E premte, 29.03.2024, 12:16 PM (GMT)

Mendime

Nebil Çika: Ne shqiptarët “e dështuar” dhe ata “grekët” e suksesshëm

E enjte, 21.07.2011, 06:59 PM


Ne shqiptarët “e dështuar” dhe ata “grekët” e suksesshëm

 

Replikë me “replikën” e Kristo Frashërit

 

Përballja jonë njëshekullore

 

Nga NEBIL ÇIKA

 

Dje gazeta “Mapo” ribotoi një replikë të Kristo Frashërit ndaj një shkrimi të av. Mexhit Kokalarit të redaktuar nga unë, të botuar në vitin 2000 në një fletushkë që Genc Pollo botoi për disa muaj në kuadër të luftës së tij kundër Sali Berishës në atë kohë. Replika apo shkrimi i z. Frashëri, kushëri i afërt i z. Pollo, kishte të bënte me një shkrim të z. Mexhit Kokalari botuar në “Tema” javore të Mero Bazes, ku unë punoja si gazetar. Kontributi im në shkrimin e z. Kokalari ishte vetëm redaktimi, kryesisht shkurtimi, i disa fakteve të rënda (me sa mbaj mend statistika të krimeve greke në jug në vitet 1912-1913, që ilustronin shkrimin e tij për Take apo Toke Pollos, gjyshin e Genc Pollos, sipas tij zyrtar i policisë greke të qeverisë së Zografit, krijuar nga grekët në territoret e pushtuara të Jugut me qendër në Gjirokastër. Ishte një shkrim i argumentuar me foto e dokumente historike dhe një qëndrim i autorit av. Mexhit Kokalari. Theksoj kontributin tim si redaktor të shkrimit jo se dua të shmang përgjegjësinë, por se nuk dua ti hyj në hise z. Kokalari, i cili i ka të gjitha meritat e autorësisë mbi të, pasi nuk i heq asnjë presje atij shkrimi, por edhe të tjerëve në këtë linjë. Menduam bashkë me botuesin Baze të vinim edhe emrin tim, për të qenë korrekt me ato që i hoqëm, ndoshta pa të drejtë, shkrimit të z. Kokalari. Nuk ju përgjigjem atëherë z. Frashëri, pasi fletushka që e botoi na ra në dorë shumë vonë, por edhe se donim ti linin lexuesit të zgjidhnin vetë midis fakteve e argumenteve që publikonin të dy shkrimet. E solla këtë copë kujtesë për të sqaruar sa të jetë e mundur lexuesit, pasi “Mapo” ka ribotuar vetëm replikën e z. Frashëri, duke krijuar një perceptim të gabuar në opinionin publik, i cili do të kishte qenë më i saktë e më i sqaruar, nëse gazeta do të kishte menduar ti botonte të dyja shkrimet. Duhet të sqaroj se fotot e botuara nga z. Frashëri janë të tjera nga ato që z. Kokalari solli si prova të shkrimit të shkruar prej tij dhe redaktuar nga unë. Fotot e z. Kokalari paraqesin Taken apo Toko Pollon duke pozuar me uniformë greke në krye të një reparti të policisë a ushtrisë së Zogarfit në Gjirokastër, ndërkohë që fotot e Frashërit janë tjetër gjë. Nuk pashë ndonjë dokument që të mund të vërtetonte pretendimet patriotike të z. Frashëri, përveçse faktit të theksuar në diçiturë se: “arma e tij ishte amerikane”, një provë dhe argument sa i pavlefshëm, aq edhe qesharak, sidomos kur përdoret nga një historian si z. Frashëri. Nuk jam historian dhe nuk pretendoj të bëj një gjë të tillë, por dua të theksoj për lexuesin se armët amerikane janë një mall në shitje si çdo tjetër. Përdorimi i një arme amerikane nuk të bën të drejtë e as të ndershëm, për më tepër që nuk është një provë historike. Stërgjyshi im nga nëna, Durmish Merko, që ka luftuar kundër grekëve në Himarë më 1913 dhe kundër italianëve më 1920, ku dha edhe jetën, kishte armën e tij të dashur, një “Mauzer” grek që nuk e ndërroi kurrë. Madje me ketë “mauzer” grek rrëzoi edhe avionin italian (balonën), një nga aspektet më krenare e më historike të Luftës së Vlorës. Nuk besoj se z. Frashëri e sheh si provë historike pozitive faktin që terroristët përdorën avionë amerikanë në sulmet e tyre ndaj Kullave Binjake në Nju-Jork të SHBA-ve. Kërkoj ndjesë që u zgjata në hullinë historike të gjërave, pasi dua të dal menjëherë te qëllimi parësor i replikës sime, që ka pak lidhje me anën historike të çështjes, por shumë me aktualitetin e asaj siç është edhe ribotimi i kësaj replike nga “Mapo”. Nuk i di autorët e ribotimit pas 11 vjetësh të kësaj replike, por jam i sigurt për qëllimin aktual të saj, që lidhet si atëherë me veprimtarinë politike të nipit të Take a Toke Pollos, kushëririt të Kristos, Genc Pollo. Para disa ditësh botova në “Metropol” një opinionin tim mbi ligjin: “Për regjistrimin e popullsisë dhe banesave”, me titull “Formulari Pollo”, një kontribut shqiptar për “Vorio-Epirin”, ku natyrisht shfaqja mendimin tim për këtë ligj dhe pasojat antikombëtare të tij. Genc Pollo përmendej në shkrim vetëm si autori politik i ligjit, ndërkohë që debatoja me argumentet publike të tij në mbrojtje të këtij ligji, atëherë projektligj. Natyrisht që për arsye të bëra publike hyj tek kundërshtarët e ligjit, të cilët disa ditë më parë z. Pollo i cilësoi si “sharlatanë, zhurmues, të dështuar etj”. Nuk iu përgjigja, pasi nuk e shikoja debatin për ligjin në fjalë si personal, mirëpo ribotimi i replikës së vjetër të z. Frashëri më detyron të rikthehem tek thelbi, që si gjithnjë është Genc Pollo, veprimtari dhe fabula e tij e dyshimtë personale e familjare. Duke qenë nga Jugu, nuk është se nuk e kam dëgjuar edhe më parë këtë histori, por nuk i kam dhënë rëndësi, pasi nuk kishte ndonjë arsye publike për tu marrë me këtë pjesë të së kaluarës historike, që në publicistikë risillet si begraund vetëm kur historia përsëritet. Kështu ndodhi edhe me G. Pollon rreth dhe për shkak të të cilit për disa vite rresht vazhdojmë të bezdisim lexuesit tanë të nderuar. Botimi i këtyre historive rreth Pollove mori dritë jeshile në vitin 2000, kur z. Pollo u prish me z. Berisha, pas përpjekjes së mbetur në tentativë për ti zënë vendin në krye të PD. Ky moment përbën edhe “prishjen” time dhe shumë të tjerëve në media e politikë me z. Pollo, pasi humbja prej tij për disa vite e tutelës politike të Berishës, theu edhe barrierat mediatike që bllokonin publikimin e historisë apo historive të tij. Tani shumë prej “të hidhëruarve” prej tij u ka dalë inati dhe janë miqësuar, ndërkohë që të tjerë, apo mbase vetëm unë, që besojmë tek morali dhe principet e që sigurisht nuk mundemi dot të lëpijmë atë që pështyjmë, vazhdojmë të ruajmë të njëjtin qëndrim, pavarësisht pozitës shtetërore dhe raporteve të tij aktuale miqësore me z. Berisha. Gjithsesi nuk jam marrë ndonjëherë personalisht me të, as e kam ngacmuar pa ndonjë arsye të fortë si kjo puna e formularit të tij të fundit. Për të sqaruar z. Frashëri, i cili besoj se nuk ka gisht fare në ribotimin e replikës së tij të vjetër, vë re se kam me Pollon të njëjtin problem që ka dhe ai. E kam marrë të mirëqenë, por edhe të sinqertë citimin e mëposhtëm publik të z. Frashëri për këtë problem: "Ata (grekët) duan Sarandën e Himarën, duan të krijojnë një numërim të madh dhe ti thonë OKB së na lejoni autonominë e Shqipërisë së jugut, sepse ka shumicë greke"... "Shqipëria është një shtet me banorët e saj dhe, nëse regjistrimi bëhet ndryshe, atëherë del si tokë greke. Dhe Greqia do që ne ta bëjmë, që qytetarët të thonë se janë grekë. Bindja fetare me atë politike janë njësoj. Në Greqi i respektojnë rregullat, ndërsa këtu ata nuk duan".

 

Dua të theksoj se përballja me Pollot dhe me çdo shqiptar tjetër që cenon interesat kombëtare është një përballje historike midis dy kampeve, që ka të paktën 100 vjet që vazhdon. “Mapo” përzgjodhi apo i çuan për botim vetëm replikën e Frashërit ndaj meje dhe Kokalarit, mirëpo kjo periudhë e “demaskimit” politik të Pollos ka dhjetëra shkrime e akuza për veprimtari e “biografi” të dyshimtë të tij. Ka dy momente, natyrisht të pareplikuara nga Frashëri, ky dy autorë të njohur sjellin fakte të “anës greke” të medaljes së kësaj familjeje. Mero Baze, gazetar i njohur, ka botuar një përvojë të tij kur mbështeste si gazetar z. Pollo gjatë konkurrimit të tij të parë për deputet në vitin 1996 në Përmet. Gjatë një vizite në fshatin e origjinës së Pollos, Baze kishte pyetur një të afërm të kandidatit, të mbetur në fshat, se ku ishte shtëpia e Gencit. “Ja, ato gërmadhat atje, - i kishte treguar një shtëpi të rrënuar kushëriri i Gencit. - Është djegur në 1914-n.” “E dogjën grekët? - e pyet Baze, një pyetje normale kjo për çdo banor të jugut kur bie fjala për 1914-n.” “Jo, e dogji Sali Butka, se na akuzonte sikur ishim me grekët”, - u përgjigj kushëriri fshatar i Pollos, sigurisht shumë më i sinqertë sesa kushëriri tjetër historian në Tiranë. Kjo dëshmi publike e Mero Bazes u përforcua pak më vonë nga dëshmi që një tjetër figurë publike e historike, shkrimtari, historiani dhe pinjolli i një prej familjeve më atdhetare, Uran Butka. Z. Butka pranoi të zëvendësonte z. Pollo pas tërheqjes së tij nga gara me Berishën për kryetar PD-je në Kuvendin Kombëtar të vitit 2000. Pollo, në pamundësi të dukshme fitoreje, u tërhoq nga gara dy ditë para Kuvendit, si përpjekje për ta zhvlerësuar publikisht zgjedhjen e Berishës. Butka garoi me dinjitet duke theksuar në fjalimin e tij se gara e tij ishte me Pollon, ai e cilësoi një garë historike prej disa brezash, ku palët ishin qartësisht etnikisht të ndara: njëra me Shqipërinë tjetra kundër saj. Besoj se këto dy momente janë të mjaftueshme për të kuptuar se sa historike, por edhe aktuale është përballja greko-shqiptare në Shqipëri. Ne dhe ata. Ka zyrtarisht 100 vjet që nga shpallja e pavarësisë, dy palë që përplasen vazhdimisht me njëra-tjetrën: njëra pro e tjetra kundër Shqipërisë. Ka të drejtë Pollo G., kur thotë se kundërshtarët e ligjit të tij janë të zhurmshëm dhe të dështuar. Po, ne jemi të dështuar në përballjen me ta, pasi një pjesë e madhe e territoreve tona u ngeli atyre ne 1914-n. Mund të ngushëllohemi se mbrojtëm veriun e jugut të Shqipërisë (Vori-Epirin), por kjo nuk mjafton. Ne jemi të zhurmshëm në luftën tonë, pasi kemi të drejtë e nuk kemi çfarë të fshehim. Ata janë të heshtur, nën rrogoz, si të gjitha punët e pista të kësaj bote. Fitoret e tyre dhe dështimet tona janë pa dyshim shekullore. Gjatë diktaturës komuniste ne u varëm, burgosëm e persekutuam, ata u bënë drejtues të Shqipërisë, historianë e akademikë të E. Hoxhës, pra njerëz me pushtet e të suksesshëm sipas Pollos. Erdhi demokracia, prapë e njëjta gjë: ne të dështuar, ata punëmbaruar. Ata me pushtet e pasuri, ne as njërën, as tjetrën, vetëm këtë copë Shqipërie që duan sërish ta dërrmojnë.

 

Për ta mbyllur, dua të rikthehem edhe një herë në krye të argumentit tek debati historik. Siç thashë, nuk jam historian, prandaj nuk merrem me historinë, por si gazetar e qytetar kam të drejtën të vë në dyshim ato që thotë Frashëri, pasi nuk është hera e parë që historianët akademikë të Enver Hoxhës e kanë falsifikuar historinë sipas interesave të diktaturës apo biografive politike të protagonistëve të saj apo pasardhësve të tyre. Para disa vjetësh z. Frashëri, në moment publik i dorëzoi Kryetares së Kuvendit, z. Topalli, një kopje të aktit të pafalsifikuar të historisë. Në disa botime të Historisë së Shqipërisë, ku ai është autor, janë hequr firmat, por edhe fotot e disa prej patriotëve më të shquar: Aqif Pash Elbasani, Dom Nikollë Kaçorri, Midhad Frashëri etj. dhe janë zëvendësuar me xhaxhanë e diktatorit, një nga turpet më të mëdha të historiografisë shqiptare. Fakti që Frashëri K. e kishte aktin origjinal, por nuk reagoi, madje vuri emrin në këto botime të falsifikuara, e komprometon dukshëm besueshmërinë si historian të tij. Kur bëhesh pjesë e një falsifikimi si ky, pse të mos e bësh një gjë të tillë edhe për babanë apo gjyshin tënd?! Me K. Frashërin nuk jemi dakord edhe për çështje të tjera si data e çlirimit, ku ai këmbëngul për 29 nëntorin, por kjo nuk ka rëndësi, pasi unë nuk besoj tek historianet komunistë. Kam shpresë që puna e historisë të zgjidhet profesionalisht, pasi një gjë e tillë është përcaktuar nga z. Berisha si prioritet i qeverisë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Shpresoj shumë që ajo të shkruhet realisht e natyrisht të përfshijë edhe këtë “sherrin” tonë me Frashërin dhe Pollon, një zgjidhje që do na qetësonte te gjithëve, natyrisht nëse Berisha nuk do vendosë tia besojë edhe këtë punë Pollos G. edhe për faktin se ligjërisht ka konflikt interesi, pasi i duhet të rishikojë edhe punën e të atit të tij Stefanaq dhe kushëririt Kristo. Në librin e tij “Mosmarrëveshja”, I. Kadare citon se “problemi i këtij vendi janë ca bij që u vjen turp nga baballarët e tyre dhe nuk durojnë dot djemtë me baballarë normalë e aq me tepër madhështorë”. Unë shpresoj shumë tu përkas këtyre të fundit. Për zotin Frashëri kam edhe një këshillë personale nëse e pranon. E kam dëgjuar dikur të thotë se kam shpëtuar nga diktatura “se i vura kyçin gojës”. Besoj se për atë që i ka bërë historisë kombëtare gjatë diktaturës e gjithë raca e historianëve komunistë, më shumë se atëherë një tillë i duhet pikërisht tani. Një madhështor nga tanët, Faik Bej Konica, është lutur për të gjithë ne: “O Zot, na jep fuqi të heshtim, kur nuk kemi gjë për të thënë!



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora