E shtune, 20.04.2024, 12:27 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kallëzim penal kundër imamit Shefqet Krasniqi

E enjte, 21.07.2011, 08:03 PM


Prishtinë, 21 korrik – Imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi, ka gjasa të japë llogari para drejtësisë kosovare për fjalët që ka thënë dy vjet më parë për nobelisten shqiptare Nëna Terezë.

 

Dy avokatë, një shkrimtar dhe një qytetar nga Prishtina, shkruan sot “Koha Ditore”,  kanë ushtruar një kallëzim penal kundër imamit Krasniqi për katër vepra penale të dënueshme deri në 10 vjet burgim. Shkrimtari Qerim Ujkani, avokatët Bajram Krasniqi e Zef Prenaj dhe Adem Nimani kanë hedhur firmat e tyre në një kallëzim penal kundër këtij imami, duke pretenduar se me ligjëratën e para dy vjetëve për Nënën Terezë ka kryer vepra të rënda penale.

Në këtë kallëzim, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta, thuhet se imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, më datën 23. 02. 2009 e deri më datën 26. 02. 2009, nëpërmjet shtypit ditor ka ofenduar tërë shqiptarët dhe popujt e botës duke thënë se Nëna Terezë e ka vendin në ferr.

“Të lumturën nobelisten Nënën Tereze, Gonxhe Bojaxhiun ai e quan prostitutë, e cila ka ndërruar shumë meshkuj dhe ka hangër e ka pi pa pare dhe ka shkuar midis xhehenemi thellë. Midis xhehenemi e ka vendin, sepse ajo nuk ka besuar Allahun, nuk e ka besuar Pejgamberin, nuk e ka besuar Kuranin, edhe nëse e ka besuar Allahun ajo e ka besuar me të meta jo të plotë. Allahu nuk ka të meta. Të thuash se Allahu ka djalë ajo është e metë. Allahu nuk e pranon atë adhurim”, është cituar Krasniqi në këtë kallëzim penal. Me këto fjalë, sipas autorëve të kallëzimit që është dorëzuar në Prokurorinë Komunale të Prishtinës, Prokurorinë e Qarkut dhe në atë të Shtetit, Shefqet Krasniqi ka kryer veprën penale nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe etnik, veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, duke fyer personin tjetër. Në këtë rast, sipas paditësve, ka fyer tërë kombin shqiptar dhe personalitetin ndërkombëtar të Nënës Terezë. Po kështu, sipas këtyre nënshkruesve, imami Krasniqi ka kryer edhe vepra penale të shpifjes kundër nderit dhe autoritetit, duke fyer figurën e Nënës Terezë, e po kështu edhe veprën penale të shpifjes, duke përhapur pohime të pavërteta.

“Ne qytetarët e nënshkruar në këtë kallëzim penal propozojmë që njëra prej prokurorive të caktuara më lart të ngrejë aktakuzë kundër hoxhës – imamit të Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi, me propozim që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në arsyetim.

Tre nga hartuesit e kallëzimit me të cilët ka kontaktuar gazeta të mërkurën kanë thënë se qëndrojnë prapa këtij kallëzimi, derisa gazeta nuk ka mundur të marrë asnjë koment nga i padituri për shkak se nuk ka pasur qasje në telefon.

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, në një ligjëratë të mbajtur para dy vjetësh, kishte deklaruar se Nëna Terezë e ka vendin në xhehenem. Duke mos qenë myslimane, sipas këtij hoxhe, humanistja shqiptare e njohur në gjithë botën është e padenjë për të shkuar në xhenet.

Duke iu përgjigjur pyetjes se një besimtari në xhami se çfarë mendimi kishte ai për Nënë Terezën, e cila gjatë jetës së saj ka ndihmuar shumë të varfër, dhe se ku e ka vendin ajo në botën tjetër, imami kishte thënë “midis xhehenemi”.

“Midis xhehenemi, thellë. Midis xhehenemi e ka vendin, sepse ajo nuk ka besuar Allahun, nuk e ka besuar Pejgamberin, nuk e ka besuar Kuranin… Edhe nëse e ka besuar Allahun, ajo e ka besuar me të meta, jo të plotë. Allahu nuk ka të meta. Të thuash se Allahu ka djalë, ajo është e metë. Allahu nuk e pranon atë adhurim”, kishte thënë ai, për të shtuar se me punët e mira që Nëna Terezë i ka bërë, Allahu e ka shpërblyer në këtë botë, por këtë nuk do ta bëjë në atë botën tjetër.

“Siç ka thënë Pejgamberi në hadith, Allahu nuk i bën zullum myslimanit. Kur bën punë të mirë myslimani, Allahu i jep në këtë dynja dhe e shpërblen në ahiret. I jep në këtë dynja, e ruan prej kaderreve, prej të këqijave, i jep evladë, fëmijë, ia shton pasurinë dhe të tjera të mira në këtë dynja myslimanit”, ka thënë Shefqet Krasniqi. Në këtë ligjëratë, e cila është e postuar në ueb faqen “Youtube”, Krasniqi që njihet për qëndrimet e tij më të ashpra thotë se edhe atyre jomyslimanëve, nëse bëjnë mirë në këtë botë, Zoti ua kthen ato të mira, por vetëm në këtë botë, duke mos ua numëruar ato në atë botën tjetër.

“Ndërsa qafirit thotë a.s s. Allahu ia kthen të mirën në këtë dynja, në mënyrë që kur të del para Allahut del duarthatë, dhe s’ka kurrgjë. Pra, në këtë dynja ia ruan shëndetin, ia shton pasurinë, i jep evladë, i jep qetësi shpirtërore, i jep autoritet, pozitë, është deri diku i lumtur… Tana këto i ka pasur Tereza. Ka pas derën çelë, ku ka dashtë me shku, pa pare në këtë dynja, me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë të dojë, burra kënd të dojë me i ndërru. Pra, ka pas të mira në këtë dynja plot ajo, autoritet sa të dush, vetëm se ata e kanë të ndaluar fenë normalisht, pra ia ka dhënë Allahu në këtë dynja të gjitha. Dhe kur të del para Allahut, në ditën e kiametit, nuk ka kurrgjë”, ka thënë ai. Të mërkurën gazeta ka provuar shumë herë të kontaktojë me imamin Krasniqi, por nuk ia ka dalë. Avokatët Zef Prenaj dhe Bajram Krasniqi kanë thënë se nuk kanë asgjë të thonë më shumë se ajo që kanë thënë në kallëzim, ndërsa shkrimtari Qerim Ujkani ka thënë nëpërmjet telefonit se në Kosovë po manifestohet ekstremizëm islamik, dhe ka shkuar se njëri nga këta është Shefqet Krasniqi. 

“Kallëzimin penal tash nuk e kam në dorë, por unë mendoj se çdo manifestim i ekstremizmit islamik që ka zënë rrënjë te ne është i dënueshëm, sepse nuk ka lidhje as me kulturën shqiptare e as me identitetin historik shqiptar”, ka thënë Ujkani. Ai është shprehur i bindur se bazuar në disa manifestime dhe reagime të Krasniqit, ai është ekstremist islamik. Ai tash më shumë shprehet se është në siklet me veprimet e Fuad Ramiqit që, sipas Ujkanit, po i shfrytëzon ekstremistët për qëllime të veta.

“Unë e kam sikletin më të madh te ky Ramiqi, i cili faktikisht është një bandit i cili i shfrytëzon islamistët për qëllime krejtësisht të vetat. Dihet prej kujt financohet ai, dihet se paret fillimisht shkojnë në ‘Hamas’ dhe prej ‘Hamasi’ vijnë te këta ekstremistët tanë. Është jashtëzakonisht keq për historinë tonë, nuk di që ka diçka më të keqe se ajo”, ka thënë ai. Mirëpo Ramiqi, i cili ka organizuar protesta në kërkim të xhamisë, vazhdimisht i ka mohuar këto akuza për lidhje me organizatën palestineze “Hamas”.

 



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora