E enjte, 25.04.2024, 07:22 AM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Intriga profesioni më i lehtë

E diele, 24.07.2011, 07:58 PM


INTRIGA PROFESIONI MË I LEHTË

 

(Për akuzat që u hedh tjerëve – sërish artikulli i S. Rrustemit: “Prapë po ju them: Në emër të shprehjes së lirë, shpifësi po shpifë shlirë”)

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

E shihni si thërret ky karagjozi! Po të kishte fuqi, të gjithëve do t’ua ndalte ecjen, nëse nuk shkohet me ritmin e tij. Sidomos, në ritmin e një drejtimi të ‘organizimeve e manifestimeve letrare’ sipas këtij që shkumon nga goja fëlliqësira...Unë nuk jam ankuar se po censurohem. Dhe ti me siguri, tash për tash, më së paku mund të më censurosh, as te Ura Maskatarit. Po fjala ishte për ato ‘organizimet’ tua. Dhe ty asnjë fjalë nuk ta kam “shpifë”, këtë shprehje që e përdor me dhjetëra herë pa nevojë dhe veç gogësinë fëlliqtë. Nuk ke shprehje për dialog, pos ofendimeve. Me këtë rast po del shumë qesharak. Vërtet, nuk e kam ditur se je i tillë. Ti më shumë bën reklamë për vete e për veprimtarinë (nëse mund të thuhet- veprimtari), më shumë përdor sharje, vetë shpikë e përzien: politikë, humanizëm, krijimtari, ‘ideator e organizator’ – marketing për vete. Kaq di ti. Herë nis me përvujtëri e rënkime, e herë me një trimëri (vigan trimoshi), sikur e mbulon qiellin e këtyre hapësirave. Ma tregon edhe vendin, në cilën anë, mund të ulem te hoteli, po asnjëherë nuk mund të demantosh veprimtarinë tënde përçarëse të krijuesve letrarë. Ti më parë nuk di të shkruash. Nuk ke sistem shkrimi. Apo, ndoshta e ke humbur durimin. ‘E ke humbur rrugën në oborr’, si thonë. Kështu ke qenë dhe kështu je ti – një Ftigan!

*

Nuk jam unë shpëtimtari...e as që do të bëhem përfaqësues e interpretues i asnjë klani, i asnjë partie, dhe për askënd. Po, në këto rrjedha kohe nuk do të shtrihem jastëk. Nuk ka nevojë aspak askush të shqetësohet se, unë apo ndonjë tjetër i tillë, do të demolojë themel e kulm të një ‘ndërtimtarie’ kulturore. Askush nuk do ta ‘vandalizojë arkitekturën’ e përpjekjeve e të mundit të qytetarëve: ndihmën materiale e profesionale që dhanë njerëzit. Detyrimi im qytetar e profesional (në mos iu prishtë qefi zotërisë) ka qenë dhe është, që ta pasqyroj e pastaj ta demantoj, së paku, t’ia përkujtoj kujtdo qoftë se, nuk është në rrugë të drejtë. Se, nuk reflekton sa e si duhet me opinionin qytetar dhe nuk është në shërbim të krijuesve letrarë. Asgjë për vete nuk fsheh as nuk ruaj. Veç nuk ka mundësi askush, për të gjallë, që të ma ndal hapin tim në rrugën time, pa ia cenuar asnjërit atë kur ecë drejt. E ky Ftigani i Gjilanit është ai që çdo gjë përzhdredh mbrapshtë.

 

Damnare ad bestiam

 

