E enjte, 25.04.2024, 06:24 PM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Në nderim të Bajronistëve pararendës

E hene, 11.02.2008, 10:54 PM


Në nderim të Bajronistëve pararendës*


Lord Byron me kostum shqiptar
Fundi i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor,për afrimet midis Perendimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit,e ndërmarrë nga gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe kulturat e saj. Në të njëjtën kohë në Evropë si rezultat i ndikimit të shkëlqyer të Rilindjes dhe Iluminizmit u shtua interesi për trashëgiminë greko-romake, dhe influencat e saj në kulturën evropiane. Këta dy faktorë do të kontribonin në lindjen e Filohelenizmit dhe Orientalizmit dy rrymave të fuqishme në mendimin evropian të shekujve në vazhdim.
  Një mori udhëtarësh dhe studiusish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si exploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkuanin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur.Të shumtë do të ishin ata që do të zhgënjeheshin nga realiteti që do të gjenin në Greqi, përsa i përket aspiratave të tyrë të botës antike, por të shumtë do të ishin dhe ata që do të magjepseshin nga mikpritja, natyra dhe diversiteti kulturor që do të hasnin në vendin tjetër të quajtur Shqipëri. Një nga këta udhëtarë do të ishte dhe Lord Byron-i, që duke u gjendur në Maltë do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik.
   Emocionet, mbresat dhe përshtypjet e kësaj vizite, tashmë janë të njohura botërisht nëpërmjet poemës “Child Harold”-një nga kryeveprat e letërsisë angleze. Kënga e dytë e kësaj poeme është një himn, për miqësinë, trimërinë dhe mikpritjen e një populli të kredhur në harresën e historisë por që ashtu si statujat e antikitetit po fillonte të zbulohej. Nuk mund ta teprojmë po të themi se Bajroni e nisi udhëtimin e vet në Lindjen e Afërme si Filo-Helen dhe do ta përfundonte si Filo-Shqiptar. Gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër Bajroni, do të fliste me simpati për shqiptarët, portretin i tij më i preferuar do të ishte ai me kostum shqiptar dhe vepra që e bëri “të famshëm brenda një dite” siç do të shprehej vetë poeti, ishte “Child Harold”-i me sfond shqiptar. Udhëtimi i Bajronit do të motivonte dhe shumë të rinj të tjerë anglezë që në harkun e viteve 20-40 të shekullit të XIX do të ecnin në gjurmët e tij, duke përshkuar krahina të tëra në Shqipërine e Jugut dhe duke na lënë vepra udhëtimi të pasura me të dhëna antropologjike, kulturore dhe historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
   Por nuk do të ishin vetëm personalitetet angleze të magjepsur nga Bajroni. Një ndikim të madh do të kishte vepra e tij dhe në edukimin e disa brezave me radhë të shqiptarëve se virtutet dhe cilësitë e tyre , ishin nderuar dhe përjetsuar në një monument letrar si ishte vepra e poetit të madh. Meritë të veçantë për këtë afrim dhe rikthim të Bajronit në Shqipëri kanë pasur “bajronistët e parë shqiptarë”,të cilët me dashuri dhe përkushtim e risollën poetin në vendin ku muza e tij gjeti frymëzim.

  Kështu dihet tashmë afiniteti i De Radës, për veprën e Bajronit si dhe poetëve të tjerë të Romantizmit arberesh.Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente  Këngen e parë të poemës “Child Harold” në 1843.
  Në vitet e mëpasëshme do të ishte eruditi Faik Konica, i cili do të botonte një shkrim në frëngjisht  “Le voyage de Lord Byron en Albanie”  në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897. Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë. Si shikohet, Konica i është rikthyer shumë herë figurës së Bajronit në një hark kohor për më tepër se 30 vjet.
   Një figurë tjetër e rëndësishme e viteve 20’ ka qenë shkrimtari, publicisti dhe dramaturgu Zef Harapi, i cili përmes një serish artikujsh në të përkohshmen “Agimi” më 1919, jep një panoramë të plotë të veprës dhe udhëtimeve të poetit të madh. Kështu ai mund të konsiderohet bajronisti i pare i mirëfilltë shqiptar.
  Poeti i njohur i Rilindjes dhe i Pavarësisë Asdreni, i kushton poezinë e parë në shqip Lord Byron-it, të botuar në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Poezia evidenton Bajronin si “kampion të lirisë” nje imazh i kudo gjendur jo vetëm në Ballkan por dhe në Evropë dhe më gjerë.
  Konferenca e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiusi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar Stavro Skëndi, mund të konsiderohet si “bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”. Në vitet në vazhdim figurës së Bajronit do i referoheshin figura të rëndësishme të elitës shqiptare si Fan Noli, Eqerem Çabej e Arshi Pipa.
   Në vitet e pas luftës së dytë botërore do të jetë Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “Child Haroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim. Përkthimi mjeshtëror i Profesor Luarasit mund të themi se hapi një  kapitull të ri për adhuruesit e Bajronit, të cilët tashmë mund ta shijonin muzën e poetit të madh në gjuhën e mëmës. Përkthimi ishte dhe një sprovë e vështirë për gjuhën shqipe, për të arritur dhe dhënë të plotë muzikalitetin dhe e origjinalit, provë e cila falë përkushtimit dhe talentit të profesor Luarasit kaloi me sukses.
  Impakti dhe influenca e Bajronit nuk do të kushtëzohej vetëm brenda kufinjve shtetërorë por do të ishte i madh dhe në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e Dr Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në hapësirat shqiptare.

 Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe Shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së  Prishtinës.
  Duke mbyllur këtë rrugëtim të veçantë të Bajronit në Shqipëri përmes evidentimit të emrave të bajronistëve shqiptarë, mund të themi se rikthimi i Bajronit ka qenë një rikthim dinjitoz falë përkushtimit të tyre profesional dhe dashurisë së madhe ndaj poetit të madh. Ata kanë mundur të krijojnë një  “frymë të vertetë studimore “, e cila e ka bërë të njohur Bajronin për të gjitha grupmoshat jo vetëm si një poet të madh të Romantizmit Anglez, por mbi të gjitha si një mik të vërtetë të shqiptarve. Merita e veçantë e këtyre parendësve  bajronistë shqiptarë është se përmes një harku kohor rreth njëqind vjetësh rikthyen Bajronin, në tokën ku muza e tij  gjeti frymëzim dhe duke bërë të mundur që çdo rikthim, ti ngjajë shtegtimit të parë të poetit në vise tona, romantik, të  bukur dhe të vrullshëm.
                                                                           
Dorian Koçi
Pedagog i gjuhës angleze
U.F.O University

*Kumtesë e mbajtur në Konferencën “ Nderime bajronistëve pararendës” organizuar nga shoqata e bajronistëve shqiptarë dhe U.F.O University me rastin e 220 vjetorit të lindjes së poetit. Pjesa më e madhe e kumtesës është mbështetur në librin “Miti shqiptar i Bajronit” të Prof.Dr. Afrim Karagjozit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora