E marte, 23.04.2024, 11:58 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një tregim për mikun tim (IX)

E premte, 05.08.2011, 08:02 PM


RESHAT KRIPA

 

NJË TREGIM PËR MIKUN TIM

NGJARJE TË JETUARA

 

HISTORIA E NJË NËNE

 

Kjo ngjarje i ka ndodhur një nëne. Është një ngjarje si shumë të tjera që i ndodhnin nënave që kishin bijtë e tyre nëpër burgjet e diktaturës. Është një ngjarje që për atë periudhë ishte e zakonshme por që rëndonte shumë në ndërgjegjen e atyre që i pësonin.

Atë natë atë nuk po e zinte gjumi. Lloj lloj mendimesh i qarkullonin në mendjen e saj. Kishte mbi tre muaj që nuk kishte patur mundësi të shkonte për të takuar bijtë e saj  të burgosur. I madhi ishte në Rinas, kurse i vogli shumë më larg, në Bulqizë. Ishte e pamundur të kursente sadopak për të blerë ndonjë gjë që t’ua çonte djemve të saj. Ato pak të holla që u dërgonte djali tjetër apo vajza që kishin në shtëpi, nuk mjaftonin as për të mbajtur shpirtin gjallë. Atëhere u shkruajti vajzave të tjera që i kishte të martuara. Ato bënë si bënë dhe i dërguan  një sasi të hollash. Me to mundi të blinte disa ushqime sa për të bërë dy pako të vogla me ato më të domosdoshmet. I shoqi ishte i semurë. Kishte dëshirë edhe ai për të shkuar me të, por sëmundja dhe mungesa e të hollave nuk e lejonin.

Të nesërmen u ngrit porsa nisi të agojë. Mori dy pakot e përgatitura dhe një trastë ku futi pak bukë dhe djath për veten e saj për rrugës dhe doli në hyrje të qytetit. Mbasi priti një farë kohe erdhi një makinë. Ju lut shoferit i cili e mori pa e ditur qëllimin e udhëtimit te saj. Zbriti në Rrogozhinë ku mori trenin e linjës për në Vorë. Prej aty deri në Rinas udhëtimin e kreu në këmbë, duke pushuar herë mbas here në hijen e ndonjë peme. Kur mbriti atje ora kishte kaluar të dymbëdhjetat.

Ishte muaji i shtatorit.Të burgosurit ishin në punë dhe ktheheshin mbas orës pesë.

U bashkua me një grup familjarësh të tjerë, që kishin ardhur edhe ata për t’u takuar me të afërmit e tyre. Më së fundi erdhi ora e caktuar. Nëna dëgjoi emrin e djalit dhe u afrua te gardhi i trefishtë me tela me gjëmba. Nga ana tjetër e tij qëndronte i biri duke buzëqeshur.

- Po pse u mundove moj nënë? Unë jam mirë dhe për këtë u kam shkruar edhe letër - tha ai.

-Po mor bir  - u përgjigj nëna - po nënën e mori malli për ty dhe nuk duroja dot më. Përse ke nevojë mor bir. Thuaja nënës tënde.

- Jo nënë jo, nuk kemi nevojë për asgjë. Këtu i kemi të gjitha.

Por nëna e kuptoi gjendjen e të birit. Ajo e pa atë në trupin e tretur të tij. Ajo e kuptoi që ai nuk kishte asgjë, që ishte tmerrësisht i lodhur dhe i uritur. Dhe se ato pak ushqime që i kishte sjellë, nuk do i mjaftonin veçse për pak ditë. Por ç’të bënte nëna e ngratë?

Por edhe djali e dinte gjëndjen e së ëmës. Ndaj nuk donte ta shqetësonte më tepër, nuk donte t’i shtonte vuajtjeve të saj ato të tijat. Ndaj tregohej i shkujdesur dhe i qeshur.

Nëna filloi t’i fliste për të atin pa i treguar që ishte i semurë, për të vëllanë dhe motrat dhe ai e dëgjonte me mallëngjim.

- Nuk do t’ju lemë kurrë mor bir. Do të vijmë përsëri.

- E di nënë, e di. Po te vellaj tjetër a keni qenë? Merri ushqimet që prure dhe shpjerja atij, se ai ka meë shumë nevojë.

- Jo, jo këto janë për ty. Edhe për atë kemi përgatitur dicka. Prej këndej do shkoj edhe atje.

Roja që rinte pranë njoftoi se koha e takimit kishte mbaruar. U përshëndoshën dhe u ndanë. Nëna largohej duke kthyer kokën prapa herë mbas here deri sa i biri u zhduk prapa kapanoneve.

Ora po shkonte shtatë mbasdite. Nisi përsëri rrugen e kthimit. Atë natë vendosi të shkonte në Tiranë te e bija. Doli në rrugën kryesore për të pritur ndonjë makinë. Ndërkaq dielli kishte perënduar. Kishte filluar të errësohej. Asnjë makinë nuk po kalonte. Nëna filloi të shqetësohej Si do t’ja bënte? A mund ta kalonte natën e vetme në mes të rruges? Pamja e fushës që e rrethonte nga të gjitha anët sikur e frikësonte.

Në këto e sipër pa nga larg një grua që po afrohej duke vënë para një lopë që ecte ngadalë ngadalë. Nëna ndjeu një lehtësim. Në fund të fundit do të takonte një njeri me të cilin mund të bisedonte. Kur u afrua gruaja e përshëndeti dhe e pyeti:

- Ç’erë e mbarë ju ka sjellë ndër këto anë?

Nëna i tregoi të vërtetën nga vinte dhe ku do të shkonte. Gruaja u mendua pak dhe pastaj i tha:

- Paskemi të njëjtin hall. Ejani sonde nga unë ta ndajmë atë kafshatë buke që na ka dhuruar Zoti.

Nëna nguroi pak, por më në fund pranoi. Të dyja u niseën drejt shtëpisë që ishte ndonjeë gjysmë ore larg. Kur mbrritën atje u dolën para dy femijë, një djalë dhjetëvjeçar dhe një vajzë trembëdhjetëvjeçare. Djali mori lopën dhe e shpuri në një kasolle që kishin aty pranë, ndërsa vajza pasi përqafoi të ëmën, u takua edhe me nënën duke i uruar mirseardhjen.

Shtëpia ku banonin  ishte një kasolle e adoptuar në shtëpi. Jetonin në një varfëri të tmerrshme me lopën dhe një arë të cilën e punonte vetë gruaja dhe ku mbillnin perime  nga shitja e të cilave nxirrnin të hollat që u nevojiteshin.

Atë natë ndenjën deri vonë duke qarë hallet e tyre . Secila tregonte hallet e veta që çuditërisht ishin të ngjashme me njëra-tjetrën. Nëna i tregoi për dy djemtë që kishte në burg, për të shoqin e sëmure, për vajzën që kishte sakrifikuar rininë e saj për të vëllezërit, për djalin tjetër që endej me instrument në krah në çdo skaj të Shqiperisë ku kishte ndonjë kënetë për t’u tharë apo ndonjë kanal për t’u hapur, për vajzat e tjera që i kishte të martuara por që ishin të lidhura me fatin e gjithë familjes. Ndërsa gruaja i tregoi për të shoqin që e kishin dënuar për gjoja tentativë arratisje dhe tani ndodhej në kampin e Radostinës në Fier, për dy femijtë e vegjël që duhej t’i ushqente dhe t’i dërgonte në shkollë, për punën e rëndë që duhej të bënte mbasi gjithçka ishte mbi kurrizin e saj.

Në mëngjes u ngritën herët. Të dyja kishin punë për të bërë. Nëna për të shkuar te i biri, ndërsa gruaja për punët e përditëshme. Para se të niseshin ajo mbushi një shishe me qumësht dhe ia dha nënës duke i thënë:

- Merre dhe shpjerja tyt biri. Është qumësht i mirë.

- Faleminderit shumë! - i tha nëna - Nuk do t’ju a harroj kurrë këtë nder që më bëtë.

U nisën të dyja dhe dolën në rrugën kryesore për të pritur ndonjë makinë që shkonte për në Bulqizë. Kaloi një farë kohe dhe disa makina që kaluan ishin plot dhe nuk qëndruan.

- Shkoni zonjë, - i tha nëna gruas duke parë që po vonohej – shkoni në punën tuaj. Unë do pres këtu. Ju faleminderit edhe një herë!

Gruaja u përqafua me nënën duke i uruar rrugë të mbarë dhe u largua në punë të vetë. Nëna mbeti vetëm. Së fundi kaloi një makine që ndaloi.

- Ku do shkoni? - e pyeti shoferi.

- Në Bulqizë.

- Në kamp? - pyeti përsëri ai dhe kur mori përgjigjen qeshi nën buzë dhe u largua duke belbëzitur:

- Aha, nuk ma mban.

U desh të priste edhe ndonjë orë tjetër deri sa mbrriti një makinë, shoferi i së cilës ishte një njeri shumë zemërmirë që e mori duke i thënë:

- Do të të zbres në kthesën e fundit para se të shkojmë në kamp. Nuk dua të me shohin ata të kampit.

Kthesa ishte ndonjë kilometër larg vendit të caktuar. Nëna pranoi menjëherë. Çfarë ishte një kilometër rrugë në këmbë për të? Zbriti në vendin e caktuar dhe shkoi në këmbë deri te postblloku i kampit. Aty dha emrin e djalit. E lanë të priste një farë kohe, pastaj iu drejtua një oficer që doli  nga kampi:

- Ju nuk mund të bëni takim me djalin tuaj. Ai është dënuar për të mos patur takim me familjen për thyerje të disiplinës për tre muaj.

Nëna mbeti si e shastisur.

- Merrni të paktën ushqimet - i tha.

Oficeri tundi kokën në shenjë mohimi.

- Po çfarë ka bërë im bir që është dënuar? - e pyeti nëna. Por oficeri u largua pa i kthyer pergjigje.

Nëna vriste mendjen për të gjetur shkakun e kësaj gjëje. Përse e kishin dënuar vallë? E ç’mund të bënte një i burgosur brenda telave me gjëmba? Ajo nuk mund t’i jepte dot përgjigje pyetjeve të tilla. Ajo nuk mund të kuptonte se shkaku i dënimit të të birit ishte nje rast absurd. Një javë më parë i biri me një grup shokësh kishin përkujtuar 35 vjetorin e luftës së Vlorës duke recituar poezi të një poeti të burgosur. Kjo kishte mjaftuar që ata të dënoheshin të qëndronin në qeli dhe të mos takoheshin me familjet për tre muaj.

Nëna u largua e menduar. Një peshë e rëndë i mëshonte në kraharor. Nga sytë filluan t’i rridhin lotë. Kishte bëre dy ditë rrugë për të ardhur dhe tani e kthenin mbrapsht duke mos i marrë as ushqimet. Fshiu lotët me shaminë e syve dhe filloi të ecte pa e ditur as ajo ku shkonte.

Ndërkohë përballë po vinte një grua me një vajzë të vogël përdore. U përshëndoshën me njëra-tjetrën. Nëna e pyeti për ku shkonte dhe gruaja iu përgjigj se shkonte të takonte të birin e burgosur. Kishte marrë me vete edhe vajzën e tij që donte të takonte të atin. Nëna vuri re se gruaja nuk kishte asnjë gjë me vete, asnjë pako sado të vogël dhe iu kujtua se me sa mundim i kishte përgatitur ajo pakot për djemtë e saj. Gruaja e kuptoi shqetësimin e nënës dhe i tha;

- Nuk patëm mundësi te përgatisnim . Të paktën ta takoj paçka se nuk i shpie gjë.

Papritmas një mendim i shkrepi nënës në mendje. Mori pakon që kishte përgatitur për të birin  dhe duke ja dhënë gruas  i tha:

- Merreni këtë pako dhe shpjerjani birit tuaj. Mua nuk më lejuan ta takoj dhe t.i shpie gjë.

Në këtë kohë një makinë ndaloi në këmbët e tyre

- Do hipësh? -  pyeti shoferi

Nëna vuri re se ishte po ai shofer që e kishte sjellë dhe tani po kthehej. U takua me gruan dhe hipi në makinë.

- Si e quajnë djalin tuaj? - pyeti gruaja e habitur

Por nëna nuk e dëgjoi. Makina tashmë ishte larguar.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora