Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilia S. Karanxha: Shkodra dhe lufta e Perëndive (1478/1479)

| E diele, 31.07.2011, 08:05 PM |


 

I -  SHKODRA DHE LUFTA E PERËNDIVE (1478/1479)

 

Nga Ilia S. Karanxha

 

Mbi luftën madhore të bërë në Shkodër gjatë rrethimit të dytë të saj edhe nga historiografët më të shquar evropianë është pranuar se ajo ka qënë: ...një nga  ngjarjet më të shënuara në luftën e Perëndimit kundra Gjysmëhënës, e shënuar sepse për të mbrojtur këtë qëndër të fundit të krishtërimit u impenjuan mjete të pa zakonshme, por akoma më e shquar ndoshta për qëndresën e dëshpëruar që mjetet e mbrojtjes patën qënë në gjëndje t'i kundërvinin sulmuesve..(F. Babinger: Maometto il Conquistatore...Torino 1967, f. 393)

 

Në një farë mënyre është pranuar teza që ka shprehur Marin Beçikemi ndryshe Barleti para senatit breshian ku mes të tjerash në polemikë me Rafaele Reggion e pë t'ju përgjigjur qëndrimeve diskriminuese të këtij të fundit më 1504 shkruante:

 

..Atdheu im i pajisur nga natyra me një bukuri të mahnitëshme e në një pozicion të fortifikuar këndshëm, kundër mbretërish e popujsh kreu vepra të famshme, akoma sot është e famshme për luftërat kundër armiqve shumë të neveritshëm në emër të krishterimit, aq shumë sa për të mos qenë e dyta para asnjë qyteti për emrin dhe për lavdinë. Cili mbret kaq i fuqishëm pat qenë i tillë që ka mundur t’ia kalojë për forcën luftarake atij qyteti, që jo vetëm e mbrojti dhe i theu gjithë ato forca armiqsh, por mposhti komandantë e mbretër të këtyre armiqve....Nuk dua të kujtoj fatkeqësitë tona, ndërsa kujtoj veprat e këqija të tyre që kaq të mëdha ishin sa mund të dukej që jo Shkodra, por perënditë vetë luftuan kundër gjithë atij vrulli të madh të barbarëve...(Nënvizimi I.K. Në M. Becichemi: Praelectio in C. Plinium Secundum..(botuar pas 5 gushtit 1504))

 

Ky ishte strumbullari rreth të cilit u ndërtua, gati në të njëjtën kohë me këto deklarata, vepra Rrethimi i Shkodrës(10 janar 1505) ide të cilën ai e shpall qysh në hyrjen e saj:  Unë, ma së pari, do të vërtetoj se vetë perëndia u dha qytetarëve tanë besnikë ngadhënjimin, për të cilën ata e kishin humbur shpresën..(Rrethimi..f.25).  Pra më shumë se kronikën e asaj ngjarje  humanisti ynë  u përpoq të tregonte madhështinë e karakterin e saj mbarë evropian.(I. Karanxha:Barleti apo Beçikemi?...ff. 63-100). Ndryshe nga sa është thënë e shkrojtur ai nuk ishte i pranishëm fizikisht në atë luftë mirëpo për të konfermuar idenë e tij në interpretimin e dokumentave të ndryshme u tregua i pavemëndshm duke na referuar shpesh të njëjtin episod luftarak nga këndvështrime të ndryshme.

 

Hartimi i fjalimeve që Barleti gjithashtu ka futur në këtë vepër prapë nuk para shikohen me sy miratues nga historiografie moderne mirëpo nga ana tjetër nuk mund të mohojmë faktin që ato përpiloheshin në përputhje me mentalitetin e kohës dhe në pajtushmëri të plotë me zhvillimin e situatave. Kështu Fra Bartolomeu, që jo pa qëllim vendoset në  Kishën e Zonjës të Papërlyer, fill mbas mbritjes të sulltan Mehmetit në muret e Shkodrës  mes të tjerash  ju thotë kështjellarve: 'Neve na është ngarkue barra të mbrojmë fenë katolike edhe të gjithë krishtënimin...Që me sot të gjithë popujt e të gjitha kombet për hir të trimërisë suej me të drejtë do ta quejnë Shkodrën mburojë e shtyllë të mbarë fesë së vërtetë' (f.55-56)

 

Askund nuk flitet për ndonjë ikonë të shënjtë, për ndonjë simbol të shquar fetar por thjesht vëndi ku mbahet fjalimi mer peshën e lavdisë të shënjtores. Adhurimet e besimet e luftëtarve të ndryshëm nga ky moment janë shpirti i vërtetë dhe i vetëm që mban të gjallë e përballon zjarrin e luftës. Lutjet i drejtohen të madhit Zot, Shën Markut, të gjithë shënjtorve, Shën Kollit, Shën

Mërisë Magdalena por mbi të gjitha Shën Mërisë, Nënës të Zotit e cila ishte adhuruesja e veçantë e shkodranve që përbënin shumicën brënda kalasë dhe mbi shpatuallat e të cilve ra e gjithë barra e luftës.

 

Fama e qëndresës shkodrane dhe fama e Zojës së Shkodrës nuk ishin më dy gjëra të ndryshme.: ‘Në qoftë se perëndia vetë s’e ruan qytetin, kot vëzhgojnë ata që bëjnë roje në atë qytet’  thotë akoma Fra Bartolomeu. Kështu Barleti me referimet e shumta mbi Shën Mërinë, lutjet e këndimin e hymneve të besimtarve drejtuar asaj, ceremonitë e përgjërimet e ethëshme të Fra Bartolomeut drejtuar Zotit e Shën Mërisë, shfaqet e saj magjepëse si mbrojtëse e ledheve të kalasë apo të krishterve, dukja e luftëtarve të çuditshëm e të pamposhtur krah për krah me kështjellarët apo dalja e dritave magjepëse në mbrojtje të tyre bënte të humbiste kufiri mes njerzores dhe mbinjerzores, tokësores dhe hyjnores. Në këtë skenar skëtere, tokësor e hyjnor pavarsisht nga sugjerimet, gabimet apo eksagjerimet e Barletit, i takon lexuesit të sotëm të përcaktojë se kush pati përparësinë në mpleksjen e ngjarjeve shkodrane. Në shekullin e XV kjo çështje u zgjidh pa më të voglën mëdyshje në epërsinë e forcave hyjnore e në mënyrë të veçantë të Shën Mërisë së Shkodrës. Pra një mrekulli e Shën Mërisë me që luftëtarët shkodranë ishin të gjithë adhurues të Nënës së Zotit. Por mund të themi edhe të kundërtën që mbetet e barsvlefëshme pa ofenduar askënd: një mrekulli e qytetarve dhe fashatrave shkodranë që adhuronin  Shën Mërinë.

 

Lexuesi që ka ndjekur përleshjet e përshkruara nga Barleti me të vërtetë është bindur se kemi pasur të bëjmë me një luftë me të vërtetë vigane. Fakti historik i mos marjes të kështjellës nga ana e sulltanit me gjithë potencialin ushtarak që dispononte Perandoria Otomane në atë kohë në kulmin e fuqisë së saj na detyron, në fund të fundit, t'i japim të drejtë Barletit.   Tregimi  kalon  edhe nga kampi  kampi kundërshtar dhe i pari që e merr fjalën, pas sulmesh të përsëritura e të dështuara, është vetë sulltani.  Edhe ai  më parë i  ishte lutur e i kishte nxitur ushtarët e vet në atë luftë me emrin e perëndive. Mirëpo më në fund   ai fiton një ndërgjegjësim të ri e nuk nguron të thotë: Ah, sikur mos t’ia kisha dëgjue kurrë zanin Shkodrës! Kot erdha; të gjitha përpjekjet e mia shkuen kot. Pastaj mori guxim e çka s’volli nga goja e vet kundër të madhit Zot, që s’ia kishte plotësue dëshirat dhe s’po e linte të sundonte botën ashtu si pat lanë  dikur Aleksandrin, mbretin e Maqedonisë dhe Jul Cezarin. Edhe shtonte mbasandaj se po të donte Zoti të mbahej si një rival i tij, atij i mjaftonte sundimi i qiellit...(f. 94).

 

Kështu për Barletin kësaj radhe Zoti kishte zbritur në tokë dhe qëndronte nga ana e shkodranëve. Sulltani i plotfuqishëm, pushtuesi i madh  i botës nuk mund të bënte më asgjë. Mbas sulltanit fjala kalon te vetë ushtarët turq të cilët ishin protagonistët e vërtetë të kësaj përleshje, prandaj ata refuzonin vazhdimin e asaj lufte mbasi...thoshin se ata, kundër të cilëve do të luftonin nuk ishin njerëz por perëndi. E kush asht ai që guxon të rrokë armët kundër perëndisë?(f. 94).

 

Në pjesën e tretë të librit Barleti ka hartuar fjalimin e Ahmet Gedik pashës. Historikisht dihet si  ai ishte hequr nga pozira e Vezirit të madh dhe ishte burgosur  sepse mes të tjerash  i  kishte  argumetuar sulltanit vështirësitë e fushatë ushtarake  kundra Shkodrës.   U reabilitua kur filloj kjo fushatë dhe si të thuash  kur sulltani kishte parë me sytë e veta  vërtetësinë e fjalëve të pashajt të burgosur. Ja pra këtij pashaj Marin Barleti(Beçikemi) i ve në gojë një fjalim të gjatë  sa lajkatar e realist për pushtimet e pamasa të padishahut po aq edhe të arsyeshëm për pamundësinë e thyerjes së shqiptarëve.  Këtu dalin akoma më qartë idetë e Beçikemit mbi trimërinë e shqiptarve që në fakt nuk mund të themi se nuk puqeshin me rezultatet dhe zhvillimin e ngjarjeve deri në fillim të gushtit  1478 kur pashaj mban fjalimin e tij. Ai  mes të tjerash thotë:

 

Shqiptarët janë fis bujar, fis mbretënish, gjak Eacidësh. Njeriu në botë ndjek gjurmët e gjakut e të fisit të vet, kjo asht ligjë, pra dhe shqiptarët kanë shpirtin dhe zjarrin e Pirros, sepse prej tij rrjedhin..”(f. 97.), dhe...Unë besoj se ata s’kanë vetëm fuqinë e një njeriu, ata janë të pajisur me një forcë hyjnore. Unë, për besë, them se ata (lejomëni shprehjen) janë bijtë e Marsit; nën këtë diell e hanë s’gjen burra ma të fortë e ma trima…(f. 98.).

 

Dielli, Hëna, yjet ishin elementët astronomikë të preferuar të Beçikemit për krahasime (shih Panegjirikën) mirëpo në ato momente për autorin tonë mbi kështjellën e Shkodrës nuk ishte as dielli e as hëna, aty mbizotëron një yllësi tjetër, ajo e Marsit e perëndisë të luftës.

 

Pashaj edhe mund të  mos i ketë thënë tamam ato fjalë por ama ato nuk  nuk janë të ndryshme nga këshillat që spiuni fiorentin Bendetto Dei  që kalovi atë kohë nëpër  Shqipëri   i sugjeronte  sulltan Mehmetit II  duke i thënë se në qoftë se donin të fitoni luftën duhej  të ndanin shqiptarët nga venecianët . Sulltan Mehmeti u largua i zemeruar jo aq se Dei nuk kishte ndonjë letër kredenciale porse po i tregonte si sekrtet një gjë  ditur.

 

Lufta që bëhej në Shkodër nuk kishte si të  ishte jashtë vemëndjes  e të mos ngrinte tensionin mes shteteve Italiane të  përçara që nuk mundnin dot të organizonin një mbrojtje të përbashkët. Paqja e bërë mes Venedikut dhe Portës së lartë desh të theshte rrugë e hapur për  sulltan Mehmetin II  drejt Italisë.

 

'Kjo paqe - shkruan historiani Giovanni Tarcangota- që u bë më '78 trembi shumë pjesën tjetër të Italisë, që dyshovi, se me tërheqjen e venecianve, turkut i jepej mundësia të futej fuqishëm në të çarat e kësaj pjese të raskapitur të Evropës' (Tarcagnota, G.  :'Delle historie del mondo...' Venezia 1562, vol. II. ff. 500-1.

 

E në fakt ndodhi pikërisht kështu. Pa u mbushur viti nga dorëzimi i Shkodrës turqit filluan pregatitjet madhore per zbarkimin në Itali. Në krye të fuashatës u vu përsëri ish-veziri i reabilituar Ahmet Gedik pasha ku në Otranto u përsëritën mizoritë që kishin ndodhur në muret e Shkodrës kundra krutanve, lezhianve, drishtanve, ulqinakve, shkodranve e shqiptarve të tjerë që ju kundërvunë pushtusve por edhe kundra viktimave të pafajshme.

 

Që nga ajo ditë  në Otranto në Kodrën e Martirëve(Colle dei Martiri) gjendet sot kisha Shën Mëria e Martirve (Santa Maria ad Martires)  e cila evokon me një ikonografi të pasur këtë ngjarje  tragjike ndërsa në Kadedralen e qytezës otrantine ruhen akoma eshtrat e 800 martirëve të Otrantos.(G. Gianfreda: Gli 800 Martiri di Otranto, 1989.) Për disa aspekte mund të themi një paralele e drejt përdrejtë mes Shkodrës, Krujës, Lezhës, Drishtit, Qidnës,  Vajkalit etj. etj. dhe Otrantos. Një model ideal për gjithë shqiptarët që duan të nderojnë e të repektojnë të kaluarën e tyre  sa heroike aq edhe tragjike.

 

Pavarsisht nga zbukurimet dhe arsyetimet oratorike që na  ka përcjellë humanisti ynë i shquar Marin Beçikemi, të cilat nuk spostohen e nuk vijnë ndesh me mentalitetin e kohës, mbi bedenat e kalasë të Shkodrës u shkrojt një nga faqet më epike të historisë shqiptare e kristiane. Ishte akti i fundit i tragjedisë të një populli, epilogu i një lufte gati shekullore të cilën brezat e ardhshëm duhej të mos e linin ta zinte pluhuri i haresës. Ngjarjet, personazhet,  bota e brëndëshme shpirtërore e përfaqësuar  nga  shënjtorët shndrohen në simbole të indentitetit kombëtar e të nderit të tij. Për Shkodrën e për gjithë Shqipërinë niste një histori e re ku një nga frontet kryesore ishtë ruajtja apo shuarja e këtyre simboleve e këtij identiteti.

 

Shqiptarët e emigruar në Itali nuk do të harojnë devocionin e tyre të thellë për shën Mërinë shënjtoren që i kishte paraprirë në betejat më të mëdha mirëpo një mrekulli e re do të ndodhë në fillim të shek. XVIII kur eksplodon fenomentit Zonja e Shkodrës. Për ata që nuk i pëlqejnë profecitë  po sjellim këtu fjalët e Marin Beçikemit(Barletit) i cili nëpërmjet fjalimeve të tij të famëshme në gojë të njërit apo tjetrit komandant do t'u drejtohet shkodranve:

 

...sot nami juaj do të përhapet në të katër anët e botës, sot nami i qytetit tonë do të marë dhenë, sot me ndihmën e Zotit do të fitoni palmën e ngadhnjimt e do të triumfoni mbi armikun me nder e lavdi...Të gjithë të krishterët do tu ju ngernë deri në qiell dhe do tu këndojnë lavde për jetë të jetës.(Rrethimi..f. 85)

Firenze 22.VII. 2011