Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Hiri

| E enjte, 28.07.2011, 07:58 PM |


Kostaq Duka

 

Tregim

 

Hiri

 

   Nga ditët e javës e premtja e ka një veçansi të dukëshme. Me ndjesinë që me mbylljen e saj fillon fundjava e zhurmëshme, festive, zyrtarë e punonjës të thjeshtë ndihen më të çliruar, me një gjallëri të brendëshme që reflektohet edhe në humorin dhe buzëqeshjen. Përshëndetja me urimin " një fundjavë të këndëshme" fillon që në bisedat e para të ditës. Sigurisht fundjavat s'janë vetëm në Amerikë por me sa duket për ngarkesën e madhe të punës dukshëm nga Europa, ato këtu marrin ngjyrime të tjera.

   Me këtë arësyetim shpjegova këtë mëngjez të premteje gjallërinë, të qeshurat, thirrjet e dialogjet me zë të lartë të shitësave të revistave, mbi tridhjetetë vetë djem e vajza të reja që pas mitingut, me thirrje entuziaste , për të arritur suksese në biznes, po bëheshin gati të hipnin në mikrobuzat për t'u derdhur në gjithë zonën përreth. Në sa dyer do të troktisnin këtë të premte për shitjen e revistave?! Dhe pastaj...pastaj do të vinte nata magjike e përsëri mbi mikrobuzë do të derdhen diskove e bareve të natës...

   E kjo është jeta!...Pastaj janë edhe të rinj, mendoja tek po vendosja pijet freskuese në ndarjet përkatëse të makinave frigorifer në hotelin ku punoj. Është verë dhe në gjashtë makinat e pijeve freskuese, të firmës coca-cola, të vendosura në hollet e hotelit ka shitje të mëdha. Njëherë në javë e bej me qejf mbledhjen e lekëve nga këto makina dhe furnizimin me pije freskuese.

   Pas largimit me mikrobuza të shitësve të revistave në mjediset e hotelit ra qetësia. Vajzat e pastrimit kryesisht meksikane shpërndarë në të dhjetë katet e hotelit pastronin dhomat. Ndihej vetëm zhurma e fshesave me korrent. Kur shoh , Danan, punonjësen e sportelit të vijë drejt meje. Dukej e tronditur edhe pse ajo si natyrë është shumë e qetë. Kemi një problem më tha: klientja në apartamentin 557 që u largua para dy orësh më telefonoi shumë e shqetësuar se në valixhen e saj mungonte hiri i trupit të burrit të saj. Thotë se do ta ketë harruar në dhomë.

   -Asgjë e harruar, me vlerë nuk humbet- i thashë. Ku ishte vendosur hiri?

   -Nuk më dha sqarime, por patjeter në dicka që bie në sy. Të lutem leri pijet freskuese dhe më ndihmo. Kjo është e jashtëzakonshme. Maria, që e pastroi këtë dhomë pretendon se nuk ka parë asgjë të jashtëzakonshme që t'i binte në sy . Zonja ngashërehej në telefon. Dua patjetër të gjendet hiri i trupit të burrit tim- më tha.

   Me Danën shkuam në 557 një nga më të mirat e hotelit tip apartamenti me dy dhoma gjumi, dhomë ngrënie e dhomë pritjeje dhe me vaskë të madhe për masazh. E përse kjo zonjë e vetme kishte porositur këtë ambient kur kishim dhoma të lira me një krevat tre herë më të lira?! Të ishte kjo rastësi? E si mund të humbiste mes kësaj zbrazësie hiri i burrit të saj ndarë nga jeta ndoshta ditë apo muaj më parë?!

   Nuk lamë qoshe e vend pa kontrolluar. Hapëm sirtare e kanate mobiljesh, madje edhe brenda në furrën e stofës dhe në frigorifer , nën krevat e nën dyshek. Asgjë e asnjë gjurmë.

    -Zonja do ta ketë marrë me vete. Ndër sendet e saj kutiza a vazoja ku ishte hiri i burrit të saj padyshim ka qënë më e çmuara. S'ka se si të harrohej e të flakej tej mes plehrave si një send pa vlerë-i thashë Danës. E me vete shtova: Mos i ka fajet e premtja?! Ky çlirim prej punës së rëndë gjatë javës që e sjell këtë hutim të skajshëm deri në absurd?

   Dana u rikthye në sportelin e shërbimit me shpresën se zonja pas një kontrolli më të hollësishëm të sendeve të saj do ta gjente hirin e burrit.

   Unë tek vendosja coca-colat e çoja fantazinë deri në zgjidhje situatash të marra. Pas lotëve e klithmave gruaja do të qetësohej e ndoshta do mendonte një zgjidhje. Në fund të fundit burri iku, ai nuk rikthehet më. Trupi i tij sipas amanetit u shndrua në hi. Ai do të ruhet për kujtim a ndoshta do të hidhet në lumë a det sipas dëshirës. Mund të zhvillohet edhe një ceremoni përkujtimore. Gjithsesi të afërm e miq të të ndjerit duan të prekin sendin ku ruhet hiri...... Po sikur, sikur ajo ta zëvëndësonte hirin, për të mos shkaktuar shqetësim, drama, thjesht për të kryer ritet ndëruese në adresë të burrit ? Hiri po hi është, i njëllojtë , i lehtë, ngjyrë gri. Ta zëvëndësonte?! Po si?! Thjesht ta gjente në një  bukëpjekës që ndjek traditën e pjekjes me dru. E sa duhet ? Një dorë, e shumta dy duar hi, jo më shumë.

   O jo, si i shkoj ndërmend gjëra të tilla kjo do të ishte vdekje e dytë që edhe pse s'do të merrej vesh nga askush do ta gryente paprerë shpirtin e gruas. Por... të tregonte të vërtetën ? Që e humbi hirin në një hotel ?! Dikush, dikush mund të guxonte të çonte edhe mendimin. "Mos ndoshta e humbi se natën s'e ka kaluar vetëm por në prani të një mashkulli tjetër edhe pse në valixhe kishte hirin e burrit të saj? "....

   Isha në kulm të këtyre fantazive kur në korridor shoh dy gra. Njëra shumë e moshuar me flokë të gjata, të hirta, të lëshuara supeve dhe tjera rreth të pesëdhjëtave, e shkurtër, e shëndoshë dhe me një fytyrë të përçudnuar nga dhimbja. U futën në dhomën e pastrueses, ku veç karrocës së pastrimit mbahen edhe gjithë furnizimet e dhomave të hotelit. Ato shpërfillën shënimin e dukshëm vendosur mbi derë" Këtu lejohet të hyjnë vetëm punonjësit. "

   Mbylla makinën e coca - colës dhe u afrova pranë tyre. Ato jepnin e merrnin me karrocën e pastrimit duke kërkuar e prekur me dorë gjithçka.

   Zonja u thashë, a mund tu ndihmoj, kjo është dhoma e pastruesve, ju nuk kini të drejtë të hyni e të kërkoni këtu.

   E moshuara heshti si e zënë në faj, ndërsa gruaja e shëndoshë me tone të larta më tha: " Si mos kërkoj? A e di ti zotëri ç'do të thotë të të humbasë hiri i burrit?! E solla me avion së largu këtu në Chicago, e kam mbajtur tërë kohën pranë vetes dhe tani papritur zhduket këtë te premte në këtë hotel. Unë dua hirin ! E mjera unë , si të kthehem mes njerezve të burrit pa hirin e tij ?! Ata po më presin. E sheh këtë? ( Më tregoi një varëse me një kryq floriri) vetëm kjo varëse dhuruar prej tij dhe hiri më kanë mbetur..Une s'ik pa gjetur hirin...

   Ajo më thërriste me një kërkesë të ashpër llogarie a thua isha unë fajtori për humbjen e hirit.

   -Zonjë ne kërkuam gjithë andej dhe jemi të gatshëm të kërkojmë përsëri. Qetësoju, qetësoju, mos u shqetësoni!

   -Si,si të mos shqetësohem?Kjo është kulmi. Kjo e premte, o zot, kush e solli këtë të ligë!...

   Shkuam përsëri dhe rikontrolluam mjediset e apartamentit 557. Asgjë! Acarimi dhe qarjet e gruas gati s'po kontrolloheshin.

   Ndërkohë vjen Maria, as njëzet vjeçe, me një fytyrë ëngjëllore, e vogël në shtat aq sa për ta dalluar nga një Marie tjetër e gjatë, e hollë, i themi Maria e vogël. S'ka kohë që ka ardhur nga Meksika ndaj edhe ka vështirësi në të kuptuar.

   Maria, i thashë gati me te lutur, kjo zonja është e tronditur, ka humbur një gjë shumë të çmuar që s'mund të zëvëndësohet me asgjë, hirin e burrit të saj.

Maria më shihte me sytë e hapur.Dukej që kishte një humbje të madhe por ishte e paqartë se çfarë konkretisht. Ajo gjëra me vlerë quan, varëset, unazat, orët e çmuara. Të tjera? E ç'ka të tjera?!

   U mundova me fjalë të thjeshta t'i shpjegoja se burri i zonjës pas vdekjes nuk u vendos nën dhe, në varr të zakonshëm por me porosi të tij u dogj. Hiri i tij u mblodh dhe do ruhet në vite ose gjithnjë sipas dëshirës së tij mund të hidhet në det ose në lumë. Ja diku, diku kjo zonjë ka vendosur hirin e tij.

   -Pas pastrimit të apartamentit u hodhën plehrat jashtë në kazanin e madh?

   -Jo, tha Maria, në sytë e së cilës tashmë po shihja një gjallëri. Asgjë s'është hedhur, ja ku është qeska me mbetjet nga 557.

   Gruaja e trashë si një skifter u sul mbi qeskën e zezë prej plastamasi e nisi të gërmojë me sy të hapur katërsh.

   Unë, unë më tha Maria me zë të ndrojtur e të ulet si për ta dëgjuar vetëm unë, gjeta vetem diçka pa vlerë si të them si një lodër fëmije, një vazo në miniaturë, thashë mos e hedh në plehra e vendosa diku këtu.

   Mendimi se këtu ishte filli për gjetjen e hirit më përshkënditi në kokë. Gjeje Marie , të lutem- i thashë.

   Ndërsa gruaja me dëshpërim flaku për tokë me neveri qeskën dhe po drejtohej përsëri drejt apartamentit 557 Maria më jep një vazo tepër të vogël as katër cm të lartë me një kapak sipër. Gjithçka prej balte.E ngrita kapakun. Buzë mbi buzë nderej hiri.

   -Bravo Marie- i thashë dhe u drejtova drejt zonjave para se ato të hynin në apartamenti 557.

U gjet , u gjet hiri!

   O zot. O zot... e Premte! Tha gruaja dhe e mori në duart e saj vazon. Tani, tani dua të qaj nga lumturia. Më falni dhe zoti ju bekoftë. A e dini ju zotëri? Me aeroplan erdha në Chicago që nga Atlanta ku jetova me burrin për tridhjet vite. E kisha porosi që hirin e tij ta sillja këtu në Chicago, ku jetojnë prindërit, vëllezërit dhe motrat e tij. Jo rastësisht fjeta në hotelin tuaj. Në dhomën 557 kam fjetur gjithnjë me burrin tim, sa herë vinim në Chicago. Para dy orësh shkova tek të afërmit e tij dhe u thashë : " Po ju sjell hirin." Kur...ai mungonte. Ata u prenë në fytyrë. Ata po presin. Sot e Premte ne kemi ceremoninë e hedhjes së hirit në lumin që kalon mes përmes Chicagos duke përmbushur kështu amanetin e fundit të tij. Oh, zot të falenderoj! Faleminderit edhe njëherë ju zotëri për ndihmesën. Zoti i'u sjelltë të mira! Mbaje mend këtë të Premte!