Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prishtina e vendosur rreth veriut

| E hene, 01.08.2011, 07:57 PM |


Nga Edona Peci

Autoritetet kosovare ritheksuan vendosmërinë për rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa shprehën përkushtimin e tyre për dënimin e atyre që shkaktuan vdekjen e një polici dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë aksionit policor të 25 korrikut në veri.

Ata thanë se aksioni në fjalë do të pasojë me veprime të tjera në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kontrolli i kufijve është e drejtë sovrane e Republikës së Kosovës, dhe kjo e drejtë do të zbatohet vendosmërisht në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in.

“Republika e Kosovës është më e vendosur se kurrë dhe në këtë e ka edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, që në të gjithë territorin e saj ta zbatojë rendin dhe ligjin dhe që njëherë e përgjithmonë të luftojë krimin e organizuar dhe të ndalë kontrabandën”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Kryeministri Thaçi i quajti legjitime veprimet e Qeverisë së Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, dhe marrja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai tha se që nga 25 korriku Kosova ka hapur një kapitull të ri, që siç tha ai, bazohet në respektimin e ligjit dhe të sovranitetit të plotë shtetëror në të gjithë territorin e vendit.

“Kthim prapa nuk do të ketë; nuk do të zmbrapsemi. As de jure e as de fakto nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Për sigurinë e vendit tonë nuk do të bëjmë kompromis me askënd. Do të kemi ballafaqime të tjera me kontrabandistë të tjerë, me struktura paramilitare, me struktura paralele dhe njerëz që shkaktuan dhunën”, u shpreh ai.

Këto komente udhëheqësit e Kosovës i bënë gjatë një vizite bërë kampit të Njësisë Speciale të Policisë Kosovës, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Jahjaga dhe Thaçi e cilësuan të rëndësishëm rolin e policisë në mbikëqyrjen e kufirit dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Pas incidenteve të javës së kaluar në kufi me shtetin serb, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ishin kryesisht përgjegjës për menaxhimin e situatës atje.

Përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë, bënë të ditur se në orët e hershme të mëngjesit të së hënës njësitet e KFOR-it kanë larguar tri bllokada rruge në rrugën kryesore në mes të Mitrovicës dhe Zubin Potokut- në rajonin e Zupçit.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Uiqter, tha se kanë mbetur edhe disa bllokada të tjera në këtë rrugë, por se ato nuk pengojnë veprimet e KFOR-it.

“Sa u përket atyre bllokadave të tjera të rrugëve ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit apo Leposaviqit, ato ende ekzistojnë me elemente radikale me kërkesa që duhet t’i marrim parasysh, por kjo nuk i pengon njësitet e KFOR-it ta kryejnë detyrën e tyre”, tha ai.

Kohëzgjatja e ekzistimit të këtyre bllokadave, sipas përfaqësuesve të serbëve të veriut, varet nga ecuria e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Një nga udhëheqësit e serbëve në veri, Radenko Nedeljkoviq, tha se bllokada e rrugës vlen vetëm për automjetet e KFOR-it, dhe se ajo mund të largohet varësisht rezultateve të takimit të së hënës ndërmjet shefit të delegacionit serb në bisedime, Borko Stefanoviq, dhe ndërmjetësuesit evropian, Robert Kuper.

“Qëndrimi ynë është i qartë: ne kërkojmë që delegacioni ynë në bisedime të përfaqësojë kërkesat tona-pra, që situata të kthehet në gjendjen e mëparshme”, u shpreh Nedelkoviq.

Situata aktuale në veri të Mitrovicës ishte temë qendrore e një takimi urgjent të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Këshilli, ndër të tjera, u kërkoi agjencive shtetërore të sigurisë së vendit “që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës”.

__________

S'pajtohen me barrikadim

Veprimet e Qeverisë së Kosovës, javën që shkoi, në veriun e vendit, nuk kanë qenë të qëlluara, ndonëse shkaku ka ekzistuar dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shfrytëzuar këtë shkas, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës qendrore.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ka qenë gabim i kryeministrit Thaçi, që ka dërguar në veri të vendit, njësinë speciale të Policisë së Kosovës “ROSU”, e cila sipas saj, është një nacionale dhe e përbërë vetëm nga pjesëtarë me përkatësi shqiptare.

Por, sipas saj edhe veprimet e serbëve lokalë janë krejtësisht të gabuara dhe barrikadimi i rrugëve nuk është zgjidhje për problemin.

“Unë mendoj se barrikadat qoftë mentale qoftë fizike duhet hequr. Ky është parakusht për çdo normalizim. Në fakt, e gjithë kjo më rikujton kohën kur ka qenë Millosheviqi. Në veri kemi konservimin mental të ideologjisë së Millosheviqit, e cila nënkupton kundërshtitë dhe në anën tjetër mospranimin e politikanëve të përparuar, të cilët do të mendonin në mënyrë tjetër. Mua më duket sikur se jemi ngrirë në vitin 1999”, tha Trajkoviq.

Edhe politikani tjetër serb nga Kosova qendrore, Rangjel Nojkiq, thotë se aksioni i policisë së Kosovës në veri të vendit, i urdhëruar nga Qeveria e Kosovës, ka qenë veprim i njëanshëm, me të cilin nuk pajtohet.

Por, sipas tij, Qeverisë së Kosovës i është dhënë shkaku që të veprojë, ndërkaq, djegia e vendkalimit kufitar në Jarinjë nga serbët, sipas tij, ka qenë vepër e njerëzve që ju konvenon ilegaliteti.

“Përshtypja ime e thellë është se djegien e kanë shkaktuar ata që më së shumti janë të goditur nga vendosja eventuale e rendit apo vendosja e doganave. Këta njerëz janë ata të cilët në mënyrë ilegale e kanë shpërndarë mallin i cili ka ardhur nga Serbia qendrore, përmes pjesës veriore të Kosovës dhe ka përfunduar në anën jugore".

"Ndoshta, vetëm letrat kanë hyrë në Kosovë, ndërkaq malli ka përfunduar pa tatim mbi vlerën e shtuar në Serbinë qendrore. Dëmet nga një mënyrë e tillë e të punuarit, me siguri se e ka pasur edhe Prishtina e edhe Beogradi. Ka qenë momenti i fundit që kësaj dukuri t’i dilet përballë”, theksoi Nojkiq.

Ai fajësoi edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila sipas tij, ka qenë e vetëdijshme për këto veprime ilegale dhe këtë çështje nuk e ka shtruar për tu biseduar me Prishtinën dhe Beogradin dhe të ndërpritet kjo dukuri me burgosjen e atyre që e kanë shfrytëzuar këtë situatë.

Ai thekson se sikur Beogradi të kishte marrë masa, ngjarjet e fundit nuk do të kishin ndodhur fare, sepse Prishtinës nuk do t’i ishte dhënë shkas për veprim.

Nojkiq, thekson se tash është e nevojshme të gjendet një zgjidhje në tavolinë, përmes bisedimeve dhe se barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, duhet hequr.

“Mendoj se barrikadat nuk janë çelësi i zgjidhjes dhe mendoj se ato pjesërisht janë hequr, me vetë faktin që vendkalimet kufitare tashmë janë hapur pjesërisht, për kalimin e njerëzve dhe automjeteve. Mendoj se me barrikada nuk do të zgjidhet problemi, por në tavolinën e gjelbër”, tha Nojkiq.

Edhe Trajkoviq vlerëson se problemet duhet zgjedhur përmes bisedimeve, por sipas saj, duhet gjetur një zgjidhje që përfshin serbët në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm për serbët në veri të vendit.

“Një popull dhe dy zgjidhje apo dy principe të zgjidhjes së çështjes së serbëve në Kosovë, do të sjellë çintegrime të reja dhe përplasje ndërmjet serbëve. Duke pasur këtë parasysh, unë mendoj se një zgjidhje unike për çështjen e serbëve është diçka më se e nevojshme. Këtë zgjidhje unike unë e shoh në mënyrën që të mbështetet plani i Ahtisarit, me pak ndryshime të vogla në veri të Kosovës”, tha Trajkoviq.

Ndryshe, të dy këta politikanë serbë kanë shprehur keqardhjen për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili ishte goditur me armë zjarri nga persona të panjohur në veri të Kosovës më 26 korrik, gjatë aksionit të policisë speciale në këtë pjesë të vendit.

___________

Kosova si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

Nga Omer Karabeg

Analistët në Serbi theksojnë se pa normalizimin e raporteve me Kosovën, Beogradi nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian. Në emisionin e Radios Evropa e Lirë, “Ura”, ata thonë se sapo është hequr pengesa kryesore e Serbisë- bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës- Kosova është shndërruar në prioritet. Analistët serbë, thonë se situata e krijuar në veri, vetëm sa forcon bindjen, se rruga e Serbisë kah BE-ja kalon nëpër Kosovë.

Analistët serbë tërheqin vërejtjen se Serbia do ta ketë të vështirë hyrjen në Bashkimin Evropian, pa zgjidhur problemet që ka me Kosovën.

Njohësit e proceseve integruese në Serbi, thonë se sikur për çdo shtet, edhe për Serbinë, Bashkimi Evropian ka kërkuar zgjidhjen e problemeve hap pas hapi.

Sipas Aleksandra Joksimoviqit nga Forumi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, sapo u mbyll çështja me Tribunalin e Hagës, pas arrestimit të Goran Haxhiqit, Kosova u shndërrua në prioritet.

“Bashkimi Evropian deri më tash ka treguar mjaft mirëkuptim me qeverinë serbe kur është fjala për Kosovën. Beogradi është dashur të dijë se ekziston një kufi i durimit dhe nuk do të duhej që këtë durim ta vinte në sprovë. Mënyra se si reagon Brukseli kur kalohet ky kufi është parë me propozim-rezolutën e Serbisë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës”.

“Bashkimi Evropian pati reaguar shumë ashpër dhe Beogradi u detyrua të tërhiqej. Beogradi duhet të llogarisë se nëse kjo ndodh, nëse ky kufi kalohet, njohja e Kosovës, do të jetë kusht për hyrjen në BE”, thotë Aleksandra Joksimoviq.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, Predrag Simiq, vëren se rrjedha e ngjarjeve pas arrestimit të Haxhiqit, ka shkuar në atë drejtim, që Kosova të trajtohet me prioritet.

“Çështja e Kosovës shumë shpejt dhe në ditën e njëjtë kur është dorëzuar Haxhiqi është shndërruar në prioritet. Ka ardhur lajmi se dialogu është shtyrë për shtator, pastaj Prishtina ka vendosur embargon ndaj mallit të Serbisë, dhe kishim ditët kritike në veri me aksionin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, djegien e objekteve dhe krejt kjo mori përmasa dramatike”, thotë Simiq, duke paralajmëruar për mundësi të incidenteve tjera.

“Frikësohem se në fillim të vjeshtës, kur të fillojë fushata zgjedhore, do të ketë incidente të reja, që janë mjete shumë të përshtatshme për të bërë presion mbi Beogradin në drejtimin në të cilat autoritetet në Kosovë do të dëshironin”, thotë Simiq.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike nën ndërmjetësimin e BE-së në muajin mars.

Por, ato u ndërprenë në këtë muaj. Prishtina akuzoi Beogradin se u tërhoq nga marrëveshja për vulat doganore.

Pak ditë pas kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim për të zbatuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke ndaluar hyrjen e mallit serb, ashtu siç kishte bërë Beogradi me malllin kosovar që nga 2008-ta.

Aleksandra Joksimoviq mendon se Beogradi nuk është i gatshëm të arrijë me të vërtetë marrëveshje me Prishtinën.

“Në bisedimet aktuale, pozicioni i Beogradit është më i dobët. Para se gjithash për shkak se autoritetet qeveritare duan dialogun, vetëm që të marrin statusin e kandidatit, e pa këtë status, partitë në pushtet vështirë se do të fitojnë zgjedhjet”, thotë Joksimoviq.

Ajo thotë se një gabim tjetër i Beogradit është se kërkesën e Brukselit për arritjen e rezultateve në dialog, e merr si rritje të presionit duke dalë pastaj me deklaratat për ndarjen e Kosovës dhe se Serbia duhet të jetë e gatshme për skenarë të ndryshëm, si ai i zëvendëskryeministrit Daçiq.

Por, ideja e ndarjes së Kosovës, sipas Simiqit, është parë se nuk ka mbështetje në qendrat vendimmarrëse.

“Loja me ndarjen e Kosoës dhe lobimi i diplomacisë sonë në Uashginton për këtë opsion janë treguar të pasukseshme. Është treguar se këtë nuk e mbështet as Brukseli, as Uashingtoni. Që të dy palët kërkojnë zgjidhje përmes bisedimeve”, tha Simiq.

Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë rritur në javën e kaluar, pas dërgimit të njësive speciale të policisë së Kosovës për të futur nën kontroll pikat kufitare në veri.

Aksioni kishte për qëllim zbatimin në tërësi të masave të reciprocitetit.

Por, ai u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët pasi dogjën pikën kufitare në Jarinë, ka disa ditë që mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë ka këto pika doganore.

Në aksion u vra dhe një polic shqiptar, ndërsa autoritetet thanë se ai u qëllua nga serbët e armatosur.(a.i.)

Radio Evropa e Lirë