthimi fillon të kundërmon. Nuk guxojmë që në emër të lirisë së shprehjes të shfaqim atë që nuk është pjellë e mendjes sonë.

 

Neve na duhet diçka që të shërbejë si mbërthyese, si kapëse që nuk lë të shkoqet asgjë nga trungu gjithëshqiptar. Mbërthimi kombëtar ka qenë gjithmonë i nevojshëm, dhe kokave të ndërsyera nga një pikëpyetje e madhe duhet t’iu japim rastin që të vetmbërthehen e të mos lejojnë t’i kundërvihen interesit madhor.

 

Por, një pyetje më rëndon shumë, se a me të vërtetë jemi aq të lehtë që të vetëzbërthehemi e që pastaj e kemi të vështirë të kthehemi në tërësinë tonë?