E shtune, 20.04.2024, 01:50 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Deficiti i demokracisë

E marte, 26.07.2011, 07:59 PM


DEFICITI I DEMOKRACISË

 

Nga Frank Shkreli

 

Ndërkohë që kriza financiare dhe deficitet buxhetore kanë marrë përmasa botërore, qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës po përpiqen të stimulojnë ekonomitë e tyre duke financuar programe masive publike -- me para që nuk i kanë -- duke u futur në borxh deri në fyt.  Megjithëse ka përjashtime dhe ndryshime politike e filozofike mbi mënyrat se cila është rruga më e mirë për të luftuar ngadalësimin e veprimtarive ekonomike, shumë ekonomistë, politikanë si dhe qendrimi i përgjithëshëm konvencional është se për të stimuluar ekonominë duhet shpenzuar sa më shumë, bile edhe duke u zhytur në borxh të thellë, tani për tani, dhe që sipas tyre të shqetsohemi më vonë për borxhet dhe deficitet e mëdha buxhetore me të cilat do të përballen brezat e ardhëshëm.

 

Megjithëse nuk jam ekonomist, këjo më duket një politikë e çmendur ekonomike, por objektivi i këtij artikulli nuk janë borxhet as ekonomia botërore dhe as deficitet buxhetore, por është deficiti i demokracisë  sidomos në Evropën Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Ballkan, 20 vjetë pas renjes së Murit të Berlinit.  Ky fenomen diskutohet nga individë ekspertë, nga media,nga organizata promovuese të demokracisë anë e mbanë botës dhe shpesh është pjesë e politikave qeveritare dhe objekt konferencash ndërkombëtare.

 

Më 1990, përfaqsuesë nga 56 vende të Organizatës për Sigurim e Bashkpunim në Evropë (OSBE) u mblodhën në Kopenhagë për të nënshkruar ''Dokumentin e Kopenhagës'', dokument ky i cili ofronte një program ose një projekt për zhvillimin pluralistik demokratik për vendet anëtare, i bazuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-ës.  Dokumenti u nënshkrua në një kohë kurë në Evropë po ndodhnin ndryshime dramatike dhe historike, si rrjedhim i rënjës së Murit të Berlinit dhe e regjimeve komuniste anë e mbanë Evropës Lindore.  Si pasojë e këtyre ndryshimeve, parimet e dokumentit të Kopenhagës u pranuan nga të gjithë mbrenda një kohe të shkurtër dhe pothuaj pa asnjë debat, sepse ato përfaqësonin parime e qendrime të përbashkëta, pas një periudhe të gjatë regjimesh komuniste, të cilat jo vetëm mohonin pluralizmin dhe zhvillimin demokratik, por luftonin ashpër cdo dukuri të tilla në shoqëritë e tyre të kontrolluara nga partitë komuniste.  Duke i hedhur një sy zhvillimeve të 20 vjetëve fundit në vendet anëtare të OSBE-s, me disa përjashtime, dyshoj se në shumë vende ekziston i njëjti entuziazëm si para 20-vjetësh për zbatimin e parimeve të ''Dokumentit të Kopenhagës'', kur të merret parasyshë se, sipas ekspertëve ndërkombëtarë në këte fushë,  zhvillimi pluralist demokratik dhe respekti për të drejtat e njeriut ka pësuar rënje në një numër vendesh anëtare gjatë të njëjtës periudhë.  Këjo u vu në dukje vitin e kaluar në konferencën me rastin e 20-vjetorit të ''Dokumentit të Kopenhagës'', mbajtur në Danimarkë, ku shumë pjesëmarrës bënë thirrje për zbatimin e plotë të parimeve të ''Dokumentit të Kopenhagës'', duke vërejtur se në disa vende anëtare ishte shënuar zmbrapsje ose mos-zbatim të neneve të këtij dokumenti historik, që në atë kohë siguroi një përkrahje universale.

 

Edhe organizata ''Freedom House'' e cila mbështet zhvillimet demokratike dhe monitoron proceset e pluralizmit politik dhe zbatimin ose jo të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, botoi fund muajin e kaluar raportin e saj vjetor për 2011 për vendet ish-komuniste në tranzicion, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.  Ndërsa raporti i Freedom House nënvijon arritjen e Shqipërisë në lidhje me lirinë që gëzojnë shqiptarët tani që të udhëtojnë lirisht pa viza në vendet e Bashkimit Evropian (BE), kritikat e raportit të Freedom House lidhen me klimën e politizuar në vend, e cila është këthyer në një krizë të vazhdueshme politike pas zgjedhjeve të vitit 2009, që sipas raportit është ndikuar rëndë edhe nga refuzimi i deputetëve socialistë që të marrin pjesë në seancat e parlamentit shqiptar.  Bashkimi Evropian,  për ri-shqyrtimin e antarësimit të Shqipërisë në BE, ka venë si kusht dialogun midis përfaqsuesve të klasës politike shqiptare, e që është një prej kritereve bazë të nevojshme drejtë antarësimit në BE.  Miqët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i bëjnë thirrje politikës shqiptare, pothuaj me litani të përditshme, për zgjidhjen e krizës dhe ngërçit politik.  Ambasadori i BE-së Etore Sequi deklaroi sot nga Pogradeci se ‘integrimi i Shqipërisë është ende larg axhendës së BE-së, por i takon politikës, theksoi ai, të vendosë si prioritet integrimin e Shqipërisë...Kemi besim se politika do të bashkëpunojë për integrimin e vendit. Objektivi më i madh i politikës shqiptare duhet të jetë pikërisht integrimi, pasi Shqipëria është larg axhendës së BE”, tha Sequi, duke shtuar se Shqipërisë i mbetet shumë punë për të bërë në drejtim të integrimit të vendit në Evropë.

 

Raporti i Freedom House është kritik edhe ndaj Kosovës si shteti më i ri i Evropës, posaçërisht përsa i përket korrupsionit dhe lirisë së medias.  Në raport thuhet se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë sfida për shtet-ndërtimin e Kosovës dhe u bën thirrje ndërkombëtarve që të ndihmojnë në zhvillimin demokratik të Kosovës ku të sundojë ligji.  Raporti i botuar në fund të Qershorit erdhi në përfundim se ''pesë vende të rajonit (Ballkanit), Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë shënuar rënje në vlerësimin e zhvillimeve demokratike duke shënuar hapa prapa në lidhje me mos përfilljen e disa kritireve (demokratike) që janë të nevojshme në përpjekjet e tyre drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian'', drejtë vlerave dhe parimeve të përbashkëta evropiane.

 

Para do kohe, në Qëndrën Vudrou Uilson në Uashington, Zbigniew Brzezinski, ish-këshilltar i Presidentit Karter për sigurimin kombëtar dhe ekspert i çeshtjeve evropiane -- zëri i të cilit mbi politikën e jashtme është ndër më të rëndësishmit në Amerikë -- pat thënë se Evropa gjatë dekadave dhe shekujve të kaluar kishte ''një sens përgjegjësie dhe angazhimi për një shoqëri të bazuar në drejtësi, liri dhe në vlerat universale......por duhet mbajtur mend se meqenëse me dekada të tëra, gjysma  e Evropës nuk shikohej si pjesë e saj, dhe si rrjedhim gjithnjë ekziston dyshimi se, në një mënyrë ose në një tjetër, këjo pjesë e Evropës nuk ndanë plotësisht këto vlera demokratike të traditave historike, të këtyre vlerave që përcaktojnë se ç'është Perëndimi, për më tepër se ç'është Evropa....''

 

Ish Kryeministri britanik Çërçill ka thënë se ‘demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të gjithë atyre sistemeve që janë provuar më parë…dhe në të njëjtën kohë, ka thënë ai, është vështirë të mendohet për një sistem më të mirë’.

 

E vërteta është se 20-vjetë pas rrëximit të sistemit komunist, deficiti i demokracisë dhe dyshimet për të cilat flet Zoti Brzezinski për Evropën ish-komuniste janë reale, sidomos në Evropën jug-lindore.

 

Me të drejtë mund të flitet për sukseset dhe transformimet gjatë kësaj periudhe të 20-vjetë demokraci në Shqipëri, në Kosovë e në trojet tjera shqiptare në Ballkan.  Por në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetdijshëm edhe për të metat nepër të cilat po kalon politika dhe institucionet shtetërore e qeveritare.  Duke marrë parasyshë situatat e krijuara politike në të gjithë trojet shqiptare, tani dhe në të kaluarën e afërt, lind pyetja nëse shqiptarët në përgjithësi kanë jo vetëm vullnetin dhe kurajon, por edhe imagjinatën dhe largpamësinë – që nepërmjet këtij sistemi jo të përsosur, të quajtur demokraci – të mbrojnë sot dhe në të ardhmen interesat kombëtare, që sot për sot, një prej këtyre interesave është integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian, e për të cilin kushti kryesor mbetet bashkpunimi dhe dialogu midis palëve të ndryshme të politikës shqiptare.  Megjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Përendimore për Shqipërinë dhe për Kosovën, bashkpunimi dhe dialogu midis palëve politike shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të imponohet as të importohet nga jashtë, bile as nga miqët që ia duan të mirën kombit shqiptar, por duhet të realizohet mbi bazën e respektimit të parimeve demokratike dhe të shtetit të së drejtës midis palëve.  Gjithashtu edhe pjesëmarrja aktive e popullit dhe institucioneve qeveritare dhe jo- qeveritare, përfshirë edhe median, të kombinuar me një skepticizëm të shëndoshë ndaj pushtetit politik – është jetike  për mbrojtjen dhe përforcimin e këtij sistemi  megjithëse jo të përsosur, të quajtur demokraci.  Besoj se kushti paraprak për vendosjen e një demokracie – sado të pa-përsosur — është Liria. Sot shqiptarët gëzojnë Lirinë. Kombit shqiptar i ka munguar liria për periudhën më të gjatë të ekzistencës së tij. Përvoja gjatë dekadave nën diktaturën stalinisto-sllavo- komuniste, shpresoj të na ketë mësuar dhe bindur se nuk ka gjë më të shtrenjtë dhe më të bukur se Liria.  Megjithëse atmosfera e lirisë nuk garanton një shoqëri pa konflikte politike, ajo jam i bindur unë, do të ndihmojë në vendosjen e një demokracie të vlefshme dhe autentike anë e mbanë trojeve shqiptare.  Prandaj, sot pas 20 vjetë lirie, le të nderojmë të gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën për liri, e të cilët me sakrificat e tyre ndihmuan në transformimin e shoqërisë dhe të kombit shqiptar – në emër të tyre të punohet, të veprohet dhe të ruhet e të mbrohet liria, me qëllim që të ndërtohet demokracia, e që shqiptarët të pranohen, të respektohen e të admirohen si pjesëtarë të denjë të familjes evropiane.  Sepse deficiti i demokracisë mund të ketë pasoja shumë më serioze dhe afatgjatë për kombin shqiptar se sa deficitet buxhetore dhe gjëndja e tanishme ekonomike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora