E shtune, 28.01.2023, 07:51 PM (GMT)

Mendime

Mero Baze: Kërcënimi që nuk duhet injoruar

E enjte, 04.08.2011, 06:59 PM


Kërcënimi që nuk duhet injoruar

 

Nga Mero Baze

 

Një ekspozitë në Durrës është detyruar të mbyllet nën terrorin e paralajmërimeve fetare nga autoritetet e komunitetit mysliman në qytet, për shkak të përmbajtjes së saj. Bëhet fjalë për një ekspozitë të rëndomtë nudo nga ato që shumë artistë i kanë eksperimente të zakonshme në karrierën e tyre. Një nga krerët e komunitetit mysliman në Durrës ka reaguar ashpër përmes arsyetimit se ekspozita është hapur afër xhamisë dhe se ky është Muaji i Shenjtë i Ramazanit. Nuk dua të hyj në detajet që kanë tmerruar autorin e ekspozitës dhe as pafuqinë e opinionit publik dhe Bashkisë së Durrësit për ta mbrojtur atë, por dua të theksoj një prirje të rrezikshme që po vihet re në Shqipëri nga komunitetet fetare, etnike dhe në disa raste dhe deri tek pakica me orientime të ndryshme seksuale për t’iu imponuar problemet e tyre shoqërisë shqiptare.

Reagimi i Komunitetit Mysliman nuk më bëri përshtypje, dhe në fillim e mora normal duke e konsideruar të drejtë të tyre të thonë ç’është e mirë për ta dhe çfarë nuk është e mirë. Por terrori ndaj autorit dhe mbyllja e ekspozitës është një kërcënim publik në emër të një komuniteti fetar. Sekularizmi është një e drejtë e fituar bashkë me shtetin shqiptar, dhe në këtë vend askush nuk e ka të drejtën që në emër të fesë së tyre të na diktojë rregullat e jetesës dhe shijet tona artistike. Nëse një praktikant mysliman shqetësohet nga foto nudo, mund të mos i shikojë, ashtu siç mund të mos shikojë as vajzat e zhveshura në plazh, por ata drejtues të komunitetit mysliman në Durrës nuk kanë asnjë të drejtë t’i imponojnë qytetit jetën artistike apo shijet e artistëve. Tërheqja e ekspozitës dhe terrori mbi autorin është një kërcënim për gjithë shoqërinë. Nëse në këtë vend me tri fe stabël dhe dhjetëra sekte të reja të futur për modë, ne do të vendosim shoqërinë nën presionin e shijeve të tyre fetare, atëherë ky vend merr fund për 24 orë. Lajmi i mbylljes së ekspozitës është makabër dhe një turp për qytetin e Durrësit, të cilin tashmë na duhet ta përfytyrojmë si Teheranin për shkak se një hoxhe nuk i pëlqejnë fotot nudo, apo më keq akoma, nuk i pëlqen vendi ku Bashkia ka ndërtuar ekspozitën e arteve pamore për publikun. Bashkia e Durrësit, por dhe shoqëria civile në atë qytet, artistët dhe intelektualët e Durrësit duhet të bëjnë betejë për këtë rast, jo si ithtarë të një ekspozite nudo, por si qytetarë që nuk pranojnë të humbasin traditën sekulariste të shtetit shqiptar dhe t’ia nënshtrojnë shoqërinë rregullave të një komuniteti fetar. As unë që jam mysliman, as miqtë e mi ortodoks apo katolikë nuk kanë të drejtë t’i diktojnë askujt rregullat e fesë së tyre. Ata janë të lirë të zhvillojnë praktikat e tyre fetare dhe nuk kanë asnjë liri tjetër mbi shoqërinë përveçse të jenë pjesë e saj si myslimanë, katolikë apo ortodoks. Tolerimi i këtij skandali do të jetë një sinjal i keq që i çohet të ardhmes së sekularizmit në vend dhe bashkëjetesës fetare. Durrësi nuk është qytet mysliman ashtu sikundër Saranda nuk është qytet ortodoks apo Rrësheni qytet katolik. Ato janë qytete ku jetojnë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, por mbi të gjitha qytete ku shoqëria ka jetën e saj të ndarë nga jeta e komuniteteve fetare. Tek ne feja është e ndarë nga shteti, nga sistemi arsimor- edukativ dhe kultura. Secili është në punë të vet dhe askush nuk mund t’i imponohet tjetrit. Ajo që ndodhi në Durrës është një turp që nuk duhet të tolerohet.

Po ashtu po bëhet modë dhe reagimi ndaj çdo ideje politike apo debati publik mbi pakica të tjera në vend qofshin etnike apo grupe sociale. Kam ndjekur këto ditë në gazetën Tema irritimin e tepruar të një kolegu tim, Ilir Paço, pjesë e pakicës greke të Shqipërisë ndaj një propozimi gjysëm idealist të Aleancës Kuq e Zi për shqipërimin e toponimeve në Shqipëri. Them propozim idealist pasi shumë nga këto toponime kanë fituar të drejtën e qytetarisë dhe vështirë se ndryshohen ashtu si shumë të tjera ka mundësi të korrigjohen. Por, dhe në mos u bëftë asgjë në këtë pikë, dhe në dështoftë kjo nisëm politike, ajo është thjesht bilanc politik dhe nuk ka lidhje me pakicën greke në Shqipëri. Sa për kulturë, toponimet shqiptare në Jug të Shqipërisë, bile dhe në Veri të Greqisë, në shumicë janë sllave dhe i përkasin Perandorisë Bullgare të shekullit X-XI. Vetë Greqia në Çamëri ka ndryshuar çdo emër fshati dhe e ka kthyer atë në greqisht, por nuk ka mundur dot për shembull të ndryshojë emrin e krahinës Zagori në anën greke, ashtu sikurse e kemi dhe ne në anën shqiptare. Me këtë dua të them se nisma politike e Aleancës Kuq e Zi, është politikë dhe nuk drejtohet ndaj ndonjë pakice. Zakoni për të reaguar si pakicë e rrezikuar ndaj çdo nisme politike, po kthehet në një bezdi jo produktive që nxit më shumë klimën e tensionit në vend dhe ngjall nacionalizëm të panevojshëm. Aq më tepër që ato pak emra të fshatrave të pakicës greke në Jug të Shqipërisë më shumë janë sllavisht e turqisht se sa greqisht.

Përpjekja për t’iu imponuar shoqërisë në emër të një pakicë apo komuniteti, është një rrezik po aq i madh sa tendenca e shumicës në pushtet për të diktuar politikisht shoqërinë. Bile në disa raste këto tendenca janë më të rrezikshme se tendencat e pushtetit autoritarist, pasi zgjojnë më shumë emocione negative në shoqëri dhe krijojnë më shumë probleme se sa krijon një qeveri autoritare dhe e korruptuar si e Sali Berishës, të cilën e korrigjon duke rrëzuar Sali Berishën. Tendenca për të diktuar të gjithë shoqërinë sipas shijeve të tyre dhe perceptimeve të tyre fetare, etnike apo qoftë dhe seksuale, po na bën një shoqëri kaotike që po humbet çdo ditë identitetin e saj kulturor dhe frymën e saj perëndimore. Ky është një kërcënim serioz që nuk duhet injoruar, pasi ka pasur shoqëri me themele më të forta bashkëjetese se sa shoqëria jonë dhe janë bërë shkrumb e hi për 24 orë.



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora