Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Anulohet protesta-Buja premton shamijat!

| E shtune, 23.07.2011, 07:55 PM |


Ministri Buja ka deklaruar se lejimi i shamisë në shkolla publike është gjë e përfunduar dhe është çështje kohe. Kështu thonë përfaqësuesit e Lëvizjes "Bashkohu", mirëpo Info Globi nuk ka mundur ta konfirmojë këtë pohim.

 

Prishtinë: Lëvizja “Bashkohu”, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka anuluar protestën e paralajmëruar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej të premten.

Në këtë komunikatë thuhet se, deri te ky vendim Lëvizja “ Bashkohu “, ka ardhur pas deklaratës së Ministrit për arsim , shkencë dhe teknologji MASHT- it Ramë Buja publikuar sot me datë 21.07.2011 në gazetën “ Express “. Ministri Buja ka deklaruar se lejimi i shamisë në shkolla publike është gjë e përfunduar dhe është çështje kohe. Në vazhdim Ministri Buja ka theksuar se asnjë mysliman nuk duhet ta preokupoj fakti që vajzat e tyre po mbesin pa shkollë për shkak të bartjes së shamive. Ministri Buja ka dhënë premtimin se do ta modifikoj udhëzimin administrativ i cili e ndalon bartjen e shamisë në shkollat publike të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu nga burime të brendshme dhe të sigurta nga Kryeministria e Kosovës jemi informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës e ka vënë para përgjegjësisë këshilltarin e tij politik Blerim Latifi për deklaratat e tij fyese ndaj Kuranit.

Shkak tjetër për anulimin e kësaj proteste është edhe protesta e paralajmëruar që të mbahet me të njëjtën datë në ora 12 : 00 , para ndërtesës së qeverisë së Kosovës e organizuar nga veteranët dhe invalidët e luftës, thuhet në komunikatë  .

Lëvizja ” Bashkohu “ përmes kësaj komunikate i informon institucionet gjegjëse dhe opinionin e gjerë se në rast se bartja e shamisë në shkollat publike të Kosovë nuk lejohet deri në fillim të vitit të ri shkollor ashtu siç ka premtuar edhe ministri i MASHT- it, atëherë ne do ti përdorim të gjithë mekanizmat legjitim deri në realizimin e të drejtave tona.