I bien rasti të merret njeriu edhe me ndonjë si ty, për shfaqjet shoqërore që i përcjell! E ato kur i lejon si raste, shndërrohen në fenomene, që një pjesë e njerëzve mendojnë se s’ka nevojë ‘me u lodh’, “mirë është krejt!” Nuk mund të jesh krejt i qetë, edhe atëherë, kur ke respekt të madh ndaj cilitdo qoftë! E me vite e decenie pret ndryshim, por kot. Nuk ndryshon për asnjë milimetër. Të gjitha i sheh, i prek, i ndien dhe asgjë. E nuk mund t’u përballosh...! merr e i thua akëcilit udhëheqës se s’është ashtu, e kjo del për atë siklet e ‘fatalitet’. Do të thotë, e hanë “miza pas veshi”. E bren ndërgjegjja, nëse ka ndërgjegje. Dhe unë, gati për pak – mbeta në ëndërr duke i ikur të gjitha shablloneve të kohës, duke mos dashur ta ofendoj këtë Ftigan. Në rastin e tashëm, me të përmendurin që po përballemi për çështje organizimi të kulturës në Gjilan, s’është për t’u habitur. Të tilla ngjashmëri, ndoshta edhe më të theksuara ka kudo. Dua t’ia përkujtoj edhe njëherë personit që po derdh helm ndaj kritikës si realitet, lexuesi e sheh si e vërteton ky krejt  sjelljen e vet. Kështu është gjithnjë. E kam ditur se nuk kam me kënd të polemizoj. Veprimet e tij qe sa kohë, më kanë nxit të reagoj, pak më ashpër ngase është tepruar...Të gjitha ia kam thënë, veç duhet shikuar me gjakftohtësi, jo me tërbime. Po, për to s’ka çka flet, s’mundet. Merret me gjëra të pa rëndësi e pa pasqyrim të veprimit të rrugaçit, vjell të shara. E bën gojën pa larë! Kanë thënë: “nuk bien macja në shpinë”. Po faktet janë kudo. Ne ia kemi thënë edhe më herët të gjitha. Ky nuk flet për ato. Ky flet për një person “famëmadh”. Kur personi (cilido qoftë) e vendos veten në krye të radhës dhe bërtet: unë veç unë..! Nuk do duhej të kesh punë me të. Një pjesë e lexuesve tanë, e dinë me siguri poezinë e një klasiku frëng, “Vdekja e ujkut”. Do të thotë, ‘një vdekje pa zë...’ Po unë nuk kam qenë as nuk jam ujk që tremb të tjerat bisha! E dinë të gjithë se çfarë ‘privilegjesh’ kam pasur dhe kam. Do ta ndieja veten shumë të ofenduar, po qe se detyrohem ta shpallë personalitetin tim si të përvuajtur për këtë e atë. Nuk do të jepja kurrfarë Curriculum vitae, sikur po tentohet të shiten do vuajtje, si burgu, largimi,  izolimi, etj. Ky qytet dhe jo vetëm kjo rrethinë, na njohin që të dyve. S’ka nevojë t’i paraqes elementet biografike dhe bibliografike si Ftigani. Madje se, duhet të më privojë nga e drejta ime e fjalës së lirë për shkak të përkatësisë shoqërore, politike, apo për shkak të kritikave që i bëhen këtij ‘agës’. Absolutisht! Kjo është flluskë infektuese tjetër që të prek. Dhe do të ishte edhe pa ndërgjegjësim shoqëror e kujtdo qoftë, apriori thirrja për linçim. Këtë ky tipi e kërkon dhe e dëshiron. E di ky atë thënien, “mos e vet se t’kallxon vet!” Hiç më tepër nuk ke çka shpalon. Lexuesi i ka pa e lexuar të gjitha ato që duhet të thuhen nga ana ime. Shiheni titullin e fundit të ‘demantit’ të tij (21.7. ’11 në portalin e “Z. Shqiptare”, dhe më 23.7. te “Kosova sot”): “Prapë po ju them: në emër të shprehjes së lirë, shpifësi po shpifë shlirë”. Prapë po thotë supremi, që të ma uzurpojë të drejtën për fjalën e lirë! Dhe ndryshe, pastaj thotë se, nuk kam thënë të censurohet, etj. Shikojeni nëntitujt,si: “Unë isha i ndaluar, jo ai...” ose: “ndërsen dhe të tjerë”, “e zura me pelë për dore”, “...se për këto mjaft ka lehur!” – unë nuk kam thënë asgjë për vete. Shkrimet janë. Kush e njeh nuk lodhet shumë për te. Ata që s’e njohin Ftiganin do të thoshin, ‘e paskan marrë në qafë këtë njeri!’ Pse ky nuk di as të shkruaj, nuk i kam faj. Shkrimi i tij është i pa profilizuar. Jashtë teme. Ka humbur rrugën n’oborr. Çka ka futur në këtë “strajcë magjupi”, nuk ka lezet as të lexohet! Më vjen keq, shumë që pata rastin të kem punë me të. Ftigani merr përpara krejt çka i bien ndër mend. Herë, “lehë”, e “i ndërsen” të tjerët, kjo është dija e tij dhe për të. Nuk lë vend për asgjë njerëzore.

 

Veç intrigat nuk i mungojnë – dominus vobiscum

 

Nuk më ka shkuar mendja asnjëherë që të jem kundër shkrimtarëve, krijuesve në përgjithësi. Ky intriganti përpiqet me çdo kusht t’i hedh njerëzit në gremina. Ky me Beqir Musliun dhe veprat e tij tash, mbështillet sikur na të tjerët nuk e duam shkrimtarin. Kjo është veç njëra prej spicave të tija. Të gjithë mundohet t’i shtie në ‘valë’. Për komentues, është e drejtë e tyre si shprehen. Nuk jam duke i nxitur, a si thotë ky ftigani – ‘ndërsye’. Ata shkruajnë si dëshirojnë. Mos u shqetëso zotëri! Ne bëjmë (më parë ti) atë që të tjerët nuk dëshirojmë të na e bëjnë. Ne shajmë të tjerët, por, ata ne nuk bën. Ne nuk jemi fare koshientë për punën tonë, po të tjerët i akuzojmë për të njëjtat veprime, po edhe për më cikërrimat, sikur i numëron Ftigani edhe karrigen ku duhet të ulemi, apo në atë anë, kah ndonjë ‘sallë gjyqi’ më afër. Komentet nuk janë vota. Je mësuar ti me ato vota, mendon se edhe për këtë çështje vlejnë votat?! Sa më shumë për këtë apo atë. Po të ishte kështu, reagimet do të ishin të hershme për këtë “organizator” të kulturës në Gjilan. S’ka rëndësi kush ishte nën emrin në portali te ‘Z. Sh.’(Besa, apo ‘Besimi’?), vetëm do t’i kisha treguar një fjali të veçantë për të: nuk jemi të gjithë “qenë të rrugëve”. Në mesin e tyre ka edhe ‘qen shtëpiak’. Pa ia qimtuar këtë “strajcën e magjupit”, të gjitha sa thotë, e njëmend ‘vajton’ nganjëherë, se, unë ia paskësha prish ‘dyzenin’, krejt i ka numëruar, s’ka dilemë, i ka bërë me tendencë të qëllimtë dhe i kthen me fjalë sikur të tjerët kanë faj, jo ai. Sikur të të tjerëve janë ato veprime. Përzien krejt, me Shoqatë humanitare, me vende të punës...po ai ka mbetur keq. Shumë keq, krejt vendet i do. Krejt ofiqet... për to jeton ky ‘shkrimtari’ jonë! Nuk e pyet veten, a janë të interesuar lexuesit me këto vetëlëvdata e të shara tjerëve. Mos shko larg! Mundet të kërkohet edhe më për ato manifestimet që ke organizuar me shumë para. Lere ti Shoqatën humanitare, edhe për atë nëse ka nevojë bëjmë auditim.

 

Merak i madhe ta gjykoj dikë – pse s’je bërë gjykatës

 

Sa i përket këtyre reagimeve që i shkruan me nervozë, vështirë është të komentohen përsëritjet e pa vend. Thërret për gjykim, “te organi kompetent”. Edhe redaksitë e medieve. Me dekret! Ruana zot! Po ta kishte pushtetin si thotë ky nga njëherë! Nuk lejohet ta marrë kush nëpër gojë këtë ‘zabitin’ e mbretit, a kush di se çka e mendon veten. Pra, do të pësojnë edhe “Kosova sot” e Portali i “Zemrës shqiptare”, edhe pse këta njerëz nuk i njoh fare si figura e as që kam pas rast të takohem me asnjërin. Ata e bëjnë  punën e tyre. Nëse të dëgjojnë ty, duhet t’i vihet dryni atyre medieve, sepse ky i ftigavti, i merr para vetes krejt çka nuk i pëlqen atij, derisa ta çoj rrëmujë edhe veten e tij nëpër tym e mjegull. I thërret njerëzit pa ndonjë arsye, duke bërë intrigë për implikime, “nuk e ndan të njëjtin mendim”, ndryshe do të jeni “hisedar”. Me kënd do të jenë të tjerët? Thash, s’është ky  votim. Je mësuar ti me do votime nëpër ato partitë që i ndërron çdo ditë. S’kemi të bëjmë me to tash.

Unë jam mbi 60 vjet, po nuk e ndërroj veten me ty. Sa për sëmundjen, është mirë të konsultohesh me dikë! Një herë “baja veti gajlen”! E pastaj, do të shkojmë “tek organi kompetent që ndëshkon për gjëra të tilla.”

Me mua merr fund këtu kjo bisedë e dreqit, veç mos u turr...!



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora