E enjte, 28.03.2024, 08:35 PM (GMT)

Mendime

Rudolf Marku: Një ditë kujtese dhe harresa e saj

E hene, 11.02.2008, 08:59 PM


Një ditë kujtese dhe harresa e saj

Nga Rudolf Marku

1.

Rudolf Marku
Kuvendi shqiptar zhvilloi një seancë të veçantë plenare me rastin e Shoa-s –Dita e kujtimit të Viktimave të Holokaustit… Madje, për këtë seancë pleanare, qe gjetur dhe një titull i natyrës folkloriko- ngashëruese “Në besë të shqiptarit”, si për të na kujtuar në fakt atë që dihet, se Kuvendi (a parlamenti) shqiptar është më së shumti një sallë shfaqjesh folklorike, me aktorë amatorë dhe recitues që dikur do quheshin të vatrave të kulturës… Kryetarja e Kuvendit kujtoi mes të tjerash se “Shqipëria është i vetmi vend i pushtuar, i cili shmangu persekutimin e hebrenjve nga nazistët dhe i vetmi vend i pushtuar, ku hebrenjtë jetuan 100%...”. Si për të plotësuar spektaklin e Kuvendit, po atë ditë në ambientet e Kryeministrisë u zhvillua dhe pjesa e dytë e serialit: një ceremoni për të përkujtuar Shoa-n… Me këtë rast kryeministri i shqiptarëve, në prani të ambasadorit amerikan dhe ambasadores izraelite, deklaroi se “hebrenjtë erdhën në vendin tonë për t’i shpëtuar gjahut më të egër të shtrigave në historinë e njerëzimit…”
Këto rreshta i lexoj në shtypin shqiptar të datës 30 janar 2008.
Kujtimi i viktimave të Holokaustit është dhe një nga rastet ideale të çdo politikani (jo vetëm atyre shqiptarë) për të fituar ca kredite të forta të atij kapitali që sot në botë njihet me termin “political correctness”. Në asnjë rast tjetër nuk mund të fitosh simpati dhe mbështetje më të madhe se sa kur flet për viktimizimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë (ata që kanë qenë bërë të kundërtën ose janë shpallur të çmendur - edhe kur kanë patur statusin e një poeti dhe eruditi si Ezra Pound-it a të një shahisti gjenial si Bob Fisher - ose janë quajtur nazistë dhe regresistë e si të tillë duheshin futur në burg - edhe kur kanë qenë historianë e shkencëtarë. Madje, dhe William Shakespeare, po të kish jetuar në kohërat tona, do kishte dhënë llogari serioze për Sherlokun e Tregtarit të Venedikut (veç kritikave që i merr pas vdekjes)… Me këtë nuk dua në asnjë mënyrë të them që shqiptarët të mos bashkohen me spektaklin e madh të përkujtimit të Holokaustit, aq më tepër që ne shqiptaret qenkemi “i vetmi vend i pushtuar, i cili shmangu persekutimin e hebrenjve nga nazistët”! Por, ngaqë përkujtimi i Holokaustit lidhet ngushtë me Kujtesën, dhe sidomos me Kujtesën e së keqes historike, mendoj të ndalemi te Kujtesa e së Keqes te në shqiptarët dhe më përtej.
Asgjë më tepër nuk iu ka pëlqyer regjimeve totalitare sesa kontrolli total i kujtesës. Kjo ndërmarrje ambicioze e regjimeve totalitare në fakt nuk qe veç një fantazi –shkencore me të cilën shkencëtarët dhe akademikët e këtyre vendeve mbronin dizertacione dhe titujt shkencorë, me të cilët mburren dhe paguhen edhe pas regjimeve totalitare. Qe shumë më tepër se kaq. Kur perandori Itzcoatl i Aztekëve (në fillimet e shekullit 15) erdhi në pushtet, ai bëri kujdes që të digjte dhe të asgjësonte të gjitha kodiket e mëparshme dhe të shkatërronte të gjithë monumentet e mëparshëm, me qëllim që tradita Azteke të mbeste pronë e tij. Konkuistatorët spanjollë nga ana tjetër, nja një qind vjet më vonë, bënë çmos që të zhdukin çdo gjurmë që dëshmonte lavdinë e dikurshme të qytetërimit të perandorit Itzcoatl të Aztekëve… Ky cikël për kontrollin total të kujtesës do vazhdonte gjatë, duke marrë përmasa të papara në shekullin e njëzet… Sepse, në fund të fundit, as perandori i Aztekëve dhe as konkuistatorët nuk qenë të përgatitur të ishin totalitarë… Kjo provohet dhe nga fakti i thjeshtë se lufta e tyre kundër kujtesës u bë kundër monumenteve të dukshme zyrtare të së shkuarës, duke lënë të mbijetojnë format e tjera shpirtnore dhe psikike të saj, si poezia, mitet, gojëdhanat, dorëshkrimet…
Në shekullin e njëzet synohet kontrolli absolut mbi kujtesën. Regjimeve totalitare iu vjen në ndihmë arma më e fuqishme e shkatërrimit të kujtesës përmes falsifikimit të saj, informacioni dhe mjetet e informacionit.
“E gjithë historia e shkurtër e Raihut të tretë, - na thotë Primo Levi (Të mbyturit dhe të shpëtuarit, 31), - mund të rilexohet si Lufta kundër kujtesës…”. E njëjta gjë mund të thuhet për Bashkimin Sovjetik, Kinën apo Shqipërinë komuniste. Zhdukja e Kujtesës arrihet përmes disa teknikave: Njëra prej tyre është eliminimi i fakteve dhe i dëshmive… Duke filluar nga vera e vitit 1942 dhe sidomos pas Stalingradit, nazistët filluan të bëjnë zhvarrosjen e kufomave, viktimave të tyre, për t’i djegur. Kjo funksiononte sidomos në kampet e përqendrimit. Më pas vjen eliminimi i dëshmitarëve dhe autorëve të krimeve dhe të masakrave… Duke folur përpara një grupi komandatësh SS, Himleri pat thënë se “ju duhet të përgatiteni që ta merrni sekretin në varr”. Po kështu, sipas Ernest Heminguejit (“Për kë bien këmbanat”), oficerët stalinistë që luftonin në Spanjë gjatë fundit të viteve `30, e kishin për detyrë që të helmonin veten, po qe se rrezikonin të kapeshin të gjallë nga frankistët (“një kufomë e ka më të vështirë të thotë nga është në krahasim me një të gjallë”, - vëren Hemniguej).
Ç’është e vërteta, komunistët nuk qenë aq të preokupuar për zhdukjen e gjurmëve të krimeve të tyre sa ç’qenë nazistët. Dhe kjo thjesht se komunistët besonin se sistemi i tyre dhe pushteti i tyre qe i përjetshëm… Vetëm pas rrëzimit të Murit të Berlinit, ata filluan për herë të parë të mendonin seriozisht për zhdukjen e evidencave të krimeve të tyre… Ne shqiptarëve na kujtohet ai rrethimi me një mur të lartë i Ministrisë së Brendshme (KGB-shqiptare) në vitin 1991 dhe djegia e dokumenteve sekrete për një muaj rresht… Sigurimi i Shtetit shqiptar e bënte eliminimin e krimeve përmes një metode tepër origjinale: zhdukjen e fakteve dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, falsifikimin monstruoz të tyre…
Një tjetër teknikë është dhe intimidimi i atyre që kërkojnë ringjalljen e kujtesës, apo njohjen e informacionit të vërtetë… Dëgjimi i radiove të huaja qe i ndaluar në Gjermaninë naziste apo në vendet komuniste. Radios iu shtua më vonë dhe shikimi i stacioneve televizive. Dëgjimi i radiove dhe ndjekja e kanaleve të huaja televizive u konsideruan krime shtetërore… Fshehja dhe varrimi i informacionit kompromentues në vendet komuniste shkonte deri aty sa në ishujt Sokolovski rojet kishin urdhër të gjuanin e të vrisnin pulëbardhat, se mos dikush mund t’i përdorte si postierë fluturues…Madje, rusët bënë dhe një dokumentar për ishujt Sokolovski, ku tregohen të burgosurit që pretendendojnë të jenë të pastër, të kënaqur, me një buzëqeshje që duket me kilometra larg se është artificiale dhe e fabrikuar… Pothuajse në të gjithë vendet komuniste, kur gruaja e një të burgosuri lejohej të bënte një vizite në burg, ajo ishte e detyruar “të firmoste një deklaratë, ku premtonte se, pasi të kthehej në shtëpinë e saj, të mos tregonte asgjë nga çfarë do shihte në burg”, ndërsa vetë i burgosuri, nga ana e vet, detyrohej të deklaronte me shkrim se “nuk do t’i fliste të shoqes për kushtet e jetës në burg a për njerëzit e tjerë në burg”, (Herling `88, `89). Në Shqipëri dhe në Bullgari të burgosurit që liroheshin duhej të nënshkruanin se “kurrë nuk do tregonin për çfarë kanë parë në burg, në rast të kundërt, do të akuzohen si gënjeshtarë dhe përhapës thashethemesh”.
Teknika e tretë për të fshehur realitetin dhe për ta zhdukur kujtesën ishte përdorimi i eufemizmit. Në Gjermaninë naziste përdoreshin shprehje të tilla si “zgjidhja finale” apo dhe “trajtimi i veçantë”. Sapo kuptimi i tyre bëhej i njohur, shprehjet zëvendësoheshin me shprehje të tjera si “evakuim, “deportim” apo dhe “transportim”. Transformimi gjuhësor shkonte përtej eufemizmave gjuhësore dhe filologu Victor Klemperer e ka quajtur këtë fenomen LTI, lingia tertii imperii, gjuha e Raihut të Tretë. Ndërsa komunistët, nga ana e tyre, u përpoqën të infektojnë gjithë sistemin gjuhësor në tërësi. Këtë përpjekje për dominimin e gjuhës, jehonën e së cilën në shqiptarët e ndjejmë përmes diskutimeve proverbiale për dialektet, Goerge Orwell e pat quajtur “Newspeak”, një gjuhë artificiale dhe laboratorike, e krijuar prej formulave të gatshme, të distancuara nga gjuha e folur.
Teknika e fundit dhe më e efektshmja (sidomos e efektshme në Shqipëri) ka qenë (dhe mbetet) kontrolli i informacionit dhe manipulimi i kujtesës përmes gënjeshtrës dhe mashtrimit. Në Shqipëri ka ekzistuar një drejtori e veçantë për përhapjen e shpifjeve dhe të gënjeshtrave… Regjimi nazist është konsideruar të ketë patur mjeshtra në artin e propagandës dhe G?belsi që në vitet e hershëm të nazizmit, ngjallte njëkohësisht frikë dhe admirim... Por, nëse i shohim të dyja format e regjimeve totalitare, nazizmin dhe komunizmin, duhet të themi se në fushën e propagandës nazistët qenë amatorë... Në krahasim me nazistët, komunistët kishin në çdo organizatë dhe celulë partie agitrop-in e vet (agit- për agjitacion, që do të thotë indoktrinim dhe prop-për propogandë)... Në vendet komuniste ndërtoheshin fshatra model vetëm për t’iua paraqitur vizitorëve të huaj, mundësisht intelektualëve të huaj. Sa më të shquar të qenë intelektualët e huaj, aq më mirë. Edouard Herriot, kryeministri majtist francez, pat vizituar Ukrainën në kohën e urisë së madhe... Ai pat takuar vetëm fëmijë që qeshnin e që i thoshin atij se hanin pite me mish çdo ditë. Kryeministri francez kërkoi të vizitonte një kishë. Sigurimi i shtetit brenda një kohe të shkurtër e ktheu përsëri në kishë magazinën e grurit, e cila kishte qenë kishë dhe vetë sigurimsat veshën rroba fshatarësh të mirëqenun dhe filluan të shtiren sikur po luteshin, ndërsa komandanti i tyre ngjiti një mjekër prifti nga rekuizita e shtëpisë së kulturës dhe filloi të predikonte... Herriot nuk arriti të kuptonte asgjë nga ky mashtrim, përkundrazi qe entuziast për përparimet e shkëlqyera të sistemit sovjetik. Romain Roland, romancieri francez, qe shoqëruar në një nga burgjet politike nga krimineli famëkeq Yagoda, shefi i policisë politike në kohën e Staliniti, i cili e siguroi romancierin francez se riedukimi i të burgosurve qe një eksperiment i shkëlqyer pedagogjik, nga i cili mund të përftohej njeriu i ri. Dhe Romain Roland qe tepër i kënaqur nga ky sistem burgjesh edukative. George Bernard Shaw gjithashtu ka vizituar kampet e të burgosurve në Rusi dhe ka shkruar për sistemin e mrekullueshëm të tyre. Gjatë Luftës së Dytë Botnore, zëvendëspresidenti amerikan, Henry Agard Wallace, ka vizituar gjithashtu një kamp skllevërish të punës korrektuese dhe ka shprehur entuziazmin më të madh për sistemin magjepsës sovjetik...(Wallace and Steiger, Soviet Asia ...Në mision, 33). Jean-Paul Sartre, kur tanksat rusë kalonin mbi trupat e njerëzve të gjallë, shkruante në “Liberation” pas vizitës në Bashkimin Sovjetik se “qytetarët sovjetikë e kritikojnë udhëheqjen e tyre shumë e shumë më tepër e më me efektivitet se ne në Perëndim... Ekziston liria totale për të kritikuar...Qytetarët sovjetikë nuk udhëtojnë jashtë shtetit, jo sepse nuk i lejojnë, por ngase nuk dëshirojnë ta lënë qoftë dhe për pak kohë vendin e tyre të mrekullueshem”. Disa vite më vonë, ky idiot savant, siç e konsideron më vonë Solzhenicin, të paktën e ka patur kurajën të pohonte se aso kohe ai e dinte se po gënjente, por gënjente, ngaqë nuk donte t’ia prishte autoriteteve komuniste. Po ky Jean Paul Sartre pat shkruar një herë, mu në kohën kur kishat dhe institucionet fetare po rrënoheshin me një zell të frikshëm, se Shqipëria tani është i vetmi vend i lirë në botë!” Një pohim, për të cilin ai kurrë nuk pat shprehur pendesë. Një rast interesant është ai i Jerzki Gliksman, një komunist çifut nga Polonia, i cili pat shkuar në Bashkimin Sovjetik në vitin 1935 si turist dhe simpatizant. Si jurist profesionist që ishte, i kërkoi autoriteteve komuniste që të vizitonte një kamp riedukimi. E çuan për të vizituar Bolshevo-n, jo larg nga Moska, ku ai u mahnit nga mrekullia e burgut dhe forca riedukuese e tij. Pesë vite më vonë, po ky Jerzy Gliksman qëlloi që të ishte në pjesën polake që u pushtua nga Ushtria e Kuqe, sipas traktit Ribbentrop-Molotov. Këtë radhë, pa dashjen e vet, dhe për një kohë shumë e shumë më të gjatë, u gjend për herë të dytë në një burg sovjetik, por jo më si turist. Kur doli nga burgu, ai ishte një kufomë e gjallë me një mendim krejt të ndryshëm për sistemin komunist.

2.

David Rousset ka lindur në Francë dhe ka vdekur në 1997. Përpara luftës ka bërë fushatë për Partinë Komuniste dhe pak më vonë pat qenë i përfshirë në rrethet trockiste. Arrestohet në vitin 1943, deportohet në kampin e Buchenwaldit (“Holokaust!”, - do bërtisnin menjëherë parlamentarët shqiptarë!) dhe lirohet në prillin e vitit 1945. Vjen në Francë së bashku me dy libra të shkruar: “Mbretnia tjetër” dhe “Les Jours de notre mort” (Ditët e vdekjes sonë) -1947. Falë sidomos librit të dytë, u zgjodh në parlamentin francez.
Në vitin 1949, ky njeri i respektuar nga e majta franceze për shkakun e dëshmive që kishte sjellë nga kampet e përqendrimeve naziste, befas boton një apel për njohjen e kampeve të tanishme të përqendrimeve në kampin komunist. Një akt i jashtëzakonshëm ndershmërie dhe guximi, për të cilin ai do vihej menjëherë nën sulme të egra dhe të dhunshme, sidomos prej shokëve të tij të dikurshëm. Miqtë e tij komunistë kthejnë kokën, kur kryqëzojnë rrugën me të, sikur të mos e pranojnë ekzistencën e tij. Miku i tij komunist, gjermani Emil K?nder, të cilit ia kishte kushtuar librin “Le Jours de notre mort” (kanë qenë bashkë në kampin e Buchenvaldit), boton një sulm kundër mikut të vet që guxon të flasë për kampet e përqendrimeve komuniste. Në vitin 1950, Sartre dhe Merleau-Ponty botojnë sulmin e tyre në “Les Temps Modernes”. “Edhe po qe se është e vërtetë ekzistenca e tmerreve të kampeve komuniste, politikisht ne nuk duhet ta pranojmë një gjë të tillë”, - shkruajnë ata, duke dhënë kësisoj një shembull tipik të mungesës së përgjegjshmërisë, për të cilën është aq e njohur inteligjenca franceze e kësaj periudhe.
Rousset nuk jepet. Ngul këmbë që t’i jepet e drejta të investigojë në Bashkimin Sovjetik, nëse ekzistojnë kampe përqendrimesh kundër kundërshtarëve komunistë. Natyrisht, kërkesa e tij hidhet poshtë. Atëherë interviston me mijëra azilantë të arratisur, të cilët kanë vuajtur nëpër kampet e tmerrshme komuniste, të cilat do bëhen të njohura botërisht nga botimet e Solzhenicinit dhe Sakarovit. Rousset është i pari ndër intelektualët perëndimorë që guxon të krahasojë krimet e nazizmit me krimet e komunizmit, ndonëse aso kohe në Bashkimin Sovjetik besohej të mos ekzistonin kampet e zhdukjes masive të njerëzve. Rousset i kushtoi njëzet vjet nga jeta e vet këtij krahasimi. Për Rousset, regjimi komunist është ku e ku më i rrezikshëm, më dëmsjellës dhe më çnjerëzor nga ai nazist. Dhe këtë e thotë jo një kolaboracionist (term ky kaq i pëlqyer nga komunistët e sotëm shqiptarë), por një ish-i burgosur i kampit famëkeq nazist të Buchenvaldit! Rousset është i vetëdijshëm për rrezikun e një pohimi të tillë, madje dhe për rrezikun e një krahasimi të tillë. Për të, të dy regjimet totalitare janë regjimet më çnjerëzore që ka njohur historia e njerëzimit. Por, ndërsa nazizmi zgjati gjashtë vjet, komunizmi u shtri në kohë dhe në hapësirë të paktën 30 herë më tepër se nazizmi. Nazizmi është një sistem krejtësisht i dënuar, komunizmi është një realitet i gjallë. Madje, rrëzimi zyrtar i komunizmit iu ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm komunistëve, të cilët e kanë kuptuar se si komunistë ata janë paradoksalisht më të pushtetshëm pa pushtetin komunist. Në një kohë kur krimet e nazizmit dënohen botërisht, krimet e komunizmit mbrohen nga militantët e dikurshëm, nga social-liberalët e sotëm dhe nga maskarada e ish-komunistëve të shtirur si antikomunistë. Në vendet perëndimore, ku dhe komunizmi kurrë nuk ka qenë në pushtet, nuk ka kuptim të flasësh për krimet e komunizmit, ngase në këto vende komunizmi nuk ka kryer asnjë krim. Krimet e nazizmit, Holokausti dhe viktimat e kampeve të përqendrimeve, janë bërë të njohura botërisht përmes gjyqeve, librave, filmave, dokumentarëve, muzeumeve dhe përkujtimeve në mbarë botën, pa përmendur se viktimizimi i hebrenjve është njëra ndër industritë më fitimprurëse, përmes kompensimeve me shuma marramendëse. Vitin e kaluar edhe hekurudhës shtetërore të Francës iu kërkua të paguante miliarda euro për të kompensuar “dëmin që iu ka shkaktuar hebrenjve, ngaqë transportimi i të burgosrve është bërë me trena francezë!” Ndërsa viktimat e komunizmit janë pjesa më e varfër e shoqërive postkomuniste, ata nuk kanë marrë madje as dhe apologjinë më elementare nga autorët e krimeve, po qe se dëmshpërblim nuk do quanim fyerjet dhe shpifjet e përbindshme që iu bëhen dhe pa llogaritur fitimet në formën e pushtetit politik dhe ekonomik që bëjnë komunistët, duke shfrytëzuar retorikën antikomuniste.
Një libër tjetër që i vjen në ndihmë krahasimit që pati kurajën të bënte Rousset mes nazizmit dhe komunizmit është ai me titull “E burgosur e Stalinit dhe e Hitlerit”, një tjetër paralele e jetuar e përvojës së sistemit komunist dhe atij nazist, një libër autobiografik i një gruaje të jashtëzakonshme, M.Buber-Neuman, që ka provuar burgjet dhe kampet e përqendrimeve naziste dhe komuniste. Nuk është rastësi që, kur u botua libri, gazeta komuniste “Le Lettres Françaises” e Louis Aragon zhvilloi një fushatë të karakterit vrasës kundër autores. Libri u botua i censuruar, sidomos pjesët që flisnin për krimet komuniste. Kapitulli për burgjet e Siberisë pa dritën e botimt në frëngjisht vetëm 40 vjet më vonë, pasi u botua libri. Sipas dëshmive të autores, komuniste fanatike në vitet e para dhe tepër e njohur në rrethet e tyre (i shoqi i saj për ca kohë ka qenë sekretar i Partisë Komuniste Gjermane), kryetari i Kominternit, Radek, iu jepte urdhra komunistëve gjermanë që të bashkëpunonin me nacionalsocialistët. E ashtuquajtura Nata e Thikave të Gjata (një larje hesapesh brenda Partisë Naziste) e frymëzoi Stalinin për ta përdorur vrasjen e Kirovit si pretekst të pastrimit në Partinë Komuniste dhe për të forcuar pozitat e tij si diktator. Në praktikë, të burgosurit politikë të dy regjimeve jetonin nën kontrollin brutal dhe të pamëshirshëm të kriminelëve ordinerë. Por, në krahasim me burgjet naziste, në burgjet komuniste nuk kishte armiq të regjimit (armiqtë e regjimit ekzekutoheshin përnjëherë). Një udhëheqës i lartë sovjetik si Mikoyani, madje dhe vetë Stalini, i kanë pohuar autores së librit se janë admirues të zjarrtë të Hitlerit. Për sa i përket policisë politike, sistemi nazist qëndronte të paktën një hap pas sistemit komunist: në Gjermani, terrori kontrollonte veç një pjesë të popullsisë (hebrenjtë dhe kundërshtarët aktive), ndërsa në vendet komuniste kontrollohej jeta e përditshme e gati e të gjithë popullatës. Thuhet se në vendet komuniste nuk ekzistonin kampet e shfarojes masive, ndonëse Solzhenicin mendonte ndryshe. Por ky fakt nuk i bën burgjet komuniste më fisnike dhe më të pranueshme. Burgjet komuniste ishin vendet që synonin degradimin njerëzor, madje degradimin sistematik dhe të ngadalshëm. “Është e vështirë të kuptosh se cila është më pak njerëzore - vdekja në pesë minuta nga gazi apo vdekja që zgjat gjashtë muaj agoni nga uria”, - pat deklaruar autorja, kur pat shkuar për t’i dalë zot Rousset në gjyqin, kur ai akuzohej për librin e vet. Ironikisht, komunistët, që besonin në teorinë e procesit shoqëror dhe historik, preferonin seleksionimin natyral në zhdukjen e të burgosurve: në dimrin e Siberisë jetonin më të fortët dhe vdisnin më të dobëtit. Në të kundërt, nazistët, të cilët mburreshin se besonin në doktrinën darviniane të mbijetesës së më të fortit, aplikonin seleksionimin artificial: zhdukjen me gaz. Komunistët i trajtonin të burgosurit si skllevër, ndërsa nazistët si nën-humanë. Komunistët kishin dy arsye për të mbajtur burgje dhe të burgosur: së pari, për të përhapur përmes tyre terror dhe frikë mbi pjesën tjetër të popullsisë; së dyti, për të krijuar forca të lira pune (p.sh., për minierat, a për tharjen e kënetave). Kampet gjermane të paktën synojnë zhdukjen fizike të kundërshtarëve të regjimit. Për Buber, komunizmi nuk ishte më i keq se nazizmi, por nuk qe dhe as më i mirë. Por dallimi është se njëri është shkatërruar plotësisht, tjetri veçse pretendon se nuk ekziston më.

3.

Informacioni është dhe armiku numër një i regjimeve totalitare. Kësisoj, është e kuptueshme përse shtetet totalitare i kushtojnë një rëndësi të jashtëzakonshme dezinformacionit. Në shtetin komunist shqiptar deri në vitin 1991 ka ekzistuar Drejtoria e Shpifjeve dhe e Thashethemeve si njëra ndër drejtoritë më të fuqishme të Ministrisë së Brendshme. Ka qenë një drejtori jashtëzakonisht e suksesshme, sepse në asnjë vend tjetër të botës shpifja dhe përbaltja nuk zënë vend aq shpejt dhe me aq rrënjë sa mes nesh, shqiptarëve. Shpifja dhe gënjeshtra besohen në atë shkallë sa dhe janë të interesuar njerëzit t’iu besojnë atyre. Shoqëria shqiptare, që ruan ende të paprekura dhe të paturbulluara strukturat administrative, psikike dhe shpirtërore të shoqërisë otomane, është e prirur t’i përjetojë emocionalisht gënjeshtrat, hpifjet dhe mitet e ditës. Kësisoj, mentaliteti dhe strukturat e djeshme gjallojnë në mënyrën më agresive për të krijuar amnezinë kombëtare, harresën e së djeshmes nën pretekstin e kujtesës së asaj që ka jetuar në kohnat hipotetike ilirike dhe para-ilirike. Krimet e djeshme të komunizmit po përmenden përherë e më pak, madje dhe kur përmenden, të japin përshtypjen se janë aq të largëta në kohë, sa duhet ndihma e ca arkeologëve tepër të talentuar për t’i zhvarrosur nga harrimi. Një pjesë e gazetave dhe e kanaleve televizive komandohen prapë nga ajo drejtoria famëkeqe që sapo e zumë në gojë. Njerëzit në shoqërinë shqiptare në jetën e tyre të përditshme janë më tepër të preokupuar për të siguruar o mbijetesën, o superjetesën, kështu që atyre nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të preferojnë harresën përpara kujtesës. Shtypi shqiptar është i mbushur me nostalgjitë e komunizmit, e vërteta e komunizmit shqiptar falsifikohet përditë, arkivat janë prapë të mbyllura dhe çdo ditë bëhen më të paarritshme. Derisa Historia e krimeve të Komunizmit shqiptar të jetë treguar e plotë, shoqëria shqiptare do të mbetet e ndjekur nga fantazmat e së shkuarës dhe, edhe më keq se kaq, nga ankthi i ringjalljes së saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora