E premte, 19.04.2024, 04:43 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Çfarë besimi je ti?...

E diele, 24.07.2011, 07:59 PM


ÇFARË  BESIMIT  JE  TI ?...

 

Në prag të rregjistrimit të popullsisë...Ngjarje e vertetë!..

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Do të shkruej një ngjarje të vertetë që më ka ngja aty rreth vitit 1960, kur po bahej rregjistrimi i popullsisë në Shqipni. Kryesisht u ngarkuen mësuesit për rregjistrim. Mue më caktuen si ndihmës me shkrue skedat, ndërsa pyetës i qytetarëve ishte caktue mësuesi Paulin Çapaliku, aso kohe në shkollen “7 Nandori” në lagjen Zdralej të Shkodres. Paulini ishte i njohun prej meje mbasi banonte tek “Dugajt’ e Reja” në një oborr me tezen time.

Ai kishte marrë skedat me vete, ndërsa unë mora stilografin dhe ngjyrën rezervë.

             Ditë e dielë. U nisëm në lagjen Kiras ku ishim caktue me ba rregjistrimin. Ishte një lagje mjaft në periferi, nga ana përendimore e qytetit të Shkodres, mjaft e banueme dhe pikë orientimi për ne ishte Zooteknika. Mërrijtem atje dhe takuem një anëtar të  këshillit popullor, që na orientoi ku do të kryenim detyrën e caktueme për rregjistrim të banorëve. Kishim pasë përshtypjen se shtëpijat do të ishin të shpërndame, por  jo, ishin mjaft pranë njena tjetrës. Shumë mikpritës dhe bujarë me konditat që jetonin. Na pritnin me qejf dhe nuk dinin se çka me na vu para ndër tavolinat e përgatituna për ne. Dominonin frutat ku ishin ma të mirat dhe të zgjedhunat e mandej nuk ishte e mujtun dalja pa pi kafe e cigare të dredhuna prej duhanit të kopshtit të shtëpisë. Paulini e pinte mjaft cigaren, por edhe e shoqnonte me një bisedë të kandshme, që e kishte të natyrës së vet. Unë nuk e pija cigaren, por edhe tue kenë fare i ri, 20 vjeç, mundohesha me u ruejtë edhe nga ndonjë shikim “tinzar”, që më ngacmonte ndër ato shtëpi ku po rregjistronim, mbasi secili person që do të firmonte skeden ishte i detyruem me kenë prezent para nesh. Asnjë shfaqje fanatizmi nuk kujtoj. Të gjithë sillnin në dhomë e shpesh edhe n’ oborr të shtëpisë gratë, vajzat, djelmët dhe fëmijët me ba plotsimin e dokumentit personal. Formularin familjar e plotsonte gjithnjë kryefamiljari e në mungesë të tij e shoqja ose i ngarkuemi prej tij. Gjithë zona kishte marrë pamje feste, mbasi edhe ndër radio kishin ngritë naltë zanin e muzikës aqsa shpesh tue u qeshë Paulini më thonte: “Të pyesim ndonjë njeri mos kemi dalë në Jugosllavi..!?”, se kudo ishte e pranishme muzika sllave... Nuk patëm asnjë rasë që banorët nuk flisnin shqip...

            Ecëm me orë të tana ndër rrugë me gardhiqe dhe ferrmana...sigurisht, edhe pluhun sa të duesh, nuk kishte rrugë tjeter të asfaltueme, përveç rrugës kryesore që të çonte tek Zooteknika, gja që të krijonte përshtypjen se edhe ajo zonë e qytetit ishte lanë mbasdore si të tjerat. Ndër shtëpija mbretnonte pastertia e rregulli, gja që binte në sy porsa njeriu vinte kambën në prakun e derës së oborrit, ku menjëherë ndigjohej një za: “Hajde, mirë se ju ka prue Zoti!” dhe vazhdonte me kujdesin e mikpritësit ..,”a u lodhët burra?” Për mue ishte hera e parë që shkoja në atë lagje, por edhe që pata rasë me hy ndër shtëpijat e tyne...një zonë aq të madhe e krejt e panjohun edhe pse ishte e qytetit tim të lindjes.

Gjatë viteve të shkollës asht e vertetë se kemi shkue ndër shtëpijat e shokëve dhe shoqeve të shkollës dhe vizitat janë kenë vllaznore e miqësore, pa asnjë paragjykim fetar, aq sa edhe sot ruhet nder zemra kujtimi i atyne viteve të bukra rinore. Nuk di asnjë rasë që kemi shikue njenitjetrin shtrembët tue e paragjykue nga Besimi fetar... Ajo atmosferë ishte edhe në lagjen Kiras ku na po hynim sa në një shtëpi tek tjetra...gjithkund të mirpritun...

Arritëm tek një barakë. Nuk mund të quhej shtëpi...e mbulueme me llamarina dhe pa derë oborri...një portare me druj të premë nga pemët që e mbulonin... Na doli para i zoti i asaj barakë, që edhe sot e kujtoj portretin e tij. I parruem, me flokë të pakrehun, nuk di a i kishte la faqet edhe pse kishte kalue dreka, i pa mbajtun dhe pa gja në kambë, ishte i zbathun por edhe me kambë të palame, thue se deri atëherë ishte kenë tue plehnue token. Qendruem në oborr, nxori dy stola dhe një mbështetëse drrase ku do të shkruenim. Thirri gruen dhe i porositi kafe...Në fakt na e kishim kalue masen e tyne kështu u kundenuem me nga një frut...Erdhi e shoqja me një fëmijë të vogel ngjeshë për krahnuer... Filloi me i drejtue pyetjet Paulini ma parë të shoqit...Ai i tregoi se kjo asht grueja e dytë, mbasi ate të paren e kishte aty, por me leje të saj kishte marrë edhe këte tjetren... Paulini i kerkoi që po pat mundësi të vijë edhe ajo. Nuk kundershtoi, e thirri dhe erdhi...Paulini per mos me e lanë në kambë gruen e parë, më tha plotsoje formularin e saj dhe po vazhdojmë me tjerët dhe unë ashtu bana, plotsova dy gratë, fëmijën dhe fillova me kryefamiljarin...

Paulini i drejtonte pyetjet unë vazhdojshe me shkrue...

Paulini e pyet: Çfarë Besimit je ti? Ai përgjegjet: – Kurrgja... Paulini e shikon dhe persëritë pyetjen: – Po persëris se çfarë Besimit jeni? Edhe ai përsëritë: – Kurrgja, mor shok! Paulini, prap e pyet: – Po çka me shkrue këtu, se nuk po të kuptoj çka do me thanë kjo fjala “kurrgja”..? Ai e shikon dhe i thotë: – Shkruej “kurrgja” kështu si po të them unë!

Paulini, me gjakftohsinë e Tij karakteristike, e shikon dhe i thotë: “Unë këtu do të shkruej Besimin tand, dhe nuk mund të shkruej si thue ti, ‘kurrgja’, por ti më thuej, a je fe qen, a fe mut a çka të duesh, por më percakto çka të shkruej?...”

 

Dy epitetet e Paulinit shpejtë do të percaktonin “ateistët” tonë të pafarë...që erdhi një ditë aty mbas vitit 1967 dhe, me Kushtetutë...ata shpallën “besimin” e tyne tek  PPSh...si mbas të cilit, provuen se me të vertetë i perkisnin epiteteve që ua pat vue i Ndjeri Paulin Çapaliku...

Besoj se ky tregim... mund t’ ju vlejë për rregjistrimet që po afrohen...



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora