E enjte, 25.04.2024, 08:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Zhburrnimi i Fadil Zekës

E marte, 26.07.2011, 07:59 PM


DANIEL GÀZULLI

 

ZHBURRNIMI I FADIL ZEKËS

 

- Tregim

 

Fadil Zekën e mbante gjithë Sopoti për burrë të sertë. E pra bisedën e kishte të shtrueme, të paqtë, edhe pse fliste tue mbërthye vetullat sikur ti  vriste dielli sytë.

Trup mesatar, ndoshta edhe ma pak se mesatar, por të lidhun e të fortë, gjardanin e fishekëve mbërthye për brez, pushkën gjithmonë në krah, si kur shkonte me lërue arën, ashtu edhe kur shkonte në kuvend; aq i ishte ba si pjesë e trupit ajo pushkë e shkretë, sa kur lirohej prej saj në shtëpi, i dukej se i mungonte diçka.

Që i pëlqente të mbahej me të madhe, kjo dihej. Kalin e kishte ma të mirin në të gjithë zonën, edhe pse ndoshta nuk ia kishte pasë vaktin të blinte një kalë aq të shtrejtë në Domosdovë. I kushtonte ma shumë qesteku, qendisë me ar e argjend, se ora e xhepit “Çarkisuf”.

Ndoshta nga që fliste pak, prandaj thonin se ishte i sertë.  Natyrisht, edhe pse reagonte menjëherë nëse ndokush mendonte se mund të matej me të.

Ishte tridhjetë e pesë vjeç kur u nda kësaj jete e shoqja, Hirja, tu i lanë dy vajza si drita, dy dhe katër vjeçe. Erdh e u ngrys, u ba edhe i randë në biseda me të tjerët, pse thuhej se e kishte dashtë shumë të shoqen. Nuk asht se në atë kohë burrat e shprehnin para katundit dashninë për grue, por megjithate fjala ishte hapë: E ka këputë vdekja e së shoqes. E donte shumë.

Pa mbushë vitin nga vdekja e saj, Fadil Zeka u martue për së dyti, por nuk bani dasëm. Edhe pse kambëngulën prindët e tij dhe farefisi, ai nuk desh të këndohej.

Si ishte zakon në ato kohë, mori për grue motrën e së shoqes, Aishen e mirë, që nuk i kishte mbushë ende gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Fadil Zeka e kishte dashtë shumë kunatën e vogël e ja që jeta e solli ta kishte për grue.

Ishin prindët e Aishes që kambëngulen për këte martesë të panatyrëshme. Ndoshta u shtynë nga që vajza e parë, Hirja ditëshkurtë, u kishte folë shumë mirë për të shoqin, por sidomos që ti rriste tezja dy jetimet e vogla.

Muejt e parë marëdhanjet e tyne nuk qenë aspak të lehta. Edhe pse ai, ndoshta edhe prej konstruktit fizik që kishte, dominohej shpesh prej epshit, e kishte kaq të vështirë të kryente marëdhanje seksuale me kunatën-grue. Por pak e nga pak dëshira iu shtue aq shunmë, si atij ashtu edhe Aishes, sa ngriheshin të pangopun me gjum mëngjeseve.

Kaluen plot katër vjet deri sa Aishja u ba nanë. Mbesave-vajza u erdh në jetë një vëlla, që të gjithë thonin se i ngjante Fadilit si dy pika shiu.

Ndërsa vitet kalonin, gjithmonë e ma hijerandë bahej Fadil Zeka për katundin e për gjithë Sopotin mbarë.  E pra mbas martesës së dytë i erdhën edhe punët ma mbarë: sa kishte hy Italia dhe i blenë një pyllë aq sa nuk do ti kishte shkue as në mend se mund të kushtonin as gjithë pyjet e Sopotit mbarë. Atë italianin që ia bleu, e shoqnonte një mësues i njohun prej Pogradeci, që i tha shqip: Kërkoi njëqindfishin e çmimit, Fadil. Dhe italiani, as një as dy, i rrahu paret.

Fadili nuk i kurseu ato: bleu, po çfarë nuk bleu, deri gjana që nuk ishin pa ndonjëherë në katund. Po që mbushi me bukurina, mbushi të shoqen, Aishen. Do ti  bajë qefin, thonin gojëligët, e ka gruen njëzet vjet ma të re se vehten. Se e kishte ma të re thonin, por sa e donte nuk e dinin. Nuk dinin edhe se Aishja nuk e donte ma pak. Vetem në një rast zemrohej me të ajo: kur i hynte në pjesë të gjiut djalit të vogël.  Pikërisht atëherë, kur zemrohej Aishja,  Fadili qeshte me të madhe dhe e shtërngonte me gjithë forcën në krahët e tij si prej çeliku.

Gjithçka shkonte mirë, deri një ditë që u hap fjala se e shoqja, Aishja pra, kishte thanë: “Burri im i sertë? Nuk njoh njeri me shpirt ma të butë. Edhe pulat i ther vjehrra, se ai nuk ka shpirt ti mbysë”.

Nuk u muer vesht kujt ia kishte thanë këto fjalë, as kush i përhapi e para, por në dy ditë e mori vesht gjithë katundi e në dy javë gjithë Sopoti.

Një mbramje heret, tek po ngjitej drejt shtëpisë, ngarkue mirë hejbet me mall që kishte ble në treg të Librazhdit, i doli para një bashkëfshatare, Zybja e Sali Kalleshit, dhe i kapi kalin për freni.

- Ndal  Fadil Zeka! i tha ajo gjithë kërcënim. Po a kujton ti pse jam grue mundesh me luejtë me emnin tim?! Kur më paske shtrue ti, bre pusht?!

Fadili u zu ngusht. As për te e as për një grue në të gjithë Sopotin kurrë nuk e kishte thanë një fjalë të paburrni. Kjo Zybja, dihej se ishte grue e randë, as kishte si e duronte me i kapë kalin për freni, aq ma pak me i durue fjalët e shpifuna. Nuk ishte koritë deri më sot e shpresonte në Zotin se nuk do ti vinin punët me u koritë. E humbi krejt: gjithësesi i binte me u koritë. Nëse do të duronte fjalët e Zybes, do të bahej gazi i botës. Në ia kthente Zybes me kamxhikun që e kishte ngritë në ajër, do të bahej turpi i botës.

Theri pelen dhe u largue me të shpejtë, sa për pak e hodhi hundë e buzë  Zyben, që kishte mbërthye frenin me gjithë forcë.

Nuk kishte ba as tre minuta rrugë kur u ndesh në Haxhiun, vjehrrin e Zybes. Ndali pelen, zbriti me të shpejtë prej saj dhe i tha Haxhiut të uleshin e të dridhnin nga një cigare.

Haxhiu po e shikonte ngultas në sy. Nuk kishte si mos me e kuptue se Fadil Zeka ishte krejt çeherprishun.

Si ndezen cigaret, Fadili i tregoi shtruet çka i kishte ndodhë pak ma parë me të renë. Nuk ia tha me të keq, se ishte burrë i urtë e i ishte dashtë fare pak kohë me marrë vehten.

Haxhi Kalleshi u zu aq ngusht, sa po i dridhej buza e nuk dinte si me iu përgjegjë. Veç i tha se nuk ishte koritë e se nuk do ta linte me u koritë: Pa marrë dielli më ke te shtëpia, sa ti çoj fjalë edhe të shoqit tek livadhi.

Burrat u ndanë pa i urue njeni tjetrit as ditën e mirë e as natën e mirë, se e lanë me u pa përsëri.

Tue iu afrue shtëpisë së vet, Fadili ndezi edhe një cigare tjetër, se desht të shfrynte me duhan, mos tia kuptonin prindët dhe Aishja se diçka e randë i kishte ndodhë.

Si shkoi e giciloi pak Skënderin e vogël, doli përsëri në oborr, mori një këmesë dhe u drejtue nga fundi i kopshtit mbrapa shtëpisë, se i kishin ra në sy do ferra të rrituna tepër. Në të vërtetë donte të shfrente me atë këmesë e të ishte larg prindëve e Aishes sa të merrte vehten plotësisht.

Mirëpo, sa kishte shkëmesë dy ferrat e para, ia behu Haxhi Kalleshi. Qeshte si i marrë. Oj Aishe! thirri qysh te dera e oborrit Dil e më prit, moj të marrtë e mira!

Vërtetë Haxi Kalleshi po qeshte, po Fadil Zekës i kërceu delli në krye. Tek ajo derë thirrej emni i Oso Zekës, jo i së resë. Mandej, si qeshte si i marrë?

Ia behen në oborr prindët e Fadilit, doli edhe Aishja me Skënderin e vogël në krah e dy vocrraket që e ndiqnin mbas, e shikonin të çuditun Haxhi Kalleshin, që qeshte me të madhe.

Arrijti aty edhe Fadili.

- Kjo ta ka fajin! Kjo! iu drejtue ai Fadilit tue tregue Aieshen Kjo ka thanë për ty: “Burri im i sertë? Nuk njoh njeri me shpirt ma të butë. Edhe pulat i ther vjehrra, se ai nuk ka shpirt ti mbysë”. E Zybe horja ime ka dashtë me të vu në lojë, po ti nuk prite as me ta thanë, se gati e more rrëshanë me kalë. Hahahaha! qeshte Haxhiu.

Të tjerët nuk po kuptonin asgja.

Atëherë Haxhiu ua shpjegoi hollë e hollë si kishte ndodhë e filluen me qeshë edhe të tjerët. Bile edhe Fadil Zeka e vuni buzën porsa në gaz. Shikoi të shoqën në sy dhe i tha:

- Vërtetë ke thanë ashtu?

Aishja, tek i dridhej cepi i buzës, por fytyren që i shëndriste prej gazit, iu gjegj:

- Po .... e kam thanë ...

Fadilit iu çel fytyra edhe ma shumë e i tha Aishes:

- Afroju. Afroju të të përqafoj. Të vërtetën ke thanë, ashtu jam, shpirtbutë.

Sopoti mbarë e mori vesht si u zhburrnue Fadil Zeka, që përqafoi të shoqen në sy të prindëve e të botës, pa i ra syni në      qerpik.

Kjo, sa mbahej mend, nuk kishte ndodhë kurrë rrazë atij mali hijerandë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora