E premte, 19.04.2024, 07:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Qosja: “Kuraja, shtylla e katërt e demokracisë”

E premte, 22.07.2011, 07:08 PM


19/07/2011

 

Nga  Xhevdet Shehu

 

INTERVISTA/ Akademiku i shquar kosovar analizon dhe parashikon proceset shqiptare

 

Përmbysja e regjimit komunist dhe futja e vendit në rrugën e demokracisë, zgjoi te shqiptarët, më shumë se kurrë ndonjëherë, shpresën e zgjidhjes së Çështjes Kombëtare, sfidë dhe ëndërr shekullore kjo në të njëjtën kohë, tepër e koklavitur dhe padyshim më problematikja në Ballkan. Rënia e Murit të Berlinit për shqiptarët mori kuptimin e një simboli dhe të një sinjali, shërbeu si një inkurajim për të arritur atë që për vite e dekada quhej e paarritshme. Dhe nuk ishin të paktë ata që mendonin se, nuk do të ishte e largët dita që edhe trojet shqiptare të bashkoheshin në një, në Shqipërinë e vërtetë etnike, për të cilën kishin luftuar rilindësit dhe mendjet  më të ndritura të kombit, për të cilën ishin derdhur lumenj gjaku dhe qenë bërë sakrifica të panumërta. Për herë të parë në Shqipëri u fol haptazi për rënien e “Murit të Berlinit” midis Shqipërisë dhe  Kosovës, ku banojnë më shumë se dy milionë shqiptarë në trojet e tyre etnike, por edhe për krahinat e tjera shqiptare të lëna padrejtësisht jashtë kufijve shtetërorë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Por, nëse për Kosovën kishte të paktën 10 vjet që flitej dhe kërkohej për të statusi i Republikës, si pasojë e demonstratave masive që shpërthyen duke filluar nga viti 1981, me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri për herë të parë filloi të flitej edhe për Çamërinë. Në një pjesë të shtypit filluan të botoheshin harta sipas kufijve të vjetër të Shqipërisë, ku në krye shënohejShqipëria e Vërtetë, si dhe artikuj, studime e libra të veçantë. Por, ndërsa iu rikthyen me një vrull të ri Çështjes Kombëtare, shqiptarët ishin të ndërgjegjshëm se zgjidhja e saj kërkonte një strategji të qartë, e cila ka munguar dhe ende mungon. Sepse përveç anës objektive, të jashtme, të asaj që varej nga të tjerët, domethënë nga Europa dhe Fuqitë e Mëdha (që kishin nënshkruar aktin e copëtimit të Shqipërisë në fillim të shekullit), kishte dhe një anë tjetër, të brendshme, subjektive që varej nga vetë shqiptarët, të cilët kanë patur dhe vazhdojnë të kenë për këtë çështje shumë probleme dhe mosmarrëveshje midis tyre.

Nga fundi i vitit 1991 gjithnjë e më shpesh filloi të flitej për një Kuvend të Pajtimit dhe Bashkimit Kombëtar, iniciativë kjo e një grupi intelektualësh. Ata fiksuan përafërsisht dhe kohën e mbajtjes së Kuvendit, ndërsa për bashkëkryetarë caktuan akademikun Rexhep Qosja dhe shkrimtarin Ismail Kadare, të cilët, megjithëse njëri në Prishtinë dhe tjetri në Paris, e përshëndetën këtë  iniciativë dhe pranuan të vihen në krye të kësaj pune.

Në fillim të shkurtit 1992 në Tiranë do të mblidhej Komisioni Nismëtar, i cili së pari do të kontaktonte me forcat politike shqiptare për të rënë në një emërues të përbashkët rreth platformës së Kuvendit. Pikërisht në këtë periudhë, pas 11 vjet mungese, mbërriti në Tiranë Prof. Rexhep Qosja, si dhe disa anëtarë të tjerë të Komisionit Nismëtar nga Kosova. Ardhja e profesor Qosjes zgjoi interes në mënyrë të veçantë dhe kudo u prit me një respekt të madh për gjithçka ai kishte bërë për çështjen shqiptare me përkushtim të rrallë. Ai kishte autoritetin e duhur për një akt të tillë historik. Komisioni filloi nga puna duke kontaktuar me partitë politike, të cilat në përgjithësi e mirëpritën dhe u treguan të gatshme për të bashkëpunuar. Në mbrëmje TV jepte takimet e komisionit nismëtar me kryetarët e partive dhe dukej se gjithçka po shkonte për bukuri.

Por, më e çuditshmja ndodhi atëherë kur s’pritej: PD nuk ishte dakord! Shumë shpejt do të merrej vesh se kryetari i PD-së, Sali Berisha, kishte shprehur kundërshtimin dhe kishte patur një dialog të vështirë me profesor Qosjen... Asnjëherë nuk e kemi parë më të mërzitur Rexhep Qosjen sesa pas atij takimi me kryetarin e Partisë Demokratike, do të shpreheshin më pas shumë nga ata që e njihnin nga afër akademikun e shquar kosovar. Dhe si për t’i kompensuar mërzitjen që i shkaktoi ai takim, po atë ditë, në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve dhjetëra intelektualë të Tiranës do t’i rezervonin profesor Rexhep Qosjes një pritje të ngrohtë, që do ta emociononte së tepërmi. Ata e takonin me një dashuri dhe adhurim të veçantë, shkëmbenin disa fjalë me të, përqafoheshin, dilnin në fotografi... Ndërsa ai shëmbëllente  aq shumë atë ditë me Naim Frashërin e De Radën... Rexhep Qosja dhe idealistë të tjerë në shkurt 1992 deshën të realizonin atë që nuk u arrit dot në Mukje gjysmë shekulli më parë. Por nuk mundën. E, nëse për Mukjen e Parë bëhej përgjegjës Enver Hoxha, për “Mukjen e Dytë” gishti u drejtua nga Sali Berisha. Në një moment, midis gazetarëve, shkrimtarëve, e artistëve, e takova dhe unë Profesorin, duke iu prezantuar se kush isha dhe i kërkova një intervistë... Është një intervistë që, çuditërisht, ruan një aktualitet të habitshëm edhe pas 20 vjetësh. Kur ia thashë Biberajt në telefon se i kisha marrë intervistë Rexhep Qosjes, ai nuk e fshehu gëzimin. Shumë mirë, tha dhe, si zakonisht gjatë fillimit të bashkëpunimit tim me Zërin e Amerikës, shkoi vetë menjëherë në studio për të regjistruar intervistën, që ishte pak më e gjatë se një material i zakonshëm. Në receptor dëgjova zhurmën karakteristike të shtypjes së butonave të magnetofonit që përgatitej për regjistrim dhe, pas pak ai tha, “gati”...

 

"Demokracia është botëkuptim"

- Profesor, ju vini në Shqipëri pas 11 vjetësh. Ç’ndjenja provuat në atmosferën në të cilën e gjetët Shqipërinë këtë radhë?

 

- Në Shqipëri kam ardhur pas 11 vjetësh për arsye sepse nuk më është lejuar të vij më parë. Jam i gëzuar pse më në fund vij në Shqipërinë, në të cilën janë ndezur qirinjtë e demokracisë, që jam i sigurt do ta ndriçojnë gjithnjë më shumë Shqipërinë dhe do ta ndriçojnë gjithnjë më shumë krejt popullin shqiptar. Domethënë, jam i gëzuar se vij në një kohë kur në Shqipëri rrjedhin proceset e demokracisë. Shqipëria gjendet në fazën kalimtare prej të vjetrës në të renë, në fazën e kalimit prej një forme pushtetërore në një tjetër dhe në fazën e kalimit prej një forme ekonomike në një tjetër. Domethënë, Shqipëria gjendet në fazën e përpjekjeve të rilindjes demokratike, të kalimit prej demokratizimit në demokraci, të ndërtimit institucional të demokracisë dhe të shtetit civil. Dhe kjo fazë, natyrisht, është e shoqëruar me shumë dhimbje e me shumë dukuri edhe negative. Ajo që e karakterizon jetën shoqërore, politike dhe shpirtërore të Shqipërisë sot është një krizë e thellë dhe madje e përgjithshme. Bie në sy posaçërisht gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike dhe, si pasojë e kësaj, apo e frymëzuar prej kësaj gjendjeje, por jo vetëm prej kësaj gjendjeje, bien në sy edhe fërkimet e paskajshme mes shtresave, mes grupeve të interesit dhe konfliktet mes partive politike. Kur një sistem dhe një ideologji vdesin dhe, kur ende s’kanë lindur liria, sistemi dhe ideologjia e re, shprazëtia mes tyre mbushet apo mund të mbushet me shumëçka, me shumë premtime, por edhe jo me pak rreziqe. Po premtimet i shoh më të sigurta se rreziqet. Shqipëria ka pasuri natyrore të dukshme. Shqipëria ka një inteligjencie të madhe në numër e të fortë me dije. Shqipëria ka popull krijues me dhunti të rralla krijuese, popull të paharxhuar historikisht. Dhe në kushtet demokratike, një Shqipëri me inteligjencie të tillë e me popull të tillë, pa dyshim do të nxirret prej krize e do të përparojë.

 

- Si e mendoni zgjidhjen e çështjes shqiptare në plan ballkanik dhe europian?

 

- Çështja shqiptare, sado çështje e ndërkombëtarizuar sot, mjerisht nuk gëzon ende trajtimin e merituar. Duhet ta pranojmë me keqardhje se kjo çështje me të cilën edhe ka filluar kriza e Jugosllavisë (në të vërtetë zhbërja e Jugosllavisë), është gjetur e mbuluar, të besojmë vetëm përkohësisht, një herë prej çështjes sllovene,  mandej prej çështjes kroate, tani edhe prej çështjes kroate, por edhe prej çështjes maqedonase e prej çështjes së myslimanëve të Bosnjës. Çështja shqiptare, gjithsesi është një çështje e përbërë, madje, shumë e përbërë. Dhe zgjidhja e kësaj çështjeje nuk varet prej nesh, se po të varej prej nesh do ta zgjidhnim lehtë, por varet edhe prej shumë faktorësh të tjerë, prej faktorësh me të cilët ka të bëjë çështja shqiptare, siç janë fqinjët sllavë dhe prej faktorësh europianë dhe ndërkombëtarë. Një zgjidhje të çështjes shqiptare ne e kemi shpallur, e kemi proklamuar. Dhe kjo është zgjidhja që e quajnë Republikë e Kosovës. Ne shpresojmë se kjo zgjidhje do të jetësohet. Po zgjidhja e përhershme dhe e tërësishme e kësaj çështjeje, domethënë e çështjes shqiptare që nuk mund të reduktohet në çështje të Kosovës, mund të bëhet vetëm përmes bashkimit të popullit shqiptar. E dimë se kjo zgjidhje nuk është e lehtë, por besojmë se proceset e bashkimit europian do të sjellin doemos dhe bashkimin e popullit shqiptar. Nuk mund të ketë Europë të bashkuar me shqiptarë të ndarë. Ne besojmë se Kuvendi për Pajtim dhe për Bashkim Kombëtar, domethënë kuvendi gjithëshqiptar do të jetë një akt etik dhe politik që do ta çojë përpara çështjen shqiptare, që do t’ia tregojë botës padrejtësitë që i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen popullit shqiptar; që do të ndikojë në mirëkuptimin e opinionit botëror për çështjen shqiptare.

 

- Ç’mund t’i thoni popullit shqiptar në këtë periudhë zhvillimesh të vrullshme demokratike?

 

- Demokracia bazohet në tri shtylla kryesore e që janë: e para, organizimi i lirë partiak, do të thotë sistemi pluralist partiak, parlamentarizmi shumëpartiak. Dhe Shqipëria këtë e ka arritur dhe shpresojmë ta zhvillojë gjithnjë e më fortë. E dyta, e vërteta, të cilën e mbrojnë mjetet e informimit, të cilën pra, e mbrojnë në dobi të Shqipërisë në përgjithësi e jo në dobi të grupeve të interesave apo të partive të veçanta. Dhe, e treta, shtylla e tretë e demokracisë janë gjyqet e lira dhe të pavarura. Këto tri shtylla të demokracisë, megjithatë, nuk e sigurojnë demokracinë, nuk e bëjnë demokracinë të jetë tamam demokraci, në qoftë se nuk ekziston edhe diçka tjetër. Edhe diçka tjetër që është mbiinstitucionale: e kjo është kuraja qytetare. Pa kurajën qytetare demokracia mund të jetë e hollë. Domethënë, kjo është ajo siç quhet në botën demokratike, opozita jashtëpartiake qytetare. Do të doja që në jetën e popullit shqiptar në përgjithësi dhe, në Shqipëri në veçanti, partitë politike dhe institucionet e tjera politike e shtetërore të kenë shumë më tepër mirëkuptim për këtë shtyllë të katërt vendimtare për demokracinë në një vend. Po ka edhe diçka:Demokracia është botëkuptim. Demokracia është mënyra e marrjes së vendimeve politike. Demokracia nuk lidhet vetëm me një program, po me shumë programe. Demokracia është formë e marrëdhënieve humane mes njerëzve. Demokracia është dialog mes njerëzve. Demokracia më në fund është tolerancë. Duhet të kihet kuptim dhe mirëkuptim për të gjitha këto. Të gjitha këto nuk i gjejmë sot në jetën e Shqipërisë, sepse demokracia në Shqipëri ende është e hollë. Por ne shpresojmë se Shqipëria ecën drejt pushtimit të plotë të të gjitha vlerave të demokracisë.

- Ju faleminderit!

Për ZSH- Kadri Mani (etnike@gmail.com)

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora