E enjte, 28.03.2024, 01:59 PM (GMT)

Mendime

Zaim Kuçi: Arma e re e terroristëve, bombë nën lëkure

E hene, 25.07.2011, 06:58 PM


Arma e re e terroristëve, bombë nën lëkurë

 

Nga ZAIM KUÇI

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak ditë më parë kanë dhënë alarmin për prodhimin nga terroristët të armës së re “bombë nën lëkurë”. Po në këtë kohë, Gadafi kërcënoi haptazi Europën, përballë mbështetësve të tij të shumtë libianë për sulme kamikaze, duke u bazuar në idenë e vdekjes heroike si një formë arti politik kundër perendimit. Ai ka deklaruar se te rinjte e ketij vendi të martirizuar nga NATO do të vetësakrifikohen në luftë kundër botës perëndimore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë identifikuar e publikuar me shqetësim se terroristët kamikazë, të udhëhequr nga Al-Qaida, kanë sofistikuar vetasgjësimin e tyre duke mos përdorur eksploziv ne veshjet klasike, por kanë vënë në shërbim për përdorim në trupin e tyre një bombë me përmasa shumë të vogla (pilulë farmaceutike), metodë kjo e vlerësuar nga specialistët si e pakapshme nga sistemet aktuale të zbulimit, që janë të instaluara për mbrojtje si në aeroporte, edhe në shërbime të tjera. Madje, fuqia e eksplozivit është llogaritur edhe për shkatërrimin e kabinës së avionit nga pasagjeri bartës, nëse ai drejtohet tek ajo. Bomba vendoset në trupin e njeriut edhe nëpërmjet operacioneve plastike e, pikërisht tek femrat në organin femëror, ndërsa tek meshkujt në pjesën e prapme të tyre. Sistemi shpërthyes i kësaj bombe realizohet me ndihmën e telefonit celular dhe me përdorimin e disa lëndëve kimike. Kjo metodë e re ishte planifikuar për veprim nga një kamikaz saudit për të asgjësuar djalin e ministrit të Punëve te Brendshme, gjatë një ceremonie të organizuar në Pallatin e Princit Mohammed bin Nayef, në gusht 2009. Metoda e re e Al-Qaidës ka alarmuar shërbimet e sigurisë pasi, personi bartës i kësaj pilule- bombe bëhet i pazbulueshëm nga mjetet teknike te deritanishme, tashmë të vendosura

kudo për mbrojtjen e popullatës. Pajisjet teknike të sigurisë, te ndjekura deri tani në platformat ajrore (aeroportet) janë vlerësuar të suksesshme. Sistemet mbrojtëse të pajisura me radar zbulues metalik, të instaluara në çdo aeroport e në ambiente të tjera sigurie, zhvlerësohen përballë kësaj metode të re të Al-Qaidës. Kontrolli me rreze “X”, që lejon zbulimin e eksplozivit, në përmasat e një kapsule droge, në barkun e kalimtarit, do të jetë pothuajse i pamundur, praktikisht i lodhshëm për faktin e fluksit të madh të udhëtimeve

ajrore. Diagnostikimi i pasagjereve, miliona në vit, paraqet vështirësi si në hapësirë, edhe në humbje kohe. Kjo situatë e krijuar ka bërë që specialistët

paraprakisht ta vlerësojnë si të pamundur reagimin ndaj këtij fenomeni, jo për faktin se sistemi i ri i kontrollit do të ketë një kosto të lartë, por marrja në konsideratë e pasojave të dëmshme sanitare që kanë përdorimi i shpeshtë i rrezeve në trupin e njeriut. Të diagnostikosh mbi 60 milionë pasagjerë, qe kalojnë p.sh nga aeroporti i vetëm i Parisit në vit, do të thotë pamundësi kontrolli teknik të tyre. Paraprakisht, ekspertët teknikë dhe shkencorë evokojnë faktin se nuk duhet vepruar në marrësin (eksplozivin) dhe në kapsulën (sistemin) qe bën të shpërthejë eksplozivi (détonateur), por në

dhënësin (émetteur), që do të thotë të veprosh në telefonin celular që dërgon nga radiofrekuenca e tij sinjalin për shpërthim të bombës (vale elektromagnetike). Shumë gazeta prestigjioze shkruajnë se bota ndodhet nën rrezikun e “kirurgjisë” së terrorizmit. Shërbimet inteligjente amerikane kanë

zbuluar komunikimin në linjë midis terroristeve të Al-Qaidës në Gadishullin Arabik për një taktikë të re të përdorimit të armëve të terroristëve. SHBA po marrin masa sigurie për evitimin e mundësisë së përdorimit nga pasagjerët terroristë të bombave të vendosura nën lëkurën e tyre. Shërbimet informative kanë intensifikuar dhe janë duke përmirësuar infrastrukturën për parandalimin dhe zbulimin në kohë të veprimeve terroriste në rrugë ajrore

Është emergjente marrja e masave suplementare në aeroporte, pasi skanerat aktualë nuk mund ta zbulojnë këtë bombe; për momentin është hedhur si masë sigurie marrja e gjakut të pasagjerëve për të pare nëse mund të ketë gjurmë eksplozivi.

 

II

 

Pas deklarimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për alarmin “Bombë nën lëkurë”, po në këtë kohë Gadafi kërcënoi Europën për sulme kamikaze në përgjigje të pushtimit të Libisë nga NATO-ja. Shqetësues do të jetë fakti nëse kjo bombë e re do të jetë pjesë e thirrjes gadafiste për të goditur vendet pjesëmarrëse të NATO-s në operacion. Përnjëherë shtrohet pyetja, çfarë do t’i shtyjë këta të rinj libiane dhe ata të vendeve myslimane të jenë të gatshëm, madje të etshëm, për t’u bërë kamikazë? Ku kultivohet kjo urrejtje kaq e dhunshme që këta njerëz miredukohen, në ndërgjegjen më të lartë njerëzore kundër Perëndimit?

Por, ajo që duhet të na shqetësojë është se, cilat janë rrënjët e besimit të thellë: fetare, morale, intelektuale, politike dhe shpirtërore – e fanatizmit

vrasës të këtyre shpikjeve dhe sjelljeve kundër qenieve të pafajshme njerëzore? Strategjia e goditjeve do të jetë shteti apo të pafajshmit e rrugës? E vërteta është se, analiste të botës mbarë nuk kanë mundur të japin një përgjigje afatshkurtër apo të na ofrojnë për zgjidhje një strategji veprimi afatgjatë, pasi për vite të tëra nuk po gjendet formula për të zgjidhur ekuacionin më të vështirë të botës, për të fituar luftën e ideve dhe vlerave që vlon prej kohësh dhe pjell shkatërrime, për të na ofruar një kuptim më të qartë se cilët janë këta që sakrifikojnë jetën, çfarë mendojnë ata për të humbur vlerën më të shtrenjte dhe si i kuptojnë këta vrasës motivet për veprim. Me gjithë angazhimin e mbarë botes në luftën kundër terrorizmit,

që prej vitit 1793, kur fjala “terror” u përdor për herë të parë në sjelljen e asaj kohe, në të ashtuquajturin terror të Revolucionit Francez (jakobinët), dhe në vijim ky fenomen, si produkt i kohërave moderne jo më pak se vetë demokracia, pranohet nga Perëndimi për humbje terreni në luftën kundër tij dhe një perspektivë e errët për ndalimin e këtij fenomeni. Gjenealogjia e Islamizmit daton në fundin e shek. XIX (lëvizja “pan-islamike”), madje në të njëjtën kohë me transformimin e shoqërive myslimane tradicionale në shtete-kombe. Ne kujtesën tonë mbetet i definuar “Terror islamist” për herë të parë me revolucionin iranian të vitit 1979. Nga ky vit e në vijim, veprimet terroriste të etiketuara islamiste janë përhapur, dhe se mjetet, qofshin ato

ideologjike, politike apo ushtarake që janë përdorur për të kufizuar këtë përhapje, mund të vlerësohen përgjithësisht joefektive për ta ndaluar

atë. Pranohet se prezenca e tij është globale dhe ndikimi i tij ndihet jo vetëm në tokat e besimit të gjerë islamik, por edhe në shumë vende të Europës,

të Amerikës, të Kinës, Rusisë etj. E përgjithshmja gjithsesi është se terroristët islamistë pretendojnë se luftojnë mbi baza teologjike duke vënë në divizën e tyre vargje nga Kurani dhe referime nga bëmat e Profetit, duke kryer

operacione vrasëse me vulë islamike. Ne emër të traditës, etnicitetit, përplasjeve historike, ata kanë ngritur në ideologji luftën ndaj “armiqve të islamit”, “të pafeve”, “ithtarëve” “tokës së shenjtë” etj. Ky fjalor fetar mbulon natyrën e vërtetë të islamizmit të dhunshëm si sfidë totalitare moderne ndaj islamit tradicional të cilët kanë dënuar vazhdimisht veprimet e rrjeteve islamiste dhe demokracisë perëndimore moderne. Gjatë kësaj periudhe bota islamike ka qenë në duel traumatik me perëndimin dhe, në këtë përplasje botësh, historia ka prodhuar modernizimin e Perëndimit dhe, nga ana tjetër, rritjen e hakmarrjes së botës islamiste. Për mendjet e islamizmit, Perëndimi

mbetet pushtues i ekonomisë, i cili ka sjellë varfërinë në këto vende.

Hedhja në “treg” e kësaj metode me pasoja tronditëse ka bërë që strategët ushtarakë duket sikur janë kthyer në analizën e të ashtuquajturit iluzion profetik të ish-udhëheqësit të Ushtrisë Franceze, Mareshallit Foch, i cili, me trishtim, do ta vlerësonte Traktatin e Versajës të tillë “Kjo nuk është paqe, por një armëpushim për…” Ndoshta “profeti ushtarak” i asaj kohe parashikoi

se e vërteta tragjike e historisë ka të bëjë me faktin se njerëzimi është skllav i luftës dhe nuk mund të shkëputet prej saj, pavarësisht paradoksit iluzionar: tmerri i një lufte të shkuar të jep përshtypjen se kurrë njerëzimi nuk e duron

luftën. Historikisht, solidariteti i lindur pas një lufte të tmerrshme nuk gjen dot çelësin e mbylljes së këtij tmerri të shkaktuar po nga vetë njeriu; dhe pa u vonuar, vijojmë ciklin luftë dhe mbetemi përsëri në lufte-lufte e përhershme me formë të re, e përsosur në dukje dhe në përmbajtje. Sipas Marechallit Foch, vijuan “të dashuruarit me luftën”, të vlerësuar terroristë të pas viteve 1990, te cilët, të kapitulluar nga forca ushtarake moderne shfrytëzuan dukurinë “varfëri” shkaktuar nga krizat ekonomike dhe keqdrejtimi, nxituan

dhe sollën autorë të bërjes së luftës me tipare te reja tronditëse. Vrasjet tragjike të të pafajshmeve të 11 shtatorit bënë që bota të përqendrohet te

lufta kundër “terrorizmit”. Por frytet e kësaj lufte janë ende larg, madje me shenja kapitulluese ndaj grupimeve vrasëse të organizuara e modernizuara

deri në perfeksion. Janë ende larg, edhe nga fakti përfshirës në shtete bartëse të këtyre grupeve. Terroristet kërkojnë shtrirje, terren dhe pushtet me forma dhe mjete te modernizuara. Ata janë të mirorganizuar në format shteti, funksion hierarkik shoqëror të paraqitur si “vlere” deri në flijim. Gjeografikisht ata jetojnë në një terren të caktuar e të njohur, por janë shtetet dhe individët e fortë që i mbështesin e i lejojnë ata të veprojnë në mënyrë diskrete në shoqëri dhe të jenë pothuajse të padukshëm. Çdo organizatë  terroriste prodhon një mitologji të vetën legjitimizuese, duke simuluar ndjenjën e krenarisë së të qenit pjesë e kësaj aristokracie dhe te bashkëndarjes së këtij kodi nderi. Koha ka ardhur për asgjësim të këtyre individëve të fortë. Herë-herë njerëzimi beson se këto grupe të pamëshirshme dhe arkaike janë të pafuqishme përballë modernizimit të mjeteve të politikës dhe shoqërisë. Por në fakt, ka ndodhur krejt e kundërta.

Grupet i janë përshtatur me shpejt se pjesa tjetër e shoqërisë, modernizimit, duke poseduar inteligjence njerëzore dhe mjete të jashtëzakonshme për të realizuar qëllimin. Kësisoj, duke pasur parasysh shkallën e intensitetit të veprimit të tyre dhe padukshmërinë, ata edukohen dhe paraqiten të pashkatërrueshëm. Ende në disa shtete sot ekziston një lloj verbërie e qëllimshme për të minimizuar rëndësine e rrezikut që vjen nga këto grupe që ata vetë i strehojnë për qëllime kredibiliteti e fitimi ekonomik në rang shteti, nesër ata do të jenë varrmihësit e tyre. Meqenëse tregu publik është terreni ku ata manipulojnë dhe veprojnë, pikërisht këtu duhet të përqendrohet edhe lufta e kundërshtarit shtet dhe ashpërsia e solidaritetit mbarëpopullor për të çrrënjosur në origjine këtë formë lufte të njerëzimit. Nëse Njerëzimi dhe strategu Shtet nuk do t’i kushtojnë rendësinë e duhur këtij fenomeni, terroristët do të jene të parezistueshëm në përshkallëzimin e tyre planetar, duke krijuar dhe vepruar me forma dhe metoda më çnjerëzore se përdorimi i bombave trupore; nesër, më të sofistikuar se sot… nevojitet domosdoshmërisht strategji e re parandaluese, vepruese. Nesër do

të jetë vonë. Mbetemi në makthin e frikës.

 

*Ekspert për Sigurinë, këshilltar i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora