Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Francis Coppola: Regjisori i “Kumbarit” zbret në Durrës

| E enjte, 04.08.2011, 05:31 PM |


Francis Ford Coppola(Kopola), regjisori i njohur amerikan do të jetë i ftuari special i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Durrësit. Këtë vit festivali do të mbahet nga data 27 gusht deri më 2 shtator, me praninë edhe të emrave të tjerë të njohur të kinematografisë botërore. Anila Varfi, drejtoresha artistike e festivalit zbulon vetëm disa nga të ftuarit e këtij edicioni. Përveç Coppola-s, lista pasohet me aktorin e njohur kroat, Rade Serbedlija, aktoren e njohur italiane, Claudia Cardinale, oskarin çek, Jiri Menzel, Nick Powell, drejtor i shkollës së filmit dhe TV në Londër, aktori italian, Gabriel Garko, i njohur për publikun shqiptar përmes telefilmave të transmetuar nga “Top Channel” si “Nder dhe Respekt” apo “Mëkati dhe Turpi”. Për të tretin vit rikthehet në Durrës edhe producenti i Stanley Kubrick, Jan Harlan. Në fakt, ndonëse në një përpjekje për mbijetesë ekonomike, duket se ky edicion shënon një nivel tjetër për personalitetet e botës kinematografike që do të zbresin në Durrës. Sigurisht që i ftuari “par exellence” është Coppola. Janë zgjedhur dy tituj filmash, “Tetro” dhe “Youth without youth”(Rini pa rini), dy prodhime të viteve të fundit që do të japin spunton për të diskutuar mbi krijimtarinë e tij. Ndërsa i pari është një film më personal, i  bazuar mbi kujtimet dhe emocionet e jetës së tij të hershme, i dyti është një meditim kompleks dhe simbolik mbi identitetin njerëzor, natyrën e kronologjisë dhe gjuhën. “Zbritja e Coppola-s në Durrës për të ndjekur nga afër festivalin është një ngjarje. Ai do të jetë në projeksionin e filmave të tij, do të flasë për kinemanë e tij, atë se çfarë ai ka sjellë me filmat që ka realizuar e më gjerë. Për të qenë sa më afër publikut, më 1 shtator, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, regjisori do të flasë për më shumë se një orë (15.30-16.45) për krijimtarinë e tij”, thotë drejtoresha e festivalit, Anila Varfi. Prania e regjisorit të Hollivudit është njëkohësisht një tribut për kinemanë amerikane. Coppola-s do t’i shkojë edhe “Gladiatori i Artë” për arritjet në karrierë. Në fakt, ky edicion i katërt i festivalit u kushtohet dy kulturave kinematografike të largëta nga njëra-tjetra. Varfi thekson se kanë zgjedhur kinematografinë turke, e cila së fundmi po shënon suksese ndërkombëtare. Ceremonia e hapjes së festivalit më datë 27 gusht në Amfiteatrin Antik do të bëhet pikërisht me filmin turk “Honey”(Mjalti) i regjisorit  Semih Kaplanouglu, fitues i Festivalit të Berlinit për këtë vit. Ndërkohë që shtatë filma të tjerë turq, prodhime të tre viteve të fundit, të përzgjedhur nga kritikja e filmit Alin Tascihan do të shfaqen gjatë ditëve të festivalit. Duke u kthyer në konkurrimin zyrtar, Varfri përmend një tjetër risi të këtij viti. “Për herë të parë FIPRESCI, (Federata Ndërkombëtare e Kritikës Kinematografike Europiane) vjen në Durrës për të mbuluar territorin shqiptar. Kjo juri e kryesuar nga Sheila Jonston, kritike e filmit që shkruan për “Indipendent” dhe “Vertigo”, do të japë një çmim në përfundim të festivalit. Edicioni i katërt do të kalojë kufijtë mediatikë të atdheut tonë”, thotë Varfi. Edhe këtë vit do të jenë dy seksionet zyrtare në konkurrim: Vizione bashkëkohore në të cilin prodhimet më të mira të kinematografisë europiane konkurrojnë për “Gladiatorin e Artë”, Çmimi për Regjisorin më të Mirë, Aktorin më të Mirë, Aktoren më të Mirë, dhe “Botë Ballkanike”, ku do të garohet për Filmin më të Mirë Ballkanik, Çmimin e Publikut dhe Çmimin e Kritikës. Juria ndërkombëtare për seksionin e filmave europianë kryesohet nga Nick Powell,(drejtori Shkollës së filmit dhe TV në Londër, zv/president i Akademisë Europiane të Filmit), ndërsa juria për seksionin ballkanik kryesohet nga regjisori Jiri Menzel, fitues i OSCAR. Producenti Jan Harlan ka zgjedhur të vërë përballë dy figura të njohura të kinemasë, Kubrick dhe Spielberg, me shfaqjen e filmave “Barry London” dhe “Artificial Intelligence”. Në fakt, ajo që i bashkon këto dy projekte ka lidhje me faktin se Kubrick ka hartuar të gjithë projektin e filmit “Artificial Intelligence” dhe ia ka dhënë për realizim më pas Spielberg-ut. Ndërkohë që studentët e filmit do të konkurrojnë mes tyre me filma të shkurtër për “Bukuroshen e Durrësit”. Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit nuk do të ndalojë vetëm në Durrës. Varfi tregon se në bashkëpunim me Arkivin e Filmit, me të cilin gjatë këtyre viteve kanë punuar për risjelljen e kinemasë së të djeshmes, do të ketë një program të veçantë për festivalin, ndërkohë që shfaqje të filmave jashtë konkurrimit do të realizohen në Pogradec, Vlorë dhe Sarandë. Në një fazë të mëvonshme do të bëhet i ditur edhe programi i festivalit, i zgjedhur nga një bord i drejtuar nga Silvia Bizio, Burbuqe Berisha, për sa i takon rajonit dhe Bern Baden. Ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe filmat e angazhuar. Në këtë rast do të ketë disa dokumentarë që trajtojnë çështjen botërore të ambientit. Në fakt, në një klimë ku pjesa më e madhe e festivaleve në Shqipëri janë shtyrë për mungesë të financimeve, Varfi thotë se vendosën ta realizojnë këtë aktivitet. “Doja të falënderoja bashkëpunëtorët e mi që kanë pranuar sakrificën përballë problemeve ekonomike. Unë bashkohem me kolegët e mi, drejtues të festivaleve të tjera me idenë që evente të tilla duhen mbajtur dhe rritur, sepse janë mundësi e mirë për ta njohur Shqipërinë përtej kufijve. Ne e gjetëm me vend të pranojmë sakrificën dhe të mbijetojmë për sa i takon problematikës ekonomike. Një mbështetje të madhe na kanë dhënë ambasadat e përfshira në këtë festival dhe Bashkia e Durrësit”, përfundon Varfi.

Oliverta Lila, Vali Qyrfyçi - Shqip