Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Papa në Engjëllin e Tënzot kujton atentatet e Norvegjisë e bënë thirrje të braktisen udhët e urrejtjes

| E hene, 25.07.2011, 07:36 PM |


Papa në Engjëllin e Tënzot kujton atentatet e Norvegjisë e bënë thirrje të braktisen udhët e urrejtjes dhe logjika e së keqes.

 

“Në jetën e njeriut, gjëja më e rëndësishme është përpjekja për të fituar Mbretërinë e qiellit”. Kjo, ftesa dhe, njëkohësisht, impenjimi ynë, që duhet ta kujtojmë mirë në të gjitha rrethanat e jetës: në lutje e në meditim, në çastet e punës e të prehjes, në udhë e në vatrën shtëpijake. E këtë pohoi edhe Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, duke nënvizuar se njeriu duhet të orientohet nga një ndërgjegje, që kërkon me etje të vërtetën, që mbron me guxim drejtësinë, i vetëdijshëm se vetëm kështu mund t’i shërbejë vërtet Mbretërisë së Hyjit. 
Pas lutjes mariane, kremtuar në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, Papa kujtoi me dhimbje e hidhërim të thellë, sulmet terroriste që, duke shkaktuar vdekje e shkatërrime në Norvegji, tronditën mbarë botën.

Benedikti XVI kujtoi, pra, atentatet në Norvegji, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund tmerreve të tilla, që e mbushën me hidhërim atë e mbarë njerëzimin:
“Edhe një herë, për fat të keq, marrim lajme, që flasin për vdekje e dhunë. Pushtohemi të gjithë nga një dhimbje e thellë për shkak të akteve terroriste të së premtes së kaluar, në Norvegji. Lutemi për të vdekurit, për të plagosurit e për të dashurit e tyre. Të gjithëve dua t’u përsëris edhe një herë thirrjen të heqin dorë përgjithnjë nga rruga e urrejtjes e t’i rrinë larg logjikës të së keqes”.
Ati i Shenjtë i shprehu afërsinë e tij popullsisë norvegjeze, të tronditur thellë nga dhuna e këtyre atentateve pa pikën e kuptimit, edhe në një mesazh ngushëllimi, drejtuar mbretit të Norvegjisë, Harald V. Në mesazh, Papa i fton norvegjezët të jenë shpirtërisht të bashkuar në përpjekjen për t’u larguar nga udhët e mërisë e të konfliktit. I fton edhe të punojnë, pa frikë, së bashku, për të ndërtuar një ardhmëri të bazuar mbi respektin reciprok, solidaritetin, lirinë. Ardhmëri e denjë, kjo, për breznitë e reja.

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u përqendrua kryesisht tek figura e mbretit Salomon, i cili nuk i kërkon Zotit jetë të gjatë, as pasuri, e as shpartallimin e armiqve të tij, por një zemër të urtë, që ta sundojë me drejtësi popullin e vet, duke e dalluar të mirën nga e keqja. Zoti ia dëgjon lutjen Salomonit e ai bëhet i famshëm në botën mbarë për urtinë e tij e për gjykimet e tij të drejta. Por, ç’do të thotë të kesh një zemër të urtë?
E dimë se ‘zemra’ në Bibël nuk tregon vetëm një pjesë të trupit, por qendrën e njeriut, selinë e mendimeve, të ndjenjave, të gjykimeve. Mund të themi: ndërgjegjen. ‘Zemër e urtë’, atëhere, do të thotë ndërgjegje, që di të dëgjojë, që është e ndjeshme ndaj zërit të së vërtetës, e, prej këndej, edhe e aftë për ta dalluar të mirën nga e keqja”.
Në këtë rast – shtoi Papa – Salomoni iu lut Zotit t’i japë një zemër të urtë, sepse ai ishte i ngarkuar me një përgjegjësi të lartë: t’i printe kombit të vet, Izraelit, popullit, që Zoti e zgjodhi për t’i dëftuar mbarë botës planin e tij të shëlbimit:
“Mbreti i Izraelit, prandaj, duhet të kërkojë të jetë gjithnjë në përkim me Zotin, në dëgjim të fjalës së Tij, për t’i prirë popullit në udhët e Zotit, në udhët e drejtësisë e të paqes”.
Por, kujtoi Papa, shembulli i Salomonit ka vlerë për çdo njeri:
“Secili nga ne e ka një ndërgjegje, për të qenë, në një farë mënyre ‘mbret’, domethënë, për t’u sjellë me dinjitet e për të vepruar me drejtësi, duke bërë mirë e duke u larguar nga e keqja. Ndërgjegjja morale hamendëson aftësinë për ta dëgjuar zërin e së vërtetës e për ta ndjekur me urti udhën, që na tregon”.
Shembull, ky i Salomonit, që duhet të ndriçojë posaçërisht mendjet e njerëzve me përgjegjësi institucionale e politike:
“Njerëzit e thirrur për të kryer detyra qeverisjeje kanë, natyrisht, edhe një përgjegjësi më shumë e, prej këndej, si na kujton Salomoni, kanë edhe më tepër nevojë për ndihmën e Zotit. Pa harruar se secili e ka një rol në situatën konkrete të jetës së tij e të botës”.
E secili – vijoi Ati i Shenjtë - duhet t’i besojë ndërgjegjes së drejtë e të jetë gjithnjë në gjendje ta dallojë të mirën nga e keqja:
“Mendësia e gabuar na këshillon t’i lutemi Zotit për sende a për favore; ndërsa cilësia e vërtetë e jetës sonë dhe e jetës shoqërore, varet nga ndërgjegjja e drejtë e secilit, nga aftësia e secilit dhe e të gjithëve për ta njohur të mirën, duke e veçuar nga e keqja, në përpjekjen plot durim për ta bërë më të mirë vetë jetën”.
Në përfundim Papa i nxiti të gjithë të ecin në gjurmët e Jezusit:Të gjithë i ftoj të ndjekin Jezusin, thesarin e vërtetë të jetës sonë të përditshme. Të diele të gëzuar. Ju falënderoj nga zemra për lutjet tuaja. Zoti ju bekoftë!”.