E enjte, 25.04.2024, 09:12 AM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Fytyra tjetër e terrorizmit kundër qytetërimit

E diele, 24.07.2011, 07:59 PM


Fytyra tjetër e terrorizmit kundër qytetërimit

 

Nga Lavdrim Lita

 

Norvegjia për më shumë se një dekadë ka udhëhequr majën e klasifikimit të “Human Development Index”, indeksit që paraqet vendet më të përparuara pas matjes së nivelit të barazisë sociale, integrimit dhe mundësive. Dhe për vite të tëra ka qenë një vend me nivelin më të lartë të mirëqenies sociale. E mbi të gjitha deri në vitin e kaluar konsiderohej si një nga vendet me paqësore në botë.

Mirëpo bomba që shpërtheu dhe masakra në ishull tre ditë më parë në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, hodhi mbi të gjitha në erë mitin e një vendi të përsosur, të qetë, të hapur dhe të thjeshtë. Dhe siç duket pikërisht bashkëjetesa dhe thjeshtësia e të jetuarit mund të ndezin një urrejtje speciale. Dramatike mund të cilësohen ngjarjet që tronditën rëndë vendin e vogël, pothuajse sa Shqipëria, që si ne nuk bën pjesë në BE, e mban monedhën e saj, nuk ka qenë kurrë në qendër të vëmendjes për të tilla episode.

Fillimisht ishte shpërthimi ai që tronditi vendin me 8 viktima dhe 15 të plagosur, ndërsa tragjedia nuk u mbyll me kaq. Në ishullin e vogël Utoya, vetëm 50 km larg nga kryeqyteti, të shtënat mendohet se kanë vrarë mbi 85 persona gjatë një takimi elektoral me të rinjtë e Partisë Laburiste. Rreth 500 veta ishin të pranishëm në takim. Policia norvegjeze ka arrestuar një djalë të ri, bjond, i pamartuar që prezumohet të jetë autori i vrasjeve. Ai quhet Anders Behring Breivik, në pamje të parë normal, por realisht një person shumë i vetmuar, që banonte vetëm më nënën e tij, në një fshat të vogël rreth 150 km në veri të kryeqytetit Oslo, dhe që lundronte gjithë ditën në internet, me gjoja “bindje djathtiste”, në realitet një i shfaruar, të cilit iu dha mundësia në mënyrën më çnjerëzore ta tregonte çmendurinë e vet. Një psikopat në shoqërinë më të urtë të botës, aty ku edhe policët patrullojnë pa armë, e që në gurët e varreve shkruhet “Takk for Alt”, faleminderit për gjithçka.

Mendohet se ai ka vënë bombën në Oslo për të tërhequr vëmendjen e policisë larg qëllimeve të tij reale, dhe më pas ka shkuar në ishull dhe ka hipur në anijen që ka dërguar të rinjtë i veshur si polic, i armatosur dhe me anti-plumb, dhe madje policit tek anija, i ka thënë se ka ardhur pikërisht për të kontrolluar për shkak të dyshimeve se mund të ketë “terrorizëm" në ishull. Arrestimet e mëparshme të ndoca islamikëve fundamentalistë kanë krijuar idenë se atentati mund të ishte i matrikullit islamik. Dhe është kjo arsyeja pse ai ka mundur të kalojë lirisht dhe pa u verifikuar nga kinse “kolegët” e tij policë, ngase Breivik ishte me fytyrë “riktigt norsk” - një skandinav i vërtetë, larg etalonit terrorist të xhihadistit me mjekër e lëkurë të zezë. Afërmendsh islamo-fobia është rritur në këtë vend aq shumë laik me 5 milion banorë ku 150 mijë janë myslimanë, e kuptohet vetiu që ka pasur fërkime të ndryshme ekstremiste. Por gjithmonë ato kanë qenë të përmbajtura.

Sidoqoftë pista islamike, pista kristiane, dhe shumë të tjera do të zbardhen në ditët në vijim, por diçka mund të thuhet për vendin e pasur, të disiplinuar, që paguan taksat e larta dhe nuk ka probleme borxhi publik, si dhe që ka një shtet social të kujdesshëm; tashmë ai e ka humbur parajsën. Dhe për të humbur parajsën mjafton një person si terroristi Breivik, i cili materializon thënien e filozofit John Stuart Mill: “një person i bindur ka aq shumë forcë sa 100 mijë persona që kanë vetëm interesa”.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora