E shtune, 20.04.2024, 12:52 PM (GMT+1)

Mendime

Të vrasësh kohën

E diele, 10.02.2008, 02:17 AM


Nga Zamira CAVO

Duke kaluar një ditë diku pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, më bëri përshtypje emri i një bari , i cili siç do i tillë në kryeqytet, ishte i mbushur plot. Bari quhej “Killing time”.Dhe duke parë bar të mbushura plot me të rinj gjate gjithë ditës, sigurisht që klubet e natës janë të tejmbushur, besova se pronari i lokalit ndoshta kishte dashur të ishte më i drejtpërdrejtë me realitetin. Duke parë pikërisht këtë realitet, nuk mund të mos shikosh me dhembje se si e vrasin kohën shqiptarët! Jo vetëm të rinjtë. Kafetë, baret dhe lokalet duket sikur janë vendi i punës së shqiptarit. Thashethemet bëhen në kafe, “puna”, në kafe, studenti i merr “leksionet” në kafe, politika bëhet në kafe….. Ndërkaq koha shkon. Por koha, nuk paska ndonjë vlerë reale për ne, pasi e vrasim pa më të voglën brejtje të ndërgjegjes. Sigurisht do ketë lexues që për të mbrojtur “nderin” e shqiptarit do të thotë: e ç’duhet të bëjmë në një vend ku nuk ka punë?
Duke e mirëkuptuar këtë kategori, sjell në vëmendjen e lexuesit, “botën e qytetëruar” që ëndërrojmë të shkojmë. Le të më gjejnë qoftë dhe një vend të vetëm të saj, ku njerëzit rrinë me orë të tëra në kafe e bare. Askund nuk ka një të tillë. Shoqëria kapitaliste të merr shpirtin në kuptimin më real të fjalës. Nëse do të rrosh puno, nëse do të zhvillohesh puno, nëse do te pasurohesh puno! Ndoshta e kaluara jonë si histori, na ka vënë në pozitat pritëse të “dembelit të Stambollit”. Sundimi turk dikur dhe më vonë shteti “socialist”, i krijuan individit shqiptar, idenë e mbrapsht se mund të jetohet pa punuar, duke bërë hile, ose duke mashtruar. Kjo ide e përkthyer në praktike, do të thotë të kënaqesh me ato qe të japin pa punuar dhe të presësh, sigurisht, çdo zgjidhje nga të tjerët. Kjo filozofi ka rrënjë të thella dhe është vështirë të çrrënjoset. Madje dhe politika e këtyre 18 vjetëve është e tillë, politikë dembele, e mësuar ti marrë “zgjidhjet” e gatshme nga jashtë, e paaftë t’i “hapë punë vetes”. Mjafton ti referohemi vetëm parlamentit.
Koha kalon dhe Parlamenti shqiptar vazhdon lojën e “fjalëve” ndërsa reforma ligjore mbetet në vend. Vjen një ditë të bukur kur çdo gjë kthehet ne “emergjencë” sepse koha ka kaluar ndërsa puna ka mbetur aty ku ishte. Prandaj politika shqiptare është gjithnjë në emergjencë. Dhe të gjithë e dinë se zgjidhjet emergjente janë jo më të mirat!
Kriza ekonomike duket se nuk është më thjeshtë një verb i përdorur nga opozita. Çmimet po rriten me shpejtësi, por përsëri askush nuk e vret mendjen se si duhet të dalim nga kjo gjendje. Duket sikur ka “ende kohë”! Zvarritja është tipar i dembelizmit tonë dhe natyrisht pasojë e “killing time”. Mirë politika, mirë shteti po individi vallë nuk e kupton se nuk ka “kohë” që të vrasi kohën?!Personalisht e kam kuptuar se në shoqërinë e sotme nëse nuk përpiqesh vetë, nëse nuk i hap “punë” vetes, nëse nuk kërkon vetë, nuk ka aspak gjasa që të rrosh mirë, të ecësh e të zhvillohesh. Vrasja e kohës është vetëvrasje për shoqërinë. Por politika shqiptare nuk do t’ia dijë për këtë! Individi gjithashtu. Atëherë unë pyes veten “ku po shkojmë? Përgjigjen ma ka dhënë përvoja e 17 viteve demokraci: asgjëkund! Në po rrimë në vend ndërsa koha ecën. Dhe nëse nesër, kriza ekonomike do të ketë majën e dukshme të një krize të përgjithshme, mos t’ia hedhin fajin qeverisë dhe të marrim “pushkën” kundër saj! Atëherë nuk ka më kohë!
Një profesor i nderuar Universiteti të Tiranës, ndërsa po flisnim për të rinjtë, më tha: Është viti i parë që të gjithë studentët e një kursi ku unë jap mësim, nuk kalojnë. Preferojnë të rrinë gjithë ditën në kafe dhe nuk vijnë në leksione!
Një lider i opozitës kur e pyetën se ç’duhet bërë tani tha: ikni e bëni qejf. Kur të vijë koha do bëjmë ndonjë gjë!
Është një realitet i dhimbshëm kundër të cilit duhet të luftojmë të gjithë. Më së pari duhet ta kuptojmë se nuk ka nesër, pa patur sot.
Këtë duhet ta kuptojë Opozita, politika, dhe natyrisht çdo individ.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora