E enjte, 25.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

“Adem Jashari”, shkatërrohet në Beograd

E shtune, 09.02.2008, 06:44 PM


Ekspozita e 11 artistëve kosovarë ka shkaktuar incidente në Beograd. E parashikuar të çelej mbrëmjen e së enjtes, gjithçka është anulluar. Ultranacionalistët serbë (raportimet luhaten mes 300 dhe 100) të organizatës "Obraz", kanë protestuar para galerisë "Kontest", ku do të çelej ekspozita "Zmbrapsje". Ndërsa punimi i artistit kosovar, Dren Maliqi i titulluar "Face to face", ku paraqitet figura e Adem Jasharit në përmasa reale përballë Elivis Presley-it është dëmtuar. Prej kësaj vepre u nxitën edhe debatet në qytetin Novi Sad, ku ekspozita u çel dy javë më parë. Kuratorët serb të ekspozitës kanë reaguar ndaj situatës së krijuar. Ata i kanë bërë thirrje opinionit publik që të mos përdorin artin për të shprehur mllefe politike. Por duket se kjo ka qenë e pamundur. Incidenti ka dalë nga kufijtë e një provokimi artistik, e ka kaluar në deklarata të ndërsjella të forcave politike. Kuratorët serb, Vida Knezheviç, Kristian Lukiç, Ivana Marjanoviç dhe Gordana Nikoliç, i kishin zgjedhur vetë punimet e 11 artistëve për t'i shfaqur së pari në Novi Sad, aty ku edhe ka nisur debati. Pjesë e "Zmbrapsje" kanë qenë edhe artistët bashkëkohorë, Artan Balaj, Jakup Ferri, Driton Hajredini, Flaka Haljiti, Fitore Isufi - Koja, Alban Muja, Vigan Nimani, Nurhan Qehaja, Alketa Xhafa dhe Lulzim Zeqiri. Figura e Adem Jasharit në përmasa reale, e realizuar nga artisti Dren Maliqi ka ndezur debatin që në ditën e parë të ekspozimit në Novi Sad. Gazetat serbe kanë shkruar më shumë se për çdo ekspozitë tjetër. Ndërsa reagimet kanë përfshirë forcat politike serbe. Përballë situatës që ka degraduar në Beograd, kuratorët serb të ekspozitës i kanë bërë thirrje Ministrisë së Kulturës së Serbisë që të reagojnë shpejt ndaj këtij rasti dhe ta gjykojnë atë. "I bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës së Republikës së Serbisë si dhe sekretariatit të qytetit të Beogradit, që të reagojnë në mënyrë urgjente dhe ta gjykojnë këtë akt të dhunshëm", - janë shprehur kuratorët. Ata kanë kërkuar që ekspozita të çelet edhe pas incidenteve, pikërisht në momentin kur në "Serbi dhe në Beograd është më se e nevojshme demokracia dhe toleranca".

Incidenti
 
Incidenti ka ndodhur rreth orës 18:30, kohë kjo kur duhej të fillonte ekspozita në galerinë "Kontekst" në Beograd. Pas ekspozimit në Novi Sad, punët e 11 artistëve shqiptarë nga Kosova duhet të prezantoheshin edhe në këtë qytet. Por para fillimit të ceremonisë së çeljes së ekspozitës, një person ka hyrë në galeri me një gur në dorë, duke kapur mikrofonin dhe duke bërtitur: "Si nuk po ju vjen turp" dhe "kthehuni në Prishtinë". Mediat serbe kanë shkruar se në afërsi të galerisë janë mbledhur rreth 300 aktivistë të organizatës "Obraz" (Fytyra). Madje disa prej tyre mbanin edhe fotografinë e komandantit të njësisë speciale, Millorad Ulemek - Legija, i cili po akuzohet për vrasjen e kryeministrit të ndjerë serb, Zoran Gjingjiç si dhe për vrasjen e kryetarit të dikurshëm të Serbisë, Ivan Stambolliç. Një numër i madh i forcave të policisë janë vendosur para galerisë, për të mos lejuar anëtarët e "Obrazit" të afrohen.

Politizimi

Pas incidentit në Beograd, ku vepra "Face to face" e artistit kosovar Dren Maliqi është dëmtuar, reagimet kanë qenë të shumta. Në fakt rasti i ka kaluar kufijtë e një debati artistik. Edhe pse më parë kuratorët serb u munduan të shpjegojnë se "Adem Jashari" i Maliqit, ishte një punë që ironizonte popullarizimin dhe shpërdorimin e miteve, kjo deklaratë nuk i ka qetësuar ujërat. Por ç'është më e keqja, çështja ka marrë ngjyrime politike. Askush nuk diskuton për provokimin artistik. Që në ekspozitën e Novi Sad, Partia Demokratike Serbe dhe Partia Socialiste Serbe kanë hedhur deklarata që e kanë lidhur këtë përpjekje artistike me pritjen e Pavarësisë së Kosovës. Tensioni është ende i pranishëm. Pas incidentit të Beogradit, dje kanë dalë në deklarata edhe forcat politike Kosovare, duke e kthyer këtë në një debat të mirëfilltë politik. Artistët dhe kuratorët janë munduar t'i shmangen kësaj. Vet artisti Dren Maliqi është shprehur se reagimi që vepra e tij pati në Serbi është një shenjë e qartë që Serbia ka ende probleme të shumta në shoqërinë e saj. "Kjo është edhe një shenjë që Serbia ka probleme të mëdha në shoqërinë e saj, me ultranacionalistët dhe radikalët që nuk duan të pajtohen me realitetin e Kosovës". Ky incident ka ardhur pikërisht në momentin e ndehur kur në Kosovë pritet nga dita në ditë të shpallet pavarësia. Ndërsa nga deklaratat politike të Serbisë, është shprehur hapur mosnjohja e Kosovës si shtet i ri. Kjo propagandë është shtrirë në masën e gjerë të popullit. Në këto kushte, vetëm posteri i Adem Jasharit ka mjaftuar për të ndezur gjakrat e për të gjetur një shkak proteste. Pavarësisht ngjarjeve të ndodhura, kuratorët janë shprehur sërish se ata do të përpiqen të gjejnë një mënyrë të ekspozimit të veprave të 11 artistëve kosovarë te publiku serb. "Kjo ekspozitë dhe nismat e tjera në rajon, tregojnë se mund të tejkalohet trashëgimia e hidhur e së kaluarës përmes gjuhës universale të artit bashkëkohor. Njëkohësisht, kjo tregon se është e mundshme e ardhmja e përbashkët e Ballkanit", - kanë deklaruar ata.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora