E premte, 19.04.2024, 04:51 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Një ‘’televizion katundi’’ që i bie borisë së shovinizmit

E merkure, 03.08.2011, 08:03 PM


NJË  “TELEVIZION KATUNDI”  QË I BIE BORISË SË SHOVINIZMIT

 

Nga Fadil LUSHI

                        

            Të nderuar lexues, në veçanti ju që nuk jeni banues në pjesën e Maqedonisë Veriperëndimore (sidomos të kasabasë së Tetovës), këtë shkrimin tim të radhës po e filloj me një vaki të ndodhur kohë më parë. Që të mos krijoj huti te lexuesit e mi, më duhet që në fillim të them se dy fjalët e titullit të këtij opinioni nuk kanë kurrgjë të përbashkët me drejtshkrimin e shqipes standarde, ose madje me sintaksën e saj a me ndonjë sociolekt tjetër që mund të jetë i afërt me shqipen. Thjesht, bëhet fjalë për një përkthim dosido nga gjuha maqedonishtja në gjuhën shqipe të togfjalëshit “sellska televizija”!? Ç’është e vërteta, ky emërtim i pazakonshëm në shqip, për të mos thënë i përbindshëm, doli nga një komunikim që pata me qytetarin NN (pronar i një medie elektronike lokale në gjuhën maqedonase), të cilin ditë më parë e pyeta se akëcili televizion çfarë rejtingu ka. Ai pa një pa dy mu përgjigj gjysmë shqip e gjysmë maqedonisht: HIÇ FARE dhe shtoi se mos vallë e kam fjalën për atë “televizion katundi” (siç i tha ai në origjinal “sellska televizija”). Përveç kësaj, bashkëbiseduesi im maqedonas këtë e tha me mllef, nga fakti se mediumi në fjalë ishte me orientim proserb.

            Njerëzit që merren me komunikologji mund të thonë se vështrimet ose pikëpamjet e gjithsecilit (dhe në rastin e këtij shkrimi), po edhe medieve elektronike ndaj një problemi a një çështjeje mund të jenë të veçanta, të përgjithshme, personale, kritike, materialiste, idealiste, shoviniste, nacionaliste, qortuese, me dhe pa havale, të rreme dhe së fundi mund të konceptohen edhe si komente redaksie, gjithsesi makiaveliste, tendencioze dhe qesharake!

            Komente e interpretime redaksie jashtëzakonisht denigruese dhe në vijimësi po prodhon e po emeton edhe mediumi elektronik me emrin “Sitell”. Ky medium që hiqet për televizion nacional, po edhe serioz, por ama që i shkon për shtati enciklopedisë maqedonase, karakterizohet me faktin se te opinioni publik njihet për politikën e dëshmuar mediale antishqiptare. Sa herë kur është fjala për lajmet që kanë të bëjnë me shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, por edhe me ata të Kosovës (“të cilët padrejtësisht paskëshin zaptuar tokat maqedonase”), aq herë do bëjë shkelje flagrante të kodeksit të gazetarisë sa i përket informimit të drejtë dhe të paanshëm. Sa herë që jepen njoftime nga rajoni, në kryerreshtin e tyre do të jenë shqiptarët. Ky shtrembërim i fjalës nuk bëhet hëpërhë, po përkundrazi, një gjë e tillë është vënë re që në vaktin kur ky medium qe vënë në shërbim të politikës djallëzore të Serbisë millosheviqiane, nga njëra anë dhe që kur u bë filiale ose avokat i politikës së saj, nga ana tjetër. Ky kuazimedium filoserb, gjegjësisht ky “televizion katundi” (siç thotë bashkëvendësi im) gjatë gjithë veprimtarisë informative, vetes do t’i japë të drejtën e gjykimit sipas avazit të politikës ataviste serbe, ndonëse lajmet transmetohen maqedonisht, do të dekonspirojë serbisht dhe do të shantazhojë maqedonisht e të tjera.

            Ky halucinacion pamor, dëgjimor, politik si dhe kjo rrugaçëri mediatike e televizionit “Sitell”, lajmin e vet (po qoftë ai edhe i shtrembëruar) nuk arrin dot ta degdisë as edhe fare pak përtej Tabanovcit e Kriva Pallankës, nuk e bën dot pasi që haberet në veçanti ato që i dedikohen politikës dhe partive politike shqiptare, arsimit shqip, nxënësit shqiptar, mësuesit shqiptar dhe në instancë të fundit klubeve sportive shqiptare, i ka të shkarrashkruara, sipërfaqësore dhe me ngjyrë nacionaliste. Të gjitha ato lajme do t’i ndërtojë  në emër të vokacionit të vet të ashtuquajtur patriotik, folklorik, provincial, në emër të zbrazëtisë intelektuale, në emër të një morali të dyfishtë. Me një fjalë, lajmet e tilla t’i transmetojë ashtu bythëpraptas, për qejfin e vet dhe për inat të shqiptarëve.

            Në këtë vazhdë, po sjellim këtu vetëm një shembull. Me datë 20.07.2011 do të jepet në lajmet qendrore nga  TV Sitell edhe ky koment redaksie: “Tifozët janë turpi edhe i Shkëndijës edhe i Maqedonisë!!?? ... Ka të margjinalizuar nga shoqëria, një gjysmëbote e formuar nga huliganë latentë e publikë, një masë e paarsimuar dhe analfabete të rinj zuzarë pa dashnore dhe inferiorë në shkollë... Tipat e këtillë zakonisht kalojnë pa marrë ndëshkime për shkak të favoreve që kanë të afërmit e tyre... Këta, pra simpatizantët e Shkëndijës kur janë në stadium i lejojnë vetes të shndërrohen në kafshë, në një botë paranormale hordhish para disa mijëvjeçarësh, të cilët hidhen si lukuni mbi grupet më të vogla, mbi ata që i përkasin anës tjetër, ose madje kundër njerëzve të zakonshëm që i shohin me faj vetëm pse nuk i përkasin një feje tjetër, një kombi a një klubi tjetër...E gjithë kjo që u theksua më lart, simpatizuesit e Shkëndijës, me sjelljen e tyre primitive, nuk do t’i bëjë më të mençur, as më të shkolluar, më të mirë në punë, në sporte, ose me më shumë shokë, por vetëm do t’i ngurosë në shtresën më të ulët të shoqërisë, do t’i kthejë në një dukuri, nga e cila do të largohet çdo njeri normal...”!!?? E gjithë kjo kanonadë fyerjesh e poshtërimesh na qenka nxitur për shkak se kinse tifozët e Shkëndisë e paskan koritur futbollin e Maqedonisë, se kinse gjatë gjithë ndeshjes (Shkëndija-Partizani) në stadiumin “Filipi i Dytë” i paskëshin ofenduar në baza nacionaliste lojtarët e Partizanit dhe të tjerët si ata, si dhe sajime e trillime të tjera kuturu.

Të gjitha këto shtrembërime, fyerje dhe denigrime që hetohen në kuadër të këtij komenti redaksional, lëre që nuk reflektojnë të vërtetat, po përkundrazi si të tilla do të shkojnë në adresën e të rinjve, respektivisht të tifozëve të Shkëndijës, prindërve të tyre dhe në përgjithësi në adresë të shqiptarëve që ishin prezent në ndeshjen e sipërpërmendur. Autori, mundohet që me këtë koment të mposhtë imazhin e të rinjve shqiptarë.

            Ky ishte vetëm një paragraf nga gjithsej 13 të tjerë të tillë me frymë edhe më të ngarkuar nacional-shoviniste brenda një komenti të redaksisë dedikuar tifozëve të Klubit futbollistik “Shkëndija” të Tetovës. Kështu, siç lexohet ky publikim i TV-Sitellit, mbase duhet të jetë një torturë e radhës që i bëhet të vërtetës dhe njëkohësisht tifozëve shqiptarë, në veçanti ballistëve. Megjithatë, ky dhe komente të tjera të redaksisë në fjalë nuk mund të humben në kohë dhe në heshtjen tonë, qoftë ajo të jetë edhe e përzgjedhur.

            Kur kësisoj dhe toptan komentohet ndeshja Shkëndija-Partizani, krijohet përshtypja se mediumi në fjalë, pos që është avokat i politikës djallëzore serbe, njëkohësisht mëton të jetë dhe “konsulent dhe këshilltar juridik” i UEFA-së. Kështu, kur do të vihet në cilësinë e “konsulentit dhe këshilltarit juridik”, atëherë këtij klubi të futbollit do t’i dërgojë habere sportive se “ballistët”, gjegjësisht tifozët e skuadrës së futbollit “Shkëndija”, gjatë gjithë ndeshjes së futbollit me Partizanin e Beogradit, paskëshin shpalosur “flamurin e një shteti tjetër” gjegjësisht të Republikës së Shqipërisë!?? Hajde mendje, hajde!!

            Se sa do t’i besojë UEFA “këshilltarit juridik”, respektivisht redaksisë së Sitellit, në lidhje me përdorimin e flamurit kombëtar, është një çështje që s’ngre në peshore dhe pak e rëndësishme. Me rëndësi është të potencohet fakti se po kjo redaksi “harron” se në këto troje ka kohë që është përdorur flamuri kombëtar i shqiptarëve, me leje a pa leje dhe pavarësisht se “Parlamenti i Republikës së Maqedonisë (kohë më parë) miratoi ndryshimet e Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni, ku sërish zyrtarizohet përdorimi i flamurit shqiptar, pas shfuqizimit të disa neneve në vitin 2007 nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë”.

            Puna e TV-Sitellit  gjithmonë është varur gjithmonë nga emetimi i lajmit shovinist, ndonëse për këtë lajm asnjëherë nuk u ka dhënë llogari “materiale a edhe morale” as shqiptarëve, po as edhe Këshillit të radiodifuzionit shtetëror, këshill ky të cilit ose i mungojnë informacionet lidhur me këtë koment, po edhe shumë të tjerë të tillë, krejtësisht denigruese ose me tarafe, ose tekefundit atij i mungon korrespondenca (qortuese) me Televizionin Sitell, televizion ky, të cilit shpesh i ndodhin skandale me karakter të tillë! Përfundimisht, nëse Këshilli i radiodifuzionit është subjekt i pavarur rregullator jofitimprurës, me autorizime publike në veprimtarinë radiodifuzive, atëherë ai e ka për detyrë të kujdeset për sigurimin e lirisë dhe pluralizmit të shprehjes. Në instancë të fundit, në kuadër të kompetencave të veta, Këshilli i Radiodifuzionit, sipas nenit 37 të Ligjit për veprimtari radiodifuzive, pika tetë: ndërmerr masa të parapara me ligj kundër radiodifuzerëve që nuk i kryejnë obligimet e tyre të përcaktuara me ligj. Andaj nëse Këshilli radiodifuziv ka për detyrë të monitorojë 24 orë punën e medieve elektronike, gjithsesi është dashur që këtij mediumi t’i shqiptojë masa ndëshkimore, nëse jo kjo, atëherë është dashur që së paku t’ia tërheqë vërejtjen.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora