E premte, 19.04.2024, 12:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Përzgjedhje poezishë që e përvetësojnë lexuesin

E premte, 05.08.2011, 07:58 PM


PËRZGJEDHJE POEZISHË QË E PËRVETËSOJNË LEXUESIN

 

(Adnan Mehmeti “Ndajfoljet e vendit”, botues Sh.b. “ADA” Tiranë, 2011, faqe 170).

 

Nga Bilall Maliqi

 

Poeti i njohur gjithandej trojeve shqiptare Adnan Mehmeti, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, me punën e tij të dritanishme në fushën e krijimeve poetike dëshmoi për të satën herë se është produktiv në fushën e krijimtarisë letraro-artistike, duke bërë kësaj here një libër voluminoz me përzgjedhje të poezive nga tri librat e botuara kohë më parë: /Diellin e kam futur në xhep/. / Ikje nga vetmia/ dhe /Deti në mes/, duke i shkrirë ato në një libër me poezi të zgjedhura me titull interesant “Ndajfoljet e vendit”. Artikulimi i temave dhe motiveve brenda poezive të përzgjedhura në këtë libër na dalin poezi me vargje refleksive, filozofike, simbolikë të numrave aty-këty në vargje poetike, me një mozaik pamjesh në disa vargje përbërëse të poezive dhe mbarështrimi figurativ i shpërndarë nëpër shumicën e vargjeve poetike të këtij libri,  tregojnë qartë filozofinë dhe qëndrueshmërinë artistike të poezive të librit në fjalë…

 

Strukturimi

 

Në shumicën e poezive të përzgjedhura këtu, për të arritur gradacionin e duhur poetik, fjala është për poezitë që i pëvetësojnë lexuesit me begatitë e reflekseve jetësore, përmes zgjimit të brendshëm, gjakimi poetik në kujtimin e kohës së dikurshme, ku në fakt prodhoi edhe motivime dhe frymëzime të çelikta  për poetin, frymëzime këto me figuracion të duhur të pajisura me simbole e figura stilistike me një gjuhë të rrjedhshme poetike me poezi gjysëm hermetike apo hermetike me një gamë të gjërë motivesh , me një strukturim të kënaqshëm të poezive të veta, arriti kështu që libri të fluturoj siçë thotë poeti / Me kuajt e erës, përtej detit/, që këto frymëzime të derdhura gjithandej këtyre poezive të defilojnë lexues më lexues sepse aty lexuesi gjenë mozaik të reflekseve në poezitë e tij si:/babai/, /nëna/, /deti/, /lumi Misisipi/, /Vendlindja/, / gruaja/ , /Ylli Aferditë/, etj., etj. Mbi këto mbruhet dhe gatuhet ngarkesa e shqetësimeve poetike, dhe mallit , mes përjetësisë së çastit dhe mallit të lodhur e të djersitur nga largësitë tejoqeanike për të kaluarën që është në kujtesë të tij e që ngelet vetëm si një ëndërr e reprizuar. Brendia e librit në fjalë shoqërohet me gjetje të temave të shtrira gjithandej librit, të jetësuara e të forcuara me figura stilistike të cilave ua ka gjetur vendin aty ku duhet. Dihet mirëfilli se figurat stilistike ndahen në: figura të kuptimit, figura të shqiptimit poetik, figura të fjalëve dhe shprehjeve, figura të fjalorit poetik dhe figura të sintaksës poetike, e ku në poezitë e përzgjedhura të Adnanit mund të gjejmë figura sosh të paraqitura më lartë.

Kur jemi tek gjetja e temave, mund të themi lirisht se poeti është një gjurmues i kujdesshëm i motiveve të cilat disa prej tyre do të mbeten koherente për shumë kohë, p.sh.: motivi i dashurisë i ndarë në dy segmente, dashuri shpirtrash dhe dashuri për vendlindjen, poezitë përkushtimore të cilat vështirë qëllohen të mira, por ja në këtë libër poeti Mehmeti ato poezi të shkruara me karakter përkushtimor i ka bërë me një art të veçantë duke i shkruar me një përkushtim të denj, pastaj poezitë e karakterit social. Por jo vetëm kaq penda e Adnanit ka shkruar edhe për motivin patriotik duke vijëzuar mirë ngjarjet që kanë ndodhur atëbotë në nënqiellin kosovar bashkë me sinoret e coptuara të saj (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), e që nga larg poeti i ka përcjellur dhe nuk ka mundur të qëndroj duarkryq porse me anë të vargjeve poetike ka bërë proetestën e vet drejtuar atyre që ngjallnin padrejtësi, dhunë e çka tjetër.

 

Përkushtim(i) si motivim

 

U mor vesh se poeti shumicën e poezive të tij i ka përkushtuese me të cilat shpreh gjithë atë frymëzim që del si ekstazë nga thellësia e shpirtit të tij. Përveq poezive të motiveve të ndryshme të cilat janë evidente në libër e që janë të karakterit përkushtues vlenë të përmenden poezitë kushtuar figurave të ndryshme si: krijuese, nënës, babait, gruas, gjyshit, xhaxhait, motrave, Vilmës, vendeve të ndryshme si: Letovicës, Dobrosinit, Bujanocit, pastaj heronjve të kombit të cilët lanë gjurmë të pashlyera në historinë tonë kombëtare si: Isamil Qemalit, Bajram Currit etj., të cilat poezi kanë art të veçantë sa i përket forcës shprehëse të autorit brenda poezive në fjalë.

Kur jemi te motivi patriotik nuk mund të mos e paraqesim dëshirën e flaktë të poetit, ëndrrën e tij për t’i puthur tok viset e tij të cilat ende janë ndara pikë e pesë:

 

“Disa herë në ditë udhëtoj

Nga Çamëria deri te Molla e Kuqe

U lodha duke ëndërruar

Kur do t’ju puthë viset e mia?”

 

Për vizitën e parë në Shqipëri autori në kufi shpirti frymëzohet dhe dialogon përmes vargjeve poetike me doganierin dhe dashurinë e tij të zjarrtë për Shqipërinë:

 

“Më pyeti doganieri për shtetësinë:

-Vëlla !

-Ç’ke për doganë?

-Dashurinë!...”

 

Apo

 

“Pasaportën e huaj do ta gris

Në Kapshticë bëra fotografi

Mirë se të gjejë Shqipëri”

 

Ose pas vizitës së parë në Shqipëri, në poezinë /Ndajfoljet e vendit/, poezi kjo që mer titullin përmbledhja poetike e poetit, në pyetjen e bashkëvendasve të tij se çka ka parë atje sepse atëbotë në vitin 1991, poezinë kur e shkroi poeti ishte shumë vështirë dhe rrezikshëm e për disa edhe i pamundur qarkullimi dhe vizita në Shqipëri, poeti u shpërndau mallin e miliona zemrave , ndërsa përgjigjen e vetme për andej e këndej e paraqet kështu:

 

“Deri sa ti hamë me dhëmbë

Ndajfoljet e vendit”

 

Adnan Mehmeti me përzgjedhjen poetike të tri librave paraprakë të cilat i ka futur brenda kopertinave të këtij libri, ka bërë një selseksionim të arsyeshëm të poezive të cilat shoqërohen me një vlerë të begatshme artistiko-letrare. E veçantja e këtij libri është se tani lexuesi i ka poezitë e tri librave në një libër të vetëm dhe ato të përzgjedhura me seriozitet të madh. Kujtojmë se poeti Adnan Mehmeti me këtë libër jo që i u është shtuar edhe një botim atij apo bibliotekave të rajonit, por ky libër i ka të gjitha kriteret e librit të botueshëm dhe atë se libri mbështillet me vlera të kënaqshme artistike, duke ecur kështu sigurt drejt avancimit të shkrimeve të tij dhe  për të hyrë në kanalin e poezisë bashkëkohore…



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora