Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Salihu: Letër e hapur dedikuar për së gjalli poetit e mendimtarit të ri

| E merkure, 20.07.2011, 07:55 PM |


LETËR E HAPUR DEDIKUAR PËR SË GJALLI POETIT E MENDIMTARIT TË RI

 

(Përgjigje  shkrimit “Letra mbi kohën”, të Bujar Plloshtani, të lëshuar në adresën time elektronike)

 

Nga Remzi Salihu

 

Nuk je i vetmuar nëpër këtë arrati mendimesh shqetësuese të thukëta e të qëndisura mjeshtërisht e mprehtash në prehër të freskët të oazës së kohës së tanishme, s’je as kalorës i fundit që sfidon me vrap të ri eterin e ngulfatur me ozon të ndotur çastesh e situatash të ngushta hapësirave të brishta. Çdo individ apo qenie, është një kozmos i veçantë, që shikon e parashikon ngjarje dhe ndodhi të shumta që ia imponon jeta, koha dhe vetëdija. Individi nga perspektiva e shkathtësisë së veçantë mbetet i pazbuluar tërësisht në vete. Mbetet enigmë e përhershme të standardeve të preferuara në kërkim e sipër. Madje bëhet sfidë e tejdukshme e anomalive të shumta në jetë. Kështu në këtë mënyrë të përballesh me kohën, me këmbët e rënduara në vend, nga pesha e syve të vërshuara nga kristale mbrojtëse në vështrim të mprehtë me interesa e kërkesa personale, është një rrugëtim i gjatë që nuk ia gjen fundin tërësisht dëshirës dhe botës. Qenia është qenie. Ajo është aty diku, kur ka praninë e vet – “Dasein”. Nuk është atje ku nuk duket. E prania në qenie, them unë, është këtu, te ne, kur shprehet, shpalohet drejtë me kuptimet e domethëniet e caktuara të mendimit. Martin Heideggeri në librin etij “ Letër mbi humanizmin” nga shumë mendime të mençura i thotë edhe këto fjalë: “Gjuha është shtëpia e qenies. Qeniet njerëzore banojnë në shtëpinë e saj. Kujdestarët e kësaj shtëpie janë mendimtarët dhe poetët” Por kur e shohim praninë tonë të veçantë në kohë? Përgjigjja është e thjeshtë. Aty ku lëmë gjurmë. Ne lëvizim, ikim nga vendi, vetëm ne peng lëmë hijen tonë në hapësirë vepruese. E shohim atëherë, kur vlerat e tij të dobishme dalin në skenë për dobi dhe vlerësim të drejtë në shoqëri. Vërtetë drejtësia, tani për tani, nuk koheronë me kohën, hapësirën dhe njerëzit, por ajo gjendet diku në standardin e vlerave ekzistuese dhe të ligjeve evidente që i ka latuar njerëzimi me përkushtim të devotshëm. Edhe të keqen edhe të mirën njerëzit e ndërtojnë. Çdo e mirë dhe çdo e keqe mund të jetë e çastit dhe e vendit ku jeton e vepron. Por dihet se pas shiut del dielli, për individin mund të mos ketë rrugëdalje, por për një popull, shoqëri, përherë ka rrugëdalje dhe alternativë. E keqja individuale nuk mund të barazohet e të lidhet nyje me të keqen shoqërore. Ajo që është e pamundshme për një person, është e mundshme për një person tjetër e shoqëri të ndrequr mirë. Lëndina e kuptimësive dhe të pa kuptimësive është e madhe. Rrugë ka të shumta. Por ka edhe barriera, për të dalë në kopshtin e dëshiruar. Ti duhet të kërkosh fillin e shtigje të hapura për ta gjetur një shkëndijë dritëdhënëse  të shpresës, mik i nderuar, ku vezullon e bulon arsyeja, për të mbërritur në qëllim. A se shikon sa yje ndriçuese ka indigoja e kthjellët qiellore. E keqja jonë është hija e mugët në duar njeriu, që sjell ngufatje dhe stagnim shoqëror, dhe nuk duhet të pajtohemi me të, si e të tillë që është nëpër mjegullnajë të shikimit të njëanshëm të motivimit tënd të zymtë. Partitë, politikat shkojnë e vijnë, por fati individit nuk mund të lidhet me një klan e turma të caktuar të interesit.  Arsimimi dhe dija e individit krijojnë personalitete të  veçanta, që rrëzon çfarëdolloj barrierash të kurdisura me qëllim e pa qëllim. Sot mobingu është forma më e lartë e atakut të kurdisur të dhunës shprehëse në shoqërinë bashkëkohore, për ta lëçitur, mposhtur dikë nga vendi i punës dhe i veprimit individual kreativ. Por përherë gjendet një shkëndijë drite jeshile në tunel të errtë të padrejtësive të ndodhura. Nuk duhet të ketë vend për pesimizëm. Një dobësi personale nuk është vdekje e madhe shoqërore. Këtu mund të ketë dhimbje në ndjeshmëri. E di se vlera njeri i ka humbur përmasat e veçanta të kuptimit të mirëfilltë të shoqërisë sonë. Akuza e letrës tënde se “vetvetja është  e keqja jonë”, nuk qëndron, ngase vetvetja mund të korrigjohet e mbarësohet e drejtohet, largohet,  kur ka vullnet dhe dije verifikuese globale. Sepse mbi këtë të keqe ka edhe një forcë tjetër të mirë, më të madhe se sa dështimi i përkohshëm.  Muskuj e çeliktë mendorë, që bëjnë kthesa të mëdha ndriçuese në jetë e në shoqëri, të gjitha rropatjet, tendosjet e shumta të padrejtësive të përkohshme,  i  hedhë papandehur në detin e madh të përmbytjeve të thella  kohore. Tekstin nuk duhet kuptuar fjalë për fjalë, ashtu siç mund të përtypet thjeshtë në shikim të parë deshifrues, ngase, ai, ka domethënie e të vërteta të thella në kontekst  mendimi, të koduar mjeshtërisht brenda reshtësh, të cilat duhet deshifruar me kujdes pa lënduar askënd nëpër mjegullnajë të rrjetëzuar në kohë të brishtë, e cila, si e tillë që është, duhet tërhequr me kujdesin më të madh me pincetën e mprehtësisë së gjykimit të realët. Deri sa jetoja në  Zvicër mësova bindshëm se çdo individ ka të drejtë në gjykimin e vet përballë objektivit që trajton e rrethon, por nuk ka të drejtë t’ia ngushtoj lirinë, madje as gjykimin e perceptimit edhe tjetrit e të tjerëve të mendojnë ndryshe. Atje e kuptoja shumë mirë se çka do të thotë drejtësi e pa drejtësi. Këtë detyrë të preferuar e bënte ligji, dhe secili është i detyruar ta respektojë ashtu siç ishte miratuar në kushtetutën e vendit. Ky standard duhet të jetë i pranishëm edhe këtu te ne, për të na shkuar punët mbarë e drejtë. Thyerja e ligjit, mosrespektimi i tolerancës dhe kulturës, sjell anomali të shumta shoqërore. Rokadat e shumta që bëhen në fushën e gjerë të grupimeve njerëzore, japin mesazh ndriçues për t’i kuptuar gjërat ndryshe, nga ajo e zakonshmja. Çdo gjë tendencioze në jetë, e koordinuar me stil atakues për të lëçitur tjetrin, është bumerang burgimi i brishtë që bredh bryltas rreth vetes së mbyllur me pa përgjegjësi shoqërore, që mund të sjell pasoja të trishta hakmarrëse, me ndodhi e kthesa të paparashikuara në kohë dhe hapësirë.  Secili duhet t’i kryej detyrat e veta që ia ka besuar shoqëria. Ideja është se njeriu i ditur mund të hap ide, perspektivë dhe alternativë për të gjithë. Të gjithë ata që do të mbajnë përgjegjësi për punën dhe detyrën e besuar nga të tjerët, do ta kenë një të ardhme të ndritur në shoqëri. Shtirja dhe lakmia e posteve të pa merituara të futin nëpër ujërat e turbullta të etjes së përkohshme, me pasoja përmbytjesh të thella të vetvetes dhe rrethit. Të pa diturit mund të jenë atentator të mundshëm të vetvetes. Në fund nuk është me rëndësi a kemi të drejtë në këto perceptime tona, por e drejtë është t’i shpalojmë mendimet tona, qoftë ato të jenë në kundërshti njëra me tjetrën. I nderuar, unë, nuk lakmoj gjëra që nuk më takojnë, por, ngase unë i kam mpreh thonjtë e fuqisë përballuese për t’u kapur për kohën vrazhdë me mundin dhe djersën time të mundshme. Nuk i tutem kohës. Unë nuk jam parashutist i lëshuar nga zeniti i qiellit, apo i kurdisur nga ndonjë klan i caktuar i shoqëror, por jam një qytetar i rëndomtë i sprovuar dhe i rrahur me shumë peripeci nga jeta, që jam shumë i lidhur për tokën, truallin e vendin. Kam frymuar dhe vepruar me energjinë time, ashtu siç kam ditur më së miri, ndaj edhe ç’veshi me bindje të verifikuara pa kuptimësitë dhe fenomenet që na rrethojnë. Detyra është detyrë që kërkon përgjegjësi. Humbjet e gjërave të vogla mund të të sjellin momente të hidhura, shqetësuese,  por dhimbjet për to mund edhe të tejkalohen. Globin e lëvizjes tënde do ta perceptojnë e shohin të tjerët. Koha dhe historia na ka mësuar se njerëzit mund të dalin në skenë si mbretër, por koha i ka larguar si minj për veprimet e tyre të rrejshme dhe të pa merituara. As panciri më sofistikuar i shprehjes nuk mund ta mbrojë thembrën e Akilit. A se she se në cilën kohë jetojmë. Ky milenium është aq i përsosur sa që teknika, elektronika e informatika depërtojnë në çdo pjesë të globit tonë, madje e ke të pa mundur fshehjen e gjërave dhe imtësive shumta që mund të ndodhin sot në botë. Bile edhe lëvizjen hënore të shikimit tënd dikush e përcjell. Mos u shqetëso i nderuar dhe besimin mos e hidh e këputë lehtas në humnerën e zhgënjimit të përmbytur. Hapësira e  kaltër qiellore ka nevojë për shumë yje. Tekno ritmin e kohës duhet kapur, jashtë afatizimit kohorë që e sjellin në mënyrë të pa realë të tjerët. Hapësira për të jetuar është e madhe.  Çdo kush ka të drejtë të ketë një punë për të dhënë vlera dhe pa dëmtuar askënd në jetë. Andej duhet ecur përpara. Gjithmonë ka një signal të gjelbër në udhëkryq, për t’i tejkaluar vështirësitë në alenë errtë të kohës. Lirinë e ecjes vertikale e krijon vet, atëherë kur e gjen shtegun e drejtë të nisjes për të kërkuar qëllimin e arsyes së dëshiruar.