E enjte, 25.04.2024, 08:00 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një tregim për mikun tim (VIII)

E diele, 24.07.2011, 07:59 PM


RESHAT KRIPA

 

NJË TREGIM PËR MIKUN TIM

NGJARJE TË JETUARA

 

 

KUSH MA RËMBEU DJALIN

 

POETI I HEROIZMIT KOMBËTAR

 

I mbylli sytë pesë vjet më parë. I mbylli pa shijuar aromën e lirisë që sapo kishte filluar të rilindte, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:

 

‘’ Unë po vdes!… Oh, le të vdesë!

Vetëm shqipja le të rrojë! ‘’

 

Në varrin e tij nuk u mbajtën fjalime protokollare. U thurrën ditirambe, u lexuan vargje. Folën bashkëvuajtesit e tij, vëllezerit e tij, Viktori, Tomorri, Engjëlli. Ai nuk vdiq se martirët nuk vdesin. Ai vazhdon të jetojë me vargjet e tij, me veprat e tij, me personalitetin e tij.

Lindi në vitin 1907 në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhajt të tij. Do të ishte përsëri ky një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946 si kundërshtar i rregjimit komunist.

Kalvari i familjes Kokoshi do të vazhdonte dhe më gjatë. Dy të pushkatuar nga diktatura, Abdyli dhe Metua. Një i rënë në luftën me okupatorët italianë, Astriti. Shtatë të dënuar politikë Kudreti, Engjëlli, Burimi, Fatoshi, Hasani, Seiti dhe Dinushi, të gjithë me mbi dhjetë vjet burg.

Historia do të vazhdonte dhe më tej. Ajo do të bënte që dora e një pinjolli të kësaj familje, Altin Kokoshit, të kishte nderin për të ngritur në Vlorë nën hundën e komunistëve mbas 47 vjet mohimi flamurin dy krenor pa yllin e urryer të turpit dhe shtypjes më 28 nëntor 1991.

Që kur ishte fëmijë i ati, Hasan agaj, njojti karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet fillore, të mesme dhe ato të larta, duke u laureuar ‘’ Doktor në jurisprudencë ‘’ në vitin 1933. Kthehet në Shqipëri në moshën 26 vjeçare.

Zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën italiane duke u bërë një përkthyes i përkryer nga shqipja në italishte  Por jo më pak zotëronte gjuhën frënge, latine dhe greqishten e vjetër.

Megjithë kulturën e lartë perëndimore që kishte, ruajti tiparet e një shqipëtari, ose për të qenë më i saktë, të një labi të vërtetë, si në zakone ashtu dhe në mënyrën e të folurit. Ai, qytetari vlonjat, njhte me rrënjë zakonet dhe gjuhën e thjeshtë labe të cilën e derdhi me tërë forcën e saj në vargjet e tij. Ai kishte aftesinë të komunikonte lirshëm me bariun që nuk kishte asnjë ‘’ grahmë shkollë’’, por në të njëjtën kohë ishte në gjendje të përballej edhe me intelektualin më të shquar të kulturës botërore.

Mbi të gjitha pasioni i tij ishte poezia. Kur kthehej me pushime në shtëpi dëgjonte me vëmendje nga pjestarët e familjes tregimet për ngjarjet dhe burrat e shquar të vendit. Dëgjonte për Toto Bolenën me barkun e çare nga mitrolozi dhe Selam Musain që zuri topin nga gryka. Dëgjonte për Ismet Toton dhe burra    tjerë  dhe  këto  i  nguliteshin     mendje.  Mbyllej  në dhomën e tij, krijonte poezitë e pavdekshme dhe i recitonte ato me pasion. E  ëma kur shikonte se llampa e dhomës së tij rrinte ndezur deri natën vonë, ngrihej dhe dëgjonte pa u  ndjerë  prapaderës. Duke menduar se ai fliste me vete, kthehej në dhomë dhe i thoshte të shoqit:

- Burro, se ç’na ka pësuar djali! Po flet me vete.

Pasion tjeter i tij ishte edhe sporti, në mënyrë të veçantë futbolli. Ishte një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së liceut ku studionte dhe asaj të qytetit të Vlorës që në atë kohë quhej ‘’ Ismail Qemali ‘’. Shpesh herë e merrnin dhe me avion për të zhvilluar ndeshjet e kampionatit kombëtar të vendit. Të moshuarit vlonjatë e kujtojnë akoma këngën e përhapur në atë kohë:

 

‘’ Forca Nani dhe Kudreti,

Si shejtani me lanetin. ‘’

 

Ishte futbolli ai që u bë shkaktar që t’i futej drejtësise. Vitin që mbaroi shkollën e mesme, skuadra e liceut të tij fitoi titullin e kampiones për shkollat e kësaj kategorie në Romë. Shumica e lojtarëve të kësaj shkolle u rregjistruan në fakultetin e drejtësisë, ndaj edhe Kudreti nuk mund të ndahej prej tyre. Por ai asnjëherë nuk e harroi poezinë. Vargjet e shkruara në atë periudhe janë nga më të arrirat e krijimtarisë së tij.

Karierën juridike e filloi në vitin 1933, duke hapur një zyrë avokatie në Vlorë, aktivitet të cilin e vazhdoi deri në vitin 1936. Po atë vit emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe më vonë në Pogradec.

7 Prilli 1939 e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë.

Ishin vitet e përplasjeve të mëdha. Prapa shpinës së saj Shqipërisë po i përgatitej tragjedia e madhe që do të vazhdonte për një gjysmë shekulli Si në shumë situata të tjera edhe atëhere vendi pati forca që nuk i verboi demagogjia e atyre që propagandonin se do ta bënin popullin ‘’ të hante me lugë të florinjtë ‘’. Ishte nacionalizmi shqipëtar, një nga forcat e të cilit ishte ajo e Ballit Kombëtar e drejtuar nga Korifeu i Shqiptarizmës, Mit-hat Frashëri dhe ajka e inteligjencës shqiptare të asaj kohe.

Në këtë forcë gjeti veten e tij edhe Kudret Kokoshi. U angazhua në rradhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij, duke veçuar këtu pjesmarrjen në ceremoninë e organizuar në Gjirokastër në vitin 1940 kushtuar Çerciz Topullit dhe Muço Qullit, ceremoni ku mbajti edhe një fjalim të shkëlqyer.

Me porosi të Mit-hat Frashërit në vitin 1941, Hasan Dosti i propozoi për të shkuar në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme dhe për formimin e kuadrove me njohuritë juridike bashkëkohore. Duke parë gjendjen në të cilën ndodhej kjo gjymtyrë e vendit mëmë, Kudreti pranoi pa hezituar. Emërohet Kryeprokuror i Shtetit në Prizren. Ndihmon pa u lodhur shqiptarët e asaj krahine në zgjidhjen e problemeve gjyqësore. Bënë të mundur çfuqizimin e disa vendimeve të padrejta dhënë në dëm të tyre. Organizon takime midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre që kishin ardhur me punë nga Shqipëria, ku diskuton për të ardhshmen e kësaj krahine dhe të gjithë Shqipërisë.

Më 28 nëntor 1942 është në ballë të demostratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri të xhandërmarisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja duke e hequr nga kthetrat e milicisë që megjithse i plagosur vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja  dhe  me  plagë    kokë,  ky kosovar patriot e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua.

Fillimi i vitit 1943 e gjen ne Mukje, si pjesmarrës i konferencës historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime të tradhëtisë së madhe.

   Shqipëri  filloi   vllavrasja.    Shtator  1943   vritet    Vlorë  aktivisti  i   shquar nacionalist trimi Azis Sharra. Vlora e tërë mori pjesë në ceremoninë e përcjelljes së trupit të tij. Midis tyre edhe Kudreti që shquhet për oratorinë e tij.

- Sot po qan një nënë - tha ai midis të tjerave - por nesër do të qajnë mijra të tjera.

Orakulli Kudret parashikoi olokaustin shqiptar. Sa nëna humbën dritën e syrit? Ato edhe sot nuk dijnë ku të qajnë. O nëna krenare! Derdhini lotët në çdo pikë të kësaj toke, se kudo janë eshtrat e martirizuara të bijve tuaj, të bijve të Shqipërisë.

Do të mbeten të pavdekshme për këtë vend vargjet e poetit:

 

‘’ Por ky komb për t’cilin vdiqe,

As nuk di ku e ke varrë. ‘’

 

Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkon në Kosove, ku  mbas pak kohe arrestohet nga gestapua dhe internohet në kampet e çfarrosjes në Prishtinë dhe në kufirin Austro-Hungarez.

Lirohet pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar frances, pronarit të uzinës së makinave ‘’ Renault ‘’, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqipëtar.

Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori shpirtzi Selim Alimerko çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar neë Prizren:

 

‘’ Mallkuar qofsh, Benito Musolini!

Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,

Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,

Dhe nëma ushton nga mali në mal. ‘’

 

Por në atë proces ndodhi ajo që vetë organizatorët e saj nuk e kishin parashikuar. Kur akuzohej Kudreti për aktivitetin e tij në Kosovë, nje zë nga salla kërkoi të fliste. Ishte Hariz Thanasi, një pjesmarrës i lëvizjes komuniste, ish kryetar komune në Kosovë në kohën që kishte qenë atje edhe Kudreti. Të gjithë mendonin se ai do vazhdonte akuzat, ashtu si kishin bërë parafolësit e tjerë. Ndodhi e kundërta që i çuditi të gjithë. Harizi filloi të hidhte poshtë të  gjitha akuzat e ngritura kundër tij, duke parashtruar të gjithë argumentat që kishte në dispozicion. Më kot u mundua prokurori ta ndërpriste. Ai vazhdoi deri në fund deponimet e tij. Me gjithë këto si dhe mbrojtjen e shkëlqyer që i bëri avokati Jani Thomai, gjithçka ishte e vendosur. Kudreti u dënua me vdekje me pushkatim. Të njëjtin dënim kishte marrë pak kohë më parë i vëllaj Metua.

Ditë ankthi në burgun e Vlorës. Të dënuarit prisnin ekzekutimin. Edhe të burgosurit e tjerë ishin në pritje të vendimit që do të merrte kupola. Midis tyre Hasan Agaj, i ati i Kudretit.

Një ditë, ndërsa luante domino për të humbur mendjen me një mikun e tij, dikush i afrohet dhe i thotë:

- Hasan Aga, Kudretit ju fal jeta.

Ai nuk e ngriti kokën fare. Iu drejtua mikut të tij duke i thënë:

- Musa, - ishte fjala për Musa Sharrën - luaje gurin, e ke rradhën ti.

Me të vërtetë Musaj pati rradhën. Diktatura i rrëmbeu tre djem të tij. Abdylin, Lekmiun dhe Shyqyriun.

Si mund të ndante Hasan Agaj gëzimin per jeten e Kudretit me dhimbjen për jetën e djalit tjetër që pas disa ditësh e morën për ta pushkatuar?

Një ngjarje me të vërtetë e dhimbëshme. Metua nxirret para togës së pushkatimit. Nga pakujdesia, apo ndoshta nga që disa prej ushtarëve të togës nuk donin të qellonin drejt zemrave të martirëve, Metua dhe dy vëllezerit Bajram dhe Muharrem Lamaj nga Treblova, ranë në gropën e përbashkët të plagosur por jo të vrarë. Ushtarët, duke i pandehur të vrarë, u larguan duke i lënë ashtu të zbuluar, në mënyrë që të nesërmen t’i shihte populli. Si e morën pak veten të tre u zvarritën me mundime secili në drejtimin e vetë. Metua u kthye në shtepi. Por ndërsa Aslihaja po i mjekonte plagët e marra, mbrritën forcat e sigurimit që e morën ashtu me plagë të hapura. Gjithashtu kapën edhe dy të tjerët. I pushkatuan për së dyti. Metua e përjetoi dy herë vdekjen.

Kështu peër Kudretin filloi kalvari 19 vjeçar i vuajtjeve të burgut të Burrelit. Në vitin 1946 e kërkon peër takim  shoku i tij i fëminisë dhe i shkollës., doktori major Ibrahim Dervishi.

- Kudret, - i thotë ai - shoku Enver nuk të  ka  harruar.  Ti  je   jurist  dhe  intelektual

shumë i mirë. Vendi ka nevojë për kuadro si ti. Drejtoju shokut Enver me një letër dhe gjithçka merr fund.

Misionari  vazhdonte    fliste,  por  Kudreti  e  refuzoi  menjëherë. I ktheu shpinën dhe krenarisht u drejtua për në qelinë ku e kishin mbyllur.

Komedia u përsërit edhe shumë vite më vonë. Në vitin 1985, në moshën 78 vjeçare, e mbyllin për tre ditë rrjesht në një nga dhomat e hotel turizmit në Fier për ta detyruar të bëhej spiun, gjë që natyrisht nuk kishte se si të realizohej.

Vazhduan kështu për të torturat psikologjike, urija, dhimbja, por edhe humori të cilin nuk e ndau kurrë. Kur shihte miqte e tij të ligështuar nga urija e tmerrshme që sundonte në burg, aty për aty improvizonte drekëra dhe darkëra imagjinare nga më pralloret që u a servirte atyre dhe për çudi ata e ndjenin veten të ngopur.

Një ditë i erdhi për takim i vëllaj Murati që nuk iu nda gjatë gjithë kohës së burgut. I solli ato pak gjëra që kishte mundur të siguronte me fukarallekun e tij.

- Kur do të vish përsëri? - e pyeti Kudreti kur u ndanë.

- Besoj se mbas dy muajsh - ishte përgjigja.

- Po muaji fillon më 1 dhe mbaron më 31- ia ktheu Kudreti me humor.

Me një fizik të dobët, në kondita të tmerrshme të burgut të Burrelit, Kudreti mundi të mbijetonte në sajë të forcës së rrallë shpirtërore dhe besimit të patundur për të ardhshmen. Ai ruajti të paprekur shpirtin e lartë poetik. Aty për aty krijonte vargje të cilat ua deklamonte miqve të tij pa i shkruar, se rregullorja e burgut nuk lejonte të mbaje më shumë se një gjysmë faqeje letre në muaj sa për t’i shkruar familjes.

Prandaj është plotësisht e kuptueshme që në vëllimin e tij poetik, të mungojnë disa nga perlat e krijimtarisë së tij. Do të permendja këtu ato kushtuar martirëve të nacionalizmit shqipëtar, luftës së Grehotit, Kosovës, Ismet Totos e të tjera. Është detyra e jonë dhe në mënyrë të veçantë e të gjithë bashkëvuajtësve të tij t’i grumbullojnë ato se kështu nuk do i bëjnë nder vetëm emrit të tij, por gjithë letërsisë dhe kulturës shqipëtare. Vlen të përmendet këtu kontributi i dhënë nga zoti Visar Zhiti që bëri të mundur botimin e poezive të tij  në vellimin që po promovojmë sot.

Kudret Kokoshi i përket asaj plejade poetësh të viteve 30-të që pasuruan në mënyrë të dukëshme botën letrare të vendit tonë. Por ai pati diçka të veçantë në këtë drejtim. Duke qenë nën ndikimin e konditave politike dhe shoqërore të asaj kohe dhe të viteve që erdhen më prapa, dikë e mbuloi ndjenja e pesimizmit, ndërsa dikush tjeter i ndodhur para presioneve politike, u detyrua të shkruante edhe ato që nuk i ndjente. Asnjera nga këto nuk ndodhi me Kudretin.Ai mbeti një rast unikal në këtë drejtim.

Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991.

Personalisht u njojta me të shumë vonë pasi doli nga burgu. Por personalitetin e tij e kisha njohur qysh kur isha fëmijë kur im atë, mik i familjes së tyre, e quante ‘’ më të diturin e Kokoshajve ‘’, kur ime motër, mësuese letërsie, më lexonte fshehurazi vargjet e tij. Por më tepër e njoha në ato vite burgu, kur duke u endur nga njëri kamp në tjetrin, megjithse nuk pata fatin ta takoja asnjëhere personalisht, emrin e tij e gjeja gjithmonë përpara. Për të më fliste Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Patër Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Avdurrahman Kreshpa dhe Tahir Hoxha, Engjëll Kokoshi dhe Matish Çefa. Vargjet e tij i kishin mësuar përmendësh pothuajse të gjithë moshatarët e mi. Ato na jepnin forcë dhe shpresë për të ardhëshmen në ato vite të vështira.

Nuk do ta harroj kurrë atë natë shtatori të vitit 1955 në kampin e Bulqizës.  Me nismën e mikut të tij doktor Isuf Hysenbegasit organizuam fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar 35 vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte  çaji i ftohtë  pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e poetit. U deklamuan ‘’Toto Bolena’’ dhe ‘’Epopeja’’, ‘’Luftëtarit të Kombit’’ dhe ‘’Vegimi epik’’, ‘’Të dua Shqipëri’’ dhe ‘’Një ditë vjeshte’’, ‘’Vlorës’’ dhe ‘’Këngën më të bukur këndoj’’, ‘’Spartaku’’ dhe ‘’Neroni’’, ‘’Nënës’’ dhe ‘’Gruas shqipëtare’’. Natyrisht atë natë përfunduam të gjithë në qeli.

Kështu ai u rrit në imagjinatën time rinore si një Ante që merrte forcë nga toka qe e kishte lindur, si një Promete që sfidonte diktaturën, si një Danko që shkulte zemrën e tij për t’i ndriçuar rrugën popullit të vetë.

U befasova kur e pashë për të parën herë në atë dhomën e errët të Muratit pasi doli nga burgu. Para meje nuk qëndronte kollosi që kisha imagjinuar, por një njeri krejt i zakonshëm si unë si ju të gjithë që jeni mbledhur sot në këtë sallë. Por mjaftuan vetëm pak çaste, vetëm disa biseda për të kuptuar se nuk kisha gabuar    imagjinatën  time.  Para  meje  qëndronte  Anteu, qëndronte Prometeu, qëndronte Dankua.

Më kujtohen bisedat që më bënte , qoftë në dhomën e vjetër të hotel ‘’Myzeqesë’’, qoftë në dhomën e vogël ku jetonte dhe punonte së bashku me gruan e tij Ervehenë, që s’iu nda deri ne çastet e fundit të jetës. Këto biseda i bënte gjithmonë në vetën e tretë, sikur i kishin ndodhur dikuj tjetër dhe jo atij. Nuk më kishte folur asnjëherë për veten e tij. Por ajo që më tërhiqte më shumë vëmendjen ishte krenaria e tij e të qënit shqipëtar.

Ja ç’më ka treguar lidhur me këtë miku i tij doktor Isufi.

Ishin vitet 30-të. Të dy studjonin në Romë. Isufi për mjekësi, ndërsa Kudreti për drejtësi. Ishte një periudhe kur në ambjentet studentore të asaj kohe shqipëtarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë.   Organizuan   një   konferencë        cilën  përveç  profesorëve   dhe  studentëve  të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.

Foli e foli me oratorinë e tij  për Shqipërinë dhe shqipëtarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqipëtarit. Foli për Pirron dhe Teutën, per Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që ‘’ vanë në litare vetë ‘’ duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trekëmbeshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:

- Eh or mik, a e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?

Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:

- Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhë miku për darkë dhe nuk kam patun as bukë dhe as krypë per t’i nxjerrun.

Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Që nga ajo ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqipëtarët.

Pasi doli nga burgu poeti pothuajse nuk shkruajti fare. Filloi të merrej me përkthime, me te ardhurat e të cilave si dhe të atyre që siguronte Erveheja duke bërë punët më të rënda në bujqësi apo ndërtim, mundi të përballonte jetën e vështirë të atyre viteve. Ishte një përkthyes i përkryer nga shqipja në italishte, por në veprat e përkthyera  asnjëherë nuk u shkrua emri i tij. Poezi nuk shkruajti më. Nuk shkruajti sepse nuk pranonte të shkruante atë që i diktonin të tjerët. Pena e Kudret Kokoshit nuk pranonte të shkruante vargje të tilla si:

 

‘’ Ku t’i gjej rrënjët e tua Parti? ‘’

 

Dhe as:

 

‘’ Falmë Enver se Pena m’u rëndua. ‘’

 

Pena e Kudret Kokoshit mund të shkruante vetëm:

 

‘’ Kush lufton mbi ato brigje?

Oh, kush vdes duke kënduar?

Kush tha: Rroftë Shqipëria?

Kush këndon duke rënkuar? ‘’

 

Kudret Kokoshi ishte njeri dhe poet i madh. Ai ishte poet i heroizmit kombëtar.

 

Shënim: Mbajtur me rastin e pesë vjetorit të vdekjes dhe promovimit të librit të tij

‘’ Drithmë jete’’

 

Vlorë, më  26   prill   1996



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora