Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Yzeiri: Në Tiranë është freskët, therim dash për kurban

| E enjte, 28.07.2011, 07:11 PM |


Në Tiranë është freskët, therim dash për kurban

 

Nga Ilir Yzeiri

 

Karikatura është pamja e deformuar e një objekti që të mundëson paraqitjen e njëanshme të tij, theksimin e një tipari ashtu siç e sheh ai që e ndërton atë karikaturë. Është një imazh që e paraqet objektin të ndryshuar dhe të zmadhuar në njërën anë, në mënyrë që ai që e sheh, të hyjë në një marrëdhënie tjetër me objektin, të shohë aty atë anë të cilën deri dje nuk e kishte vënë re, nuk e kishte parë. Ceremoniali i betimit të Lulzim Bashës si kryetar bashkie tashmë është një imazh, një tekst që mund të paraqitet në disa pamje. Ai ka anën groteske bie fjala, grotesk që u pa dje te mania për ta shndërruar një ceremonial të zakonshëm në një manifestim ndërkombëtar me ambasadorë, nga të cilët vetëm ambasadori Volfarth e kishte marrë seriozisht, aq seriozisht sa në një pjesë të opinionit u ringjall imazhi i këtij ambasadori me gotën e birrës në dorë, meqenëse nxitja që i ka dhënë ai, sidomos prodhimit të birrës në vend, ka bërë përshtypje veçanërisht. Nga gjithë kjo të dukej se ambasadori i OSBE-së, që bën kujdes të shfaqet gjithmonë me pamje të qeshur e me baseta të prera spic, dukej se po shfrytëzonte rastin për të hedhur ndonjë kupë, ose për t’i futur ndonjë gotë birrë. Ceremoniali kishte edhe anën dramatike që u pa në çastin kur përfaqësuesi i opozitës i numëroi Lulzim Bashës hyneret e tij dhe i tha se kishte vjedhur mandatin, se kishte vjedhur Rrugën e Kombit dhe e quajti madje edhe vrasës. Gjithë ky spektakël do të dukej normal nëse mediat nuk do të kishin lajmëruar për kurbanin, për dashin që po therej në këmbët e bashkisë dhe për gjakun që po vadiste themelet. Në ekran shfaqet një djalë me një thikë të madhe në dorë dhe tre-katër të tjerë pas tij dhe dashi i mjerë. Pastaj nis therja. Thonë se dashit nuk i dilte shpirti, se mezi u ther, se tundej e përpëlitej, se ishte një skenë makabre, thoshin disa, se ishte gallatë thoshin disa të tjerë. Ndërkaq, ajo skenë plotësonte karikaturën dhe na paraqiste ne të gjithë ashtu siç jemi, gjysmë karagjozë, gjysmë afganë, gjysmë pashtunë. Ndërsa ceremoniali i betimit të Lulzim Bashës kthehej në karikaturë dhe kapardisja e tij në karrigen e kryetarit të bashkisë të kujtonte një kloun të dëshpëruar që qesh se nuk di ç’të thotë, që zbardh dhëmbët ngaqë si formë të veprimit ka pantomimën. Mirëpo ne të gjithë jemi mbështjellë me ngjyrën e kuqe të gjakut që derdhi dashi në këmbë të bashkisë. Ne, pas kësaj, jemi shënjuar si njerëz me fat. Ne i blatuam perëndisë një kurban, një dash. Mirëpo, nëse do të provonim t’i shpjegonim një të huaji se përse duhej të therej dashi në mes të Tiranës dhe përse betimi dha marrja e Bashkisë duhej spërkatur me gjakun e pafajshëm të një dashi, do ta kishim të pamundur. Do ta kishim të pamundur se një gjë e tillë nuk ndodh në Irak, nuk ndodh në Afganistan, pra nuk është një rit mysliman që përdoret në ceremonialet demokratike të ndërrimit të pushtetit. Po çfarë është? Është thjesht një karikaturë, është një shfaqje e deformuar e një riti të caktuar. Kurbani ose blatimi i një shpirti te një perëndi, dhurata që Perëndia të zbusë zemërimin, njihet që në kohët pagane dhe në sistemin politeist. Ai njihet gjithashtu edhe në traditën monoteiste. Mirëpo dashi që u ther në këmbët e bashkisë dhe gjaku që spërkati muret, nuk janë blatim për ndonjë perëndi të caktuar. Po të ishte kështu, Perëndia nuk do ta kishte pranuar atë kurban, por do ta kishte hedhur tej me neveri. Ndërkaq, gjithë ky spektakël është një karikaturë, është një pamje me kokë poshtë, sepse është ndërtuar i gjithi mbi triumfin e shkeljes së ligjit. Kurbani dhe gjaku i derdhur aty janë përfundimi i një procesi grotesk e qesharak. Dashi që përpëlitej dhe gjaku që derdhej, të kujtonte sakrificën e Tomës, të Sashenkës e të gjyqtarëve të mjerë të Kolegjit Zgjedhor që shitën shpirtin e tyre ashtu si ai dashi i mjerë në këmbë të bashkisë në mënyrë që e qeshura e Lulzim Bashës të bëhet edhe më e bardhë, edhe më e pangjyrë. Kështu ne shënuam një rekord tjetër, ne u bëmë edhe njëherë gazi i botës duke e bërë muajin korrik një muaj karikaturë, duke e ngrohur freskinë e këtij muaji me gjakun e ngrohtë të dashit që u ther në këmbë të bashkisë për të zbutur perëndinë e zemëruar që mallkon Lulzim Bashën pse ka vrarë katër njerëz, pse është paditur nga prokuroria se ka zhdukur mbi 200 milionë euro, pse ka shitur detin shqiptar dhe pse pranoi të therë shpirtin e tij me hanxharët e manipulimit të votave, pse u bë kurban për oreksin e Sali Berishës. Tashmë në imazhin kolektiv u shtua edhe një figurë tjetër: ajo e Lulit dhe e dashit të therur. Të dy bashkë do të na shoqërojnë kudo si një manifest me copëra gjaku për të na kujtuar gjithmonë se ne nuk kemi ndryshuar, ne jemi një vend karikaturë.

Mirëpo ky muaj dhe këto ditë u shënjuan edhe nga dy ngjarje të tjera. Pak kohë më parë u përkujtua gati me gjysmë zëri 100-vjetori i lindjes së Migjenit dhe dashamirësit e kulturës italiane morën vesh edhe për dhjetëvjetorin e vdekjes së një prej gazetarëve më të mëdhenj italianë e europianë gjithashtu, Indro Montaneli. Migjeni dhe Montaneli kanë jetuar në të njëjtin shekull, por kanë jetuar në dy kohë të ndryshme. Migjeni tregoi Shqipërinë e mjerë dhe të rraskapitur. Montaneli tregoi Italinë komplekse e qesharake. Montaneli u bë vetëdija e një kombi të cilin nuk e kursente por e tallte, e përqeshte dhe e lavdëronte kur duhej. Migjeni tregoi një botë të kalbur, një Shqipëri të vjetër dhe të sëmurë dhe aludonte e kërkonte një botë të re. Ai nuk kurseu madje as klerin, askënd. Ndërsa Montaneli gjithashtu nuk kurseu dhe nuk fali askënd. I besoi lirisë së tij dhe vlerave universale të jetës. Kur Presidenti i atëhershëm, Kosiga, e ftoi të bëhej senator i përjetshëm, ai nuk pranoi se nuk donte të varej nga askush. Në Itali, por edhe në Europë, ai ka mbetur modeli i gazetarit dhe intelektualit të lirë e të pavarur, që nuk bën kompromis me asnjë pushtet, por që e ndërton pushtetin e tij, duke qëndruar ulur në tavolinën e punës. Ndaj dhe imazhi i tij me makinën e shkrimit është bërë simboli i vlerës intelektuale që nuk shpërbëhet e nuk squllet përballë joshjes së pushtetit. Migjeni ishte poeti që paralajmëroi epokën e re, ndryshimin e madh. Ai arriti të poetizojë mjerimin, arriti të trondisë shoqërinë me portretin dhe me imazhin e skamjes, të padrejtësisë, të urisë, duke u bërë kështu pararendësi i shoqërisë moderne që ndërtohet mbi principin e barazisë në shërbime. Sot personazhet e Migjenit janë shtuar dhe ne jetojmë përditë me ta, pa u shqetësuar më për fatin e tyre. Ne tashmë jemi një vend perëndimor dhe sjelljet tona kapitaliste e justifikojnë mjerimin, lypjen, krimin, vjedhjen, gjithçka. Ne tani jetojmë në epokën e sharlatanëve dhe nuk çuditemi më kur një cub apo një kriminel ordiner dikton politikën për turizmin apo për trojet në bregdet. Duke vështruar Montanelin dhe Migjenin ne duhet të bindemi përfundimisht se tipi i gazetarit të lirë e të pavarur që refuzon pushtetin, është një model i vjetër, arkaik. Sot në Shqipërinë që i pushton institucionet duke therur një dash për kurban, është në modë që gazetarë e politikanë, hajdutë e kriminelë bashkë të na qeverisin, të na drejtojnë e të na japin mend, që televizione e gazeta të na mbysin natë e ditë me lajme për burra shteti demokratë dhe ne të bëjmë hosana kur shohim se si ata ndërrojnë vetura, se si shtojnë llogaritë në miliona euro, se si ndërtojnë rrugë e autostrada. Ndaj edhe kujtimi i Migjenit, i njëqindvjetorit të tij është një bezdi dhe një humbje kohe për këtë shtet që po i spërkat muret e qeverisjes me gjakun e dashit. Ndërsa unë nga të gjitha aforizmat e Montanelit që në këto ditë të përvjetorit të tij u përmendën me tepri, do të përmend vetëm njërën. Montaneli ishte antikomunist i thekur, por kur e pyetën se kë do të zgjidhte mes një komunisti naiv dhe një demokrati hajdut, u përgjigj: “Jo, më mirë një komunist naiv”.

 

Gazeta Shqip