E premte, 19.04.2024, 03:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Rrathët dhe zhurma e trenave

E diele, 31.07.2011, 07:58 PM


Rrathët dhe zhurma e trenave

 

Të mërkurën u hap ekspozita e dy artistëve Jeton Rexhepi dhe Kushtrim Sylejmanit në Galerinë e ministrisë së kulturës në Prishtinë

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Shumë gjëra interesante kalojnë pranë nesh duke mos i vërejtur, ose duke mos u ngacmuar dhe i cilësojmë si të pa vlefshme, por vlera e tyre është motiv i të jetuarit. Njeriu shumë herë rrëmbehet nga epshi, madje egoja shkrihet në momentin kur epshi fiton betejën, por të dyja të kontrolluara tregojnë mjeshtrin e individit i cili është thellësisht i prekur nga ky fenomen natyror. Po ta pyesim Pablo Pikason, a mund të ngjyrosë pëlhurën pa u dominuar nga epshi?! Përgjigja do ishte jo. Një pjesë të majme të punimeve ai i ka krijuar nën influencën e femrave dhe shtëpive publike, por nuk i ka nënçmuar. Edhe artisti Jeton Rexhepi i cili me penelin e tij është thelluar në këtë fenomen, nëpërmjet formave gjeometrike dhe si protagonist përdor rrethin, demaskon atë të brendshëm, të thellën, e shpalos përmes ngjyrave të çelura, harmonike arritjen e ngjizjes shpirtërore. Ndjenja është e ledhatuar, e kontrolluar me mjaftë mjeshtri, beteja ndodh në mes të kuqes, kaltërtës, të verdhës dhe të bardhës. Ato nuk ngulfaten, janë të pastra, të përziera mirë, të kthjelltë, ngritën në formë të rrathëve duke na paralajmëruar që secili e adhuron origjininën ngase ka kaluar rrugë nga ajo. Nuk duhet harruar e kaluara sepse shkallët e së ardhmes nuk do jenë të sigurta. Rexhepi, ngritë një problem të madh Frojdian mes epshit dhe egos, luftës më të madhe e cila e shtyn njerëzimin të meditojë më sy hapur. Ngjyrat ai i përzien sikurse një mjeshtër i madh i parfumit, i cili nga disa aroma krijon parfumin për ndezjen e ndjenjave, po ashtu ngjyrat e përziera në njërën anë ndezin epshin, në anën tjetër si retrospektivë tregojnë bërthamën e së kaluarës. Në formë ritmi, me një kompozicion mjeshtëror, Rexhepi konfliktin e rezulton drejtpërdrejt si diçka e vërtet. Ai nuk është imitues i natyrës, ai nuk i paraqet hijet ashtu si i fal natyra, nuk i korrigjon gabimet e natyrës, sepse ato janë munduar të korrigjohen nga mjeshtrit e dikurshëm, por thellohet në natyrën e tij individuale. Zgjidhjen shpirtërore e paraqet edhe nëpërmjet punimeve me dimensione të vogla, në të cilat arti abstrakt, prapë na tregon formën, ngase gjithmonë duhet nisur nga diçka. Me një tonalitet të pastër të ngjyrave, ai luan lojën. E bardha dhe e zeza, edhe pse mjeshtrit nuk i quajnë ngjyra, sepse e para është dritë, kurse e dyta është terr, d.m.th, e para lind, kurse e dyta zhduk, nuk duhet lënë mënjanë sepse në pikturë janë kryesoret: piktura përbëhet nga drita dhe hija, e kjo i bie nga e cekura dhe e errëta. Piktori, Rexhepi me intuitën dhe prirjen që ka për pikturën, këtë me penelin e tij, e dirigjon mjaftë mirë, asnjëherë në formë të pakontrolluar, çdo formë, detaj, hije, ngjyrë, skenë, është e vendosur në mënyrë të planifikuar. Pikturat, nuk ngjajnë njëra me tjetrën, edhe pse në shikim të parë duket ashtu. Ai transformon situatën, sikurse një aktor që ka prirje të transformohet në role të ndryshme, transformimi këtu është nikoqir dhe i theksuar. Rrathët nganjëherë na qojnë tek nëntë rrathët e Dante Aligerit, dhe simbolika e rrethit është e përkryer, sikurse fundi është prapë fillimi. Aligeri në rrethin e parë paraqet Greminën, në të dytin mëkatin, në të tretin, Makutërinë, katërtin pangopësinë, pestin zemërimin, gjashtin pabesinë, shtatin dhunën, barbarinë, tetin mashtrimin dhe të nëntin e përfundon me tradhtinë. Derisa Aligeri e përcakton numrin e rrathëve, Rexhepi ato i lë të pa kufizuara, nuk ju cakton kufijtë e numërimit, por shpreh lirinë e epshit, pa ndonjë barbari, ose zemërim, ai mundohet t’i vë peshën, sepse filozofia e mendimit kapërcen kufijtë normale.

 

Ndërkaq, artisti Kushtrim Sylejmani me artin e tij, dëshmon lëvizjen, udhëtimin në kohë dhe hapësirë me një peshë gjigante të trenit, ai na fut në një koncept të thellë udhëtimesh. Treni i tij nuk është i zhurmshëm, por ka një shpejtësi mesatare për udhëtim, lëvizja është e lirë, dhe kjo ngjan paska edhe futuristëve, të cilat në plan të parë kishin lëvizjen, dinamizmin, shpejtësinë, fuqinë e makinave, si dhe gjallërinë (vitalitetin) e ritmin e çmendur të jetës moderne. Mirëpo, krijuesi i vagonëve, thellë në pëlhurë shkëput ritmin dhe krijon një kaos në mes vagonëve të cilët ndeshën njëri me tjetrin. Por, a thua vallë që kjo i ngjan edhe një jete postmoderne e cila pretendon për një udhëtim të sigurt, duke bartur me vete një katastrofë, po tamam kjo është thelbi, dhe autori na bashkon të gjithëve në tren, mirëpo, e humbim peshimin dhe ndeshemi njëri me tjetrin, por koha ec nën ritmin e njëjtë. Zhurma nga treni sa fillon e ritet, vagonët janë të vjetër dhe nuk kanë shpejtësinë marramendëse. Nuk mund të shkëputemi aq lehtë nga e kaluara për të marrë rrugë drejt të ardhmes. Mirëpo, të ngjitesh në majat e së ardhmes duhet të shkëputet e kaluara sepse gjatë rrugës ajo ngacmon, dhe këtë mundësi autori e paraqet dukshëm më simbolin e trenit të vjetër. Ai nuk përdorë rrëmujë ngjyrash, por i saktëson ato me disa tone të lehta dhe si plan të parë kanë vizatimin duke veshur konceptin. Trenat simbolizojnë edhe takimet, ndarjen, bashkimin, ardhjen e fytyrave të reja, dinamikën etj. Të gjitha këto artisti Sylejmani i paraqet në trenat e tij. Por, aty jemi të bashkuar, mirëpo sipas një thënie të vjetër kineze: “Bashkë në qofte se jetojnë gjatë, shtazët duhen mes veti, kurse njerëzit urrehen”. Andaj, këtë urrejtje e shohim në konfliktin dhe humbjen e ritmit që i ngjan një kaosi.

 

Dhe, si për fund, i dëshiroj punë të mbarë, të lirë dhe të suksesshme këtyre dy krijuesve edhe në ekspozita tjera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora