E enjte, 25.04.2024, 08:33 PM (GMT+1)

Mendime

Pëllumb Kulla: Ende rreth Holokaustit

E diele, 10.02.2008, 06:00 PM


Ende rreth Holokaustit

Nga Pëllumb Kulla 

Populli izraelit dhe komuniteti i hebrenjve nderojnë veten, kur mblidhen për të shprehur mirënjohjen për veprën modeste por me vlerë historike të mikpritjes shqiptare: strehimin e hebrenjve, mbajtjen e tyre fshehur për t’i mbrojtur nga gjuetia çnjerëzore naziste, dhënien e ndihmës së gjithanshme, që nga miqësia deri tek vendi rreth sofrës familjare. Këtë vepër të bukur asnjë nuk e mohon dot. Asnjë nga këto bëma nuk ish e vështirë për njerëz që një prirje të tillë e kanë patur dikur një nga virtytet më të përmendura. Ata e kanë bërë këtë bujarisht edhe më parë, për grekët, armenët, italianët dhe për këdo, që e ka patur të nevojshme ndihmën e tyre. Zoti Xhozef Jakoel, në librin me kujtime “Hebrenjtë në Shqipëri” e shpjegon këtë tipar të shqiptarëve duke cituar Kanunin e Lek Dukagjinit, në të thënmen e lashtë “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe Mikut”. Nuk besoj të jetë e tërë merita e Dukagjinit në edukimin e këtij virtyti tek shqiptarët, por kam mendimin se popujt e vuajtur i gjenden pranë njëri-tjetrit më shumë sesa i gjenden popujt, që nuk kanë patur ngërçe të mëdha në historitë e tyre shekullore. Them se shqiptarët janë të gjendur ashtu, nga mëshira instinktive, nga natyrshmëria e të gjykuarit pa mbifaktorë turbullues, siç mund të jenë urdhëresat shtetërore, apo udhëzimet e rrepta që ndalojnë ndihmën ndaj individëve, grupeve, apo klasave të caktuara.

***

Mua më duket se shkrimi i Fatos Lubonjës tek “Korrieri” i para ca ditëve, ishte një vëzhgim mjaft i mprehtë. Ishte një kritikë e ashpër dhe unë do ta nënshkruaja atë, pavarësish nga reagimet që flitet se paska shkaktuar. Fatos Lubonja, sipas mendimit tim, është nga të paktët subjekte vërtet të pavarur që gjenden në opinionin publik shqiptar. Uroj të jenë të pa faktuara pjesëmarrjet e shqiptarëve në gjenocidin armen, por edhe atje do ta besoja Lubonjën pa mëdyshje. Se kam përpara syve, të dukshme dhe të pakundërshtueshme, pjesëmarrjen e shqiptarëve në gjenocidin shqiptar! E nuk do të thotë aspak që figura e shëmtuar ndërkombëtare, na qenka më e papranueshme se figura e shëmtuar në rrafshin kombëtar. Imazhi i egërsisë nuk dallon aspak

Lubonja bën mirë që ridikulizon atmosferën festive, për të cilën qarqet e politikës shqiptare bëjnë kujdes që fishekzjarrët të ngrihen aq lart, sa të duken edhe përkëtej Oqeanit. Ai me të drejtë tallet me gjuhën e fryrë, folklorike plot ditirambe, për virtytet që u atribuohen shqiptarëve në grup e që mundësojnë që të mbajë kokën lart çdo lloj horri në truallin arbëror. Ata që janë kundër Lubonjës, kërkojnë me ngulm që ai popullin ta marrë toptan dhe shkumëzojnë kur ai ndërmerr “guximin antipatriotik” ta ndajë grurin nga egjëri, ta seleksionojë popullin, në njerëz të ndriçuar dhe injorantë, në të civilizuar dhe të pagdhendur, në të çartur dhe të zhburrëruar, në myslimanë dhe të krishterë, në idealistë dhe të babëzitur, në mendimtarë të lirë e në të zënë peng nga dogmat. Ngulmi i tyre vjen i trashëguar. Dhe jo vetëm nga Enver Hoxha, që demagogjikisht fliste me veneracion për popullin, paçka se tre të katërtat e tij, po t’i kërkohej t’i specifikonte, i numëronte për armiq. Mënyra se si e mbrojnë ata tërë këtë popull, u jep kënaqësinë e të dukurit patriotë të thekur. Dhe me kaq mbyllet loja. Te këta lloj njerëzish kanë një ndikim të pa filtruar edhe plot shkrimtarë, të cilët popullin e japin gjithnjë në unitet dhe flasin për të si për një personazh të vetëm, që merr vendime referendumesh, që nuk janë zhvilluar kurrë. “Populli ynë e ndjeu” shkruajnë ata. Ose, “shqiptarët iu përgjigjën drejt asaj që po ndodhte në skenën europiane“. Ose, “populli ynë ka shije estetike të hollë”. Dhe këtu e kanë fjalën edhe për shijen e Fan Nolit, edhe për atë të Ramo Lopçarit! Kjo mënyrë joselektive e ve popullin në podium nderi dhe dëshmon patriotizëm katërmbëdhjetë karatësh, pa një pa dy! Tani ka hequr dorë, por tingëllonte më konstruktiv Ismail Kadareja, dikur, në fund të viteve ‘80, kur në parathënien për Migjenin i skanonte realisht bashkëkombësit e tij, që shfaqeshin sypatrembur në konfliktet me njëri-tjetrin dhe servilë e respekt-mëdhenj në dhunën që u vinte nga shteti.

***

Saga e hebrenjve e meriton të nderohet institucionalisht në Shqipëri. Rënia dhe përngritja e tyre është një libër mësimi për shqiptarët, që aq shumë kanë vuajtur gjenocidin, spastrimin etnik, përndjekjet, plaçkitjet dhe shpronësimet, sikurse ndodhi në Kosovë për dekada të tëra në shekullin që shkoi e që kulmuan me mynxyrat e llahtarshme të muajve të parë të vitit 1999. Pa le pastaj të përmendim çamët, që një gjenocid më i egër se ai nazist, paçka se jo në shifrat e hebrenjve, gati i shoi fare. Dëbimi masiv nga trojet, pronat dhe shtëpitë e tyre dhe sidomos shurdhëria e gjithanshme që vihet re sot ndaj dënimit dhe ndreqjes së padrejtësisë ndaj çamëve, e bën edhe këtu përvojën e hebrenjve më të çmuar se kurrë. Edhe vetë shqiptarët e Shqipërisë kanë se ç‘të mësojnë tani, kur pas një vëllavrasjeje gjysmë shekullore dhe një përvoje të hidhur me një mal gabimesh në vendosjen e demokracisë, i shohim të marrin rrugët e botës e të trokasin në porta greke, italiane e deri australiane, ku nuk njohin fare Dukagjinin e nuk e dinë hiç, se ç‘ka thënë ai për mikpritjen.

Por edhe ne duhet të falënderojmë atë fat që i solli hebrenjtë të trokasin në portat tona! Shumë shqiptarë, që kanë pasur miq hebrenj, ruajnë kujtime te bukura prej tyre. Shembujt që sot u jepen fëmijëve, që të mësojnë qysh të rriten të fortë, qysh t’i kapërcejnë vështirësitë, si dhe ku ta gjejnë frymëzimin për punën, qysh ta kenë parasysh se me studime këmbëngulëse arrihen të gjitha sukseset, janë marrë më së shumti nga hebrenjtë, të cilët prindërit shqiptarë patën rast t’i njohin në jetën e tyre anekënd Shqipërisë. Kështu mysafirët, që në nevojë rendën e gjetën strehë tek ne, na e kanë shpërblyer me tepri, pritjen që iu dha atyre në vatrat tona, ndihmë që ata, lumturisht, nuk e harrojnë.

Ata janë të hapur e nga ata ne duhet të mësojmë akoma mbi mënyrën se si i zhvillojnë aleancat, se si bashkohen e si përkrahin njëri-tjetrin në shtetin e tyre e sidomos në diasporë. Kultura e tyre e biznesit, është më e larta dhe më e pasura.

***

E sidomos ne duhet të mësojmë nga individët dhe organizatat e hebrenjve se si janë përpjekur e po përpiqen që ta bëjnë holokaustin, pjesë të ndërgjegjes së vrarë të njerëzimit botëror. Kjo do të na ndihmonte që edhe ne të gjenim hapësirë e të pasqyronim holokaustin tonë. Si nuk u pa e mundur, vallë, që kalvari i çamëve të marrë jetë në teatër, apo në një nga filmat tanë? Është çështje me ndjeshmëri të lartë?! Zemërohen perënditë në Olimp?! Flas për çamët, që kanë më pak mundësira se kosovarët, të cilët megjithatë kanë bërë e bëjnë shumë për përjetësimin në veprat artistike të holokaustit të tyre. Më tej, si do t’ia gjejmë anën që shteti paskomunist të merret seriozisht me holokaustin shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi?

Dhe në këtë pikë bashkohem tërësisht me zemërimin e të persekutuarit Lubonja. Ai revoltohet me shmangien e gjyqit të komunizmit dhe qepjen e kësaj teme në bisht të holokaustit të hebrenjve. Është e pranuar botërisht se praktika kriminale e komunizmit ishte më shkatërrimtare dhe më gjenocidale në Shqipëri, se në vende të tjera. Mund të flitet mjaft për masakrimin në Tivar, për gjyqet e shtresave intelektuale e nacionaliste, për kampet shfarosëse pranë kënetave, për gratë e huaja që u martuan me shqiptarë dhe më pas u trajtuan çnjerëzisht nga shteti diktatorial. Plagët tona kanë shumë për të thënë. Por në mëmëdheun tonë të dashur, keqardhja për ata që e pësuan është sipërfaqësore dhe hipokrite. Ende, kryehetuesit gjakatarë, komandantët e kampeve dhe burgjeve shqiptare, kanë mjete dhe forca që ta pengojnë atë gjykim, sado që ta kërkojë Këshilli i Europës! Familjarët e diktatorit Hoxha, ca muaj më parë, deklaruan se po marrin masa që 100-vjetori i Hoxhës të përkujtohet me madhështi anekënd Shqipërisë, gjë që përbën një provokacion të poshtër e që dëshmon se në Shqipëri, o është e përsosur demokracia, o vazhdon të jetë e përsosur diktatura! Qeveritë tona, kryesisht të mbushura me pasardhës të drejtpërdrejtë nga hierarkia komuniste, nuk duan ta bëjnë e nuk do ta bëjnë gjyqin e mizorive komuniste. Në favor të pasqyrimit të krimeve enveriane, ndihet tek-tuk ndonjë zë, por ata janë zëra sporadikë dhe aspak të vendosur. Nga njerëzit me peshë në botën publike shqiptare janë pak, - për të mos thënë mjerisht tepër-tepër të rrallë - që të jenë të interesuar seriozisht për këtë.

Hebrenjtë kanë financuar e mbështetur fuqishëm kryevepra kinematografike, nga të cilat në kujtesë të lexuesit, unë do të sjell prej tyre vetëm dy nga më të freskëtat: “Jeta është e bukur”- një gjetje madhështore për mbrojtjen e fëmijës nga egërsia e përfytyrimit dhe “Listat e Shindlerit” mbi një oficer SS, Shindlerin, me ndjenja njerëzore, që rrezikoi veten për të shpëtuar qindra e qindra çifutë nga furrat e djegies.

Nisur nga ky subjekti i fundit, dua të pyes, përse nuk i kërkojmë, t’i gjejmë e t’i bëjmë të njohur Shindlerët tanë, që mbrojtën shqiptarë gjatë kalvarit komunist? Mirënjohja për ta do të ishte gjithaq e lavdërueshme. A ka të tillë? Duhet të ketë, po ku janë? Duke gjetur ata e duke zbuluar bëmat e tyre, do të ishte një rrugë tjetër si ajo që merret në të kundërt të rruzullit, për të shkuar tek e njëjta pikë, tek holokausti vetë. Në rastin e ferrit stalinist, ama, duhet ta themi, masa e familjeve shqiptare u tregua më pak bujare e mëshirëmadhe se me çifutët. Përse? Çfarë ndodhi me këto virtyte shekullore që përmend Jakoeli në librin e tij?! Sepse zonja Topalli, nga lartësia e Parlamentit nuk e thotë - dhe as Lubonja në shkrimin e tij nuk e thotë, - se shteti “kolaboracionist” shqiptar ka një meritë të pamohuar për mbrojtjen e çifutëve atje. Zonja Topalli është e djathtë sa s’bëhet më, por deri aty sa të zërë në gojë emrat e Mustafa Krujës dhe të Mehdi Frashërit, ajo nuk arrin! Ajo nuk e thotë që administrata “kuislinge” e inkurajonte mbrojtjen e mysafirëve të përndjekur dhe u lëshoi atyre dokumente me emra false shqiptarësh. Se ndryshe, kur dhe si e qysh, pas Dyzetekatrës, humbën virtytet e edukuara nga Dukagjinët? Nuk kishin kaluar veç dy vjet nga shembulli i bukur shqiptar i fshehjes se hebrenjve, që evidencojnë me mirënjohje organizatat e tyre nëpër botë. Si avulluan, humbën dhe u zhdukën ato virtyte, që pas hebrenjve nevojiteshin për të ndihmuar edhe gratë dhe fëmijët e pafajshëm të shqiptarëve kundërshtarë të komunistëve?! Si kështu?! U harrua kodi dukagjinas brenda dy vjetëve?! Apo, këto virtyte shfaqen më shumë sapo rreziku duket më pak?! Apo, ndofta, frika nga nazistët ishte shumë më e pakët se ajo nga qentë e ndërsyer të luftës klasore enveriane? Paskan qenë, pra, më mizorë besnikët e Enverit, se vetë hitlerianët?! Pa shiko se ç’na del, po t’ia zhdredhësh fillin temës!

Kjo temë në atdheun tonë të dashur, nuk hapet. E sidomos nuk zgjerohet. Ajo, tek ne, zihet në gojë vetëm për demagogji!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora