Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lulzim Logu: Harbimi i syrit!

| E diele, 31.07.2011, 07:58 PM |


HARBIMI I SYRIT!

-     Persiatje rreth librit: “ Lyhnid” të Milianov Kallupit –

 

  vend të hyrjes:

E kam njohur vite më parë, krejt rastësisht, ka qënë vertet emocion kontakti I parë me poetin e njohur, librat e të cilit I kisha lexuar, qëkur student koleksionoja me pasion poetët e mi  të zemrës, ndër të cilët, padyshim ishte edhe ai.

Për një qasje të thellë të ndjenjës në vargje, ajo në fakt shpërthente si shpend I malit, por edhe si shpend I sipërfaqes së ujrave , ashtu befasisht dhe në mënyrë dinjitoze, siç veç shpendët e malit dhe të ujrave të kthjellta dinë…

Për një trajtim delikat të natyrës, ajo në fakt përshkruhet dhe gjykohet nga ai me dhembshuri dhe mall të pashoq, siç punon qelqin një piktor akuarelist…

Për një raport të paparë që ai ndërton mes ndjenjës, natyrës dhe njerëzve në gjithë librat  dhe marëdhënjet përtej tyre, si  në jug dhe veri, si brenda dhe jashtë vendit tij…

Për vëndin që I dha hajkut dhe tankas ndër shqiptarë, për miqtë dhe fansat, për të dashuruarit përjetësisht pas kësaj lloj poezie, shumë prej të cilëve thjesht I quajnë japoneze, duke mos e ditur ndoshta një lidhje të padukshme të tyre me vargjet treshe të folkut shqiptar, prej nga rrjedhin edhe vargje te pavdekshme, kryehajku shqiptare:

  … Fort’ po shndrit

E pak po nxen

Ai diell…

Për numrin e madh të veprave që hedh çdo vit ndër lexues, plot 24 të tillë janë bërë tashmë, duke sfiduar shumçka në emër të shpirtit të tij poetik, I cili kurrësesi nuk mund të heshtë, të flejë prajshëm, të pushojë dikur, siç mund të bëjë rëndom dikush tjetër…

 

Lyhnid, liqeni si sy!

 

Me titullin:” Lyhnid” vjen libri I rradhës I Milianov Kallupit, ku shpaloset qartë moto poetike e autorit:

 Ky liqen është syri

Ku shoh veten në pasqyrë

Dhe them:’’ sa I thellë qenkam!”…

Liqeni, simbolikisht është hapësira ideale poetike, frymë dhe dritë, heshtje dhe shpresë, dallgë dhe përplasje, por edhe shtëpia e fundit dikur:

… Buzë gjolit, nën flatër qielli

Varri im.

Ndërkohë që për mjellmat e liqenit, zogjtë e paqes dhe të shpresës mendon ndryshe”

Aq të bardha, aq të hajthme

Mjellmat e Drilonit

Mos ua degjofsha këngën e fundit…

Ai hesht pranë liqenit, degjon lirën e tij, komunikon me sytë e tij blu, trishtohet në klithmën e rosave të egra, flë në shtatin prej vale, lahet me shkumën si vello bardhoshe, ëndrrat e natës ja trazon llapashitja e valeve, sheh drenushat si I fallen përëndisë së ujit, ndjek hënën e cila peshkon në ujra peshqit që s’flenë, humbet pas fluturimit të nositit që I lë në duar pupëlarta…

Eshtë një botë komplekse, një jetë poetike që I ka të gjitha brenda vargut, lexuesi fillon të njehsohet me poetin, të jetojë lumturinë dhe brengën e tij, fluturon bashkë me të në hapësirat e pamata të pejsazhit natyror dhe atij shpirtëror të shkrirë në një.

Si mundet vallë, permes trevargëshit të përcillet tek lexuesi, vala zulmëmadhe dhe heshtja e perkryer e hënës, pagjumësia perfekte e peshqve dhe etja e pafund e zogjve mbi valë, brenga e shpirtit dhe shpresa që valëvitet si velë e hapur në anijen fantazmagorike te poetit të hajkut?!...

Figurat ndjekin si fluturza të mrekullueshme ndjenjën e poetit në çdo varg, spikatin si xixëllonja lozonjare në çdo hajku, duke e përkëdhelur dhe latuar vargun deri në formën që lexuesi e kap dhe e ndjen si një tablo e natyrës, si një thënie që në moment e ka kerkuar dhe e ka gjetur, si një perfundim që e ka paramenduar gjatë dialogut me ditën dhe çastin e vet jetësor.

Pikërisht ketu qëndron forca dhe pasha e vargut, terheqja e pandalshme për ti shkuar gjer në fund librit dhe pezmatimi që sa shpejt mbaron leximi I tij…Por mund ti rikthehesh, ashtu si çdo ditë banori I liqenit, pushuesi I brigjeve të tij, udhëtari I rastësishëm u rikthehet pamjeve të agut në pritje të diellit që do të lindë apo të hënës që varet si telajo e adhurueshme pas majeve…

Liqeni frymohet, barazohet me një qenje sa normale dhe të çmendur në tekat e veta, me të mund të biesh në dashuri dhe të urresh, ta joshësh dh eta puthësh, të trishtohesh dhe idhnohesh, të qash në ikje dh eta ndjesh sesi vdes edhe një pikël uji…

Kallupi, kësisoj personifikohet në hartën e qiellit mbi liqen, zgalemin e tij e ka në damarë, retë e sterrta I japin formë zëmërimit të tij, rrahjet e zemrës së tij kanë ritmin e valëve që turren brigjeve të tij:

S’shqitem dot duke e parë

Befas liqeni

Mu bë sy I madh…

 

Ndjesia e udhëtimit poetik!

Nga brerorja e shenjtit Tomorr, te pulëbardhat e Ulqinit, tek harbimi I kuajve, tek pëllumbat e stambollit, nga flatrat e shiut, te trillet e hënës, permes peshpërimës së erës dhe krizantemave , në tulipanin e artë dhe agsholin e ngrohtë e deri në koralet shumëngjurshme…

Ky njeri udhëton papushim, një marshim poetik deri në marrje fryme, duke I treguar lexuesit të vet stacione të njohur dhe të panjohur, ku padyshim duhet kaluar, ende pa na kallur lodhja dhe pamundësia, akoma pa kaluar gjerat në statusin e kujtimit, pa zbardhur dita kur më s’do të mund të kaplojmë endrrat tona të venitura…

Ndjesia e udhëtimit poetik, e shkrirë bashkë me udhëtimin shpirtëror të lexuesit I japin formën modern, joshjen e siguruar dhe vëmëndjen deri në qelizën e vargut, poezisë së Milianov Kallupit, këtij krijuesi sa të vjetër dhe po aq të ri njëhkohësisht, sa plak I mençur dhe gaztor, po aq të ri marrëmendës I cili di ti marrë shumçka jetës!

Duke lexuar “ Lyhnid ‘’ të ngjan se gjendesh në një galeri arti që e ke ëndërruar një jetë dhe kur ndodhesh brenda saj, nuk di nga t’ja nisesh, mrekullohesh dhe hutohesh, ndjehesh krenar dhe I ndrojtur, gjen jetën tended he të tjerëve në eksponate, ngatërrohesh nëpër pavione dhe humb kuptimin e kohës, ja ke hyrë një labirinti që sat ë josh, aq edhe të frikëson, bën të dalë, por edhe dëshiron të mbetesh aty…

Humanizmi, himni I shpresës dhe I mirësisë, gjetjet perfekte dhe percjellja e guximshme poetike, vargu I ngjeshur përplot ndjenjë dhe figuracioni befasues, janë ngjyrat që I japin pamjen kaleidoskopike këtij libri të Milianov Kallupit.

“ Lyhnid” është një traktat poetik dhe njerëzor me vlera të gjithanshme, të cilat veç sa e përforcojnë Kallupin në majën e fronit poetiktë hajkut shqiptar, por edhe ballkanik e më tej!

… Kam frikë

Të shoh veten

Te pasqyra e ujit!

Kështu shprehet diku poeti, ndërsa unë kam frikë të rreshtoj më tej figurat e koleksionuara poetike, gjetjet origjinale, ta këndoj nën zë tingullin magjepsës të hajkuve, befas të shndrruara në valë liqeni…

Më godet me grushte mollësh, gishtërinj të hollë kallamash,kollitet liqeni I qullur,terbim ujerash si demat,varkë e tejme si zemër, flokët e mi prej shelgu,e terbimshme vetmia,të fshehura në mitren e stuhisë, rropulli gjethesh, moli I syrit, temjanis sherebeli…

S’mund të vazhdoj më tutje, do të shkonte mjaft I gjatë medaljoni I figurave kallupiane, po ja lë lexuesit të vazhdojë të plotësojë mozaikun. Dhe po e mbyll persiatjen time me dy trevargësha, të cilët flasin më mire për këtë poet të nderuar, I cili gjithmonë na fal kënaqësi poetike dhe na kendell me botën e tij figurative:

… bëhem I tejdukshëm si ajri

Blu si liqeni

Valet më luten të mos iki!

Unë sot I lutem lexuesit ti kuptojnë valet e liqenit, në lutjen e tyre fisnike!

 

Lulzim Logu

Korrik, 2011

lulzimlogu@yahoo.com