E enjte, 28.03.2024, 08:51 AM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Jeta e Klementit XI, sovranit Papë

E enjte, 28.07.2011, 07:05 PM


JETA E KLEMENTIT XI, SOVRANIT  PAPË

 

Pjesë nga Antologjia

Fotaq Andrea, “Autorë francezë për Arbëreshët e Italisë, 1417-2007”

nën drejtimin e prof. Francesco Altimarit

 

Pierre François LAFITAU

 

Pier Fransua Lafito (1685-1764), jezuit, profesor i Letrave, veprimtar diplomatik, që shkëlqeu gjatë marrëveshjeve të Oborrit të Francës me Romën (1716-1721) dhe për qëndrimin e vendosur kundër Jansenistëve. Peshkop i Sisteronit dhe Prokuror i jezuitëve të Francës, punoi në mënyrë të veçantë në pranimin e Kushtetutës “Unigenitus”.

 

Letër Pastorale

 

Pier Fransuai, falë Perëndisë dhe Selisë së Shenjtë Apostolike, Peshkop i Sisteronit, Princ i Lursës, Abat i Abacisë së Zojës Sonë të Kornevilës, Këshilltar i Mbretit në tërë Këshillat e tij, etj. i drejton gjithë Besnikëve të Dioqezës sonë Përshëndetjet e tij dhe Bekimin e YnëZot.

Ne po ju paraqesim, Vëllezërit e mi të shtrenjtë, Historinë e Pontifikatit të Klementit XI; kishte ardhur tashmë koha të pasqyronim në sytë tuaj një nga Papët më të mëdhenj që kurrë ndonjëherë nuk e kanë qeverisur Kishën më mirë nga ai; për më tepër, ishte bërë e domosdoshme të jepej për të një tablo e tillë që as vetë Herezia nuk ka arritur ta cenojë në kurrgjë për ta shpërfytyruar si portret. Gjashtë a shtatë mote hyrje-dalje të lirë tek ai, duhet të na kenë mësuar për ta njohur më së miri; andaj, kemi pse mburremi që kemi mundur ta japim sikundër ishte; dhe nëse lavdia që gëzonte ka humbur diçka nga shkëlqimi i vet nën penën tonë, përsëri përmbajtja dhe themelia janë aq të pasura, sa e plotësojnë në çast çdo formë që mund të shfaqet e paarrirë nga ana jonë.

Cili ishte pra karakteri i vërtetë i këtij pasuesi të denjë të Apostullit Pjetër, që deri më sot, ka mishëruar në personin e tij talentet e njerëzve më të shquar dhe virtytet e Shenjtëve më të mëdhenj? Pikërisht këtë do t’ju mësojë ky jetëshkrim i hollësishëm. Duke qenë se nuk kemi të bëjmë këtu me një Lavd për të, por me Historinë e tij që morëm përsipër t’jua parashtrojmë, po ia lëmë të drejtën vetëm veprimeve të tij për të treguar figurën e tij të ndritur.

Gjithë sa mund të themi këtu në përgjithësi është se, tek e shohim të pajisur me tërë ato cilësi të rralla, nuk ka si të mos bindemi se ai ishte krijuar enkas nga Perëndia për kohë aq të vështira dhe se, tek hasim gati në çdo faqe tërë atë modesti në një gjenialitet të rrallë, tërë atë përulshmëri në lartësimin më të madh, tërë atë përkorë në sukseset më të dukshme, tërë atë rreptësi në dëlirësinë më të përkryer, menjëherë ju të gjithë do ta ndjeni veten mbërthyer nga admirimi më i madh.

E pranojmë se kemi të bëjmë këtu me një haraç mirënjohjeje që i detyrohemi kujtimit të Klementit XI. Megjithatë shpresojmë të na mbushni zemrën me gëzim nëse do dini të përfitoni e të lartësoheni me anë të veprës së tij.

 

Dorëzuar në Pallatin tonë Episkopal të Lursës më dhjetë Mars 1752 te Imzot J. David, Sekretar.

 

† Pierre-François, Peshkop i Sisteronit.

 

Libri i parë.

 

Klementi XI lindi në Urbin më 22 korrik të vitit 1649; stërgjyshërit e tij ishin me origjinë nga Epiri[i], ku jetuan në një shkëlqim që i përgjigjej lindjes së tyre; më pas, kaluan në Itali dhe u vendosën në Urbin; prestigji që fituan tek princërit e Roverës, sovranë të asaj ane, u dha rastin të çlironin Italinë pak nga pak nga frika e një lufte të padëshiruar. Horac Albani e parashikoi një gjë të tillë, duke nxitur Fransua-Marinë e Roverës, Duk i Urbinit, i fundit nën këtë emër, t’i përfshinte shtetet e veta nën sundimin e lashtë të papëve, që kishin qenë zotëruesit e saj të parë. Në shpërblim, ai u bë Senator romak dhe për trembëdhjetë vjet me radhë e plotësoi këtë detyrë denjësisht; por i ndjeshëm ndaj një jete më të tërhequr, u rikthye në Urbin, ku dhe vdiq mbas disa vitesh.

Dhe një nga pasardhësit e tij, për të cilin kam marrë përsipër të hartoj këtë jetëshkrim, e ngriti lavdinë e Shtëpisë së vet gjer në kulmin e madhështisë njerëzore; pati për prindër Karl Anibalin dhe Elena Moskan, nga një familje po ashtu fisnike dhe e pasur. E quajtën Gjon Francesk [Gianfrancesco] gjatë pagëzimit; dhe tek erdhi në jetë, nuk do kish për të lumturi më të madhe tek gjeti në familje shembuj të lartë për t’u mbrujtur me virtyte: i ati, ushqente plot ndjenja për Fenë, kurse e ëma nuk njihte asgjë tjetër më të madhërishme sesa sytë drejtuar nga Perëndia; si njëri dhe tjetri i vunë qëllim vetes t’i jepnin një edukim të shenjtë birit të tyre. Dhe me këtë pikësynim, afruan pranë të birit, që në vitet më të brishta, njerëz të sprovuar me virtytin; i siguruan për dado një vajzë të virtytshme, e cila u përkushtua e tëra në përkujdesje të fëmijërisë së tij. Zherom Moska, ungji i tij nga nëna, nuk kursehet aspak për edukimin e tij në besimtari: kishte qenë Kryepeshkop i Urbinit dhe shembujt që kishte dhënë në jetë do të mjaftonin shkëlqyeshëm për t’i ushqyer fëmijës ndjenjën e së  virtytshmes. Me udhërrëfyes të tillë aq të mirë, Gjon Franceskoja nuk kish si të mos merrte një edukim të përkryer; ishte i ëmbël si fëmijë, i bindur ndaj prindërve dhe i pranonte me kënaqësi mësimet që i jepeshin; por, nga ana tjetër, kishin frikë se mos tërë ai zell dhe tërë ajo dashuri që ushqente për lutjen mund të mos linin vend për mbarështrim në mësime. Vetëm i ati nuk iu tremb një gjëje të tillë, duke gjykuar krejt ndryshe: përpara asaj prirjeje për virtytin që vinte re te i biri, nuk kish si të mos arrinte në përfundimin se, në fund të fundit nisur thjesht nga detyra, i biri domosdo do shtrohej në studim pasi të kish kuptuar rëndësinë e tij; vetë familja ishte model për mbrujtje me dije, gjë që shpejt do shërbente si një stimulim.

Karli kishte dy vëllezër dhe një motër që shkëlqenin në artin e oratorisë e të të shkruarit; njëri quhej Anibal. Urbini VIII e kishte propozuar atë të merrte nën përkujdesje Bibliotekën e Vatikanit: prej kohësh, Anibali kish nisur punën për të hartuar i vetëm tërë Koncilet; por më në fund, nën peshën e një pune aq të rëndë, u lëshua e vdiq në moshën dyzet e pesë vjeçare; i ati, qoftë nga dashuria, qoftë nga vlerësimi i punës, i ngriti një mauzole me epitaf, ku jepet në mënyrë të përkryer portreti i tij. Vëllai tjetër i Karlit, aq i njohur nën emrin Malatesta, ishte një djalosh i përkryer në tërë drejtimet. Fliste gjuhët e ditura, zotëronte matematikat, shkëlqente në pikturë, u binte instrumenteve të ndryshëm muzikorë; nuk ishte veçse njëzet e pesë vjeç kur u dërgua në Francë për një marrëveshje nga më të vështirat. Mbretëresha Mari dë Medicis i fali portretin e saj gjithë diamante dhe Urbini VIII i rezervonte vend nderi pranë tij; por vdekja nuk do mungonte ta merrte atë Sovran Pontif, dhe Malatesta, pak kohë më pas, do të vdiste edhe ai gjatë një udhëtimi të dytë nga Parisi, në moshën njëzet e tetë vjeçare; ishte një gjeni i rrallë. Pas vdekjes, iu bënë të njëjtat nderime sikurse të vëllait; por këtë radhë ishte nipi i Papës ai që i ngriti atij mauzole. Julia, e motra e tyre, tashmë nënë e Kardinalit Olivieri, ishte bërë aq e famshme në artin e të shkruarit bukur të italishtes, sa barazohej me shkrimtarët më të mirë të kohës; letrat që ruhen prej saj përmbajnë në vetvete aq forcë dhe kohezion në gjykim, aq elegancë në stil, aq delikatesë në mendim, aq fisnikëri në ndjenja, aq urtësi e devotshmëri në ngjeshje mendimi, sa zor se gjen aq të përkryera; ishte ajo që mori përsipër të shfaqte vazhdimisht te Gjon Franceskoja figurat shembullore të dy ungjërve të tij; dhe me këtë pikësynim i rinte përherë pranë.

I nipi përgjithësisht ndoqi krejt udhëzimet që i jepte e emta; jo vetëm nuk u vu më re ai lloj largimi që kishte pasur fillimisht për librat, por përkundrazi, u vu re një gatishmëri e etje për t’i lexuar, të cilave më pas do duhej t’u vihej fre. Parapëlqente mbi të gjitha të lëçiste jetën e njerëzve të mëdhenj; i kapërceu vështirësitë e para në shkencat humane me një lehtësi të mahnitshme, falë një kujtese të fortë, një gjykimi të shëndoshë dhe talenteve të rralla në gojëtari; dhe tërë këto prirje frytdhënëse do të puqeshin me një zell të pambarimtë; kuptohet, në këtë rast, si do të shkëlqente një ditë në Letrat e bukura.

 

Tek u vu re prirja e tij në këtë fushë, u pa e arsyeshme që, në vend të mbahej edhe ca kohë në Urbin, ai të dërgohej në Romë për të përfunduar studimet; vetë i ati e mori përsipër ta shpinte aty; nuk do vononte dhe krejt familja do shpërngulej në Romë. Një mrekulli që do ndodhte në atë kohë, pak a shumë e ngjashme si ajo që rrëfejnë për Shën Ambruazin, do shfaqej si një ogur i mirë për djaloshin Gjon Francesko: po atë natë që hyri në Romë, një luzmë bletësh iu qep dritares së tij gjatë kohës kur ishte në gjumë; ngjarja u duk e veçantë në atë qytet të madh.

Gjon Franceskoja nuk ishte më shumë se njëmbëdhjetë vjeç në atë kohë; shkencat jepeshin mësim në Kolegjin Romak, me po të njëjtin shkëlqim që ia kemi njohur përherë që në ato kohë. Njohu përparime të shpejta në studime. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare, njihte përkryer greqishten për të filluar në këtë gjuhë një këmbim letrash me At Poussines, jezuit i famshëm në krejt Europën për erudicionin e tij të thellë. Do jetë pikërisht Gjon Franceskoja që shtatëmbëdhjetë vjeç do zhvarrosë nga Biblioteka e Manastirit të Grotaferratas, pranë Freskatit, atë pjesë të Menologut[ii] të urdhëruar nga Basil Porfirogjeneti, që dijetarët nuk kishin mundur ta gjenin që prej shtatëqind vjetësh, dhe që e konsideronin si një monument të lashtësisë tërësisht të humbur; dhe do jetë sërish ai që do përkthejë po ashtu në latinisht Homelinë e famshme që Sofroni, peshkop i Jeruzalemit, ka shkruar në greqisht për apostujt Shën Pjetër e Shën Pal; dhe që, duke e shoqëruar me një disertacion për dy Sofronët, na mëson se kujt prej dy apostujve  i përkushtohet Homelia. Dhe përsëri do jetë ai që, po në atrë periudhë, do jepte në një latinishte elegante lëvdatën e mrekullueshme që dhjaku Prokop i bëri Shën Mark Ungjëllorit; dhe e dha pikërisht siç e këndojmë edhe sot me admirim në vëllimin e tretë të Bolandusit, më 25 prill.

Në mbarim të Retorikës, shumë pjesë nga Autorët më të mirë do të bëheshin për të më se të zakonshme, kaq mirë i njihte; Filozofia po ashtu u përthith prej tij. Profesori i tij i Teologjisë[iii], një nga njerëzit më të shenjtë e më të shkathët të kohës, fliste për të sikur kish të bënte me një engjëll, që dallohej qoftë nga bukuria e gjenialitetit të tij, qoftë nga pastërtia e zakoneve me të cilat ishte mbrujtur. Si në njërën Drejtësi, ashtu dhe në tjetrën, mori një njohje të saktë të Ligjeve qytetare e kanunore, dhe kur erdhi koha që të shfaqte para publikut përparimet që kish njohur në studime, ai nuk do

mungonte ta bënte këtë nëpërmjet një sinteze të tillë universale të suksesshme, sa do siguronte kështu nderimet më të mëdha. Të gjithë pohonin se kurrë nuk kishin parë një mendje aq shumë të hapur për shkencat, por edhe aq shumë të frytshme për një moshë të re.

Atdheu sikur e kërkonte për kënaqësinë që i jepte, tek sodisnin në personin e tij tërë mirësinë e lëvduar. Domosdo që kapa e doktoraturës në Romë do kish qenë për të diçka joshëse; por, prapë, do kish qenë e mangët në drejtim të detyrimit që ai kish ndaj bashkëqytetarëve të tij, dhe vetëm ky vlerësim për ta do mjaftonte që ai të vendoste të shkonte në Urbin për të marrë atë gradë. Mbarë konkursi e priti krahëhapët dhe me dëshirën e zjarrtë për ta parë të përparojë. Kandidati i ri do dinte ta përligjte edhe këtë radhë mirëbesimin që kishin ndaj tij. Edhe më shumë u bindën që Gjon Françeskoja kishte lindur për të përmbushur një ditë detyrat më të mëdha, se kishin gabuar kur e kishin shtrënguar të linte Romën dhe se lypsej ta nxisnin të rikthehej përsëri aty. Duke qenë se ishte kthyer në vendlindje thjesht për kënaqësi dhe duke mos pasur kurrë mendimin të braktiste përgjithnjë Romën tek ish larguar prej saj, shumë shpejt do merrte vendimin për t’u rikthyer.

Dhe me t’u gjendur në Romë, shpejt do njihte nderime të pazakonta për bashkëmoshatarë të vet: dijetari De Luca, që u bë Kardinal në atë kohë, dukej sikur priste rikthimin e tij për të kaluar në kritikën e djaloshit veprat që kishte hartuar; dhe në fakt, i botoi vetëm kur Gjon Françeskoja i gjykoi të denja për të dalë në dritë. Peshkopi i Vaisonit[iv], që në atë kohë ishte në Romë si shpirti i tërë Akademive filologjike ngritur në mënyrë aq të dobishme, bëri diçka më tepër. Foli për të në një auditor të gjerë si një gjeni që në greqisht e latinisht shkëlqente për prozën dhe vargun, dhe aty nuk e pati të vështirë t’u vinte në dukje Romakëve se nuk do vononin dhe do ta shihnin të ngrihej me një fluturim të shpejtë gjer në majat më të larta të krejt madhështive njerëzore.

Veçori të tilla kaq të shquara e kaq të nderuara nuk kish si të mos tërhiqnin vëmendjen, dhe tërë vështrimet u drejtuan tek ai. E mahnitur nga gjithë ajo famë që po përhapej për djaloshin, mbretëresha Kristinë e Suedisë do shprehte dëshirën ta shihte atë në radhët e Akademistëve të saj. Kjo princeshë, që qe tërhequr ato vite në Romë, mblidhte çdo javë rreth vetes, rregullisht, gjithë sa ishin aty mendje të larta nga mbarë kombet. Ishte një trupë e përbërë nga tërë ata që, ardhur nga Franca, Spanja, Gjermania e Italia dalloheshin për nga rangu e dituria në atë Kryeqytet të botës së krishterë. Kardinalët dhe prelatët, princërit dhe fisnikët romakë, ambasadorët dhe ministrat e huaj e kishin për nder e kënaqësi të ishin të pranishëm; disa madje e ndjenin si detyrë dhe u dukej se do humbitnin shumë sikur të mungonin qoftë edhe një seancë. Aty trajtohej gjithçka që gjuhët kanë më të vlefshme në fushën e dijes; gjithçka që Lashtësia e shenjtë dhe profane ka më të përkryer; gjithçka që Historia ka më të vlerësuar; që rrëfimi ka më të çuditshmen; që autorët e poetët kanë më domethënësen në shkrimet e tyre; gjithçka që vetë Dija ka më fisniken e më të përkryerën. Zgjidheshin lëndët që duheshin diskutuar dhe i caktohej çdonjërit subjekti i disertacionit; dhe në ditët e përcaktuara, secili vinte, sipas radhës, për të ballafaquar rezultatet e studimit të tij me mendimin e të pranishmëve.

Që në fjalimet e para që Gjon Françeskoja mbajti aty, u pa qartë se do cenohej rendi i paracaktuar, sipas të cilit çdo Akademist kish të drejtë të mbante fjalën vetëm një herë, dhe sërish vetëm kur tërë anëtarët të kalonin aty me radhë. Gjon Françeskoja u përjashtua nga një ligj i tillë. U bë si rregull që ai të dëgjohej sa herë të qe e mundur. Shumë shpejt, këto lloj kuvendimesh do të shndërroheshin në shfaqje publike për nga numri i madh i atyre që rendnin për ta dëgjuar, dhe për nga kënaqësia që shijohej. [...]

 

La vie de Clement XI, Souverain Pontif,

(Jeta e Klementit XI, Sovranit Papë), Padova, 1752.

 


[i] Gjovani (Gjon) Françesko Albani, papa i 241 në krye të Vatikanit, është me origjinë shqiptare. Stërgjyshi i tij Mikel Laçi, me origjinë nga Kurbini, duke mos dashur të ndërrojë fe për t’u shndërruar në mysliman, vendosi të shkojë në Itali dhe e ndërroi emrin e familjes në Albani, me qëllim që pasardhësit e tij të mos harrojnë rrënjët e të parëve të tyre. Albanët janë një familje e shquar gjatë tërë ekzistencës së tyre. Djemtë e Mikelit, Gjergji dhe Filipi luftuan përkrah Gjergj Kastrioti Skënderbeut për mbrojtjen e vatanit. Altobeli, i biri i Gjergjit ka qenë Senator në Romë. Horac Albani, i biri i Altobelit, ka qenë Prefekt i Bibliotekës së Vatikanit. Po ashtu, katër nipër të Klementit XI ishin Kardinalë.

Lidhur me origjinën e tij shqiptare, papa Klementi XI ishte krenar dhe e konsideronte Shqipërinë si atdheun e tij. Ndihmoi në dhënie bursash për bashkëpatriotët e tij dhe më 1711, çeli një shkollë në Shqipëri, ku jepej mësim gjuha shqipe.

 

[ii] Në zanafillë, menologu është një libër liturgjik që vjen nga tradita orientale e kristianizmit. Përmban listën mujore të festave liturgjike që lypset të kremtohen.

[iii] At Esparza Atteda.

[iv] François Marie Suarez.



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora