E hene, 27.09.2021, 02:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Lirika në frymën e dashurisë njerëzore

E premte, 22.07.2011, 08:57 PM


LIRIKA NË FRYMËN E DASHURISË NJERËZORE

 

Nebih Bunjaku: “TERAPIA E DASHURISË”, poezi, botoi SHB “ZEF SEREMBE“-Prishtinë, 2005

 

NGA XHELADIN MJEKU

 

Poezia e Nebih Bunjakut (1947) dallon nga  aspekti i qasjes dhe nga ndërtimi i strukturës së vargut. Në gjithë krijimtarinë e tij poetike ndeshim ngjyrën e botës që e rrethon, me të gjitha vlerat, karakteristikat dhe stilin e veçantë të tij. Ai që në librin e parë paralajmëroi një ngritje graduale dhe ndërtim të stilit, duke kërkuar shtrirjen e fushëveprimit në disa motive, njëkohësisht. Këtë aktivitet e dëshmoi në vazhdimësi, deri në librin e fundit që para një kohe i dhuroi lexuesit të përvetësuar, falë komunikimit poetik dhe mesazhit që transmeton fjala e tij poetike.

Nebih Bunjaku deri tash ka botuar gjashtë përmbledhje poezish: “Dalje nga balada“, (1994), “Gramatikë zemre”, (2004), “Terapia e dashurisë”, (2005), “Një samit për një simit”, (2007), “Prushimë buzësh”,(2008) dhe “Zemra nuk ka dimër”, (2009). Me shkrime është i pranishëm gjithnjë e më shumë, si në shtypin e kohës, ashtu edhe në prezantimin elektronik, ku dëshmon aktivitetin e pashuar dhe vrapimin e pandalshëm në planetin krijues përplot muza që e provokojnë unin e tij prej liriku.

 

Prekje sensitive në tematikën e lavdisë kombëtare

 

Poezia programatike “Nëna e dashurisë”, si nismëtarja e kësaj lënde të përmbledhur në librin “Terapia e dashurisë”,  vjen si një paralajmërim se autori ka përkushtim të veçantë aktin sublim të mirësisë që nga fillimi i shkrimeve dhe paraqitjes publike të tij. Vlerat e një kulture dëshmohen pikërisht me ngritjen dhe vlerësimin e veprave të njerëzve meritor që i bëjnë nder vetes, kombit dhe mbarë njerëzimit, si është rasti i personalitetit të Nënë Terezës. Dashuria si akt dhe si vepër madhështore hap rrugë të sigurtë nëpër ecejaket e jetës, me të gjitha vlerat e krijuara nga gurra shpirtërore e poetit.

Ndërtimi i librit me ciklet: “Me pranga lirie”, “Terapia e dashurisë”, “Meteorolog i dhimbjes”, “Stinëve të jetës”  dhe  “Meshë për ujkun”, krijon një hapsirë të fushëveprimit në gjithë materien e brumosur brenda kopertinave të kësaj përmbledhjeje  përkushtuar. Këtë bindje e krijon gjithnjë duke e ndier peshën e vlerës së shkrimeve letrare në gjithë opusin e tij krijues, që si motiv frymëzimi ka:

 

“Nga Homeri te Borhesi

i kam miq në vitrinë

ligjërojnë në gjuhën time

diellojnë në çdo stinë”

 

(“Në bibliotekën time”- fq. 60)

 

Citimi i këtyre vargjeve vjen si ndërlidhje e qëndrueshme e mendimit se në poezinë e Nebih Bunjakut fuqi lokomotore e ecjes drejt krijimtarisë poetike është  frymëzimi nga vetë bota letrare që e rrethon, si në bibliotekën e tij ku takon të gjitha figurat e letërsisë, që nga antika e  deri në nivelin botëror, që i bëjnë presion emocional në çdo kohë e në çdo stinë për të jetuar ngushtë me frymëzimin dhe pasionin e pashterrshëm.

Ndërtimi strukturor i kësaj përmbledhjeje të sjell në kujtesën e epokave të veçanta të zhvillimeve historike, të përkujton poashtu kohën djaloshare të autorit, me lirikat dhe dashuriçkat, ashtu si e përcepton moshën e pjekurisë, të buzëqeshjeve të jetës plot shqetësime e gëzime, që  e përcjellin në çdo hap. Pastaj takojmë një periudhë të rëndë dhe të mirëpërshkruar në ciklin “Meteorlog i dhimbjes, sidomos në poezitë “Shah“, “Fruti i dhunës“, Meteorlog i dhimbjes, etj. ku në fundin e zhgënjimit bindshëm flet poezia “Gëzuar trishtim”, e cila  prek dhimbjen në pikën kulmore: “Në gazmendin tënd/ dhe trishtimin tim/ do ta pi me fund/ gotën e fundit/ të farmakut tim” (fq.47).

Poezitë nga cikli “Me pranga lirie”: ”Milli im është Shqipëria”, “Treni i dhimbjes”, “Në Mërdarë” dhe sidomos poezia “Ku është lufta”, që simbolikisht paraqet gjithë kuptimësinë e një faktografie në çdo pjesë të vendit, me torturat, shkatërrimet, vrasjet, etj. dhe dialogu i nënës me të bijën: ”-Nëna ime ku është lufta/asnjëherë unë s’e kam parë/-Mos më pyet moj bija ime/a s’e sheh motrën e vrarë” (fq. 16) tregon tmerret që përjetuan të gjitha moshat e gjinitë në këto troje. Përshkrimi i tmerrit në njërën anë dhe krenaria kombëtare në anën tjetër e fuqizojnë gamën e veprimit të sensit krijues  deri në ngritjen lapidare të figurave heroike dhe lavdisë kombëtare. Mjetet shprehëse, figurat, metaforat dhe dialogët mes vargjeve krijojnë botën poetike sensitive dhe mbulojnë gjithë fushën e paraqitjes së ngjarjeve e momenteve me ndjeshmëri dhe kreativitet të qëndrueshëm.

Cikli “Meshë për ujkun”, shquhet për shtjellimin me sarkazmin dhe urrejtjen ndaj të keqes që i kanoset vendit dhe njerëzve në forma dhe momente të ndryshme, duke ushtruar dhunën, frikën, urrejtjen, deri në  masën e shfarosjes fizike të  qenjes njerëzore.

 

Lirikat e mallit djaloshar

 

Jo rastësisht u përcaktova të shkruaj mbresat prej lexuesi për përmbledhjen me poezi të Nebih Bunjakut me titull “Terapia e dashurisë”, nga gjithsej gjashtë titujve të autorit. Ky libër kishte një përfaqësim të të gjitha motiveve me një shtrirje të gjërë veprimesh në hapsirë dhe kohë të ndryshme të prekjes së temave  dhe ngjarjeve që i shtjellon autori. Aty hetohet një përkushtim serioz në ruajtjen në masë të baraspeshës historike dhe asaj që konsiderohet jetë, me elementet e dashurisë shumëdimensionale.

Në gjithë librin në shqyrtim, poeti sikur nuk ngopet nga terapia shpirtërore, duke ushqyer një dashuri shumëdimensionale, sa në rrafshin e jetës, të së bukurës për atdheun, për të kaluarën e  lavdishme dhe gjithnjë duke i dhënë vrull jetës në haprim me zhvillimet e kohës  “dhe me pak ujë/ e gëlltit/një pilulë dashurie/si ëndrra për ëndrrën”, (fq. 33)

Cikli i poezivë Terapia e dashurisë”, të përkujton kohën djaloshare të autorit, me lirikat dhe dashuriçkat, që nuk janë veç vjersha emocionesh, por prekje të ndieshmërisë shpirtërore, ashtu si e përcepton autori moshën e pjekurisë, të buzëqeshjeve, me plotninë emocionale për jetën e  ikur. Edhe “Stinëve të jetës” aludon në “ngërqin” e dashurisë, por me figura  mitologjike, duke i vënë në funksion të realiteteve që gjasojnë me vrullin e periudhës së autorit, për t’i dhënë ngjyrimin poetik dhe ambientimin mitologjiko-letrar deri në masën e bashkëjetesës së pafund si një varg i transponuar mirë dhe me pedantëri. Kjo dëshmohet katërcipërisht te shumë autor, si dëshmi e qëndrueshme e rrethrrotullimit me elemente të njëjtë, frymëzime dhe shprehje të mendimeve botërisht të pranuara dhe të dëshmuara si figura dhe fenomene mitologjike në poetikën përgjithësisht. këtë motiv shquhen sidomos poezitë: “Peng i lotit”, “Terapia e dashurisë”, “Në muzeun e kujtesës”, “Sytë blu” , “Lavë vullkani”, “Dhembja ime krenare”, “Doruntinë”, “Uliksi”, “Tuneli i shpirtit”, etj.

 

Frymëzimi si opsion dhe synim

 

Në opusin krijues të Nebih Bunjakut reflekton frymëzimi i pashterrur në zgjerimin e temave dhe ideve, në çasjen me përkushtim dhe të motivuar. Ndërtimi strukturor, vargu i rimuar dhe asonanca, timbri dhe melodia e dallojnë në masë këtë poezi, e cila për faktin se autori kujdeset në mënyrë të veçantë për muzikalitetin e vargut, i jep ngjyrë poezisë gjatë gjithë rrugëtimit krijues në  përmbledhjen e tij poetike.

Poezia e Nebih Bunjakut, edhe kur vjen si shprehje e nostalgjisë, edhe atëherë kur prek intimitetin e ndjenjës shpirtërore, edhe në poezinë për jetën, edhe në rastet kur ndërton monumentin e lavdisë  historike gjithandej kah frymon shpirti arbëror e liridashës nëpër shekuj, ka frymën e lirikës së çiltër dhe plot mesazh për një ecje  të sigurtë krah me  zhvillimet në hapsirë dhe kohë, gjithmonë duke insistuar në ruajtjen e veçantive personale, në opusin e tij tashmë të vlerësuar.

Synimi i vargut që të rrumbullaksoj  mundin dhe përkushtimin e autorit në shtjellimin e poezisë në gjithë segmentet e ndërtimit, duke ruajtur rrafshin e  mendimit dhe spontanitetin e shprehjes së qëllimit dhe arsyes së krijimit fiktiv,  janë emblema e veprimtarisë poetike të autorit, poezia e të cilit ka vënë binarët e një traseje të shtruar me mundin dhe përkujdesjen e vazhdueshme, deri në çmalljen e shpirtit që qëndon.

Lirikat e kësaj përmbledhjeje edhe si frymëzime edhe si motive lënë mjaft për të kuptuar se poeti ka krijuar bagazhin e tij mjaft të fuqishëm dhe rrezaton vlera të patjetërsueshme gjithandej në frymën intelektuale, me fuqinë e artit të shkruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora