E merkure, 24.04.2024, 05:36 PM (GMT+1)

Mendime

Redan Bushati: Pse nuk “bëzajnë” studentët?!

E enjte, 21.07.2011, 08:02 PM


Pse nuk “bëzajnë” studentët?!

 

Nga Redan BUSHATI

Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës

 

E çuditshme! Studentët shqiptarë që studiojnë në Shqipëri ndërmarrin nisma, aktivitete dhe krijojnë projekte mbi baza personale dhe grupi. Deri para datës së fillimit të fushatës zgjedhore kishim shumë aktivitete në mesin tonë, të cilat jepnin mesazhe të shumta, por edhe mundësonin një mjedis social dhe akademik. Menjëherë sapo fushata mbërriti në dyert tona, edhe auditoret nuk rezistuan, por u hapën “dykapakësh” për të sjellë aromën partiake dhe militantizmin në shumë raste, krupëndjellës. E megjithatë, përsëri studentët tanë u përpoqën, por ajo çfarë u vu re ishte se studentët të cilët ndërmerrnin nisma dhe projekte në nivele akademike nuk lëviznin ingranazhet motorike të inisiativës së tyre të lirë, ndërsa disa dritëshkurtër, shtoi edhe hipokritët dhe servilët endeshin të zellshëm për të kontribuar në pengimin e proçesit mësimor-edukativ dhe për të angazhuar turmat në brohoritje varfanjake. Aktualisht,të gjithë janë të lodhur…

             Studentët që kanë kapacitete (jo domodoshmërisht edhe nota të larta, pasi kjo është subjektive) do të fillojnë të gjallërohen, e ndërsa nga ana tjetër ato të cilët në fund të diplomimit do të kenë nota më të larta se kapaciteti i tyre do të enden përsëri kafeneve për të bërë sekserin apo matrapazin politik, i cili edhe rezultatet i merr aty ku flitet për rryshfetin. E di, shumë nga ju nuk keni dëshirë të më dëgjoni më. E di, shumë nga ju asqë dëshironi të më shikoni në sy. E di, që disa nga ju më shikojnë me respekt nga frika. E di, se ka nga ju që ndjejnë keqardhje sesi po shuhem dita-ditës duke pastruar shpirtin tim, duke nxjerrë në skenë shumë të palara të arsimit të lartë publik dhe duke dënuar ashpër ato që po na zhytin çdo ditë e më shumë në qorrsokak. Ato janë, pikërisht njerëzit që po drejtojnë arsimin në vend, po e zhvillojnë atë dhe po mësojnë brezat me kultivimin e frymës politike të ecjes përpara në jetë. Sa gjynah!!!

             Asnjëherë nuk do të jem i mirë për pushtetin. Asnjëherë nuk do të jem i mirë për familjen. Asnjëherë nuk do kem shumë shokë me zemër. Dhe e dini pse? Arsyen do ta gjeni shumë thjeshtë tek realiteti ynë, i cili nuk të jep asnjë shpresë dhe që përpiqet të mbulojë me baltë çdo filiz të ri në zhvillim dhe çdo lule që tenton të mbijë në kopshtin e begatë të diturisë. I madhi E. M. Remark tek “Tre shokët” mes të tjerash në një cep të tij thotë  “Nuk është turp të lindësh budalla, por të vdesësh i tillë kjo s’durohet”. Atëherë, të dashur drejtues të arsimit të lartë në vend, të nderuar rektorë dhe pedagogë ju lutem të mos na pengoni në zhvillimin e dijeve dhe kapacitetit të atyre studentëve, të cilët vijnë për të studiuar dhe mësuar për të shpënë përpara motoricitetin e tyre global.

             Së fundi, nuk ka kohë pa hipokritë dhe të paudhë, nuk ka kohë pa njerëz servilë dhe dashakeq, por dijeni se ka kohë që jetohet mirë. E kjo kohë është pikërisht atëherë kur brezat janë të lirë të zgjedhin dhe të marrin informacionin e duhur për t’u zhvilluar aq sa duan drejt aspiratave personale, të cilat mund të ngrejnë lart edhe vlerat tona kombëtare. E nësë ne i duam këto vlera, të përpiqemi që gjithë së bashku të largojmë nga skena dallkaukët dhe kopukët që janë të shtrirë kudo në arsimin tonë, madje duke zënë edhe karrige të mira, e duke na sjellur çdo ditë informacion mizerabël në mjediset tona akademike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora