E shtune, 20.04.2024, 09:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Nexhi

E shtune, 30.07.2011, 04:58 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

NEXHI

 

Tregim

 

...atij i mbahej fryma...

 

-Ku je more Artan Buzeli,- dëgjoi Artani një zë të lartë, të trashë, si buri skode e vjetër në gjuhën shqipe, në hyrje të metrosë së madhe të Torontos. Aty ku kryqëzohen trenat veri- jug dhe lindje- perëndim. Ku lëvizin qindra mijëra udhëtarë.

 

Ai ngadalësoi hapat dhe u kthye me vërtik andej nga erdhi zëri. Ndjeu një fërgëllimë të thellë në shpirt. U shmang me vështirësi morisë së nxituar të njerëzve. U ngrit në majat e këmbëve. Xhamat e trasha të syzeve i ishin mjegulluar prej avullit dhe djersës. I fshiu me shami, puliti sytë dhe mezi mundi të dallonte mes turmës laramane të njohurin e dikurshëm Shefki Vreno.

 

Shefki Vreno si patok në fluturim u derdh krahëhapur drejt Artan Buzelit. Koka katrore i ish i zbardhur, bërë dele dhe mbuluar me kapele të bardhë republikë.  Shefki Vreno qe bërë rrumbullak në trup dhe fytyrë, si kadushkë me turshi. E takoi duke puthur pllaq- plluq në faqe dhe fshiu djersët që i rridhnin rrëke prej vapës së korrikut.

 

-Sa mirë që gjeta një moshatar, të këmbej dy llafe se u myka me gruan mbyllur brenda në shtëpi. Kujt tu flas mureve. Kur bëj ndonjë pazar, ose kur blej ndonjë paketë me cigare,them vetën kaq: ‘no anglisht, no’ dhe tregoj me gisht atë të dua të blej, - foli i mërzitur. Futi gishtërinjtë nëpërmjet dy kopsave të hapura të këmishës. Fshiu djersën e gjoksit dhe shtoi: -Kam dy muaj që kam ardhur për vizitë në djali. Po nuk ta kanë ngenë ata. U hipin makinave, ikin në mëngjes dhe kthehen në mbrëmje.

 

-Shumë mirë që ke ardhur vizitë tek djali. Kështu është jeta këtu në perëndim, vrapon-vrapon,- ia ktheu  Artan Buzeli, me vështrim të shpërndarë. Ai ndjeu shumë pranë kriposjen e djersëve të tjetrit.

 

-Djali më tha të pres këtu, të pi një kafe. Që thua ti Tani, në mëngjes nuk më hapet goja për të ngrënë gjësend. Djali shkoi për një intervistë këtu përballë, në atë godinën lartë me xhama të verdha. Unë iu qepa të më sillte të shihja qendrën,- foli Shefkiu dhe vështroi me kureshtje rreth e rrotull, mërmëriti:- bu, bu, bu, kallaballëk i madh.

 

-Ëhë, turmë e madhe,-ia bëri Artani.

 

Shefki Vreno u kthye ballas. Zbardhi dhembët e vëna dhe tha:

 

-Shyqyr që gjeta një shqiptar, të këmbej dy fjalë dhe të pi një kafe.

 

-Shumë mirë o Shefki Vreno që gjete një shqiptar të këmbesh dy fjalë dhe të pish një kafe. Por mua të më falësh. Ashtu e kam një punë. Nxitoj,- ia ktheu thatë Artan Buzeli.

 

Ndërsa me vete shtoi: ‘Nga më dole përpara more Shefki Vreno, duke mbartur në rrëmujë e sipër, rëndesën e pluhurit të tridhjetë e pesë vjetëve. Në metronë e madhe të qytetit të  Torontos dyndej një mizëri e madhe udhëtarësh dhe atij i mbahej fryma...

 

‘-E merrni me mend kë gjeta mbrëmë kur shkova në shtëpi?’-u foli Artani dy shokëve. Të tre qëndronin ulur në shkallët e kinoteatrit ‘Çajupi’ dhe tymosnin cigare ‘DS’.

 

‘-Jo,’- ia kthyen shokët me indiferentizëm dhe shkundën hirin e cigareve përdhe.

 

-Nexhin,- vazhdoi Artani. Ai merrte frymë me zor prej emocionit dhe fytyra i shkëlqente prej kënaqësisë.

 

‘-Kë Nexhi mo?’- e pyeti Shefkiu dhe flaku pështymën tutje.

 

‘- Nexhin me nishan në buzë.’

 

‘-Si?!- ia patën në të njëjtën kohë Shefkiu dhe Palua. U kthyen nga Artani dhe shqyen sytë nga habia. Pastaj vështruan njeri tjetrin në sy.

 

Të tre shokët kishin një vit që ishin liruar prej ushtrie dhe njohur në punë, në ndërmarrjen e Lëkur -Këpucës. Shefkiu punon lart në katin e dytë, në prestarinë e lëkurëve. I ati i tij është kryetar lagje. Shefkiut i pëlqen të bëjë lodra shpejtësie. Palo fërneti punon së bashku me të atin në montim e këpucëve. Ai lakmon fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm. Artani punon në katin përdhes të fabrikës, në skanimin e lëkurëve. I mbështjellë fund e krye me rroba llastiku mbart lëkurët e regjura dhe të kriposura. Atij i pëlqen të shkruajë poezi dhe tekste këngësh. I ati i Artanit vdiq pas një sëmundje të gjatë, kur ai ishte vetën tetë vjet. Shkaktuar prej një viti të tmerrshëm në birucat e nëndheshme të hetuesisë së Hanit me dy porta dhe disa vjet burgu të bërë në Spaç. Me akuzën e rëndomtë: ‘fshehje floriri’.

 

‘-Gjete Nexhin në shtëpi?’- i thanë të dy shokët.  Shprehja e tyre kaloi në qeshje dhe shtuan:- Sikur the Nexhin me nishan në buzë!

 

‘-Po, Nexhin,- u tha Artani.

 

‘-Domethënë Nexhi me nishan në buzë të paska ardhur ty në shtëpi? Nuk gjeti ajo ndonjë shtëpi tjetër?!-ia bëri Shefki Vreno duke nënqeshur hidhur.

 

‘-Nuk e di përse nuk gjeti shtëpi tjetër. Ajo erdhi mbrëmë tek unë.., - ua ktheu Artani pa u kushtuar rëndësi zgërdhitjeve së shokëve.

 

‘-Hëm e çuditshme! Pa na i thuaj si ndodhi me këtë Nexhi që u hyn të tjerëve në shtëpi?’ -i thanë ata me seriozitet të shtirur.

 

‘-Po ja. Mbrëmë, kur shkova në shtëpi, fill mbasi u ktheva nga kursi i makinës. Tek dera më priste nëna. Ajo më ndali dhe zë turbullt  më pyeti:

 

‘- Në kuzhinë të pret një vajzë të panjohur.’

 

‘-Në kuzhinë më pret një vajzë e panjohur!’- ia bëra i çuditur.

 

‘-Po. Di gjë ti?’

 

Pa i kthyer nënës përgjigje hyra në kuzhinë. Unë nuk kisha ftuar ndonjë vajzë në shtëpi. U shtanga. Ulur në stol ishte Nexhi, bukuroshja, me nishan në buzë. E lakmuara e meshkujve. Atë e njoha para një muaji në takimin e krijuesve të rinj të qytetit, vallëzuam dhe biseduam shkarazi. Ardhja e një vajze të bukur në shtëpi më shkaktoi  përskuqje në fytyrë.

 

‘-Nexhi po ti këtu!’- i thashë dhe iu afrova pranë.

 

Ajo mblodhi supet pa ditur ç’të bënte dhe mërmëriti:

 

‘-Erdha.’

 

Kisha një lëmsh me pyetje në tru dhe nuk dija nga ta nisja.

 

‘-Ke ngrënë gjësend?’- e pyeta sa për tu gjendur në llaf. Në të njëjtën kohë u grinda me veten, si nuk gjeta diçka tjetër më për të qenë.

 

Ajo mblodhi përsëri supet. Nishani në buzë iu drodh. Mbante veshur një fustan me lule pak të hapur në gjoks dhe një xhaketë të hollë, të bardhë pambuku.

 

Nëna dëgjoi dhe solli dy pjata me supë të mbetur nga dreka. Pa më ndarë shikimin pyetës. Dreq o punë qenka bela e madhe kur të vjen në shtëpi pa pritur dhe papandehur një vajzë e huaj e bukur, me nishan ne buzë. Mu përkëdhel sedra. Ajo mblodhi gjunjët, shtriu fustanin dhe u ul pa shumë ceremoni në tavolinë. Filloi të hante. Unë vështroja profilin e hijshme të Nexhit, hundën e vogël dhe pak majuce dhe dëgjoja trokëllimën e lugëve në pjata. Nuk dija nga ti a nisja.

 

Më në fund vendosa. Nuk kisha përse të vrisja mendjen. Një femër më hyri në shtëpi, do ti merrja punët shtruar. Si një mashkull i regjur pa shumë hollësira të panevojshme dhe sentimentalizma. Nëna lodhej gjithë ditën, do shkonte shpejt të flinte në dhomën e saj. Do ti sqaroja të gjitha enigmat e kësaj bukurie të ardhur papritmas në mbrëmje.

 

Mblodha pjatat dhe i vura në lavapjatë. Nëna më erdhi pranë dhe më pëshpëriti:

 

‘-Përse ka ardhur kjo vajzë, hë? U ul për të ngrënë në tavolinë si në shtëpinë e vet? Biro mos më ke bërë ndonjë proçkë dhe nuk ia thua nënës?

 

 ‘-Jo moj nënë jo,’- e qetësova.

 

 Ajo tundi kokën e pabindur.

 

I mbusha Nexhit një gotë me qumësht. Ajo më falënderoi pa më parë në sy. Dreq o punë me këto fermat, kur ia kish qejfi, përse nuk më kish rënë në sy qysh më parë. Por pa e bërë të gjatë hyn zduq e zdruq në shtëpi.

 

Nëna iku në dhomën tjetër. Pa e zgjatur i futa duart Nexhit në gji. Ia shtrëngova fort cicat dhe thithat e vogla. Ajo u ndeh dhe u përdrodh, ndoshta nuk e priste veprimin tim. E putha me afsh në buzë e tulta. Ia thëthiva me neps nishanin e zi. Buzët i kish të thata dhe nishani i zi ish i thatë gjithashtu. Nexhi mundohej të mbrohej, të shkëputej . Trupi i saj i brishtë dridhej në krahët e mia. Por unë ëhë e kisha mbërthyer si në mengene. Më në fund ajo shkëput prej meje, largoi kokën me shikim trishtuar.

 

 E pashë me inat.

 

‘-Nuk do,’- hungërita,-‘ atëherë pse erdhe tek unë?’

 

‘-Erdha,’- murmuriti ajo kokulur.’- Mos bëra vallë gabim?’

 

‘-Jo. Po përse?’

 

‘-Nesër shkoj në Tiranë, kam konkursin e pikturës.’

 

‘- Dhe ti erdhe tek unë, me një njohje gjysmë ore?’

 

Ajo mblodhi supet dhe vari kokën poshtë.

 

‘- Mu duke djalë i mirë, prandaj. Autobusi niset në orën tre të mëngjesit. Shtëpia jote është pranë stacionit të autobusëve,’- mërmëriti.

 

Hëm, djalë i mirë! Unë pa e zgjatur dhe pa ja vënë veshin arsyes së saj e mbërtheva nga shpatullat dhe e putha përsëri. Dëgjova hapat e nënës. U shkëputa prej Nexhit.

 

‘-Mund të flini në divan,’- iu drejtua nëna Nexhit,- ‘ti shtrova rrobat.’

 

Nëna iku. Por nuk ndenji pa ma bërë me shenjë që të shkoja të flija dhe unë e të mos bëja ndonjë marrëzi. Po ku më rihej mua. Të kesh një femër në shtëpi, që të ngre në havadan dhe të bësh gjumë të qetë.

 

Mbaja vesh frymëmarrjen e rëndë të nënës, shoqëruar me fërshëllimë si lokomotivë. Frymëmarrjen e butë të Nexhit dhe trokëllimën e fortë të orës së madhe të varur në mur. Isha i gjithi i ngrehur. Zemra më rrihte me vrull. Goja më ish mbushur me lëng. Nuk mund të rezistoja më. Pa e zgjatur u ngrita, eca në majat e gishtërinjve, ngrita kuvertën që mbulonte Nexhin dhe u ngjesha pas trupit të saj të ngrohtë.

 

‘-Çfarë do?’-ia bëri ajo.

 

Si ktheva përgjigje. E putha e shtrëngova, mezi mbushesha me frymë nga dëshira e shfrenuar për të bërë seks me të. U kërleshëm. Ia thitha me afsh nishanin e zi. Ia copëtova cicat me majat e dhëmbëve. Duart më lëvizën me shpejtësi drejt mbathjeve të vogla të mëndafshta të Nexhit. Ajo filloi të qante. Kryqëzoi këmbët dhe u zbyth në cep të divanit. Në errësirë dallova ndriçimin drithërues të lotëve dhe frikën e hapur në sytë e saj. Pëshpëriti zë dredhur.

 

‘-Të lutem Tani, të përgjërohem. Mos më bëj gjë. Jam për konkurs. Nuk kisha ku të shkoja. Besova dhe trokita në derën tuaj. Kur të kthehem do jem e jotja, më bëj ç’të duash.’

 

Dëgjova zhurmën e derës së dhomës ku flinte nëna. Pa e zgjatur shkava prej shtratit të Nexhit dhe shkova në shtratin tim...

 

-Dhe e le, nuk ia bëre atë punë?- E pyeti Shefkiu me nënqeshje cinike në buzë.

 

-Jo, nuk ia bëra,- u përgjigj Artani.

 

Shefkiu dhe Palo vështruan njeri tjetrin.

 

 -Atëherë ku është çudia,- shtuan ata,- nuk të rihej pa na i treguar ne hë? Le Nexhin të ikte pa ja ngritur këmbët bigë?

 

- Po e lashë të ikte pa ja ngrita këmbët bigë, -ua ktheu Artani i nervozuar. Flaku cigaren e shkeli me majën e këpucës dhe u largua pa kthyer kokën. Shokët nuk e lanë të përfundonte historinë. Në mëngjesin e ftohtë, ai e përcolli Nexhin deri në stacionin e autobusëve të linjës. Nexhi dridhej prej të ftohtit. Iu var në qafë dhe e puthi me buzët e plota, të tulta e të lëngështa prej vesës mëngjesore. Sytë e saj shkëlqenin prej mirënjohjes.

 

 Kur u kthye në shtëpi e gjeti të ëmën ngritur, me sy të merakosur dhe me xhaketë të trashë leshi në dorë.

 

‘-Si e lamë atë vajzë të udhëtonte në këtë mëngjes të ftohtë me xhaketë të hollë,’- i tha nëna.

 

Vonë iu kujtua, Nexhi e kish pyetur gjatë vallëzimit, ku banonte. Në shtatë katëshi, i kish thënë ai. Një rrugë larg nga stacioni i autobusëve? E pyeti ajo. Po.

 

Shefkiu dhe Palo filluan të prashitnin mes tyre, duke pirë cigare paf- puf. Tanit i paska shkruar në shtëpi Nexhi me nishan në buzë, bomba e fshatit Drenovë. Për këtë Nexhi plasi grushti një javë më parë në shkallët e Pallatit të Kulturës. I mjeri Tani, i lëshon goja lëng për Nexhin. Kërkon të mburret në sy të tyre dhe krijon ëndrra në ditë me diell. Ai asnjëherë nuk është dalluar si joshës i femrave. Kur e futën të bënte seks me Xhulinë këmbështrembër, kurvën me nam, dridhej si epileptik. Dhe kur mbaroi atë punë qe bërë i verdhë dyllë. Qëndronte mbi Xhulinë palëvizur. Vështronte si hutaq rreth e qark. Kurva Xhuli u grind dhe e shtyu me gju.

 

‘-Nga ma gjetët këtë qullac,’- u grind ajo.- ‘Pa e futur u prish më keq se lepuri.’

 

Një javë pas bisedës. Ata qëndronin ulur si zakonisht në shkallët e kinoteatrit ‘Çajupi’. Shefkiu luante me tre topa të bardhë, të vegjël ping-pongu. Ai do merrte pjesë me numra shpejtësie në grupin e estradës së ndërmarrjes. Palo pinte me kënaqësi, me gllënjka të vogla fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm. Faqoren petashuqe me lëngun e fërnetit e mbante të fshehur në xhepin e brendshëm të xhaketës.

 

Artani sy picërruar prej tymit, pinte cigare ‘DS’. Kish kaluar një javë e vështirë qysh nga ajo natë e mahnitshme. Ndjente shumë mall për Nexhin. I kish ikur gjumi. Risillte nëpër mend refrenin e këngës kushtuar asaj: ‘Do ta puth nishankën’ë që ma ke në buzë. Po të duash ti Nexhi, le të bëhem urë.’ Askujt nuk i kish treguar tekstin e këngës kushtuar Nexhit. Do ta luante në kitarë.

 

Cigaret u mbaruan. Vetëm në kinkalerinë e Çomë Gajtani kish ‘DS’. Ai  i mbante  nën banak. Çomë Gajtani ish kushëri i parë i nënës së Artanit dhe xheku ruante ndonjë paketë ‘DS’ për të.

 

-Di vijë ndonjë me mua të shkojmë të marrim cigare, -u drejtua Artani shokëve.

 

-Shko vetë,- i tha Shefkiu dhe shau nëpër dhembë. Një prej topave të vegjël i shpëtoi nga duart, u rrokullis në asfalt dhe u shkel prej kalimtarëve. Artani iku. Shefkiu vazhdonte të grindej për shkeljen e topit. Palo indiferent rrëkëllente fërnet.

 

Përtej bulevardit të postës së vjetër u shfaq Nexhi. Veshur me xhaketën e hollë, të bardhë dhe fustanin me lule. Ajo sa ish kthyer nga Tirana dhe e kish fituar konkursin e pikturës. Mezi priste të takonte Artanin.

 

-Palo, shiko Nexhin. Në trotuarin e postës së vjetër,- ia pat Shefkiu,- ta thërres?

 

-Lëre dreqin, ti nuk e njeh,- i foli Palo me bezdi.

 

-Punë e madhe! Nexhi!- thirri Shefkiu dhe u turr drejt saj.

 

Vajza ndaloi. Vështroi e hutuar nga i erdhi zëri. Kur pa një djalë të huaj që po afrohej, bëri të largohej.

 

-Nexhi të lutem mos ik. Vetëm një pyetje kam,- iu lut Shefkiu.

 

Vajza ngriti me një lëvizje nazike flokët e zinj dhe kaçurrela dhe qëndroi e ngrehur para djalit të huaj. Priti. Shefkiu ndaloi dy hapa larg vajzës dhe foli me të shpejtë.

 

-Doja të pyesja për Artanin, - i tha ai.

 

-Po,- ia bëri vajza dhe i rrahu zemra me vrull ishte gati ta pyeste ku është? Ai djalë u tregua fisnik me të.

 

-Kam vënë bast. A është e vërtetë që keni fjetur në shtëpinë e tij?

 

Nexhi në fillim u skuq, u zverdh, më pas u nxi prej inatit. Sa bastardë janë njerëzit. Vënë baste!

 

-Nuk e di kush është ky Artani. Të lutem më lërë të qetë,- i tha ajo dhe u largua me hapa të shpejta.

 

-Nexhi, nëse ke qenë në shtëpinë e tij, mirë bëre që nuk ja le, - thirri Shefkiu nga pas dhe qeshi me sarkazëm, me zë të lartë, -Tani Buzeli është një kërriç i tëri dhe me biografi të prishur. Më beso e bukura Nexhi, po të kishe ardhur në shtëpinë time do të kisha mbajtur si princeshë.

 

Nexhi nuk i ktheu përgjigje, Rrëzoi kokën në gjoks e mbytur prej ngashërimit. Artani mund të ish një naiv i mjerë, ndërsa ky një i poshtër.

 

Korrik 2011



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora