E shtune, 20.04.2024, 12:17 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Tiranët nuk vdesin!...

E premte, 22.07.2011, 08:59 PM


TIRANËT  NUK  VDESIN !..

 

Nga Fritz RADOVANI

 

            Në shekullin e XX – të, tiranët vendosën që kryeqyteti i tyne me kenë Tirana. Njëheri ky ishte edhe një “nderim” që i bahej njenit prej shteteve ma të vjetra të Europës, shtetit Shqiptar, që zinte vend mu në zemrën e kontinentit plak. Atëherë kur u pat vendosë kjo ngjarje, në fletët e historisë së shtetit tonë të lashtë nuk besoj se as vetë ideatorët nuk kanë ditë me mendue se mbrenda pak vitesh ngjarjet që do të pasonin do të mbërrinin me justifikue “nderimin e madh” që ju ba këtij vendi nga ana e tyne, ndoshta padashje.

            Sot njerëzimi, me zhvillimet e veta në të gjitha fushat, mundohet me shpjegue saktësisht se çdo veprim i kryem nga njerëzit e mëdhej ka lanë gjurmët e veta edhe ndër vendet e vogla, si bie fjala, “Vendimet e Jaltës” në vitin 1945, ku “emni” i shtetit shqiptar, “nënkuptohej” prej tyne, por as nuk zihej me gojë, kur Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli po vendosnin “kokë në kokë” për “fatin” e popujve të mbarë botës të shkatrruem nga Lufta e Dytë Botnore. Thuhej se Shqiptarët luftuen dhe derdhën gjak me fitue “Lirinë”, ndërsa “fitimtarët” e saj pranuen vetë zgjedhën e re të robnisë sllavokomuniste të Jugosllavisë, nën zgjedhen bolshevike staliniste.

            Ishim mësue me kalue nga robnia në robni. Pasojat e vendimeve të këtyne tiranëve, që jo vetem na robnuen, po edhe na coptuen dhe shkallmuen si shtet dhe si Popull, as nuk mund të merreshin me mend as nga vetë hartuesit e atyne traktateve dhe vendimeve antinjerëzore. Por një gja mbetet fakt edhe sot: “Tiranët nuk vdesin!”. Thonte një dijetar i madh shqiptar, Prof. Petro Fundo, se : “Diktatorët si Enver Hoxha sundojnë edhe pas vdekjes!” Nuk donim me besue, mbasi na pelqente mos me kenë e vërtetë kjo thanje, po llogaritja e Tij ishte kenë matematike e saktë.

            Kur popujt kanë fatkeqësi të tilla, atëherë i referohen lashtësisë së tyne... Kështu veprojnë pothuej të gjithë ata që kërkojnë me u mbushë mendjen njerzëve se pasojat e këtyne fatkeqësive vijnë nga “bestytnitë” e vjetra mitologjike. Po kur “bestytnitë” janë fakte historike, si ua bajmë?

            Në rasën e Popullit Shqiptar jemi para një fakti: Me 11 Prill 1985 në kryeqytetin Tirana, vdiq një nga tiranët ma të mëdhej të popullit të vet, tirani Enver Hoxha. Na patëm fatin me e pa vdekjen e tij...sigurisht, në TV, vorrimin dhe shumë nga idhtarët e tij tue vajtue atë vdekje, aq sa të gzueshme poaq edhe të trishtueshme! E gzueshme për pjesën e atij populli që masakroi në 41 vjet të sundimit të tij, por e “trishtueshme” për ata që mbas pak ditësh e panë me sy “Lugat”...

            Nuk kishte sesi mos të çohej “Lugat” një tiran si ai. Pritej një ngjarje e tillë në të gjithë ato  krahina ku veprat e tij kriminale e terroriste ishin të shkrueme me gjakun e Popullit Shqiptar. Për këte flet edhe vetë fakti se, kur e vorrosën, i futën në arkivol një “drapen e çekan” metalik, që vihet pranë trupit të  “Lugatit” dhe një “shát”, që zakonisht u vihet “drejtuesëve” të shteteve komuniste, ashtu si Leninit, Stalinit edhe Enverit, i cili gjithë jeten ishte një “shát” i karrigës së vet!.. Ndër krahina të ndryshme të Shqipnisë ai u asht “shfaqë” shumë njerëzve si “Lugat” në formë planci, që rrotullohej ndër rruga dhe kalldrame i shoqnuem me një zhurmë të mnershme frikuese të natës. Asht pa kryesisht në kalldramet e Gjirokastrës, ku flitej se ka edhe një shtëpi si harem...”muze”. Të parit njeri të gjallë që i asht dukë “Lugati” Enver, mbas 24 orësh, asht kenë një kobra e zezë e shqiptarëve, me emnin Nexhmije, që porsa e ka pa në shtratin e saj, edhe pse “Lugati” kishte në dorë stoli dhe gjerdane bashkë me një thes të mbushun me dollarë, dhe porsa hyni në shtrat i tha: ”Këto nuk i ke ditur as ti kur ua mora gjirokastritëve të mij, prandaj merri tani se janë tuat!”; ajo vërriti aq fort, sa qinda roje që vazhdojnë edhe sot me ruejtë shtëpinë e saj, u alarmuen dhe me ditë të tana ruhej ai vend rreth e perqark bashkë me vorrin e “Lugatit”...

Mjekët filluen me dyshue për aluçinacione të kobres, por e vërteta doli ndryshej kur mbas tri ditësh e pau “Lugatin” në kolltukun e vet edhe Ramizi...

            Ma shumë se të gjithëve “Lugati” i pat qitë punë Sulo Gradecit dhe rojeve të tij, që u duhej me vazhdue punën e tyne pranë vorrit “Lugatit” me vite të tana. Kur “Lugati” u çue bashkë me vorr dhe shkoi nga Kombinati “Stalin”, se nuk mund të rrinte atje mes atyne “Dëshmorëve” që shumicen i pat vra me dorën e vet, tue ua lanë “thiken” e tradhëtisë së vet okupatorëve dhe sa e sa “tradhëtarëve” të vendit, por donte me pa çdo ditë “Stalinin e math” pranë atyne vorreve, atëherë u provue se me të vertetë “Lugati” ishte “Enveri ynë”, për të cilin shkruen edhe Ramiz Alia, që thonte se: “Ay nuk ka ditë vdekje”, mbasi pak kush e kuptonte domethanjen e fjalëve të tij, sepse ishte e vertetë që “Lugati” sillej nëpër Shqipni që me 12 Prill 1985, kur njerëzit në rreshta shkonin me e pa me sy të vdekun, se nuk u besohej se asht i shtrimë në vorr “Lugati”... Edhe tashti kobra vazhdon me dalë me fustane të bukra e të “shkurta” në TV për me tregue se “Tirani nuk ka vdekë...” dhe se të gjitha “thashë e thëmet” e Popullit, se “Lugati nuk jeton më”, nuk janë fare të vërteta. Ajo vazhdimisht ka tregue fakte se ai sillet në Tiranë dhe se vazhdon me shkrue “vepra”. Nëse nuk më besoni mue që jam tue shkrue për të vertetën e atij “tiranit”, ju mundeni me gjetë në gjithë botën “veprat” e “Lugatit” të shkrueme mbas vitit 1985, të botueme dhe të përkthyeme ndër aq shumë gjuhë edhe të disa shteteve që nuk kanë pasë fatin me pasë në vendet e tyne kurrë një udhëheqës “Lugat” e tiran si Enver Hoxhen!

            Një cilësi e veçantë e “Lugatit” tonë asht “rritja e thonjve”, cilësi që edhe trashigohet në “pushtetarët” pasues të fronit të tiranit. Këte cilësi përsonale të tiranëve, që “shkyejnë” me thonjë çdo minut mundin dhe djersen e Popullit të vet, e vërteton edhe “drejtësia” e “Lugatit”, që asht në të gjitha hallkat e shtetit të sotëm i pranishëm. Kjo “drejtësi”, që qendron nalt, deri rreth e rrotull kolltukut të Presidentit, e vazhdon me gjykata, Parlament e Qeveri, tue zbritë deri poshtë ndër qytetet ma të largëta të vendit, ka arritë një ndër ”sukseset” ma të mëdha të shekullit të ri, ka sjellë disa sharra prej jashtë shteti që sharrojnë thonjtë dhe gjuhën e atyne që guxojnë me folë kundër kësaj “drejtësie” sunduese, që në të vërtetë zyrat e saja janë të pastrueme nga makinat fshirse moderne që në gjithë botën quhen “banka”... Nuk e kishte gabim atëherë kur Presidenti Sali Berisha, pranë Komitetit Qendror të PPSh, pat instalue “banken islamike”...ndonse, shumë njerëz e kujtonin se ajo kishte ardhë tek na me ndërtue Xhamija... Po nuk kishte si me kenë një gja e tillë e vertetë përderisa aty afer ishte edhe “zyra e Lugatit”...ku çdo natë shihej drita e ndezun edhe pse dukej se nuk kishte njeri aty që të vazhdonte me punue dhe me mendue si me “pastrue” thonjët e “Lugatit” të vjeter e të ri... të Shtetit Shqiptar.

Ju lutem mos më keqkuptoni, se me fjalën “Lugat” na quejmë të gjithë pasuesit dhe trashigimtarët e fronit të tiranit të pangopun me pare dhe pasuni, dhe mos kujtoni se këtu asht fjala për Popullin Shqiptar që tash 67 vjet ngopë me pasuni e gjak të vetin “Lugetnit” e pangopun të komunizmit...të cilët, “thonjtë” e kuq e të gjakosun tashti i kanë ngjyrosë blu me manikyrë Europjane, por fatkeqsisht kanë harrue se nuk kanë hjekë veset e “Lugatit” anadollak, tue ruejtë me fanatizëm rrugen dhe mënyren e qeverisjes së tij në sherbim të kolltukut personal...

            Në fund të fundit po t’ ishte diçka e keqe për Shtetin “demokratik” Shqiptar figura apo veprat e “Lugatit” tash 20 vjet, Kuvendi Popullor do t’i kishte heqë atij “titujt e dekoratat”, por perderisa nuk ia prekë me dorë as nuk i zë me gojë, ai pajtohet me veprat e tij, ose edhe Kryetarja e Presidiumit të Kuvendit Popullor ka pasë fatin ose rrezikun me ju dukë ndonjë natë “Lugati”...

 

Melbourne, Korrik 2011.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora