E marte, 23.04.2024, 08:59 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Skënderbeu i ri dhe origjina e kalorësisë së lehtë franceze - Letër Z. Ylli Polovina

E shtune, 23.07.2011, 08:05 PM


 

Skënderbeu i ri

dhe origjina e kalorësisë së lehtë franceze

 

Letër Z. Ylli Polovina

 

Nga Fotaq Andrea

 

Strasburg, 21.07.2011

 

I dashur Ylli,

 

Ju kam ndjekur nga afër këto ditë në shtyp dhe më lejoni t’ju përgëzoj për qëndrimin tuaj objektiv lidhur me familjen tonë fisnike të madhe të Kastriotëve dhe pasardhësit e saj. Me angazhimin tuaj si studiues serioz, me nuhatjen e mprehtë të diplomatit e të historianit, dhe dashurinë për të pasuruar arkivat tona, ju keni arritur ta shihni rrjedhën e gjakut kastriotin në vijimësi e kronologji, mbështetur mbi dokumente e fakte historike, e duke i vënë mirë pikat mbi -i- edhe për çështje delikate apo sajesa e trille të pashmangshme prejardhur prej mugëtirës së kohëve. Ju faleminderit Ylli.

 

Studiuesi Mihal Dimitri Sturdza, në veprën e tij “Familjet e mëdha të Greqisë, Shqipërisë e të Kostandinopojës” (Paris, 1999), ka botuar tashmë pemën gjenealogjike të Kastriotëve sipas Karl Hopfit (f. 263), ku del më së miri në pah se Skënderbeu kishte për pasues vetëm Gjonin, martuar me Irenën apo Jerinën, të cilët patën për pasues tre djemtë që i përmendni dhe ju, Kostandinin, Ferdinantin (Ferrante) dhe Gjergjin (Giorgio). Nga kjo pemë gjenealogjike del se Kostandini ka vdekur peshkop rreth vitit 1500, Ferrante, martuar me Adriana Acquaviva  pati gjashtë djem, të tërë të vdekur të rinj, por edhe një vajzë, Irenën, Dukeshën e San Pietros, martuar më 1539 me Pietrantonio Sanseverino. E që këtej kemi një vijimësi kastriotine.

Por ka edhe njëfarë intrige te kjo pemë gjenealogjike, që fillon e mbaron për mendimin tim me Gjergjin, djalin e tretë të Gjonit, cilësuar si Skënderbeu i ri. Asgjë nuk jepet për të në pemën kronologjike të Hopfit, veç faktit që ka vdekur më 1540, pasuar nga tre rreshta pikash...... pa ditur se me kë është martuar e në ka lënë pasues.

Çuditërisht, që para dy vjetësh - kur i hyra punës për hartimin e antologjisë së ilustruar “Autorët francezë për arbëreshët e Italisë, 1417-2007 ”, projekt botim nën drejtimin e Prof. Francesko Altimarit, me rreth 550 faqe, e që pret tashmë dritën jeshile të botimit -, kisha hulumtuar edhe në drejtim të kronistëve francezë të fundit të shek. XV e fillimit të shek. XVI, që prej kohës së fushatave të Karlit VIII dhe Luigjit XII në Itali dhe kisha hasur në shkrime interesante për stradiotët shqiptarë dhe sidomos për Skënderbeun e ri.

Siç shihet më poshtë, kronisti Pierre Terrial de Bayard, flet me hollësi për figurën e Skënderbeut të ri përfshirë në betejat e Venedikasve kundër Francezëve (1494-1513) dhe për fillimin e kontakteve të tij me këta të fundit përmes një episodi të hollësishëm. Këtë episod për Skënderbeun e ri, mendova ta ilustroj po ashtu edhe me një shënim mjaft interesant, duke sjellë këtu fjalët e gjeneralit dhe kronikasit tjetër të mirënjohur francez Roger de Rabutin (1618-1693), i cili në “Kujtimet” e tij vë më së miri në dukje se ishte pikërisht Skënderbeu i ri ai që mori kontakt me mbretin francez Karli VIII që para vitit 1498, kur ky vdiq aksidentalisht, për të furnizuar për herë të parë trupat franceze me 400 heshtarë nga të Moresë, apo me stradiotët e parë të mirëfilltë shqiptarë, që do të përbënin kësisoj bërthamën e krijimit kalorësisë së lehtë franceze, traktatin e së cilës e hartoi i famshmi Gjergj Basta shqiptari .

 

Me besimin se ke për t’i mirëpritur këto komente dhe episodin e mëposhtëm,

 

Me ngrohtësi,

Fotaq Andrea

 

 

Pjesë nga Antologjia

 

Fotaq Andrea, “Autorë francezë për Arbëreshët e Italisë, 1417-2007”

Nën drejtimin e prof. Francesco Altimarit

 

 

Pierre Terrial DE BAYARD

 

Pier Terrial Dë Bajar (i mbiquajturi Kalorësi i Mirë Bajar apo “Kalorësi pa frikë e pa qortesë”, 1476-1524), personazh historik i konsideruar si hero kombëtar, bëmat e të cilit shprehin vlerat e kalorësisë franceze gjatë fundit të Mesjetës dhe janë krahasuar me ato të Zhan d’Arkës. Ndër kreshnikëritë e tij më të mëdha gjatë fushatës së Luigjit XII në Itali janë marrja e Gjenovas, e Trevilios, rrethimi i Padovas (1509), rrethimi i Breshias, marrja e Bolonjës, hapja e portave të Venedikut për Luigjin XII e gjer tek orvatja për rrëmbimin e Papa Julit II.

 

EPISOD PËR SKËNDERBEUN E RI[i]

 

Tri a katër ditë pas asaj mësymjeje që kishin bërë bashkërisht kapitenët La Crote, La Clayette dhe Kalorësi i Mirë, ky i fundit u vu në dijeni nga një spiun i tij se brenda një kështjelle të quajtur Bassan ishte tërhequr kapiteni Skanderbeg dhe Albanojët e tij, me disa kalorës të tjerë arbaletjerë nën drejtimin e kapitenit Reynald Contarini, fisnik padovas, dhe se çdo ditë ata bënin mësymje ndaj atyre që vinin në kamp në mbrojtje të bagëtisë që i ishte rrëmbyer armikut dhe ndaj laskënetëve[ii] që vinin nga Alemanja. Dhe kaq shpesh, sa që prej dy a tri ditësh kishin nxjerrë jashtë luftimit mbi dyqind vetë dhe kishin shtënë në dorë mbi katërqind a pesëqind dema e lopë, që i kishin tërhequr brenda në kështjellë të Bassanit. Edhe pse një mëngjes u bënë orvatje për t’u zënë shtegun në një pikë kalimi rrëzë malit, mu poshtë kështjellës me të njëjtin emër, përsëri ata nuk u hasën askund.

Kalorësi i Mirë, që gjithnjë kish rënë në spiunë të zotë, e kishte gjetur një të tillë dhe e kishte paguar dyqind dukate; vendosi të nisej, pa ia zënë në gojë askund se ku po shkonin; sepse kishte tashmë një të dhënë të saktë, sipas së cilës ata nuk ishin më shumë nga dyqind kalorës të lehtë gjithë-gjithë dhe, në këtë rast, ai mund t’i shpartallonte kollaj me tridhjetë nga luftëtarët e vet që ishin të tërë njerëz të përzgjedhur. Po prapë, ai kishte nga ana tjetër edhe tetë a dhjetë fisnikë me vete dhe që, nisur nga dëshira për të marrë pjesë në fushimin e Perandorit, ishin bashkuar me kompaninë e Kalorësit të Mirë vetëm nga dashuria që kishin për të. Dhe ata, së bashku me kompaninë e tij, nuk ishin asisoj njerëzish që mund të nxirreshin kollaj jashtë luftimit. U tregoi atëherë aksionin që do ndërmerrte, duke dashur të dijë nëse dëshironin të merrnin pjesë. Ata e kishin bërë tashmë zgjedhjen e tyre në jetë dhe s’kishin çfarë të kërkonin tjetër. Andaj, një orë para se të lëbardhte, një të shtunë të muajit shtator, u hipën kuajve dhe përshkuan pesëmbëdhjetë lega të mira me një frymë, derisa mbërritën te vendi ku i shpuri spiuni. Dhe u bë tërë kjo me aq fshehtësi sa kurrkush nuk vuri re gjësend. Dhe u ndodhën kështu mu pranë kështjellës, aq sa një e shtënë topi larg. Atje zunë pritë, pa lëvizur një grimë dhe më në fund, dëgjuan të bjerë një buri në kështjellë që lajmëronte t’u hipej kuajve; dhe ata nuk kish si të mos kënaqeshin më në fund.

Kalorësi i Mirë e pyeti spiunin se çfarë udhe do ndiqnin ata për mendimin e tij. Ai gjegji : “Ngado të venë, janë të detyruar të kalojnë mbi një urë të vogël druri, që është një milje larg që këtu dhe që vetëm dy njerëz mjaftojnë për ta ruajtur kundër makar edhe pesëqind vetëve. Sapo ata të kalojnë urën, ju nisni menjëherë për aty ca njerëz, që do e mbajnë kështu urën të bllokuar, duke hequr çdo mundësi kthimi në kështjellë; kurse juve po ju çoj nga pas malit, nëpërmjet një shtegu që njoh, për të mos i hasur drejtpërdrejt në fushën që shtrihet gjer në kufi me Mbretërinë e Sipresë”. “Shumë mirë e keni menduar, i thotë Kalorësi i Mirë”. Dhe shtroi pyetjen: “Kush do rri të ruaj urën?”. Fisniku i Bonetit u shpreh i pari : “Shoqëruesi im Miponti dhe unë jemi në gjendje ta ruajmë, nëse ju e shihni të arsyeshme, duke na lënë me vete edhe ndoca luftëtarë.” “Posi jo, ua ktheu ai; do t’ju shoqërojnë Zhani i Vernjës, së bashku me të birin dhe gjashtë vetë që ka nën armë, si dhe dhjetë a dymbëdhjetë harkëtarë të tjerë”.

Tek po flisnin kësisoj, veç kur shohin Albanojët, si dhe arbaletjerët, të zbresin nga kështjella; dhe dukeshin mu sikur shkonin në dasmë, për të bërë plaçkë të mirë, siç kishin bërë që prej dy ditësh: mirëpo do t’u ndodhte krejt ndryshe, siç do ta shihni. Tek kaluan urën, Boneti mori drejt saj, së bashku me njerëzit e tij. Kurse Kalorësi i Mirë,  me pjesën e mbetur të kompanisë mori për nga shtegu ku i shpuri spiuni, që aq mirë i drejtoi, sa brenda një gjysmë ore, jo më shumë, ata u ndodhën në rrëzë të fushës, ku mund të shihej një kalorës edhe gjashtë milje larg. Dhe e përllogaritën këtë [largësinë] që armiku, i cili po merrte rrugën e Vincences, ku mendonte se do gjente pre të mirë, të mos mund të vinte në përdorim qoftë edhe një kulëvrinë[iii] të gjatë. Kalorësi i Mirë thirri stramastikun e Fajit, shatrin e tij, edhe i thotë: “Kapiten, merrni njëzet nga harkëtarët e tu dhe shkoni e ngacmoni ata njerëz me një luftim të shpejtë. Kur t’ju shohin në numër të paktë, do turren doemos mbi ju. Ktheni menjëherë kuajt mbrapa, si t’ju ketë zënë llahtara, dhe tërhiqini gjer këtu, ku unë po ju pres rrëzë malit; e atëherë do shihni ç’do t’u punojmë.” Gjithçka ishte e qartë dhe nuk kishte nevojë për t’u përsëritur; sepse zanatin e luftës ai e njihte për bukuri. Dhe kështu, ai nisi marshimin drejt përpara, derisa ra në sy të armiqve.

Kapiteni Skanderbeg, sapo pikasi Francezët me kryqet e bardha, i lumtur për një hasje të tillë të papritur, mori gjithë krenari në drejtim të tyre me njerëzit e tij. Zunë t’u qepen atyre, duke thirrur : “Marko, Marko!”[iv]

Stramastiku i Fajit, që e njihte për bukuri detyrën e vet, bën sikur shfaq shenja frike dhe nis tërheqjen. U ndoq nga pas furishëm dhe në atë mënyrë, sa i shpuri gjer tek prita e Kalorësit të Mirë, i cili aq desh për t’u lëshuar, në krye të njerëzve të tij të armatosur, me shpatë në dorë, si të kish përpara një luan të zënë në grackë, tek thirri i pari : “Për Francën, për Francën, Për Perandorinë!” Nga ajo goditje e parë pati armiq të shembur përdhe mbi tridhjetë. Sulmi i parë ishte i fuqishëm e i ashpër; por më në fund, Albanojët dhe arbaletjerët  zunë t’ia mbathnin gjithë revan për t’u kthyer në Basan, tek e dinin fare mirë ç’drejtim të merrnin. E nëse ata bënin detyrën e tyre për të rendur, Francezët bënin detyrën e tyre për t’u rënë pas; veçse aq shpejt rendnin kuajt e tyre të lehtë, sa Kalorësi i Mirë desh e humbi prenë e vet sikur të mos kish qenë ajo ura që ruante Boneti, i cili, së bashku me shokun e vet Mipontin dhe njerëzit që kishin ua bllokuan armiqve kalimin.

Në këtë mënyrë Kapitenit Skanderbeg s’i mbetej veç të luftonte, ose pastaj të zhdukej nga sytë këmbët. Dhe kështu bënë, tek u lëshuan frerët kuajve për t’ia mbathur me të katra. Mirëpo aq shumë u nganë yzengjitë edhe nga pala jonë sa u zunë robër gjashtëdhjetë Albanoi dhe tridhjetë arbaletjerë, së bashku me dy kapitenët e tyre. Ai që shpëtoi i ra mespërmes fushës, fill e drejt Trevizanit.

Në kompaninë e Kalorësit të Mirë, që prej gjashtë ditësh ishte bërë harkëtar një djalë i ri nga Dofineja, i quajtur Gi Gifrej, i biri i Zotërisë së Butierës, i cili nuk ishte më shumë se gjashtëmbëdhjetë a shtatëmbëdhjetë vjeç; por ishte nga racë e mirë dhe kishte dëshirë të madhe të ndiqte shembullin e të parëve të tij. Gjatë luftimit, ai pikasi atë që mbante flamurin e arbaletjerëve të Reinald Kontarinit, që kishte kaptuar një hendek dhe donte t’ia mbathte.

Djaloshi, duke dashur të vërë në provë aftësitë e tij, iu qep tjetrit pas dhe me gjysmë shtizën e vet i jep këtij një goditje aq të fortë sa e përmbysi në shesh dhe e plagosi. Pasandaj, nxori shpatën dhe i thirri : Dorëzohu o flamurmbajtës, në s’do të të nxjerr zorrët jashtë. Flamurmbajtësi, nga frika mos vritej, dorëzon shpatën dhe flamurin tek djaloshi, të cilit i beson fatin e tij, duke qenë se nuk pranoi të shpërblehej kundrejt dhjetë mijë skudeve.

Paskëtaj e hipi në kalin e tij dhe e shpuri fill e tek vendi ku ndodhej Kalorësi i Mirë, i cili atë kohë po i binte burisë për të lajmëruar tërheqjen. Por aq shumë ishin zënë robër sa nuk dinte ç’të bënte me ta. Boneti sheh të vijë për së largu djaloshin Butier, edhe thotë: “Imzot, ju lutem, shihni pak tek po na vjen Gi me një rob që ka zënë, një flamurmbajtës” . Dhe, në këtë e sipër, mbërrin tjetri. Kalorësi i Mirë, tek e njohu, u lumturua si kurrë ndonjëherë, edhe thotë: Si kështu, Butier, ia dolët mbanë të shtini në dorë këtë flamur e të zini edhe këtë rob? – Po, Imzot, i thotë ky, me vullnet të Perëndisë, u detyrua të rrijë urtë e butë, përndryshe, do ta kisha vrarë në vend. Gjithë kompania u shkul gazit, madje edhe vetë Kalorësi i Mirë, që aq sa kishte bëmat, kishte edhe humorin e mirë. Edhe thotë : Butier, miku im, mbarë e keni nisur, dashtë Zoti edhe vazhdoni në këtë udhë!

E në këtë udhë vijoi vërtet, nga ajo kohë, falë virtyteve të tij, u bë nënkolonel i njëqind luftarakëve që Mbreti i Francës ia dha Kalorësit të Mirë, pas mbrojtjes që i bëri më së miri qytetit të Mesierës ndaj kundërshtarëve të Perandorit, siç do të shohim kur të vijë koha. Pas këtij episodi, Kalorësi i Mirë i thotë pastaj Bonetit, Mipontit, kapitenit Pierpont, që ishte tashmë zëvendësi i tij, një kalorës fisnik i urtë e i guximshëm, si dhe atyre që mbante përreth : Zotërinj, lypset patjetër të shtimë në dorë atë kështjellë, sepse ka shumë plaçkë në të, që na duhet për njerëzit tanë. – Sa mirë do ishte, ia kthyen të tjerët, por vështirë t’ia arrijmë, sepse s’kemi artileri. – E kam një plan në kokë se si t’ia arrij brenda një çerek ore. Dhe aty-aty dha urdhër t’i shpinin kapitenët Skanderbeg e Rejnald Kontarini , të cilëve u thotë : E di çfarë, Zotërinj, dua të më dorëzohet kështjella, dhe e di që ju e keni atë forcë për t’i detyruar, ose pasandaj me vullnet të Zotit, do jap urdhër t’u pritet koka mu para portës së saj brenda një ore. Ata ia kthyen se do mundoheshin, me aq sa kishin në dorë. Dhe ashtu bënë; sepse një nip i Kapitenit Skanderbeg e mbante atë, dhe ai menjëherë hapi portat sapo ungji i tij i dërgoi fjalë[v].

Kalorësi i Mirë, dhe gjithë ata që e shoqëronin hynë brenda saj dhe gjetën aty mbi pesëqind dema, lopë dhe tërë atë plaçkë, e cila u nda në mënyrë të barabartë, aq sa secila palë mbeti e kënaqur. Bagëtia u nis për shitje në Vincence, u dhanë tagji kuajve dhe vetë u zhdëpën së ngrëni, sepse kishte tërë atë bollëk. Kalorësi i Mirë uli në trapezin e tij dy Kapitenët venecianë, dhe tek po mbaronin së ngrëni darkën, ja tek vjen Butieri i vogël për të kërkuar kapitenin e tij, tek kishte sjellë me vete robin që kish zënë, një shtatlartë ky dy herë më i gjatë nga ai dhe rreth të tridhjetave. Tek e pa, Kalorësi i Mirë ia dha të qeshurës. E u thotë dy kapitenëve venecianë : Zotërinj, ky djalosh, që nuk ishte veçse një pag para gjashtë ditësh dhe që i duhen edhe tri vjet për t’i mbirë qimja në faqe, ka zënë rob flamurmbajtësin tuaj; është rast tepër i veçantë. Nuk e di si ia bëni ju në kësi rastesh, po ne, Francezët, nuk i dorëzojmë kollaj flamujt tanë, veç kur s’kemi nga t’ia mbajmë. Flamurmbajtësi venedikas u mbulua me turp tek pa nderin e tij të binte aq poshtë. Ndaj tha në gjuhën e tij : Për besë, Kapiten, unë nuk iu dorëzova këtij se pata frikë, sepse i vetëm, ai as që do më kishte zënë kurrë rob. Jo vetëm këtij, por edhe luftëtarit më të mirë tuajit do t’i kisha shpëtuar nga duart, por krejt i vetëm, s’mund të luftoja kundër trupave tuaja.

Kalorësi i Mirë sheh Butierin, e i thotë : Dëgjojeni një çikë, ç’po thotë robi juaj, që ju s’jeni aq i zoti. Djaloshi u vu në pozitë të vështirë, dhe i zemëruar gjegjet : Imzot, ju lutem të pranoni çka do ju kërkoj. – Pa hë, i thotë Kalorësi i Mirë, përse është fjala? – Po ja, i thotë tjetri, unë do t’i kthej robit tim kalin dhe armët e veta, kurse vetë do shaloj kalin tim dhe do vemi atje poshtë për të parë në e mposht dot apo jo për të dytën herë, dhe po qe se e vras, ia di për nder Perëndisë; po qe se ai më shpëton, do t’ia kthej shpërblesën që mora për të. Kalorësit të Mirë iu bë zemra mal pas të tillave fjalë dhe thotë me zë të lartë : Atëherë, e pranoj kërkesën tuaj. Por më kot, sepse Venedikasi nuk e pranoi propozimin e bërë, kur nderi i tij tashmë qe cenuar, ndërkohë që nderi i Butierit të vogël qëndronte lart.

Pasi drekuan, Kalorësi i mirë dhe Francezët u hipën kuajve dhe u kthyen në kamp, ku shpunë edhe robërit e tyre. Për atë kapje të bukur u bë zhurmë për më shumë se tetë ditë, dhe lavde të mëdha iu bënë Kalorësit të Mirë nga Perandori, nga tërë         Aleminët, Ortesët dhe Burginjonët. Madje, edhe vetë Fisniku i madh i Palisës nuk mungoi të shprehë kënaqësinë e tij, të cilit për më tepër iu tregua veprimi i Butierit të vogël dhe propozimi që i bëri robit të vet. Dhe domosdo, në gjithë kampin do gajaseshin e do flitej veç për të. Madje, vetë Fisniku i Palisës do të shprehej se e njihte prej kohësh racën e Butierëve dhe se nga ajo Shtëpi, të gjithë ishin trima e fisnikë. Kështu përfundoi kjo aventurë e Kalorësit të Mirë, pa frikë e pa qortesë edhe këtë radhë.



[i] Kreu XXXVI i Kujtimeve të Kalorësit Bajar me titull : “Rreth një mësymjeje tjetër të Kalorësit pa frikë e pa qortesë, gjatë së cilës ai zuri rob gjashtëdhjetë Albanojë dhe tridhjetë arbaletierë.” Këta Albanojë apo stradiotë shqiptarë drejtoheshin nga nipi i Heroit tonë kombëtar, i cili quhej edhe ai Gjergj Kastrioti, Skënderbeu (i Ri). 

[ii] Trupa mercenare gjermane, sikurse stradiotët.

[iii] Top në Mesjetë, me grykë të gjatë e të hollë.

[iv] “Për Shën Markun, për Shën Markun!”, thirrje luftarake që simbolizonte përkushtimin për Venedikun, duke qenë se ki shërbenin atij.

[v] Kontaktet e para të Skënderbeut të Ri me Francezët që mësynë drejt Italisë që në kohën e Karlit VIII duhet të jenë bërë rreth vitit 1497, pra disa vite më parë nga ngjarjet që raportohen këtu, po të kemi parasysh fjalët e gjeneralit dhe kronikasit të shquar francez Roger de Rabutin (1618-1693), i cili në “Kujtimet” e tij shkruan : “Origjina e Kalorësisë së lehtë ka ardhur në Francë gjatë kohës së Karlit VIII, kur ai shkoi në Itali, ku një fisnik albanoi, i quajtur Georges Castriot, erdhi dhe e takoi, e i solli katër qind heshtarë moreskë, të cilët, nga ajo kohë u quajtën coupies neuves [kositësit e rinj], me heshta më të gjata nga ato që mbanin xhandarët francezë... Këta kalorës u quajtën stradiotë... Georges Castriot, si u largua nga Duka i Mantusë (i cili në atë kohë mbante vetëm titullin e markezit) kaloi në anën e Mbretit [Karl], i kërkoi komandën e Kalorësisë, e fitoi atë dhe e shtoi në numër trupën, e cila shkoi atëherë në një mijë kalorës” (Mémoires, v. 2, f. 378, 1731).



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora