E merkure, 22.01.2020, 08:19 PM (GMT)

Sporti » Sporti

Besnik Dizdari: Dr. Vasfi Samim Visoka: themelues i madh në sportin shqiptar (III)

E hene, 11.02.2008, 11:36 PM


Dr. Vasfi Samim Visoka: themelues i madh në sportin shqiptar (III)

Nga Besnik Dizdari

Vetëm pesë muaj mbasi qe bërë Kampion i Shqipërisë me Sportklub Tiranën (5 korrik 1931) portjeri i saj Dr.Samimi shkon dhe ulet në sallën e doktoraturës së Shkollës së Lartë Veterinare të Berlinit të Gjermanisë për të mbrojtur disertacionin në fushën e blegtorisë. Një futbollist i fushës së blertë që shpejton për te shkenca e blegtorisë! Themelet e sportit kombëtar në Shqipëri i kanë vënë intetelektualët më në zë. Dhe nëse Dr.Samimi është ndër themeluesit më të spikatun, me te janë një grup i tanë i rangut të tij.

Dr.Samimi shkon në Berlin falë interesimit të Dr.Bilal Golemit dhe është fjala për një specializim apo përsosje të mëtejshme profesionale dyvjeçare, çka këtij 26-vjeçari ëndërrimtar i atdhetarisë, i hap një horizont tjetër kulture, mbas Stambollit. Ky specializim e shkëput nga jeta vepruese sportive e drejtpërdrejt, po ndërkaq, po aq sa e përafron me mjedisin sportiv të një vendi si Gjermania, shkolla e kulturës fizike të së cilës, mesiguri që ishte më e përparuara në botë. Nga disertacioni ai merr vlerësimin “sehr gut bewstanden” (“shumë mirë, shkëlqyeshëm) çka shoqërohet me dekoratën e lartë të Shkollës së Lartë në fjalë, dhënë prej kolegjiumit të rektorëve e profesorëve të atyshëm. Kjo e çon te fitimi i gradës “Doktor i Mjekësisë Veterinare” e prej këtu në detyrën e asistentit pranë profesorëve të shquar përtej Gjermanisë, të tillë si Valentin Stang dher Carls Cronacher. Professor Stang që është ndërkaq, edhe drejtori i Institutit Zooteknik të Berlinit, na ka lënë të shkruar afirmimin e tij për Doktorin, kur nënvizon se Dr. Samimi “ka marrë titullin Dr. në Mjekësinë veterinare me notën “shumë mirë”, dhe se “ka marrë pjesë me sukses në kursin e zooteknikës në fermën demonstrative eksperimentale Klein – Ziethen” dhe se “në gjithë kohën unë e kam njohur z.Dr. Samimin si një njeri punëtor e aktiv, që me zotësinë e tij e plotësonnte detyrën e ngarkuar duke qenë gjithmonë një bashkëpunëtor i dobishëm”.

Gjermania është ndërkaq një shkollë e shumanshme për formimin më hapsinor të protagonistit tonë. Kultura, arti, sa sporti janë synime të tij. Sidomos dramaturgjia. Do të deri mbërrijë te i famshmi Max Reinhardt (1873-1943), shkolla dramaturgjike e të cilit do të formonte edhe një Aleksandër Moisi. Eshtë vërtet diçka e jashtëzakonshme kur sot sheh foto të aktorit Vasfi Samimi deri në një skenë gjermane. Ai njihet me Aleksandër Moisiun dhe reportazhet e tij kushtuar aktorit të madh në shtypin shqiptar të fillimit të viteve ‘40, do të bëhen një befasi e rrallë dhe deri më sot të vetmet të drejtpëtdrejta me aktorin e madh në shtypin shqiptar. Vasfi Samimi i cili po mbronte doktoraturën në zooveterenari, njëkohësisht gjen kohë të regjistrohet dhe të ndjekë deri kursin gjashtëmujor për aktrim në të drejtuar po nga një Max Reinhardt!

I mbushur kësisoji, ky dyvjeçar i qëndrimit të tij në Gjermani, i thyer paksa me ndonjë ardhje në Shqipëri, e madje ndonjëherë për të riveshë disi spontanisht edhe fanelën e portjerit, i jep një forcë të re intelektuale personalitetit të Dr. Vasfi Samimit.

Nga 1933 ai është i palëvizshëm në Shqipëri. Tash ai nuk mund të ishte më mirëfilli një portjer i SK Tiranës apo Flamurtarit të Vlorës. Emërohet përgjegjës i Zooteknisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Pyjeve, por më 20 shtator 1933 ai rritet në Drejtor i Veterenarisë në dikaster duke zëvendësuar shkencëtarin e shquar Dr. Bilal Golemi. Qysh nga ky çast për Dr.Samimin nis periudha e një prodhimi të gjithanshëm intelektual, shkencor, profesional, në dobi të riorganizimit të vazhdueshëm të blegtorisë shqiptare. Dhe është e çuditshme se si ai nuk ndahet po aq nga lëvizja sportive kombëtare. Në një shkrim të botuar për Dr.Samimin të Paraluftës do të gjejë për të këtë portretizim të shpejtë:

"...Ai është një sportist i apasionuar dhe ka patur një famë të konsiderueshme në të gjithë qytetet tona. I ka shërbyer Sportit Shqiptar jo vetëm me aktivitet të gjallë, por dhe ka marrë pjesë në botime të ndryshme rreth këtyre problemeve. Tre vjet me rradhë ka qenë kryetar i Komitetit Teknik Arbitrar... Dr.Vasfiu ka përfaqësuar Shtetin Shqiptar n'olimpiadat ballkanike të Zagrebit, të Stambollit".

E tash, le të "takohemi" me Dr.Samimin përmes olimpiadave ballkanike të Zagrebit dhe të Stambollit për të kuptuar jo thjesht rolin e tij të pazëvendësueshëm, por për të shpalosë për herë të parë në historinë e Mbasluftës dy ngjarje të jashtëzakonshme themeluese të sportit shqiptar, ngjarje të papërmendura, madje të zhdukura nga kujtesa kombëtare.

 


Themelimi i madh i mohuar

 


Se çka ishte pjesëmarrja e Shqipërisë në këto Kampionate mjafton të shohësh këte foto “masive” që shoqëron shkrimin tonë. Kjo është foto e parë në gjithë historinë e sportit shqiptar ku një ekip kombëtar shqiptar pozon së bashku. Eshtë përtej historisë, edhe për faktin sepse po për herë të parë ne shohim vetë themelimin e fanelave kombëtare sportive që kemi sot: fanelat kuq e zi me shqiponjën dykrenore në gjoks. Kjo është foto vetanake e “bashkësisë”, nëse do të mund ta quanim kështu, të kostumit të Kombëtares: fanela të kuqe me shqiponjën dhe të mbathurat e zeza. Kësisoji, është atletika e lehtë ajo që na e ka themeluar këte kostum përfaqësues prej ku do ta merrte futbolli për herë të parë vetëm më 1936, ndërsa në takime ndërkombëtare vetëm më 1946! Shqipëria nuk ka paraprirës të përfaqësimit të saj sportiv futbollin, por atletikën e lehtë – rast i vetëm në historinë e shteteve evropiane të sporteve kombëtarase.

Dr. Samimi është kështu një prej atyre pak themeluesve “par excellence”. I caktuar si njeriu që do ta drejtonte këte Kombëtare në Olimpiadën e Zagrebit, me dituritë dhe kulturën që ai përfaqësonte, mendja ta do se ka qenë njëri prej ideatorëve të këtij themelimi, të kësaj elegance të rrallë të paraqitjes së Kombëtares Shqiptare të paktën nga jashtë të hijshme dhe elegante si një ekip i vërtetë olimpik perëndimor i dorës së parë. Mjafton ideja për t’i bashkuar të gjithë këta djem në një foto të vetme kësisoji, me kostumin sportiv kuqezi, për të mbetur ajo jo thjesht si e para foto e një Kombëtareje në historinë e Shqipërisë, por mbi të gjitha, si simbol i parë olimpik i një themelimi që për kushtet e vështira të Shqipërisë së re është krejt befasues!

Do ta rrokim kështu, në një vështrim të shpejtë këte Kombëtare për t’u përkujtuar me këte rast plot 22 figura të paharrueshme të sportit shqiptar - pjesë e Kombëtares së Shqipërisë të Atletikën e Lehtë në Lojërat Ballkanike të Zagrebit më 1934. Për herë të parë në historinë e sportit tonë kombëtar po shpalosim rradhazi këta themelues, të cilët Dr.Samimi i çoi në më 1934 në Olimpiadën e Zagrebit, por që Shqipëria e sotme i ka harruar në mënyrën më të dënueshme:

I pari nga e majta është Kristo ISAK, 5 herë Kampion i Shqipërisë në 800, 1500 dhe 5000 metra, po dhe rekordmen kombëtar në 800 dhe 5000 metra. Do të japë jetën në luftë kundër pushtuesit. I dyti mbas tij është pedagogu Feti DIZDARI, 13 herë Kampion i Shqipërisë në 200, 400, 4x100, 4x400, metra dhe pesëgarësh, por dhe rekordmen i Shqipërisë në 400, 4x100, 4x400 metra si dhe në 800+400+200+100 metra. Menjëherë mbas tij vjen i mirënjohuri Prof. Luigj SHALA, i veshur me kostumin e zyrtarit, bashkëpunor i ngushtë i të cilit qe Dr.Samimi, sekretar i i përgjithshëm i Shoqërisë “Vllaznia Shqiptare” në vitet ’30 (një lloj Komiteti Olimpik Kombëtar), pedagog, futbollist, organizator i madh i sportit kombëtar, gjyqtari i parë shqiptar i FIFA-s, atlet ndër më të famshmit e periudhës, 8 herë Kampion i Shqipërisë në 100, 110 m/p, 4x100 metra, po dhe rekordmen kombëtar në 100 metra, 110 m/p dhe 4x100 metra. Vjen Vasil KONOMI – Kampion kombëtar në garën olimpike të kohës të hudhjes së topit me dorezë po dhe rekordmen i kësaj gare, si dhe hudhës ndër më të mirët në disk, Mbasluftës drejtues i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve, i pari kryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ngjitur me te është Koço AVRAMI (Dhrami), atlet i shquar i Paraluftës në shtizë dhe organizator i sportit kombëtar në Mbasluftë. E ndjek Ibrahim DIZDARI, pedagog ndër të parët e edukimit fizik në Shqipëri – 3 herë Kampion Kombëtar në 110 m/p dhe kërcim me shkop dhe rekordmen në këte garë. Ndiqet nga atleti Nevruz NIVICA, mbas të cilit është Minella ANASTASIADHI, 9 herë Kampion Kombëtar në 1500, 3000, 5000 dhe 8000 metra si dhe rekordmen në këto gara, po dhe në 10.000 metra e marathonë. Mandej është Sabit ÇOKU, 7 herë Kampion i Shqipërisë në 100, 200 metra dhe në kërcimin së gjati si dhe rekordmen në 100 metra e kërcimin së gjati. Mësuesi Ahmet ASHIKJA që vjen mbas tij, është 6 herë Kampion i Shqipërisë në 200, 400 dhe në 4x100 metra si dhe rekordmen kombëtar në 200 e 4x100 metra. Mbas tij – avokat Sandër KRAJA, 7 herë kampion Kombëtar në 100 metra, në pesëgarësh e dhjetëgarësh, si dhe rekordmen në këto gara. Ndiqet nga atleti Mark TEMALI, ngjitur me të cilin është i famshmi Selman STERMASI, pedagogu 3 herë Kampion i Shqipërisë në kërcimin së gjati dhe në së larti, po dhe rekordmen në të dyja këto gara. Fori STASA, ingjinieri i mirënjohur, i cili është pranë tij, nënkupton atletin rekordmen kombëtar i 200 e 400 metrave. Dhe po afër tij është atleti Ilia LIKOKA, 2 herë Kampion i Shqipërisë në hudhjen e diskut dhe rekordmen i kësaj gare me shifra të lartë për kohën (deri 38.18 në garat studentore në Janinë). Aty pranë tij, është protagonisti ynë, Dr. Vasfi SAMIMI, me kostumin e zyrtarit, përgjegjës i kësaj Kombëtareje në Olimpiadën e Zagrebit. Dr. Samimi është pak para atij që përfaqëson emblemën e atletikës shqiptare dhe të edukimit fizik në Shqipëri: Prof. Gaqo GOGO, kampioni dhe rekordmeni kombëtar i dhjetëgarëshit si dhe i 400 metrave me pengesa. I ka hedhur dorën në krah Dr. Samimit po dhe Prof. Mendu AGOLLIT, aty pranë, gjithashtu në rolin e zyrtarit. Ndërkaq, ulur nga e majta është Ramadan KAZAZI, Kampion Kombëtar në dhjetëgarësh dhe pranë tij gjithashtu ulur është atleti absolut për kohën, në garat e tij, Ragip LOHJA, 9 herë Kampion i Shqipërisë në 400, 800, 1500 dhe 4x400 metra, por dhe rekordmen kombëtar në 400, 800, 1500, 4x400 metra, 800+400+200+100 metra. Shoku i atij aty pranë është Filip SOSI, Kampion dhe rekordmen i parë i Shqipërisë në kërcimin me shkop. Nebi FASLLIU, që vjen mbas tij dhe që mbyll këte grup të jashtëzakonshëm, është Kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në hudhjen e shtizës.

Si autor ndjej një kënaqësi që ky Dossier i nxitur prej figurës së madhe të Dr. Vasfi Samimit u bë shkas për të zbuluar për herë të parë në historinë e sportit shqiptar përkatësinë sportive të këtyre kampionëve e rekordmenëve të parë themelues në sportin shqiptar, saktësisht në atletikën tone të lehtë të cilët patën nderin të veshin fanelën e parë kuq e zi me shqiponjë të Kombëtares së Shqipërisë. Një punë e përmbledhur në tridhjetë rreshtat e mësipërm, po që u përimtua mbas disa ditëve hulumtimi të mundimshëm. Kam shpresë se e besoni këte, ndonëse e dijmë se këto zbulime në Shqipërinë tonë të sotme ku sundon ahistoria, nuk bëjnë fort përshtypje.

Janë figura të mëdha, të jashtëzakonshme, sepse janë themelues dhe janë burra fisnikë të Shqipërisë. Shumica do të burgosen (Dr.Samimi, F.Dizdari, S.Çoku), do të përndiqen ose nëpërkamben (I.Dizdari, A.Ashikja, S.Kraja, S.Stërmasi), të tjerë do të largoheshin nga Shqipëria (G.Goga, I.Likoka, R.Kazazi, R.Lohja). Mbasluftës shumica do të cilësohen “armiq” të Regjimit, e më e pakta që do t’iu ndodhte ishte fshirja nga historia. Ndonëse rekordet kombëtare që ata lanë do të vonohen për t’u thyer mbas 10 e deri 25 vjet (i fundit, rekodi i stafetës 4x400 u thye vetëm më 1963!). Asnjë vend në Evropë nuk ka mohuar një Kombëtare themeluese të një sporti siç ka bërë Shqipëria Komuniste me këta djem, shumica e të cilëve profesorë, pedagogë, doktorë, ingjinierë!

Vështronie mirë protagonistin tonë Dr. Vasfi Samim Visokën, nën kostumin e udhëheqësit të kësaj skuadre të hijshme, të cilit Prof. Gaqo Gogo i ka hedhur krahun. Shtatdrejë, elegantissimo, siç do të thoshte një latin (nuk e kemi kësisoji në shqipe superlativin) dhe gjithnjë me buzëqeshjen e tij fisnike. Eshtë njeriu i cili e ka drejtuar këte grup historik në Zagreb 1934.

 


Olimpiada Ballkanike “Zagreb 1934” dhe Dr. Samimi

 


Përfshirja e Dr.Samimit në atletikën e lehtë shqiptare, e vështruar sot në largësi gati 75 vjeçare dhe po kaq e afruar në kohën që ka ndodhur, përbën një ndër vlerësimet më të mëdha ndaj aftësisë së tij tash organizative dhe drejtuese në sportin shqiptar. Gjithçka lidhet me personalitetin e tij të shumanshëm, me kulturën e tij të pasur, me popullaritetin dhe rolin e veçantë që ai kishte bartë në mjedisin e sportit kombëtar qysh me kthimin nga Turqia.

Atletika shqiptare për të mbërritur në vitin 1934, që është viti i përfshirjes së gjërë të Doktorit në te, ishte përshkuar në pesë kampionatet e parë të saj kombëtarë (1929, 1930, 1931, 1932, 1933) që për historinë tonë përbëjnë ngjarje të një vlere themeluese tejet përcaktuese, duke i blatuar rinisë shqiptare “mbretëreshën e sporteve”. Guximi i Mbretërisë Shqiptare për të marrë pjesë deri në Kampionatet Ballkanike apo Olimpiadat Ballkanike, siç u thirrën zyrtarisht ato në gjithë epokën e tyre, është po kaq një ndërmarrje e paprecedent. E vërteta është se atletika e lehtë po zhvillohej dukshëm në Shqipëri, por largësia apo ndryshimi i saj me atletikën e pesë vendeve të tjera të Ballkanit, Jugosllavi, Greqi, Bullgari, Turqi, Rumani ishte po kaq e theksuar e as që mund të mendohej se Shqipëria mund të fitonte një medalje, apo si ekip ajo të mos i shmangej vendeve të fundit. Kjo nuk kishte rëndësi megjithate, ndonëse kritika të forta do të mbërrinin. E rëndësishme ishte se Shqipëria po shkelte në botën olimpike të sportit, kur dihej se në fund të fundit, ajo përfaqësonte një shtet që mirëfilli nuk kishte as gjashtë-shtatë vjet ekzistencë dhe përvojë të vërtetë juridike shtetformuese.

Roli i një Dr. Samimi në gjithë këte histori është gjithashtu krejt i vecantë.

Shqipëria kishte marrë pjesë për herë të parë dhe të vetme në Olimpiadën Ballkanike vetëm një vit më parë, më 1933 në Athinën olimpike, natyrisht duke u renditur e fundit, e 6-ta. Por midis rezultateve vetjake, 36 minuta e 38.6 sekonda të Minella Anastasiadhit në 10.000 metra, sidomos 3 minuta e 48.4 sekonda në stafetën 4x400, e 3 minuta e 44.1 sekonda në stafetën 800+400+200+100 metra, në të dy rastet duke lënë mbrapa Bullgarinë; apo rezultati 1 minutë e 02.4 sekonda në 400 metra me pengesa prej Gaqo Gogos, duke lënë mbrapa atletin e Turqisë, Sami, përbënin edhe për specialistët e Ballkanit një befasi të vogël, çka krijonte një entusiazëm sado jo të përmasave edhe në mjedisin sportiv shqiptar.

Dhe me këte “entusiazëm” Shqipëria do të merrte pjesë për herë të dytë në Kampionatin Ballkanik më 1934, në ate që njihet si Olimpiada e Zagrebit në Kroaci. Mbretëria kishte vendosur që në krye të delegacionit shqiptar të vihej Dr.Vasfi Samimi, 29 vjeç djalë, i cili i përvishet që pune organizative të shumanshme.

Skuadra Shqiptare është përcjellë me një ceremoni madhështore për kohën, nga Fusha e Shallvares në një mbrëmbje të 18 gushtit 1934, e përshëndetur prej një fjalimi të Kolonel Aqif Përmetit, kryetar i organizatës sportive “Djelmnia Shqiptare”. Në mëngjezin e nesërm “atletët të shoqëruar prej kryetarit të grupit Dr.Samim u nisnë për në Durrës”, siç thotë shtypi. Çudia është se në rolin e gazetarit është Prof. Gaqo Gogo i cili shkruan:

“Ora 6. Durrës. Pasi bëmë një stacion këtu duke pritur dy atletë të tjerë nga Franca – Filip Sosen dhe Nevruz Labin (Nivica) – të cilët arrijnë me vaporin italjan “Barletta”, u bashkuam të gjithë dhe nën udhëheqjen e z. kolonel i drejtohemi vaporit jugoslav “Serbin”. Doktori si amator pasionist pas artit fotografik nxjerr dy fotografi. Më ora 9 z.Kolonel na la lamtumirën”.

Kështu zbulohet jo vetëm pasioni i Dr.Samimit për fotografinë, por dhe fakti se dy atletë Filip Sosi dhe Nevruz Nivica vijnë nga Franca ku me sa duket studjojnë. Gjithçka përshkruhet në mënyrë disi dramatike dhe emocionesh të rralla, që sot na duken arkaike. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se jemi 75 vjet më parë, e të gjitha këto po themeloshin për herë të parë në Shqipëri. Kombëtarja Shqiptare përshkon kështu Adriatikun përmes pikave të Ulqinit, Tivarit, grykave të Kotorrit, Budvas deri sa mbërrin në Dubrovnik ku kanë dalë t’i presin “sportistët e Dubrovnikut, të cilët, po sa mbritmë na përshëndoshnë me brohoritje sportive, të cilave ju përgjegj dhe grupi ynë”, siç shkruan Prof. Gaqo Gogo. Dhe nga Dubrovniku në Sarajevë me tren derisa në mbasditen e 21 gushtit ata mbërrijnë në Zagreb “i quajtur prej prusjanëve “Vjena e Vogël”, thotë Gogo, në stacionin hekurudhor të të cilit, Dr.Samimi mban fjalimin e ardhjes midis një mizërije njerëzish të pranishëm.

Olimpiada Ballkanike e Zagrebit është zhvilluar nga 26 gushti deri më 3 shtator 1934 në qytetin e Zagrebit. Eshtë një Olimpiadë Ballkanike që zhvillohet “pod visokim pokroviteljstvom Njegovog Velicanstva Krala Jugoslavije Aleksandra I” (“nën patronazhin e Madhërisë së Tij Mbretit të Jugosllavisë, Aleksandri I)”, siç thotë botimi i posaçëm i Olimpiadës, i cili është i denjë për të qëndruar edhe sot e kësaj dite pranë çdo botimi publiciteti për çdo kampionat të një rangu evropian. Ka qenë e jashtëzakonshme rëndësia e Kampionatit Ballkanik të Zagrebit, e nuk duhet të harrojmë se Kampionati Ballkanik i Atletikës së Lehtë deri në këte çast ishte i vetmi turne atletik disashtetesh që zhvillohej në Evropë. Kampionati Evropian do të fillonte mbas tij, madje për herë të parë të nesërmen e mbarimit të Zagrebit, 4 shtator 1934!

Kur ekipi shqiptar është kthyer në Atdhe, “Gazeta Shqiptare” ka mbushur gjithë hapjen e faqes së parë me portretet e tyre si të ishin heronj. Në të vërtetë ata kishin zënë vendet e fundit, por “Gazeta Shqiptare” njihte mirë epërsinë e shteteve të tjera të Ballkanit dhe me të drejtë gjithçka e quante normale. Në fund të fundit ishte deri diku dinjitoze paraqitja e Minella Anastasiadhit në në maratonë, garë që nuk e mbaruan disa atletë shteteve të tjera, përsëri vendi i pestë i Gaqo Gogos në 400 m/p, duke lënë mbrapa atletin Puchala të Rumanisë si dhe vendi i pestë në stafetën 4x400 metra duke lënë mbrapa Turqinë. Dhe mu për këto rrjedh edhe fitimi nga ana e Shqipërisë i 7 pikëve në renditjen ekipore. Një përfundim i arësyeshëm i kësaj pjesëmarrje themeluese të Shqipërisë së re sportive në Olimpiadën Ballkanike të Zagrebit përballë atletëve të sprovuar të shteteve të Ballkanit, të cilët atletikën e kishin shndërruar me kohë në një sport të vërtet olimpik.

 


XXX

 


Ata kthehen në Atdhe sidoqoftë me një përfitimim të madh. Kishin marrë pjesë me Kombëtaren më të madhe në historinë e Shqipërisë: 19 atletë! Për një çast diçka e pajustifikueshme kur dihej cilësia e atletikës shqiptare në raport me ate jugosllave, greke, turke, rumune dhe bullgare. Një pasion e ndjenjë e lartë zhvillimi e kishte çuar këte Kombëtare në Zagreb duke ia besuar udhëheqjen një Dr.Samimi, i cili në kthim, me ndjenjë të lartë përgjegjësie përimton (analizon) gjithçka. Përimtimi i Dr. Samimit sot e kësaj dite mbetet një model jo thjesht gazetarije, por një model i një dëshire për t’i përngja sa më fort të jetë e mundur zhvillimit kontemporan evropian në tanësinëe një kulture të vërtetë të kohës.

Rezultatet e Shqipërisë natyrisht duken të ulta në krahasim me ato të shteteve të tjera ballkanike dhe Dr. Samimi ka vonuar paksa për të marrë pendën. Ai ka pritur reagimin e shtypit, ka lexuar gjithçka e mandej është ulur për të shkruar për gazetën ‘Vatra” të Tiranës.

“Kam ndigjue, - thotë Doktori, - thaniet, dhe kam këndue shkrimet me një interesë të madhe tue shpresue se në to do të gjënja një këshillë të mirë për të ardhmen e sportit t’onë. Fatkeqësisht, këto zhurma e këto shkrime të Olimpiadës V-të Ballkanike, para meje kanë dalë me një maskë e kostum të zi, disave ju vinte erë egoizmi dhe ambicioni, ca të tjerë kishin të dejunin e fanatizmës lokale e disa kanë qenë krejt inkompetente. Unë këtu nuk do t’ju përgjigjem të gjithave pikë për pikë nga mungesa e kohës dhe mbasi nuk e shof të dobishme për sportin t’onë. Vetëm disa pika të shkurta dishroj me skjarue çështjen për bashk-atdhetarët e pa anshëm e vërtetë me zëmër të bardhë që dishirojnë përparimin e kulturës e sportit të kësaj toke; tue qënë i sigurtë se këta bajnë shumicën ma të madhe, zan’i të cilëve nuk ndigjohet në fletët e gazetave, mirpo e di fare mirë se zemrat e tyne rrafin në krahnorin e madh e të thellë të Kombit t’onë e mbasi këta për mue janë elementi ma i çmueshëm do të rreshtoj para syve të tyne disa pika:”.

Nuk di nëse shkruhet kështu sot në gazetarinë tonë sportive të rreth 8 të përditshmeve të llojit! Nuk di vërtet nëse përjetohet sot kjo ndjenjë qytetare dhe atdhetare në përimtimin e kaq e kaq çështjeve tona të sotme sportive! Di vetëm se një dilemë kësisoji endet mbi këte kohë të sotme edhe në këte vështrim e gjykim sa historik dhe profesional. Nuk mund të kërkohet të shkruhet sot si asokohe. Jemi 75 vjet më vonë. Mirëpo, them se pulsi apo zemra e një gazetari, e një përgjegjësi në të mirë të sportit kombëtar si pjesë e zhvillimit kulturor të rinisë, mbetet po ajo e një Dr. Samim të vitit 1934, në të vërtetë një shembull i 75 vjetëve më parë, që mbetet aktual edhe sot në lâmin tonë.

E shkruar në gegnishten letrare të kohës, ndonëse prej një Dr.Samimi nga Visoka e Mallakastrës (e ai natyrisht shkruante po kaq kaq bukur edhe toskërishten letrare), përsiatja e tij me titull “Shqipnija në Olimpiadën e V-të Ballakanike në Zagreb”, më tepër se një vlerë atletike apo sportive, ka dhe një vlerë të kritikës së një specialisti atdhetar në formim dhe kulturë, po dhe të një polemizuesi modern të kohës.

Në përgjigje të nëntitullit “Pse mori pjesë Shqipnija” që ai i vë shkrimit të tij, Dr.Samimi thotë se “nuk asht gabim që kemi marrë pjesë n’Olimpiadën e V-të Ballkanike”, sepse “në të gjitha sportet rregull elementar i domosdoshëm asht punimi dhe jo fitimi”, duke perifrazuar kështu idenë e madhe olimpike të Pier de Coubertin se “e rëndësishme është të marrësh pjesë, jo të fitosh”. Në sport thotë Dr.Samimi “vetëm një fiton kurse të gjithë të tjerët mbeten të mundun. Ata njerëz që nuk pranojnë këte princip kurr nuk mund të jenë sportista”. Dhe shton:

“N’olimpiadën botnore të fundit në vitin 1932 e zhvillueme në Los-Angelos, kanë marrë pjesë të gjitha racat e kontinenteve të botës (të bardhë, të kuq, të zi e të verdhë), prej këtyne ka fitue vetëm një komb: Amerika. Edhe n’Olimpiadën Ballkanike ka ndodhë po kjo çështje pse nga 6 Flamurët që prezantojshin shtetet e ndryshëm vetëm njeni ka triumnfue: Ai i Greqis! Atëherë kuptohet lehtazi se mos fitimi nuk asht turp…”.

Dr.Samimi thekson ndërkaq, se Shqipëria ka pasë ekipin më të ri dhe më të papërvojë dhe se duhen vite për t’u matur si i barabartë me shtetet e tjera. Dhe me guxim shton: “Rezultati që do të kemi asht i lidhun ngushtësisht me kulturën e përgjithshme e me konjukturën ekonomike të vendit t’onë. Lypset kurr mos të harrojm se një atlet i mirë duhet të ketë fatin e lumtun me lind me një konstruksion e talent të kërkuem nga atletizmi, me lind me një familje të pasun e të kulturueme që ka mjaft dijeni për hygjeni, për ushqim e për rritjen e foshnjeve, mandej lypset ky talent mbas 16 vjetëve të gjejë vend zhvillimi në një ambjent ku ka mjaft teknikë e fusha sportive të përshtatshëme dhe një periferi të kulturueme”.

Dr.Samimi përimton 7 pikët e fituara prej Shqipërisë në Zagreb si një rezultat që pasqyron ate që ai e quan “gjendja foshnjore e skuadrës s’onë”, duke shtuar se kjo bëri një përshtypje të mirë te specialistët e huaj në Zagreb, duke kaluar me realizëm haptazi në mbrojtje të llogjikës së këtij përfundimi modest të Kombëtares së Shqipërisë: “Duhet të kemi pak respekt e dhimsuni për punimin e atletëve që me sakrifica të mbëdhaja e në një ambjent sportiv të vobektë e të panjoftun, prap me guxim kanë punue.”

Sidoqoftë, në pjesën e dytë kryetari i Kombëtares Shqiptare në Olimpiadën e Zagrebit, i cili thekson mbështetjen e madhe që i kishte dhënë ekipit të atletikës, Ministri i Arësimit, Dr.Mirash Ivanaj, nuk e ulë tonin kritik ndaj dobësive, duke e mbyllur me propozimet e shumta, ku del në imtësi vetë gjendja e sportit shqiptar të kohës.

Dr.Samimi propozon “me nda futbollin nga atletika; me forcue Kampionatin Kombëtar të Atletikës; me sjellë një trajner të huaj atletike; me formue një kulturë sportive me baza teknike e shentifike t’Europës; me përtëri skuadrën kombëtare të atletikës; me përgatitë fusha speciale për atletizëm; atletët të përgatiten jashtë qytetit; përzedhje e atletëve edhe nga malësinat prej atyre që kanë një trup të pajisun nga natyra me cilësina atletike; të merren masa administrative që populli të kuptojë randsinë e atletizmit; të shtojmë numrin e atletëve në Prefektura; atletët të kulturohen e të mësojnë se si punohet me libra”, e tjerë e tjerë. Dhe midis gjithë kësaj problematike, me krejt sinqeritetin e tij të njohur, Doktori shkruan se “populli të kuptojë randsin e atletizmit e mos të tallet e të qeshi kur disa djem bajn stërvitje atletike”.

Kjo frazë e fundit “sui generis”, më duket më emblematikja e gjithë kësaj filozofie që shpalos Dr.Samimi. Në fund të fundit, prej saj kuptohet se çka ishte Shqipëria e fillimit të viteve ’30 të shekullit të shkuar: ndodhte që një djalosh që me kostum sportiv shihej duke vrapuar diku në qytet apo shesh sportiv, shkaktonte deri dhe tallje! Kështu, përmes kësaj fraze të shkurtër të kritikut, ne ia arrijmë të futemi në kontekstin e një kohe kur Shqipëria e re kërkonte të prekte Evropën edhe në sport. Në të vërtetë Mbretëria Shqiptare po e çonte drejt kësaj prekjeje. Zagrebi 1934, në gjithë modestinë e tij, ishte një provë megjithate. Këte kërkonte edhe Dr. Vasfi Samimi, që përveç të tjerave, sa vjen e shfaqet edhe si një mendimtar në sportin e ri shqiptar…

Një muaj më vonë, në tetor 1934, shumë ide të Dr.Samimit do të gjenin shprehje te zhvillimi madhështor për kohën, i Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë me pjesëmarrjen e 130 atletëve! Për kohën e 75 vjetëve më parë ky ishte një shpërthim i vërtetë!...

 


1935: Dr. Samimi drejton Shqipërinë për në IAAF!

 


Ndikimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Olimpiadën e Zagrebit do të çojë në një arritje historike për jetën e sportit shqiptar. Ngjarja hyn midis dy skajeve datuese të muajit shkurt ’35. Gazeta "Vatra" e 12 dhe 28 shkurtit 1935 njofton pranimin e Shqipërisë në IAAF. Tre vjet më parë Shqipëria ishe pranuar me sportin e futbollit në FIFA.

A ka një lidhje pjesëmarrja e Shqipërisë në Olimpiadën e Zagrebit, me këte pranim? Apo më fort se kaq ka ndikuar organizimi i 6 kampionateve kombëtare të atletikës radhazi 1929-1934, madje edhe me kampionatin kombëtar të juniorëve që së fundi po zhvillohej së bashku me atë të rriturve? Sa kanë punuar për këte pranim njerëz të tillë si një Dr.Samim dhe jo vetëm ai?...

Janë pyetje të vetvetishme sot të mbas 75 vjetëve, po tashmâ me gjithë brishtësinë e saj atletika e lehtë ishte e pranishme në mjedisin modest sportiv shqiptar. Kemi bindjen se pjesëmarrja e Shqipërisë në Olimpiadën e Zagrebit me një ekip kaq të gjërë, nuk ka kaluar pa një mbikqyrje prej njerëzve të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë (IAAF - International Association of Athletics Federations). Dhe pa asnjë dyshim roli i një Dr.Samimi ka qenë me ndikime kur kemi parasysh kulturën, kompetencën dhe aftësinë e tij si bashkëbisedues, drejtues dhe organizator.

Në përforcmim të këtij mendimi na shërbejnë ndërkaq, dy fakte të rëndësishme që vërtetojnë rolin e veçantë të Dr. Samimit në këte pranim të Shqipërisë në IAAF. Fakti i parë ka të bëjë mu me Zagrebin, me ineresimin që ngjallë Kombëtarja Shqiptare në qytetin e bukur kroat. Dr. Ugrinitch, president i Federates Jugosllave të Atletikës shtron mëdyshjen se përse Shqipëria nuk është anëtare e IAAF. Më tej, ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me takimin që Dr.Samimi jetëson në Olimpiadën e Zagrebit, me përfaqësuesin e IAAF-it, takim të cilin përfaqësuesi i IAAF-it e shfrytëzon për t’u informuar deri në hollësi se cila është ecurija dhe zhvillimi i atletikës së lehtë në Shqipëri, duke pohuar sinqerisht se ky interesim ka të bëjë me një pranim të mundshëm të Shqipërisë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë. E vërteta është se Dr.Samimi, siç shkruan vetë, është vënë disi në vështirësi për të provuar se në Shqipëri ka një lëvizje atletike deri diku serioze, çka justifikon praninë e saj në IAAF. Duket që fjalët kanë shkuar në vend. E, gjithçka nuk mbaron me kaq.

Mbas khimit në Shqipëri të Kombëtares, Dr.Samimi merr një letër nga Presidenti i IAAF-i, Sigfreid Edstroom, i cili “me interes të madh kërkon me ditë se në ç’gjëndje athletike asht vendi i jonë dhe se ç’farë lëvizje ka përsa i përket organizimit të federacionit civil”, siç shkruan Doktori. Kaq mjafton për të kupuar rolin e madh të protagonistit tone në pranimin e Shqipërisë në IAAF, që mbas futbollit më 1932 përbën arritjen më të madhe të afirmimit të sportit shqiptar në mjedisin e sportit botëror, çka i bën nder të madh historisë së sportit shqiptar sot e kësaj dite: Shqipëria anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë qysh më 1935! Merret me mend ndikimi në këte rast i peshës së autoritetit dhe kulturës e diturive të tij në rritjen e besimit kësisoji për te pranimi i Shqipërisë në IAAF. Natyrisht, nuk mund të quhet vepër vetjake e një Dr.Samimi, sepse po aq mund të themi se ky pranim, zyrtarisht është vepër e Ministrisë së Arësimit dhe personalisht e Ministrit Dr. Mirash Ivanaj, gjithnjë fryt veprimtarije të ethshme diplomatike dhe atdhetare e Doktorit tonë.

Shqipëria u pranua anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë - IAAF , mesa duket në janar ose në fillim të shkurtit 1935, duke u bërë kështu shteti i 44-t anëtar i saj (sot IAAF ka 212 shtete anëtare). Asnjëherë MbasLuftës, deri në vitet e sotme, kjo nuk qe publikuar për shkak të harresave të së kaluarës së Paraluftës që me djallëzi iu mëshonte Regjimi komunist. E rëndë, tejet e rëndë është që ende sot, në një farë mënyre, harresa apo njëanshmëria, dashje apo pa dashje, vazhdon. Ndonëse është fjala për një histori të mirëfilltë kombëtare të fushës, për dinjitet kombëtar, për largpamësi kulturore sportive kombëtare. Shqipëria e zhytur në njëanshmëri, natyrisht gjithmonë do të ketë një ecje vetëm të ngadalshme, përderisa në të gjitha fushat e jetës vazhdojnë të kenë peshë, publicitet, reklamë e përhapje vetëm një pjesë e të vërtetave shqiptare.

Mbas njofimit për pranimin më 12 dhe 28 shkurt, i pari i cili do të merrrte pendën për të treguar se çka ishte ky pranim në IAAF, do të jetë Dr.Samimi. Në marsin e vitit 1935, seria e shkrimit të tij në “Vatra” me titullin "Federacioni Athletik Amator dhe gjëndja e sportit shqiptar" përfaqëson një ese të shkëlqyer historike përmes së cilës mbasi tregohet se çka është IAAF, kalohet te zhvillimi i atletikës shqiptare të epokës. Dhe “i mirënjohuri kompetent në çështjet sportive, Dr. Vasfi Samim”, siç e përcakton “Vatra”, shpalos në këte cikël sa historinë e ecurisë atletike në botë, po aq dhe problemet sportive shqiptare. Shkruan Dr.Samimi:

“Ministria e Arësimit, për me lidhë djelmëninë Shqiptare me atë të të gjithë botës, kishte marrë nisjativën e duhun zyrtare, që kështu, mbas tashi edhe na do të rrokemi dorë për dorë me djelmëninë e të gjithë botës dhe do të marrshojmë paralel me të me nji rradhë, duke u mundue me u naltësue me një shpirt e me një disiplinë të caktueme në rregulloret e ligjit sportiv amatuer. Ka qenë një gabim, që na deri tash nuk kemi qenë të federuem në këte organizatë ndërkombëtare. Ka qenë një gabim, që na deri tash nuk kemi pasë zanë vend në këte blok të naltë të djelmënisë, me qenë se rrojmë në kërthizë t‘Evropës dhe kemi nevojë si të rij që jemi me e ba vehten të njoftun sa ma tepër”.

Ky është thelbi filozofik i këtij pranimi simbas Dokorit, i cili mbasi bën historinë e IAAF-it, nga ana tjetër parashtron edhe një përimtim të shpejtë për gjendjen problematike të atletikës shqiptare, gjithnjë në lidhje me kërkesat e reja që shtrohen tash e mbrapa si anëtare e IAAF-it. “Jemi të sigurtë se dishira e nji Kombi të ri për me u lidhë me këte organizatë ndëkombëtare do të bëjë nji përshtypje të mirë ndaj përfaqësuesve të gjith botës. Në lidhje me këte çështje me dhimsuni na kujohet gjendja e athletvet ‘onë. Para nesh hapet një portë. Ne, çfarë bajm?...”.

 


Olimpiada Ballkanike “Stamboll 1935” dhe Dr. Samimi


Pesë muaj më vonë Shqipëria do të shkojë në Olimpiadën Ballkanike të Stambollit (Kampionati Ballkanik i Atletikës së Lehtë) tash si kandidate zyrtare për anëtare e IAAF-it, sepse siglimi dihej, vinte përmes një procedure të zakonshme në ecuri të IAAF-i. Me gjithë kritikat jo të pakta që ishin bërë për pjesëmarrjen e Zagrebit, me gjithë një vazhdimësi ende modeste të atletikës, Mbretëria Shqiptare do ta çojë skuadrën e saj atletike edhe në Stamboll duke caktuar përsëri Dr. Samimin në krye të delegacionit. Kështu, mbas pesë-gjashtë vjetësh Dr. Samimi do të prekte përsëri Stambollin, ate që i dukej si toka e tij, si qyteti i tij i mahnitshëm në breg të Bosforit vezullues, ku ai kishte mësuar, studjuar dhe ishte formuar.

Mbasi ka mbërritur Selanikun me autobuz, ekipi shqiptar ka udhëtuar me tren dhe e ka prekë Stambollin mbas një udhëtimi prej 30 orësh. Në stacionin hekurudhor të kryeqytetit turk, ai gjen një pritje befasuese. Kombëtaren Shqiptare e përshëndet presidenti i Federatës Turke të Atletikës së Lehtë, Burhan Felek, sot e kësaj dite një nga figurat më të mëdha dhe më të nderuara në historinë e sportit turk, presidenti mitik i Komitetit Olimpik të Turqisë për rreth dy dekada mbas vitit 1960, por dhe bashkëthemelues i këtij Komiteti me Ali Sami Yen (biri i Sami Frashërit dhe gjithashtu President i Komitetit Olimpik të Turqisë në vitet 1928-30).

Gazetarë, fotografë të shumtë mirëpresin ekipin shqiptar dhe me to një numër i madh shqiptarësh të Stambollit. E merr fjalën ndërkaq, diplomacia elegante e Dr.Samimit, i cili duke njohur mjaft mirë forcat e skuadrës së tij, në fjalën e tij përshëndetëse midis të tjerave thotë: “Na nuk kemi ardhur në Stamboll për të fituar ose për të thyer rekorde; kemi ardhur të fitojmë zemrën e Turqve”.

Nuk mund të kishte fjalë më kuptimplote për të justifikuar gjithë një paraqitje modeste të Shqipërisë pa filluar Kampionati.

Kampionati Ballkanik apo Olimpiada Ballkanike e Aletikës së Lehtë e Stambollit 1935 është zhvilluar në tri ditët 21, 22 dhe 29 shtator 1935. Eshtë konsideruar si një nga organizimet më të shkëlqyera prej të 12 kampionateve ballkanike të Paraluftës. Stadiumi “Kadiqioi” i përgatiur në mënyrë madhështore, megjithate nuk arrin të plotësojë dëshirat e sportdashësve Shtypi thekson se i mbushur plot disa orë para fillimit të garave, bënë që mijëra njerëz të tjerë të ndodheshin jashtë pa lëvizur nga vendi, duke dëgjuar ecurinë e garave përmes altoparlantëve! Ndërkaq, mësohet se Dr.Samimi është në krye të Jurisë Ekzekutive të zhvillimit të garave, por kjo nuk e ka penguar ate, që me gjithë vëshirësitë e largësisë dhe të mjeteve modeste të kohës, të bëjë edhe gazetarin e posaçëm të zhvillimit të këij kampionati të shkëlqyer për kohën.

E ndërsa Shqipëria merrte pjesë, si të thuash, për identitet (njinjishmëni) kombëtare sportive, kundërshtimi sportiv midis Greqisë dhe Jugosllavisë, ishte thuajse dramatik. Një etje nacionaliste mbërrin deri aty saqë Greqia thërret nga SHBA pesë atletë amerikanë me origjinë greke! Kjo ngjall protesta, por Olimpiada e Stambollit vazhdon ecurinë e vet. Dhe fiton përsëri Greqia me 158 pikë përballë 130 të Jugosllavisë.

Kësaj rradhe për kampin modest shqiptar, “frika” e përfaqësimit bën që Kombëtarja Shqiptare të ishte më e paktë në pjesëmarrje. Dr. Samimi ka me vehte Luigj Shalën, Gaqo Gogon, Ragip Lohjen, Sabit Çokun, Sejfedin Biçakun, Kol Trebickën, Ibrahim e Feti Dizdarin, Fori Stasen, Selman Stërmasin, Minella Anastasiadhin. Shqipëria nuk guxon për më shumë kësaj rradhe. Në këte vit 1935 Vendi ka probleme jo të vogla deri diku edhe të financave e të politikës (kujto trazimet e të ashtuquajturës Kryengritja e Fierit), ndonëse prap se prap sporti ecën. Nuk ka pra një rritje pjesëmarrja shqiptare, ndonëse në fund Shqipëria renditet e pesta megjithate me vetëm 5 pikë, duke lënë mbrapa Bullgarinë me 3 pikë, edhe për shkak të një pjesëmarrjeje të reduktuar të bullgarëve. Stafetat janë ato që i japin pikë Shqipërisë. Ajo renditet e 5-ta në stafetën 800+400+200+100 metra dhe po e pesta në 4x400. Në relacionin rezervat që i dërgon Ministrisë së Arësimit, Dr.Samimi ngrë lart garat e zhvilluara në stafetat, duke e përcaktuar përveç të tjerave si një prirje të shqiptarëve, të cilët në këto gara arrijnë të lënë mbrapa Turqinë dhe Bullgarinë.

Shqipëria do të marrë pjesë edhe një herë të vetme në Kampionatin Ballkanik të Paralufës, në Beograd 1938, duke vënë themelet e këtij sporti për Shqipërinë sado modeste qofshin këto, themele të çimentuar prej Dr.Samimit dhe shokëve të tij. Kështu apo ndryshe, Shqipëria do t’ia arrijë ta përfshijë emrin e saj edhe me përmendje të përkujtueshme. Nëse më 1934 në Stamboll, Gaqo Gogo dhe Luigj Shala fituan medaljet e para ballkanike duke zënë i pari vendin e dytë në 400 metra dhe i dyti të tretin në 110 metra, por mbrenda Kampionatit Ballkanit të dhjetgaristëve; dhe nëse Sllave Llambi u rendit i 5-ti në kërcimin së larti me 1.75 në Kampionatin Ballkanik të Beogradit më 1938 – në fund të fundit këto përbëjnë arritjet tona të rendësishme për kohën, madje një themelim arritjesh edhe pse sot e kësaj dite gjithçka ka mbetë në harresat famëmëdha shqiptare!

 


Një Traktat i 73 vjetëve më parë – modern edhe për sot

 


Në relacionin e tij që sot kemi në dorë, dhe që përbën një shembull të shkëlqyer përimtimi, Dr.Samimi paraqet krejt gjendjen e Kombëtares Shqiptare në atletikë, me një ton kritik të fortë kësaj rradhe, duke shfaqur edhe një herë dituritë e tij të shumnashme teknike, organizative, shkencore, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi të gjitha me një shqetësim të madh atdhetar; “tue qenë se kam nji kohë 18-vjeçare që merrem me sport dhe mbasi kemi pasun rastin e mirë me kryesue dy herë skuadrën t’onë kombëtare ndër Olympiadat”, siç i shkruan ai Ministrisë së Arësimit.

Eshtë një relacion që pa ngurim mund ta quash një lloj traktati për atletikën e lehtë dhe madje për vetë zhvillimin e sportit shqiptar. Eshtë një provë e pakundërshtueshme e botës tejet të pasur, të gjithanshme të mendimit sportiv të Dr.Samimit.

Profesionalizmi dhe amatorizmi, themelimi i federatave civile sportive dhe roli i shtetit apo qeverisë, stërvitja shkencore dhe organizimi teknik, përzgjedhja dhe tërheqja e rinisë, terrenet sportive dhe etika e shpirtit olimpik, kultura dhe formimi edukativ i të rinjve që merren me sport, përbëjnë gamën e gjërë të këtij traktati të denjë për leksione në shkollat e sotme të larta të kulturës fizike. Nëse ky që ne po e quajmë “traktat” nuk do të ishte i mpleksur edhe me vëzhgime që kanë të bëjnë me sjellje personale të atletëve dhe të pjestarëve të delegacionit në Stambollin 1935, padyshim do t’ia vlente të botohej “ad literam” dhe madje të përdorej si një shembull përimtues i vetë filozofisë sportive të sotme. Mund të themi pa ngurim se kemi të bëjmë me një një vepërz sensacionale thuajse iluministe e parashikuese të vetë zhvillimit të sportit të dy shekujve, atij XX, po dhe këtij XXI. Asnjë ndryshim nga filozofia sportive e sotme! E themi këte pa asnjë mëdyshje!

Duke iu kthyer ndërkaq, qëndrimit dhe paraqitjes së skuadrës shqiptare në Stamboll, Dr.Samimi ngre lart sjelljen sportive dhe etike të atletëve Kol Trebicka, Sejfedin Biçaku, Ibrahim Dizdari, Feti Dizdari dhe Fori Stasa. “Në skuadrën kombëtare, - shkruan fjalë për fjalë Doktori, - kanë ba pjesë edhe disa studentë që kanë pasë nji sjellje të pëlqyeshme në Istanbul p.sh. Z.Z. Sejfedin Biçaku, Kol Trebicka, Ibrahim Dizdari, Feti Dizdari dhe Fori Stasa”.

Kjo ëshë pesëshja e veçuar prej Dr.Samimit, një veçim që vitet që do të vinin, do ta konfirmonin më së miri për këta trajnerë, pedagogë e ingjinierë të ardhshëm (kujto Ing. Fori Stasën). Këtu dalin për herë të parë dy emra të rinj: Kol Trebicka – Kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në gjyle si dhe i famshmi Sejfedin Biçaku, rekordmeni i madh tragjik i trehapëshit. Do të pushkatohet prej regjimit në dhjetor 1944, duke u bërë Shqipëria vendi i parë në Evropën e Mbasluftës që kishte pushkatuar një rekordmen të atletikës së lehtë, sportistin e një talenti të rrallë shqiptar Sejfedin Biçakun, vëlla i Sabaudin Biçakut dhe i Vasif Biçakut, të dy futbollistë, i pari Mbasluftës në Itali, ndërsa Vasifi - Kampion i Ballkanit në Shqipëri në më 1946. Sejfedin Biçakun e vrarë si kundërshtar trim të regjimit të ri që po vendosej, trupin e të cilit do ta ekspozonin në mes të qytetit të Kukësit duke tmerruar popullin, Shqipëria do ta kishte rekordmenin kombëtar të trehapëshit me 13.56 vendosur qysh më 1938, rekord që do t’i thyhej vetëm mbas 14 vjetëve, më 1952!

Dr. Samimi ka guximin megjithate që një pjesë të këtyre ideve kritike për rrugën që duhet të marrë atletika shqiptare, po dhe sporti shqiptar për të hyrë në rrugën evropiane të zhvillimit, t’i shprehë në shkrimin e tij të rrallë në një numur të revistës “Minerva” të vitit 1935 me titull “Pse po humbasim nder Olympiadet”, që gjithashtu mund të quhet një traktat tjetër i filozofisë sportive. Dhe nga ana tjetër, si forcë kritikuese, ky shkrim tejet i guximshëm për kohën, madje edhe politikisht, flet edhe për një liri shtypi të kohës së Mbretërisë. Tehu kritik shkon te i gjithë organizimi sportiv i Shqipërisë dhe Dr.Samimi në këte rast merr përsipër t’i japë kah drejt shtetit shqiptar kësaj filozofie, deri aty sa t’i parashtrojë dhe tregojë se cili duhet të jetë roli i shtetit në mëkëmbjen dhe themelimin e rrugës evropiane sportive të popullit.

Po e mbyllim këte kapitull me një kalim shembullor të filozofisë moderne të Dr. Vasfi Samim Visokës për ecurinë evropiane të sportit shqiptar. Ai shkruan:

“Në të gjithë botën sporti civil amator rregullohet nga nji organizatë e posaçme e quejtun “federatë”. Kjo organizatë mbron dhe inkurajon kulturën trupore për civilët që janë krejt të lirë dhe që nuk kanë asnji lidhje me politikë e direkt me Qeverinë…As një nga kryetarët e federatave nuk merr shpërblim asnji santim. Këte mundim e bajnë për qejf dhe për nder të Djelmnisë. Këta të gjithë në rininë e tyne kanë qënë: sportista, foot-balista, athletë, etj… Shkurtazi mund të themi, në të gjith botën kryetarët e federatave civile janë disa sportista të vjetër amatorë që kanë sot nji pozitë në jetën shoqnore dhe që kanë fitue besimin dhe simpathinë e shokve të tyne të rij. Këta zgjidhen krejtsisht lirisht nga kongreset dhe Qeverija me asnji mënyrë nuk ndërhyn. Në zgjedhjen e kryetarit nuk merret parasysh profesioni. I zgjedhuni mund të jet nji bujk, avokat, mund të jet nji gazetar, profesor mathematike ose nji ingjinier hydrolog; mjafton që të ketë dashuni, praktikë dhe kulturë për sport. Kryetari i Federatës Athletike Jugosllave asht nji Kirurg dentist i quejtun Dr.Ugrinitch, gjithashtu kryetar i Federatës Turke asht nji Avokat i quejtun Burhan Felek Bej, kryetari i Federatës Greke asht nji Kryetar bashkije dhe kryetari i Federatës Bullgare asht nji pronar, deputet. Siç shifet organizimi i sportit t’onë civil ka nji ndryshim të madh me atë të botës dhe të fqijve t’onë Ballkanas. Na nuk kemi nji federatë të lirë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe shumica nuk e kemi kuptue se çfarë asht nji federatë amatore civile… Na me këto thanje nuk duem me deklarue se Qeverija nuk ka të drejtë të përzihet në sport dhe se asht i damshëm trazim’ i saj ndër këto punëra. Përkundrazi. Qeverija asht përgjegjëse për sjelljet e djelmnisë, për rrugën në të cilën do të udhëtojnë, për mentalitetin, edukatën dhe për kulturën sportive. Me fjalë të tjera ka plotsisht të drejtë me vëzhgue gjithmonë veprimet e djelmnisë. Mirë po nga kjo nuk duhet kuptue se ka të drejtë me mbytë me ndërhymjen e saj lirinë sportive amatore dhe me kontrollue të gjitha detajet teknike. Si në të gjith botën ashtu edhe në shtetin t’onë Qeverija duhet t’a inkurajojë, t’a subvencionojë dhe ta vëzhgojë gjithmon në mirë-vajtjen e saj federatën civile, me fjalë të tjera kjo nuk lypset t’a bajë vetë administrimin e sportit, por këte duhet t’ja u lejë të tjerve, por gjithmonë nën vëzhgimin e sajë.”

Kjo është një filozofi që daton në vitin 1935. Plot 73 vjet më parë në thellësitë e Shekullit XX. Nuk mund t’i luash presjen për sot, në fillimet e Shekullit XXI. Shqipëria ka pasë korifejtë e saj edhe në fushën e mendimit dhe të organizimit sportiv. Dr.Vasfi Samim Visoka është prekursor i madh, ndër të parët i mendimit dhe filozofisë në sportin shqiptar.

Pa harruar të nënvizojmë se në Stamboll ai do të shkëlqejë, siç e shohim në një foto të bukur të “Minervës” duke përshëndetur në ceremoninë e mbylljes së Olimpiadës së Stambollit:

“… Dr. Samimi, - është shënimi i gazetarit të shquar Nebil Çika, i cili ka qenë i dërguar i posaçëm në Stamboll, - kryetar i skuadrës shqiptare, prap atë natë mbajti një diskur shumë të pëlqyer dhe të duartrokitur. Këta diskure interpretojnë zellin që kanë dhe enthusiazmën me të cilën janë frymëzuar të rinjt e popujve balkanikë për afrimin dhe vllazërimin e arthëm të tyre”.

Edhe ky një shënim i paplakur as për të sotmen. Sporti kurr nuk është vetëm “punë sporti”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT