Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Claudia Schiffer

| E shtune, 06.08.2005, 08:22 PM |


35-vjetori i supermodeles, një ikonë e sfilatave të modës

Klaudia Shifer, një barbi e pavdekshme

Claudia Schiffer
Nëse kukulla barbi do të ishte krijuar pas viteve ’90, të gjithë do të mendonin se ajo ishte një miniaturë e pavdekshme e Klaudia Shiferit. Por duke qenë se datat e daljes së tyre në treg janë shumë larg njëra-tjetrës nuk mbetet tjetër veçse ato të krahasohen me njëra-tjetrën për një bukuri që ka shastisur botën. Këmbët kilometrike, format perfekte të fytyrës dhe njëkohësisht të trupit e bënë Klaudia Shifer modelen më “hit” të viteve ‘90. Ajo ka 18 vjet para aparatit fotografik dhe pasarelave të modës. Por, në një ditë që mbush 35 vjeç ajo duket se i është kthyer jetës familjare dhe ngrohtësive vetëm të reklamimeve. Dje ajo mbushi 35 vjeç dhe imazhi i saj tashmë nuk përbën ndonjë lajm të jashtëzakonshëm qëkurse lidhjet dashurore kanë përfunduar dhe filmat nuk janë specialitet i saj.

Pamja e parë
Pasi kishte kaluar javë në Gjermani duke kërkuar për modele të reja, Michel Levaton, nga shtëpia e modës Metropolitan, më në fund e gjeti gjahun e tij në një pistë të një klubi nate në Dyseldorf. Ishte pikërisht Klaudia Shifer, e cila nuk i kishte mbushur ende të 17-at dhe ëndërronte të bëhej avokate. Dëshira e saj ndaloi këtu dhe gjithçka u harrua kur u shfaq për herë të parë para aparatit fotografik. Pas bisedimeve të tejzgjatura me agjentin Levaton, ajo u nis menjëherë për në Paris, ku bëri testin e parë si modele dhe natyrisht në këtë moment modës ju shtua një yll i ri. Pas një jave ajo u shfaq në kopertinën e revistës së famshme “Elle”. Fytyra e saj nisi të qarkullojë në mënyrë pothuajse të fiksuar nga një gazetë në tjetrën, nga një revistë bukurie në një revistë mode, një imazh që kopertinës i siguronte rritje te ndjeshme të shitjeve.

Në majën e një epoke
Fillimisht njerëzit mendonin se ajo dukej shumë fëminore, buçko, asnjë ngjashmëri me botën e modës. Një sfidë e dytë ishin edhe mësimet e saj të para për të ecur në një pasarelë mode, një dështim i vërtetë. Por Klaudia Shifer kishte goditur aq fort sa nuk kishte rëndësi edhe nëse ajo ecte thjeshtë dhe natyrshëm, sikurse ecte në rrugë. Por fama i vjen nga pas më 1989-ën, falë një fushate reklamuese pikante të linjës së pantallonave xhins “Guess”. Kjo, siç e kanë quajtur edhe vetë sipërmarrësit, ishte një lojë fati që u luajt me personin e duhur. Në këtë kohë të gjitha revistat botërore dhe pasarelat nga Milano në Paris e deri në Nju-Jork bënin gara se kush do të merrte një shfaqje apo foto ekskluzive të së madhes Klaudia Shifer. Modelja në majën e asaj epoke mitike të supermodeleve komandonte normën më të lartë të të gjithave. Ikona që nuk identifikohej më thjesht me modën. Sot mbetet një nga pesë modelet më të famshme që ka parë historia e pasarelave midis Sindi Krofort dhe Naomi Kambëll.

Pasaporta:

Emri: Klaudia Shifer
Datëlindja: 25 gusht 1970
Vendlindja: Dyseldorf, Gjermani
Kombësia: Gjermane
Ngjyra e syve: Bojëqielli
Ngjyra e flokëve: Bionde
Gjatësia: 1.80 m
Përmasat: 90-61-88
Numri i këmbës: 41
Agjencitë e modës: “United Talent” (Los Anxheles), “Elite” (Paris) dhe “ICM models” (Londër)
Kontrata aktuale: “L’Oreal” dhe “Citroen”
Stilistë: Versaçe, Valentino, Chanel, Dolce&Gabanna etj.
Fitimi: 50 milionë dollarë

Filma
“Life without Dick”, 2001
“In pursuit”, 2000
“Black and white”, 2000
“Friend and lovers”, 1999
“The blackout”, 1998

Mes filmit dhe modës
Ajo nuk është kufizuar në pozimin para aparatit fotografik, ashtu edhe sa i përket sfilatave për stilistë të mëdhenj si Valentino, Chanel dhe Versaçe. Mungonte vetëm kinemaja. Dhe pikërisht në një kohë mjaft të përshtatshme ofertat dhe propozimet kinematografike morën të njëjtin vrull, ashtu sikurse dhe në pasarelë. Përpjekja ishte hedhja në treg në rolin e një Brixhit Bardot të re. Por megjithëse nuk arriti të kishte të njëjtin bum, imazhi i saj shfaqet në 12 filma, duke filluar me “Richie Rich” e duke përfunduar te “Jeta pa Dikun”. Nga viti 1990, modelja ka publikuar kalendarin e saj të përvitshëm, si dhe dy libra. Aktualisht Shifer jeton mes Monakos dhe Nju-Jorkut.

Revista
Ajo është shfaqur në 500 kopertina revistash dhe kalendari i përvitshëm është ndër artikujt më të shitur. Përveç kësaj, ajo u bë supermodelja e parë që u shfaq në faqet e para të “Rolling Stone” dhe gazetës “New York Times”.

“Playboy”
Ajo zbukuroi për herë të parë kopertinën e revistës franceze “Elle” dhe më pas në të gjitha revistat botërore. Ajo refuzoi të pozonte për revistën “Playboy”, duke thënë se nuk është se ishte kundër nuditetit, por ishte thjesht çështje parimesh.

Supermodele
Sot ajo mbetet në pesëshen e super modeleve në industrinë e sotshme të modës së bashku me Sindi Kroford dhe Naomi Kambëll. Së fundmi Shifer ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare që vlen 6 milionë dollarë me firmën e kozmetikës “Revlon”.

Lidhjet
Pasi qëndroi e lidhur me Devid Koperfild për gjashtë vjet, Shifer pohoi se marrëdhënia me meshkujt ishte e vështirë, pasi, sipas saj, ato i afroheshin me shumë vështirësi dhe e shihnin si të ishte nga një planet tjetër.

Në familje
Periudha më e zhurmshme e jetës së saj ishte gjatë kohës kur Klaudia Shifer ishte e lidhur me iluzionistin Devid Koperfild. Një lidhje që shoqërohej me skupe të vazhdueshme. Por jeta e saj duket se ka rënë në qetësi pas kësaj lidhjeje që përfundoi pas gjashtë vjetësh. Më 25 maj të vitit 2002 ajo u martua me producentin Matthew Vaughn, me të cilin ka dy fëmijë.

Përgatiti: Yllka Parllaku