E premte, 26.04.2024, 12:26 AM (GMT+1)

Mendime

Mimoza Dervishi: Ky shteti mizor qe vret bebet

E shtune, 09.02.2008, 02:38 AM


Ky shteti mizor qe vret bebet

Nga Mimoza Dervishi

Një bebe 2-muajshe e gjysëm ka vdekur urie, sepse policia në Fushë-Mamurras të Kurbinit mbajti prindërit e saj për rreth dhjetë orë në komisariat. Arsyeja? Dyshoheshin se kishin vjedhur një lopë!!! Në shtëpinë e tyre, katër fëmijë, përkatësisht 2 muajsh, 1 dhe 3 vjeç, e më i madhi vetëm 6 vjeç, kanë qëndruar të vetëm për dhjetë orë më radhë. Mizori më të pashoqe nuk ka! Nëna, e tmerruar, ka vrapuar pas dhjetë orësh t‘i japë bebes të pijë, por ka qenë shumë vonë. Klodiana e vogël ka dhënë shpirt të nesërmen nga hipertensioni dhe uria.

Nuk besoj se ka prind e sidomos nënë në këtë botë, që të mos rrëqethet dhe dridhet nga kjo lloj mizorie, jo vetëm e disa policëve të pashpirt e pa tru, por nga mizoria e një shteti të tërë, pa rregulla e ligje. Çdo ministër i Brendshëm do jepte dorëheqjen menjëherë, çdo drejtor policie do bënte të njëjtën gjë. Dhe në fund të ditës, shkaktarët e drejtpërdrejtë të kësaj ngjarjeje makabre duhen ndëshkuar me ligj.

Sot jetojmë në kohërat kur na dridhet mishi të hapim dhe lexojmë gazetat shqiptare. Parlamenti bën sikur shqetësohet për krimin brenda familjes dhe sot ky krim është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një shteti mizor. Prindër që varin veten se nuk kanë të ushqejnë fëmijët, burri që vret gruan apo anasjelltas po si rrjedhojë e skamjes, fëmijë që mbeten vetëm se prindërit u përfundojnë në burg dhe lista vazhdon e vazhdon. Vetëm dy ditë më parë, Martini 17-vjeçar, operohet nga apandesiti dhe përfundon i paralizuar dhe qorruar, sepse mjeku ishte në kafe kur i doli narkoza. Ku është ministri i Shëndetësisë, që nuk e dha dorëheqjen kur të korruptuarit e tij u kapën me presh në duar?! A nuk është momenti ta japë dorëheqjen sot, nëse sigurisht nuk është jashtë shtetit. Jo se dorëheqja e tij do t‘i kthejë sytë Martinit, apo duart dhe këmbët, por të paktën do parandalojë krime të tjera në të ardhmen.

Ja se çfarë ndodh kur fisi i tij drejton shëndetësinë shqiptare, ja se ç‘ndodh kur një njeri pa haber nga mjekësia, por me dëshirë për t‘u pasuruar, vihet në krye të saj. Në fakt, është detyra jonë që këta njerëz të paaftë në mjekësi, polici e kudo tjetër, t‘i detyrojmë të japin dorëheqjen, sepse Berisha ka hallin e koalicionit sot për sot. Në të vërtetë, është një qeveri e tërë që duhet të largohet, sepse me këto që po na dëgjojnë veshët e shohin sytë, Shqipëria është sot një vend skandaloz dhe i frikshëm, që as nivelin e botës së tretë nuk e kap dot, e jo më të Maqedonisë, me të cilën u prekëm aq shumë se na mbylli derën.
Le t‘i kthehemi ngjarjes së familjes së mjerë Bushati. Vijnë policët, marrin prindërit dhe lënë pas të vetëm katër fëmijë, më i madhi 6 vjeç e më i vogli vetëm dy muajsh. Kujt ia lanë? Çfarë menduan për këta motakë, që mund të kishin vdekur, pse jo të gjithë në një ditë dhe vetëm Zoti i ka ruajtur? Dhe sidomos kur shohin një bebe në djep... Ky është makabritet i paparë! Sigurisht 4-5 policë injorantë mund të thonë se kanë zbatuar detyrën. Por cilën detyrë dhe cilin ligj?

Në prag të Vitit të Ri, të gjithë u shashtisëm sesi katër fëmijë në afërsi të Tiranës rrinin vetëm në skamje, sepse nëna që kishte vrarë babanë ishte në burg. Sot ne nuk e dimë si i shkon halli asaj familjeje. A ka sistem dhe ligje sociale ky shtet? A e dini se në Shtetet e Bashkuara dhe, ma do mendja, kudo në Evropën e bukur ku duam të shkojmë, me ligj një fëmijë nuk lejohet të rrijë vetëm nëse është më i vogël se 13 vjeç? A e dini se një familjeje që ka fëmijë të mitur, edhe nëse nuk i paguan dritat për vite me radhë, nuk ia presin vetëm e vetëm për shkak të fëmijëve? Për të mos folur për të tjera benifice sociale, apo raste të tilla kur policia arreston a merr në pyetje prindërit... Në radhë të parë, kthen kokën pas e sheh sesi do akomodojë fëmijët. Ndërsa në Shqipëri lutjeve të një nëne, që kërkonte t‘i jepte për të pirë bebes së saj, policët jo vetëm nuk i janë përgjgjur, por kanë vazhduar ta mbajnë aty për dhjetë orë, për ta pyetur për një lopë!!!

Para pak ditësh, "Fiks fare" transmetoi pamjet kur polici rrugor rrihte me tabelë një qytetar dhe e gjakoste. Pa u shuar ende zemërimi për këta injorantë me uniformë policie, ngjarja e Fushë -Mamurrasit i kalon të gjitha caqet njerëzore. Sot, prindërit e foshnjës së vdekur nuk kanë as fuqi të ulërasin dhe t‘i hakërrehen shtetit. "Na lini në hallin tonë", kanë thënë ata. Por a duhet lënë ky shtet idjot, pa rregulla e pa caqe në hallin e tij?

Sot, kur dëgjon për Klodianën e vogël, që dha shpirt e pangopur, je totalisht i pafuqishëm për të bërë diçka ta kthesh në jetë. Por kriminelët, që marrin jetë foshnjesh dhe që janë veshur me uniforme policie, duhen ndëshkuar ashpër, publikisht dhe ligjërisht. Ata që drejtojnë dikasterin e policise duhet të largohen, por kryesorja, ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqjen. Kërkoni çdo enciklopedi lajmesh botërore, një lajm të tillë nuk do ta gjeni kurrë, sepse ne tani jemi kthyer në vendin me skandaloz të botës. Por ama, dorëheqje ministrash kur aksidentalisht ndodhin vdekje fëmijësh, keni me qindra. E pra, dorëheqja nuk është standard moral kur vëllai i ndonjë ministri kapet duke vjedhur apo kërkuar favore tenderash. Standardi moral është diçka tjetër, dhe sot me tepër se kurrë duhet vendosur. Një ministër Shëndetësie i paaftë duhet të japë dorëheqjen, kur një fëmijë i operuar në spitalin që ai drejton sakatohet dhe lihet për gjithë jetën i paralizuar dhe i qorruar. Një ministër i Brendshëm jep menjëherë dorëheqjen, kur një bebe vdes për qumësht, sepse nënën ia mbajnë të izoluar policët.

Ky është standardi që duhet vendosur sot. Përndryshe, nëse nuk protestojmë të gjithë për sytë e atij djaloshi, që nuk do shohë më dritën e diellit, për zemrën e asaj bebeje që pushoi së rrahuri, ngjarje të tjera makabre do vazhdojne të na dëgjojnë veshët e shohin sytë dhe ky shtet do kthehet përfundimisht në një shtet vrastar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora