E enjte, 25.04.2024, 04:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Shumë të dashur analist dhe publicist i shquar, Prof. Murati dhe penëarti Përparim…

E enjte, 04.08.2011, 07:56 PM


Shumë të dashur analist dhe publicist i shquar, Prof. Murati dhe penëarti Përparim,

 

Ju falenderoj nga zemra për fjalët tuaja të ngrohta dhe aq prekëse. Është një nder i madh për mua që ju morët mundimin për të shprehur konsideratat tuaja për librin tim të ri që akoma nuk ka gjetur dritën e botimit, për shkak të mungesës së një sponsorizuesi.

 

1.       Ky libër vjen pas një numri librash dy gjuhësh të realizuar nga unë: "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë"; "Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara"; "Me zemër të pastër"; "Fëmija shqiptar me sy të zinj"; "Përralllat e Zvicrës"; apo një numër përkthimesh si "Karruzeli i ëndrrave"; etj.

 

2.     Si njohës i mjedisit dhe jetës në përgjithësi në Zvicër jam përpjekur të "kalkoj" nuk di ta them në shqip atë kulturë, politikë, gjendje shoqërore, demokraci, mirësi, solidaritet etj., që ekziston në Zvicër, jo vetëm nga vetë zviceranët por edhe nga funksionarët ndërkombëtarë, gazetarët e shkrimtarët miq, me të cilët kam punuar e punoj prej disa dekadash. Jashtë mbushjes së gazetave shqiptare me fenomene të tilla si prostitucion, vrasje, grabitje, korrupsion të cilat zënë shumë pak vend në shtypin e vendeve demokratike, pasi ato e çorientojnë lexuesin apo e shtyjnë të ndërmarrin veprime të gabuara. Këto ditë kam botuar disa artikuj lidhur me përkatësinë de facto dhe de jure të Shqipërisë në Europë. Ndoshta është e rëndësishme të theksoj se unë kam shkruar edhe më parë dhjetra e dhjetra shkrime publiçistike lidhur me këtë problem, pavarësisht nga sistemi politik në Shqipëri, pasi kjo i takon popullit shqiptar që është i vendosur në tokën europiane shumë më përpara se popuj të tjerë që janë në Europën e Brukselit prej dekadash. Më ka shqetësuar dhe më shqetëson një fakt: Pse duhet lidhur “tahmaja” e madhe për karrige e ofiqe, privilegje, e atyre që përfaqësojnë opozitën apo pozitën në Parlamentin shqiptar, pse opozita duhet të shkojë në Bruksel apo Strasburg dhe të flasë kundër futjes së Shqipërisë në Europë. Shqipëria nuk është as çiflik i disa personave, ajo është prone e shqiptarëve që jetojnë e punojnë aty, në Tiranë, Sarandë, Korçë, Tropojë, Konispol, Devoll, Voskopojë, Durrës, Kukës, Burrel, Lezhë, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Himarë e kudo që ndodhen, si edhe brezave të tërë që përkohësisht apo përgjithmonë janë vendosur në Diasporë.

 

3.     Shqipëria u përket shqiptarëve, atij populli që nxori Skënderbeun, Nënë Terezën, Nolin, Rilindasit, Aristidh Kolën, me miq të përkushtuar për çështjen shqiptare dhe tokat e saj,për gjuhën dhe letrat shqipe, si Bajroni, Edith Durham, ish presidenti i SHBA Wilson, Robert d’Angely, N. Jokl, e shumë të tjerë. Ajo i përket brezit të ri të shqiptarëve, të aftë, të shkolluar, të përkushtuar që janë vendosur në vendet europiane dhe japin edhe ata ndihmesën modeste për demokracinë, ekonominë, shkencën, letërsinë, mjekësinë e në përgjithësi zhvillimin e tyre.

 

4.      Në këtë libër si dhe në tjerë para tij kam ngulmuar për njohjen e problemit të talasemisë në Shqipëri ku 20 përqind e popullsisë në disa zona është talasemike, si në Fier etj., ku ka vende të tjera si Qipro që po e zhdukin në sajë të diagnozës prenatale (një takasemike që e do shumë jetën dhe është optimiste për të ardhmen e mbrojti temën e saj të diplomës për ndihmës mjeke me këtë temë dhe mori notën shkëlqyer). Unë e ngre si problem madhor të mjekësisë shqiptare çështjen e luftës kundër Talasemisë. Prandaj kam shkuar në Qipro, Nju Jork, Dubai, Singapur, Antalia, Nju Deli etj., në konferenca ndërkombëtare dhe kam njohje me profesorët më me zë në këtë fushë me të cilët kam shkëmbime të rregullta. Prandaj edhe në çdo libër enkas fus edhe disa shkrime për talaseminë dhe hapat që bëhen në luftën kundër saj.

Për mua mbetet si ideal të shoh një ditë të shëruar, në sajë të terapisë gjenike të shëruar, fëmijët shqiptarë apo kudo në botë që vuajnë nga kjo sëmundje gjenetike.

4. Kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj për takimet me personalitete të kulturës, të shkencës, të letërsisë, të mjekësisë në Zvicër të cilët kanë dhënë një ndihmesë të çmuar me projekte për Shqipërinë: si Prof. Assal, Prof. Kalangos, apo për figura të tilla si Prof. Basil Schader që ka ndihmuar shumë për njohjen e gjuhës shqipe në Zvicër; për muzikologun Marcel Cellier që ka prodhuar disqe me muzikë shqiptare, për të madhin Freddy Buache, 85 vjeç që flet me simpati për kineastët dhe kinematografinë shqiptare, për të ndjerën mikeshën time Marinette Wyss, mjeke që trajtonte edhe fëmijë shqiptarë me shumë dashuri; për shkrimtaren Marie-Luce Dayer mike e fëmijëve shqiptarë dhe e letrave shqipe; për Leda Albanezen dhe piktuart e saj; për shkrimtaren Yvette Perrin, për Prof. Kalangos, Prof. Alain Golay, për bashkëshorten e të madhit Albert Cohen, për profesoreshën Francine Koch që ka shkruar librin e mrekullueshëm "Fëmija shqiptar me sy të zinj" nga kujtimet e saj nga Shqipëria; për arkitektin e dëgjuar Franco Marussich që vjen në Shqipëri më 5 gusht deri 12 gusht me bashkëshorten dhe një mikeshë nga Zara ku do të takohet edhe me arkikektë shqiptarë etj etj.

5. Shkrimet e mija që i përmendni edhe ju me shumë respekt më shtyjnë të jap të tjera në të ardhmen për lexuesin shqiptar, për profesorët e mi të paharruar, Nonda Bulka dhe Vedat Kokona, për Prof. Mahir Domin, komshiun tonë fisnik, për tim at Tuni Papuçiu, prej të cilit ruaj kujtimet më të mira dhe pemën gjenealogjike të familjes, ruaj mirësinë e tij, të njeriut fisnik me flokë të hedhura prapa dhe të përhimërta, ndihmën e tij modeste që u jepte jo vetëm të afërmve por edhe shokëve dhe miqve apo edhe të panjohurve. Nuk harroj atë tipograf që erdhi për ngushëllim kur ai vdiq në moshën 53 vjeçare më 1975 dhe që më tha se jetën e kam nga Tuni pasi drejtori i shtypshkronjës donte të më gjobiste me një shumë të madhe për një gabim që kishte dalë në revistën "Fatosi". Babai shkoi tek drejtori dhe i tha se do i retushoj unë me tipografin të gjitha revistat dhe kështu u bë. Tipografi nuk pagoi asnjë santim...

 

Meqë do shkoj tani tek pritja e zviceranëve për 1 gushtin dhe për të mos të marrë kohën e çmuar, ju falenderoj edhe njëherë nga zemra me mirënjohje të thellë për shkrimet tuaja prekëse, të botuara edhe tek “Fjala e lire” të cilat më japin kurajo, edhe pse në moshë 65 vjeçare, të vazhdoj të shkruaj ashtu si Ju të dy, si Vangjushi, Fatmiri i “Fjala e Lirë”, Thani, Monda, Aleksandri, Erli, Kozeta, Aleko, Kristaqi, Fuati, Petraqi, Vullneti, Jorgo, Alma, Skënderi dhe Elida, Edlira, Nexhmije, Erioni, Bruna, Makfire, Estrefi, Marc, Lori, Irma, Pjetri, Vaçja, Altini, Doriani, Prof. Omeri, Prof. Hamiti, Shabani, Ksenofoni, Fatmira, Petrika, Fiqiriu, Vullneti, Luani,  e shumë të tjerë të Klubit “Bota e Re” dhe të “Zemrës Shqiptare” apo të gazetave të pavarura në Shqipëri dhe Kosovë, që gjuha shqipe dhe letrat shqipe, të mos shuhen dhe të mbahen gjallë nga brezi ynë i ri që jeton në Diasporën e largët të Amerikës, Argjentinës, Australisë, Europës e kudo që ndodhen.

 

Ju  uroj edhe njëherë gjithë të mirat dhe ju përqafoj si vëllezër. Kështu do mbetemi sëbashku deri sa ta kemi jetën dhe do t'u a lëmë amanet edhe fëmijëve tanë të mrekullueshëm.

Të mirë u dëgjofshim

Fredi

Kafeneja “Colosseum” Shallvare Tiranë, 30 korrik, ora 17.40



(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora