E enjte, 25.04.2024, 05:10 PM (GMT+1)

Mendime

Sabri Godo: Erdhi ora e Kosovës

E shtune, 09.02.2008, 09:34 PM


Erdhi ora e Kosovës     

Nga Sabri Godo    

Dy herë radhazi Evropa e shtyu vendosjen e statusit të Kosovës për efekt të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi. Tani edhe kjo pengesë u hoq. Tani të gjithë janë të gatshëm të pranojnë shpalljen e pavarësisë. Në të vërtetë, jo të gjithë. Edhe Tadiçi i moderuar, në respektim të Kushtetutës dhe vendimeve të Parlamentit serb, është i detyruar formalisht të mos e njohë shkëputjen e Kosovës. Rumania dhe Qipro gjithashtu janë deklaruar kundër. Por Washingtoni dhe Brukseli janë të vendosur të shkojnë përpara. Asgjë nuk e pengon Parlamentin e Kosovës të shpallë pavarësinë të dielën që vjen. Ngrihen tri pyetje mbi zhvillimet e mundshme një ditë pas shpalljes së pavarësisë: E para, çfarë shtrëngime mund të marrë Beogradi ndaj Kosovës; e dyta, cilat do jenë reagimet e serbëve në Kosovë, veçanërisht atyre të Mitrovicës; e treta, si do të lëvizë më tej Rusia. Padyshim Washingtoni dhe Brukseli i kanë llogaritur këto zhvillime të mundshme. Por është me shumë rëndësi që vetë shqiptarët të jenë të përgatitur mirë për t'u bërë ballë situatave reale të imagjinueshme. Le të shqyrtojmë veças secilin prej zhvillimeve të pritshme.

Lidhur me bllokimin e Kosovës nga Serbia, flitet së pari për mbylljen e tregtisë dhe ndërprerjen e ujit e të energjisë elektrike. Vitin e kaluar Kosova importoi nga Serbia artikuj ushqimorë, lëndë ndërtimi për 190 milionë euro, baras me 16 për qind të importit total. Këto Kosova mund t'i blejë fare mirë nga vendet fqinje. Importi i energjisë elektrike nga Serbia dhe nëpërmjet Serbisë është 30 milionë euro. Drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, që e zotëron më së miri punën e vet, thotë se një bllokim i energjisë nga Serbia do të shkaktonte reagimin e vendeve të rajonit dhe të UCTE-së, Qendrës Rregullatore në Zvicër. Gjithsesi, ky bllokim veç do të shtonte në një orë më tepër mungesën e energjisë në Kosovë. Sa për ujin, bëhet fjalë për burimin në Gazivoda, në veri të Kosovës, që është në kontrollin e UNMIK-ut, jashtë mundësive të Serbisë për bllokim. Nëse Serbia mbyll kufirin dhe për lëvizjen e njerëzve, kosovarët gjithnjë kanë pëlqyer rrugë të tjera për të shkuar aty ku duan të shkojnë. Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi i kanë të hapura tej e ndanë rrugët për kosovarët.

Kërcënimet e Beogradit në rrafshin ekonomik nuk përbëjnë ndonjë problem dhe janë të vështira për t'u realizuar, se do të binin në radhë të parë mbi vetë serbët e Kosovës. Shqetësimet reale shkojnë në një drejtim tjetër.
Flitet prej kohësh se me shpalljen e pavarësisë, radikalistët mund të realizojnë tërheqje masive të serbëve nga Kosova, për t'u dhënë shkak bandave etnike që të shkaktojnë turbullira. Vështirë se serbët e Kosovës do t'i nënshtrohen në masë një loje të tillë.

Ngërçi i vërtetë është Mitrovica, që ka mbetur prej fillimit të konfliktit si zonë serbe, në kundërshtim me rezolutën 1224. Ka të ngjarë që Beogradi të shpallë aty një "Serbecka Republika", siç bëri në Bosnje, këlyshë të zinj dështakë. Veç krenarisë nacionaliste, një lëvizje e tillë mund të diktohet edhe nga fakti se dikur minierat e Mitrovicës kanë qenë të parat në Evropë për prodhimin e plumbit dhe të zinkut, ndërsa sasia e arit dhe argjendit të nxjerrë prej andej, gjithnjë ka qenë sekret i qeverisë jugosllave. Por në Kosovë është e do të jetë NATO, që nuk do të lejojë në asnjë anë prekjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

Rusia e përdori me të tepërt kartën e Kosovës për t'i thënë Perëndimit se tashmë ajo është rikthyer si fuqi e madhe dhe se asgjë s'mund të bëhet pa pëlqimin e saj, sidomos në Evropë. Por me transferimin elegant të çështjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit në Komunitetin Evropian, Rusisë nuk i mbetet veç të tresë inatin brenda vetes dhe të pranojë si fakt të kryer "katastrofën" e pavarësisë së Kosovës. Flitet se Moska, ashtu si Beogradi, ka përgatitur një paketë sekrete për Kosovën. Le të shohim se ç'përmban kjo paketë kur të hapet. Rusia mund të pengojë për një farë kohe hyrjen e Kosovës në disa organizma ndërkombëtare dhe kjo nuk është kushedi se çfarë. Me shtrirjen e rrymave të naftës dhe gazit në drejtim të Serbisë dhe Bullgarisë ngjan se Rusia po u kthehet strategjive sllavo-ortodokse të së kaluarës, por këto nuk e vënë nën shtrëngim Kosovën. Lëvizje të tilla shkojnë në drejtim të SHBA-së dhe Evropës për interesa të tjera. Britma e Moskës se pavarësia e Kosovës përbën një precedent, nuk bind askënd. Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, që u shkëputën më parë, nuk përbën asnjë precedent. Aq më pak mund të jetë e tillë Kosova, me kombësi të njëjtë dhe që nuk e lidhte asnjë gjë me popujt sllavo-ortodoks të ish-Jugosllavisë së fandaksur.

Fitorja e Tadiç mund të mos ndryshojë qëndrimin e egër të Beogradit ndaj Kosovës, sepse politika e drejtimit të shtetit mbetet në dorë të kryeministrit Koshtunica, i cili kërcënon prerjen e marrëdhënieve me shtetet që do të njohin Kosovën. Zemërimi i Koshtunicës u shfaq haptazi më 6 shkurt, kur refuzoi nënshkrimin e MSA-së me Komunitetin Evropian. Por s'mund të thuhet se Koshtunica ndihet në terren të qëndrueshëm. Zgjedhjet e fundit treguan se të paktën gjysma e serbëve kuptuan më në fund atë që ka thënë prej kohësh Milovan Gjilasi, që Serbia do të hyjë në rrugën e përparimit vetëm kur të shpëtojë nga barra e Kosovës.
Nëse ato që përmenda më lart përputhen me realitetin, mund të themi pa mëdyshje se në aspektin e jashtëm Kosova e ka zgjidhur plotësisht problemin e pavarësisë. Gjithsesi, nëse Serbia i vë shtrëngime Kosovës, Evropa nga ana e saj duhet t'i shtrëngoje Serbisë integrimin në të njëjtën masë. Kurse problemet e Perëndimit me Rusinë kalojnë në përmasa të tjera.

***

Në dhjetë vitet e fundit Kosova ka qenë problem kyç për Evropën dhe një nyje për Kombet e Bashkuara. Tani erdhi lindja e vështirë e Kosovës. Për të pritur këtë lindje të shtetit të ri Evropa do të dërgojë aty një ekspeditë prej dy mijë vetash, gjyqtarë, nëpunës e policë që do të mbikëqyrin zbatimin e paketës "Ahtisari". Në krye u vu holandezi Piter Feis, politikan me përvojë në situata krizash, që ruan të drejtën të anulojë ndonjë vendim të Parlamentit të Kosovës, nëse ky Parlament bën marrëzira ndonjë ditë. Kosova është cilësuar si shtet multietnik, rast krejt i veçantë, sepse asnjë shtet me 8 për qind minoritete të ndryshme nuk është cilësuar si i tillë. Minoriteti serb në Kosovës, paketa "Ahtisari" i jep të drejta ekstra-territoriale që nuk i gëzon asnjë minoritet tjetër në rajon.

Përse këto masa të jashtëzakonshme për Kosovën, përse kjo lindje kaq e vështirë. Dikush ka përshtypjen se Kosovës do t'i hapet dera e bodrumit të errët ku ka qenë mbyllur dhe se kallaballëku i egërsuar mund të bëjë zarar kur të dalë jashtë. Kjo mund të kuptohet deri diku për shkak të historisë dhe ngjarjeve fare të freskëta. Statistika të besueshme na thonë se në 100 vjet gjenocidi serb i programuar dhe i shpallur dhe në platformat e bëra publike ka masakruar dhe zhdukur 200 mijë kosovarë. Ky gjenocid arriti pikat kulmore gjatë dy luftërave botërore dhe u rishfaq me brutalitet të rëndë në vitin 1908. Ende janë të pazbuluara varret e mbi dy mijë viktimave të kësaj lufte të fundit. Për hir të së vërtetës duhet thënë se, në të kaluarën e largët dhe shqiptarët kanë bërë ndonjë inkursion në fshatrat serbe. Ky është terreni historik aktual në të cilin po lind Kosova. Por, nëse deri tani Kosova ka rënkuar thellë, prej 9 vitesh ajo po tregon çiltas se tragjeditë e së kaluarës do të jenë për të vetëm një kujtesë historike që nuk do ta pengojë kurrsesi të ndërtojë të ardhmen e saj evropiane. Gjermania dhe Franca bënë në 150 vjet tri luftëra të përgjakshme, por ishin pikërisht këto dy vende që u bënë boshti i Komunitetit Evropian dhe që jetojnë pa kufij ndërmjet tyre. Kosova i shtriu dorën Serbisë të ndjekin të njëjtën rrugë. Kosova e bën këtë me përpjekje këmbëngulëse për pajtim me 100 mijë serbë që jetojnë aty, po edhe me traktatin e miqësisë që i propozoi aty më parë vet shtetit serb. Kosova kërkon të harrojë e të jetojë jetën. Ajo drejtohet nga një klasë politike që përvetëson me shpejtësi kulturën perëndimore e të integrimit. Kushdo që e sheh me ndonjë rezervë pavarësinë e Kosovës, shikon hije.

* * *

Për çudi, gjithë të huajt që vijnë në Tiranë bëjnë më shumë kujdes dhe vëmendje pyetjen se mos shqiptarët ëndërrojnë fshehtas Shqipërinë e Madhe. Por ne jemi të paaftë të mendojmë fshehtas. Të huajve u themi me të tepër gjithçka dimë për njëri-tjetrin e doemos edhe për Kosovën.
Gjatë vizitës së Presidentit Topi në Kosovë, veçanërisht në Pejë e Prizren, pati një dyndje të plotë të qytetarëve. Ishin të përzemërt e entuziastë, por edhe shumë të sjellshëm. Një i huaj mund edhe të thoshte, ja tek manifestohet bashkimi me Shqipërinë, por unë që e njoh gjuhën e pafolur të kosovarëve, them se gëzimi e brohoritjet e tyre ishin thjesht mirënjohje që u kemi qëndruar pranë dhe një grishje për të festuar së bashku pavarësinë e pritshme. Asnjë thirrje për bashkim nuk u dëgjua nga ato dhjetëra mijëra njerëz. Asnjë forcë politike e qenësishme këtu dhe në Kosovë nuk ushqen ndonjë ide të tillë. Do të jemi dy shtete shqiptare bri njëri-tjetrit dhe bashkimi ynë do të arrihet vetëm atëherë kur të hyjmë në Evropë. Dhe nuk dimë ç'të bëjmë më tepër për të shlyer nga mendja e të huajve hijen e dyshimit rreth Shqipërisë së Madhe. Për këtë do të provojmë më mirë në muaj e viteve që vijnë.

Shteti shqiptar duhet të hartojë një program të qartë afatgjatë për bashkëpunimin me Kosovën. Sa për të nisur le të hapim aty një ambasadë në përshtatje me rëndësinë që ka bashkëpunim. Kosova jeton në varfëri me nivelin më të lartë të papunësisë. Por Kosova ka potenciale të majtë njerëzore dhe materiale për një rritje të shpejtë. Rezervat e qymyrgurit llogariten në 13 miliardë tonë që mund të bëjnë Kosovën burim energjie edhe për rajonin. Pa janë edhe mineralet e tjera me ngjyrë. Kosova mund të eksportojë drithëra dhe fruta, nëse i hapet rruga bujqësisë në atë tokë të begatë. Atëherë le të kemi një program bashkëpunimi dhe ekonomik në vështrim të këtyre zhvillimeve. Gjuha, historia dhe kultura e njëjtë na lehtësojnë së tepërmi komunikimin në fushat e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë etj. Rruga e madhe Durrës-Kukës duhet të shtrihet deri në Vlorë. Kosova ka nevojë jetike për daljen në det ashtu si na duhen ne rrugë të shpejta e me degëzime për të shkuar në Kosovë e më tej. Zhvillimi ynë ekonomik e shoqëror duhet të rishikohet në thellësi, nisur nga faktori i Kosovës së pavarur. A jemi duke bërë përgatitjet e duhura për një detyrim të tillë?

Ne shqiptarët e kemi zakon të shkrehim armë në dasmë. Të Dielën e Madhe, më 17 Shkurt 2008, që do të shkruhet me gërmat e arta bri 28 Nëntorit 1912, atë të Diel pra, çdo shkrehi arme do jetë një mallkim dhe do të ndëshkohet me 5 vjet burg. Të Dielën e Madhe që po vjen, së pari të urojmë njëri-tjetrin brenda familjes, pastaj le të shtrëngojmë duart me këdo që ndeshim në rrugë, le të përqafohemi e të shkëmbejmë lule në këtë pranverë të bukur të kombit. Të vetmet krisma që mund të dëgjohen atë ditë do të jenë fishekzjarrët në mbrëmje. Le të festojnë shqiptarët kudo që janë lirinë e Kosovës, paqe në rajon në të ardhmen e shpejtë në Evropë. Jemi në të drejtën tonë të festojmë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora