E premte, 29.03.2024, 08:37 AM (GMT)

Kulturë

Sabile Keçmezi-Basha: Itakë të pashë ëndërr

E marte, 26.07.2011, 06:58 PM


Sabile Keçmezi-Basha

 

 

ITAKË TË PASHË ËNDËRR

 

Itakë, mbrëmë të pashë ëndërr

Të bukur, të blertë, madhështore siç je

Unë nuse u bëra,dhe qava në prehrin tënd

E Ti pyete

A qanë atdheu vallë?

 

Itakë,

Kohët u ndalën në ecje, mbrapshtë

Dhembjen ma preke me gjuhë dhe më shërove

Duart e ngrira me hukamë m’i  ngrohe

Një shekull e akullt  isha

Dhe ndodhi ekstaza…

 

Itakë,

Pse më vije vetëm në ëndërr

Në vite  me tri stinë të çala

E ka net të tëra që frynë stuhia

Kur edhe ëndrra nuk të mbërthen

Në Formulën e Pagëzimit

 

 

GJARPRI I SHTËPISË

 

Në muret e dhomës sime

Gjarpri i shtëpisë ma qet gjuhën

Për çdo mbrëmje më përqeshë

për të pabërat, që i palëzova në arkën e gjyshes

dhe për dhembjen që shartohet me mjegullnajë

 

Gjarpri i shtëpisë për çdo natë të lume

Më rritet ndër sqetull duke ma thithë gjakun

Gjersa unë e ledhatoj për çdo agim

Duke i treguar përrallën

Medet, gjarpri i shtëpisë pak nga pak

Ma grimcon kullën  dhe ma gris kujtesën

Për ditën e pa-ardhur

 

 

NË HOTEL “NIRVANA”

 

Në hotelin  “Nirvana” sonte

Hamë krem karamele

Dhe llafosemi sa për të thënë

 

Bisedojmë tema të bezdisshme

Dhe themi sa jemi të lodhur

E Iliria  na rëndon mbi supe

 

Itakë

Në këtë stinë

Na mungon shumëçka

Por…

Do ti them një ditë tjetër

 

O zot

Sa e sëmurë është

Kafka e shekullit

 

 

MË PREMTOVE

 

Më the

Se për çdo ditë  LIRIA do të kthehet nga pak

Në gishta  do t’i shartoj ëndrrat

Çfarë fati Itakë!

 

Rrugët shpesh boshatisën në këtë qytet

Pritja vritet nga  rrufetë e papritura

Marrëveshjet bilaterale në zero e kthejnë orën

 

Itakë,

Ec e bjeri në fije

Udhëtimit gjer në stinën tjetër

 



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora