Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Emigrantët edhe pse te integruar, rrezikojnë kthimin!

| E marte, 26.07.2011, 07:59 PM |


Emigrantët edhe pse te integruar, rrezikojnë kthimin!

 

Mungesa e këshillimit mbi legjislacionin për emigrantët në Austri po u sjellë shumë familjeve probleme,disave me kthim, e disave deri të ndarja e familjes

 

Nga Ramiz Selimi

 

Emigranti shqiptar, në fazën e parë lufton për të mbijetuar, në fazën e dytë për t‘u integruar, në fazën e tretë për t‘u afirmuar, në fazën e katërt për prosperitetin e tij dhe sigurimin e të ardhmes së familjes së tij.

Tani një pjesë e madhe e tyre që kanë kaluar me sukses fazën e dytë, atë të integrimit si Familja Komani, Shala, Zogaj dhe së fundi Durmishi, që ishin temë e diskutimeve në mediat Austriake, pa permendur familjet tjera të cilat nuk u bënë publike për opinionin, janë kthyer ose rrezikojnë kthimin. Në shumicën e mediave të shkruara dhe ato elektronike në faqet e para mbizotronin titujt:“Në Kosovë nuk mund të mbijetojmë“,  „Më mirë është të bëjmë vetvrasje, se sa të kthehemi atje“, „Shteti udhëheqet nga mafia“, „Ju lutem mos na dërgoni në varr“ e plot tituj tjerë me imazhe negative për vendin tonë. Këta tituj janë nga fjalit e emigrantëve të dëshpruar e të pambrojtur.

Mungesa e informacionit dhe mosnjohja e ligjeve për emigracion nga emigrantët në shtetet ku jetojnë, i kanë sjellë ata në një pozit shumë të palakmueshme, sa që organeve shtetrore të cilat punojnë plotësisht në përputhje me ligjet në fuqi, nuk u mbetet gjë tjetër, pos për t’i kthyer në vendin e origjinës. Kthimi i personave mirë të integruar nuk pritet mirë, as nga organizatat civile, e as nga pjesa dërmuese e popullatës vendase, ata kritikojnë vazhdimisht pushtetarët dhe kërkojnë në riparimin e ligjeve ose për një informim edhe më të afërt me personat që vijnë nga rajonet shqiptare.

Pushtetarët e vëndeve pritëse pas takimeve dhe njohjes komplete të mentalitetit të pushtetarëve tanë, marrin vendime shumë më leht për të zbatuar ligjin, duke e ditur injorimin dhe mosinteresimin total të këtyre njerëzve për qytetarët e vet.

Eshtë në të mirë të vetë emigracionit tonë dhe të mbarë vendit, që Ministrija e Diasporës, të bashkëpunojë me bashkësitë shqiptare në diasporë, për të njohur dhe gëzuar sa më mirë dhe më shumë të drejtat dhe liritë që u garantohen nga kushtetutat e vendeve përkatëse, për t'u integruar dhe përfaqësuar sa më denjësisht.

 

Për këtë qëllim mund të angazhohen juristë që gjenden në gjirin e bashkësive të emigrantëve tanë si dhe vendas. Një rol të madh mund të luanin botimi, si broshura apo publikimi nëpërmjet rrjetit të internetit, i neneve që shprehin të drejtat dhe liritë e komuniteteve të emigracionit të huaj, sidomos nga vendet joanëtare të BE- së.

 

Kjo është bërë urgjente dhe e domosdoshme edhe për faktin që jo pak emigrantë shqiptarë, edhe pse bëjnë pjesë në shumicën me dokumente të rregullta, me qëndrime dhe sjellje korrekte në punë dhe jetesë, edhe pse janë integruar denjësisht, nuk u shpëtojnë rasteve jo të rralla të diskriminimit që shkon deri në paragjykime dhe qëndrime raciste.

 

Shumë shprehës është fakti se për çdo krim që ndodh në vendet e BE-s, nga mediat është bërë traditë apo praktikë që fillimisht dyshimi dhe autorësia adresohen tek elementë keqbërës nga emigracioni shqiptar. Kur hetimet zbulojnë se autori apo autorët ishin vendas apo nga bashkësi të tjera emigrantësh, komunikata e parë e ka bërë efektin e saj, duke e nxirë edhe më shumë imazhin e shqiptarëve, duke inkriminuar ata padrejtësisht si bashkësi, pa bërë diferencimin nga pakica e inkriminuar.

Çdo rast fatkeq për të përforcuar imazhin negativ, mundohen të ngrejnë teori dhe të përgjithsojnë sa të mundin. E gjithë kjo propagand peshon mbi supet e emigrantëve të ndershëm shqiptar si një ngarkesë e përditëshme. Krijon stresin shtesë që kolegët e tyre nuk e kanë. U krijon vështirsi për integrim, të cilin e fillojnë të shoqëruar me këtë handikap të pashmangshëm tashmë.

Imazhi negativ u krijon vështirsi në luftën e tyre për kompetivitet në tregun e punës, ndoshta i pengon në karierën profesionale dhe i detyron të qëndrojnë sa më larg implikimeve të padëshirueshme

 

Edhe individët nga kontigjenti i të inkriminuarve kanë të drejta që u njihen nga kushtetutat e këtyre vendeve. Se bashkësia e emigrantëve shqiptarë eshtë më e diskriminuara dhe më e pambrojtura, e shpreh edhe fakti se në rastet kur emigrantë shqiptarë kanë probleme me policinë dhe drejtësinë janë ndoshta të vetmit që nuk kanë të drejtën dhe mundësinë të përfaqësohen, këshillohen dhe mbrohen nga avokatë mbrojtës bashkëkombas.

 

Këtë të drejtë ka shumë vite që e kanë fituar dhe e gëzojnë bashkësi të emigrantëve nga shumë vende tjera ballkanike, të europës lindore, vendeve afrikane, aziatike, etj. Kështu emigrantë shqiptarë me probleme penale apo civile me policinë dhe drejtësinë janë bërë një gjahë i majmë për pasurim nga avokatë mbrojtës vendas. Disa prej këtyre hyjnë në pazare me funksionarë nga palët akuzuese për t'i zgjatur sa më shumë procedurat e hetimit, paraburgimit dhe të gjykimit.

 

Para këtyre paragjykimeve apo qëndrimeve, të cilat shpesh marrin ngjyra dhe forma racizmi dhe, përfaqësitë tona diplomatike përgjithësisht kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë shurdh- memecin, duke mos reaguar askund e as në rrjetin mediatik të vendeve ku janë akredituar.

 

Është nisur njëlloji iniciative nga disa emigrant shqiptarë, sidomos nga Kosova, për njohjen dhe komentimin e legjislacioneve për emigracionin në vendet përkatëse, Por ky organizim nuk e ka efektin sikur organizimi institucional. Ndërsa emigrantët dhe refugjatët shqiptarë përgjithësisht edhe kanë qëndruar larg e ftohtë ndaj ketyre veprimtarive të bashkëkombësve të tyre, edhe nuk kanë shprehur dëshirë e përpjekje për vetorganizim.

 

Nje numer i konsiderueshëm i intelektualve gjendet në shtete të ndryshme. Ata duhet identifikuar si emra dhe me adresa. Ky kontigjent i intelektualve mund të aktivizohet dhe mund të jepë shumë për veprimtari të larmishme në diasporë.

 

Shqetësimi i shtetarëve tanë më të lartë nuk duhet të kufizohet dhe mbetet vetëm në zbulimin apo evidentimin e të metave, dobësive dhe mangësive, në identifikimin e atyre që kanë përgjegjësi direkte apo indirekte, por të punojnë në realizimin e objektivave për përmirësimin e gjendjes. Këta emigrant janë qytetar tonë, që ne nuk e patëm mundësin t’u ofrojmë një vend pune në atdhe për rrethana të ndryshme.